| E hene, 24.08.2009, 06:35 PM |
POEZI
E PËRMALLIMIT ME RRJEDHË TË KËNDSHME RITMIKE
Daut Maliqi, “Rrjedhë lumi”, botoi klubi letrar “Nositi”,
Dardanë, 2005
Nga Sinan Sadiku
Libri “Rrjedhë lumi” i autorit Daut Maliqi përfshinë 65 poezi të ndara
në katër cikle, si: “Rrjedhë lumi”, “Në majë të lapidarit”, “Shkrepat e malit”
dhe “Gurrat e Gollakut”. Numrin më të madh të poezive, i përshkon një stil i
veçantë me një ritëm të natyrshëm e të këndshëm, në të cilat shprehet një botë
e pasur emocionale pa ndonjë sentimentalizëm të tepruar, por edhe një botë e
pjekur intelektuale e sprovuar nga jeta dhe sfidat e saj nëpër të cilat ka
kaluar autori dhe në përgjithësi njeriu i kësaj hapësire. Disa nga poezitë e
librit janë realizime të bukura poetike, në të cilat është krijuar një harmoni
e plotë e gjuhës poetike, e figurave stilistike, e anës semantike e ritmit dhe
e ngjyrimit emocional.
Libri hapet me
poezinë “Rrjedhë lumi”, sipas së cilës është emërtuar jo vetëm cikli i parë i
përmbledhjes por i tërë libri. Poezia
është shkruar me një mjeshtri të veçantë, me një gjuhë të ngjeshur-eliptike, ku
rima dhe figurat e përsëritjes e përcaktojnë rrjedhën ritmike dhe melodike të
vargut dhe të poezisë, e bashkë me anën
semantike krijojnë një harmoni të plotë që te lexuesi shkakton kënaqësi
estetike, len mbresa dhe nxitë meditime mbi lëvizjen, kalueshmërinë e kohës dhe
të jetës e edhe ripërtëritjen, vazhdimin e saj. Duke qenë se poezia është e
shkurtë me qëllim që lexuesi të mund ta
lexojë po e japim të plotë më poshtë:
Eci unë,
Ecën lumi,
Ndalem unë,
Vazhdon lumi.
Vdes unë,
Rrjedh lumi,
Lind Arti,
Fluturon pëllumbi,
Tërë tradhtinë
E marrtë lumi.
Në dy vargjet e fundit të poezisë bëhet një kalim i
papritur tematik krejt i befasishëm, “Tërë tradhtinë e marrtë lumi”. Kjo është
një gjetje e qëlluar që e shton vlerën e saj.
Një pjesë e madhe e krijimeve që i takojnë këtij
lloji të lirikës refleksive edhe pse
janë të mëvetësishme e plotësojnë njëra-tjetrën, janë të ndërlidhura dhe e
krijojnë një tërësi, që rrezaton mesazhe, imazhe, përvoja, përjetime, brenga,
por edhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Kështu del më e plotë një botë e
veçantë poetike me një vizion të çartë human. Ta zëmë poezinë “Rrjedhë lumi” e
plotësojnë vargjet: “Lumi rrjedh / bart
mbeturinat” me të cilat vargje fillon poezia “Ndërgjegjja”. Pra koha i
spastron gjërat, mbeten vetëm vlerat.
Në aspektin emocional te këto poezi vjen në
shprehje një përmallim, një nostalgji mbase e ndikuar nga mosha për faktin se jeta po kalon, sepse:
Rreth meje bijat e mia,
Po afrohet vdekja
shkruan ai në poezinë “Diçka më mban”
Një përmallim i tillë, si një puhizë e lehtë i freskon edhe një
numër të madh të poezive të cikleve tjera, veçmas ato që i kushtohen
vendlindjes, fëmijërisë, nënës.
I ngjan njeriut të vjen një çast kur biseda me
ndonjë mik a të afërm, me ndonjë moshatar, ose tingulli i ndonjë kënge të cilën
e dëgjojmë në vetmi, ndonjë përvjetor etj. të na kthej në të kaluarën e cila ka
mbetur e freskët në mendjen dhe në shpirtin tonë. Shpesh na ngjan t`i kujtojmë
pasojat e dhimbshme që i la okupimi, lufta, duke i kujtuar të afërmit tanë,
shokët dhe shoqet që ajo na i mori. Këtë çast, këtë përjetim të dhembshëm
autori ka arritur ta materializojë në formë poetike në poezinë “Bota shumë vonë
na kuptoi” me të cilën poezi fillon cikli i dytë i librit i titulluar “Në majë
të lapidarit”:
Në
dritaren e imagjinatës sime
I shoh fytyrat e dikurshme
Të shokëve e shoqeve të mia
Që kurrë më nuk do të qeshin
shkruan autori në këtë poezi.
Krimet që i bëri okupatori mbi popullatën tonë
ishin të tmerrshme, ato lanë vragë të pashlyeshme në shpirtin tonë dhe edhe pas
kalimit të viteve janë “Ato që ngrijnë
lotët e buzëqeshjen”.
Në poezinë
“Cak e kisha lirinë” përshkruhet atmosfera festive, gëzimi që i përshkoi
njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare kur e morën lajmin se forcat ushtarake e
policore serbe së shpejti do të tërhiqen nga Kosova. Autori shkruan:
Aty
takova shumë shokë e miq,
Fërgonin mish e hanin fiq
Ngadhënjeu liria, më tha shkodrani,
Kufijtë u hapën, më tha dibrani,
E ulqinaku në heshtje rri,
Është shumë i kënaqur
Që na ka në shtëpi.
Për të vazhduar:
Bjeshkët buçasin, vallja vazhdon,
Valët e detit freskojnë, freskojnë.
Në këtë cikël janë të përfshira poezitë patriotike
kushtuar atdheut, dëshmorëve të kombit, pasurive natyrore të vendit tonë etj.
Sa iu përket vlerave për të mirë dallohen poezitë: “Bota shumë vonë na kuptoi”,
“Atdhedashuria” dhe “Cak e kisha lirinë”.
Cikli i tretë i titulluar “Shkrepat e malit” hapet
me poezinë “Ti je si rrezja” në të cilën si në asnjë poezi tjetër shpërthejnë:
gëzimi, dashuria dhe optimizmi, ndjenja këto që zakonisht vijnë në shprehje kur
njeriu, më në fund pas pritjeve të gjata, e ka pranë dikë shumë të dashur, që
ia shton bukurinë dhe kuptimësinë jetës, e bënë atë më të lumtur.
E kaluara e njeriut tonë ka qenë e rëndë. Shpesh
është përballë me sfida të shumta, disa herë të pakalueshme, të cilat kanë
sjellë vuajtje, fatkeqësi, vdekje. Shumë herë nënave tona u janë vrarë dhe
masakruar fëmijët, djemtë, vajzat dhe asaj i është dashur të përballet me këto
vështirësi dhe të përmbahet, të qëndroj. Ndonjëherë i kanë rrjedhë “dy pika lot” ka lëshuar ndonjë ofshamë,
por ka heshtë dhe vuajtjen, brengën e pikëllimin i ka mbajt në vete. Megjithatë
edhe pse ajo ka heshtë, “për vuajtjet
shekullore / flasin rrudhat e saj” shprehet autori në poezinë “Lotët e
lokes”.
Një poezi tjetër e këtij cikli, që dallohet për
vlerat poetike është poezia “Në duart e mia”. Përmes metaforave të gjetura me
kujdes, përmes një gjuhe të ngjeshur-eliptike, autori ka arritur ta ndërtojë
një poezi të bukur dhe interesante:
Në duart e mia fle qyteti
Flenë ëndrrat e mia
Flenë bukuritë natyrore
Fle ardhmëria
Flenë vrazhdësitë shekullore
Janë këto vargjet e poezisë në fjalë, përmes të
cilave autori ka dashur dhe ka arritur të thotë, se ato që i ka në shpirt, ato
që kanë të bëjnë me qytetin, vendlindjen, atdheun, me ëndrrat e tij, me
bukuritë natyrore, me vrazhdësitë shekullore, me ardhmërinë, mund t`i qes në
sipërfaqe, t`i materializojë vetëm përmes
duarve, përmes penës, përmes poezisë. Një analizë më e thelluar mund të na qojë
te përfundimi se kjo, është një poezi programatike, të cilën autori e ka
realizuar me përpikëri në këtë libër.
Njëra
ndër poezitë më të bukura të përmbledhjes është poezia “Jeta nuk është poezi”.
Përjetimi që shprehet përmes vargjeve më tepër ta zgjon asociacionin e një
përkujtimi të dhembshëm për dikë shumë të afërm që nuk është më, e mund të jetë
edhe përmallim, dhembje për një kohë, për përjetimet e asaj kohe, e cila ka kaluar
dhe nuk kthehet, sepse çastet e lumtura dhe vet jeta janë të përkohshme në këtë
botë. Kur veç na ngjan t`i humbim më të dashurit, neve nuk na mbetet tjetër
veçse t`i përkujtojmë vetitë më të çmuara të tyre, fjalët më të mira,
mençurinë, sinqeritetin, e ndonjëherë të mendojmë se a kemi qenë ne në nivelin
e tyre, a kemi bërë ne gjithçka është dashur të bëjmë për ta, a i kemi çmuar sa
duhet atëherë, apo vetëm tani kur nuk i kemi? Dhe sado që të kemi bërë për ta,
dhembja mbetet, në mos edhe njëfarë ndjenje e lehtë fajësie.
Kjo
poezi edhe si ndjenjë, edhe si filozofi jetësore, edhe... përafrohet me
poezitë: “Rrjedhë lumi”, “Bredhje”, “Rrjedhat” dhe në shumë aspekte të stilit,
anës meditative, ritmit, ngjyrimit emocional etj. e përbëjnë tipin e poezisë së
veçantë, mjaft origjinale të autorit duke e përcaktuar edhe vlerën dhe stilin e
librit si tërësi, stil ky në të cilin autori i ka dhënë frytet më të pjekura
poetike.
Ciklin
e katërt të titulluar “Gurrat e Gollakut” autori e fillon me poezinë “Heshtja e shkrimtarit”, poezi mbi fatin dhe
vetminë e krijuesit në provincë dhe në përgjithësi në shoqërinë tonë, por edhe
për preokupimet e tij madhore.
Ku ishim, ku jemi e ku do të jemi
I
bënte pyetje vetvetes në heshtje
Pa
kërkuar përgjigje prej askujt
Vështronte
natyrën qytetin.
Rima dhe figurat e përsëritjes janë
mjaft të pranishme në poezitë e librit “Rrjedhë lumi”. Ato e përcaktojnë
rrjedhën ritmike dhe harmoninë tingullore – muzikalitetin e vargut dhe të
poezisë, duke ushtruar ndikim edhe në mesazhin dhe ndjeshmërinë e saj. Autori
është treguar mjaftë i shkathtë në gjetjen dhe në ndërtimin e rimave, të cilat
janë të llojllojshme. Në disa poezi rima vjen në shprehje, apo më mirë të themi
shtrihet në tërë poezinë, ndërsa në disa të tjera është e pranishme vetëm në
pjesë më të vogla ose më të mëdha të saj. Disa nga poezitë më të mira të librit
janë poezi me rimë, por autori ka shkruar poezi të mira edhe pa e përdorur
rimën. Mund të themi se poezitë më të bukura të librit janë poezi të shkurta, disa nga ato të shkruara me një
gjuhë eliptike me ose pa rimë, me një prani të madhe të figurave stilistike
të përsëritjes, po ku vijnë në shprehje
edhe figurat e fjalës e veçmas metafora. Kryesisht janë lirika meditative mbi
kalueshmërinë e jetës, mbi dhembjen, vetminë, dashurinë, vdekjen dhe fenomene,
ngjarje e njerëz me të cilat autori ka jetuar, të cilat kanë lënë mbresa dhe e
kanë frymëzuar muzën e tij poetike. Sipas shijes sime, poezitë më të bukura të
librit janë: “Jeta nuk është poezi”, “Rrjedhë lumi”, “Në duart e mia”,
“Bredhje”, “Ngutia”, “Bota shumë vonë na kuptoi”, “Atdhedashuria”, “Fatin tënd
kërkoje”, “Lotët e lokes”, “Ti je si rrezja” etj.
Karakteristikë e librit përveç
rrjedhës së këndshme ritmike, eufonisë, rimave të gjetura me kujdes, pranisë së
theksuar të figurave stilistike të përsëritjes, është edhe shpalosja e një
ndjenje të sinqertë të mallit, përmallimit, ndjenjë kjo e cila e ka vënë në veprim imagjinatën krijuese të autorit dhe
përjetohet nga lexuesi i cili në shumë nga këto poezi e gjen edhe një pjesë të
jetës së vet, një pjesë të vetvetes.
Ky është libri i parë i autorit
përmes të cilit del para lexuesit një poet i talentuar, i veçantë nga anëtarët
e tjerë të klubit letrar “Nositi”, dhe mozaikut të larmishëm poetik i shtohet
edhe një ngjyrë.