E diele, 28.04.2024, 04:53 PM (GMT+1)

Kulturë

Muhamet Rogova: Poezi e dhembjes dhe zhgënjimit

E hene, 24.08.2009, 07:12 PM


Analizë për librin “Elegji për lotin” të autorit Ilir Hajdari

 

POEZI E DHEMBJES DHE E ZHGËNJIMIT

 

Me këtë përmbledhje poezishë Ilir Hajdari na vjen si një poet i formuar me individualitet krijues pa rënë nën ndikimin e poetëve të tjerë dhe dallohet për origjinalitetin e tij krijues.

 

Shkruan: Mr. Muhamet Rogova

 

Ilir Hajdari si pa trokitur hyri në letërsinë shqipe me përmbledhjen e tij të parë poetike të titulluar “Elegji për lotin”, një përmbledhje modeste me 55 poezi e botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë më 2008. Poezitë në këtë përmbledhje, poeti, sipas tematikës, i ndanë në pesë cikle apo çerthuj poetik. Sipas titujve me të cilat i emërton këta cikle poezishë, nuk është vështirë për t’u kuptuar brenga e thellë që përjeton poeti, vuajtje e thellë shpirtërore, jo vetëm personale por një vuajtje kolektive e përjetuar nga një popull i tërë. Shtrirja kohore e ngjarjeve dhe motiveve që trajton poeti është mjaft e gjatë. Aty përfshihet periudha e pushtimit, ekzili dhe periudha e pas luftës.

Ndonëse poeti për nga pamja duket një djalë i qetë, modest, fjalëpaktë e i heshtur, por ka një shpirtë të trazuar e plot dallgë ashtu si vërehet në vargjet e poezive të kësaj përmbledhje.

Me këtë përmbledhje poezishë Ilir Hajdari na vjen si një poet i formuar me individualitet krijues pa rënë nën ndikimin e poetëve të tjerë dhe dallohet për origjinalitetin e tij krijues. Poetin nuk e preokupon aq shumë forma e jashtme apo gdhendja dhe skalitja e vargut për të krijuar poezi të bukura si një vazo me lule, por më tepër poezia i shërben poetit për të shprehur dufin dhe brengën shpirtërore dhe përpiqet për ta paraqitur pezmin e thellë të tij për jetën dhe realitetin e hidhur që ka kaluar dhe po kalon populli ynë.

Këtë mendim, poeti përpiqet ta përligj përmes vargjeve në poezinë “Biografia e turpit”. Nëse pjesa dërmuese e poetëve thërrasin muzën për t’ua dhënë frymëzimin për të shkruar poezi të bukura e të frymëzuara, poeti Hajdari e ndëshkon dhe e dëbon muzën ashtu si shprehet:

 

E ke rrahur muzën

Kur e more penën

 

Ngase poeti, gjatë rrugëtimit të tij poetic përherë është në kërkim të lirisë dhe njerëzores, por këto as nuk i pa e as nuk i gjeti askund, prandaj poeti bie në zhgënjim dhe zhytet në një pesimizëm të thellë pa e parë askund ndonjë rreze drite apo ndonjë rreze shprese.

Këtë përmbledhje poezishë, autori e titulloi “Elegji për lotin”. Titull mjaft simbolik që në një farë mënyre paraqet tematikën e poezive që trajtohen në këtë përmbledhje. Autori, dhembjen personale përpiqet ta shtrijë në një dhembje kolektive dhe si shkaktar i kësaj dhembje ishte fati historic që neve si popull na ra shorti të kemi mbi kokë e mbi kurriz një pushtues barbar e gjakpirës dhe si rrjedhojë e atij pushtimi, jeta për popullin tonë ishte bërë një ferr i vërtetë.

Që në poezinë e parë të kësaj përmbledhje, “Dorëshkrimet fjalëpaka” me të cilën e fillon këtë përmbledhje e që i shërben si prolog, hasim në një atmosferë të rëndë e trishtuese që paralajmëron se edhe poezitë vijuese do të kenë përmbajtje të ngjajshme:

 

Errësirë e dehur

Sundon

 

Duke shkuar nga poezia në poezi hasim të njëjtën atmosferë. Egërsia e pushtuesit kishte kaluar çdo kufi. Ata përpiqeshin të ndrydhnin çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, por edhe çdo mendim të lirë, për të krijuar një masë amorfe pa formë e pa trajtë. Çdo gjë shqiptare ishte e ndaluar dhe përpiqeshin ta stërkeqnin deri në absurd:

 

Fjalës ia lëshuan ndryshkun

Gjuhës qumështin e helmuar

 

Nga pasha e rëndë e atij pushtimi barbar, poeti, ashtu si edhe një pjesë e popullit tonë, të ndrydhur ishin mbyllë në vetvete, as merr e as jep dhe me një indiferentizëm të tillë shprehej mospajtimi me regjimin dhe kjo kuptohej si rezistencë. Këtë mendim poeti e shpreh në poezinë “Lirisë iu bëra mburojë”. Por se në çfarë shkalle kishte mbërritur pasha e atij pushtimi, poeti e shpreh edhe në poezinë “Barkut të jetës” kun ë çdo rrugë e skutë nuk shihje asgjë të mirë veç se: “Tanksa. Plumba/ Helm/ gjarpërojnë. Duan/ t’ia zënë frymën/ e t’ia thithin gjakun/ jetës”.

Se në çfarë shkalle kishte arritur absurdi i pushtetmbajtësve të asaj kohe tregon edhe poezia “A të kujtohet profesor” ku një popull i tërë ishte shpallur popull i ndaluar dhe jashtinstitucional, duke i mbyllur jo vetëm fabrikat përmes të cilave siguroheshin të ardhurat për popullsinë, por i mbyllën edhe shkollat për ta zhytur popullin tonë në errësirë dhe për ta bërë të pamundur zhvillimin e jetës për popullin shqiptar në këtë hapësirë, në tokat tona stërgjyshore. Por, megjithatë populli e gjeti formën e vetorganizimit të shkollave nëpër shtëpi private e nëpër bodrume për ta shpërndarë dritën e diturisë. Se në çfarë rrethanash e në çfarë atmosphere zhvillohej mësimi nëpër ato shkolla të improvizuara, përherë të përndjekur mbase edhe të maltretuar, si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit, por megjithatë edhe në ato kushte të pakushte, mësimi vazhdonte: “A të kujtohet/ kur pizgauerët/ gumëzhinin rrugëve/ e ne nën dritën e qirinjëve/ shkruanim hartimin/ për lirinë?”.

Tania to kohë kanë mbetur një kujtim i hidhur dhe shërbenjnë për t’iu kujtuar brezave të rinjë rrethanat në të cilat ky popull është përpjekur për ta mbajtur gjallë qenjen e tij kombëtare.

Poeti, përmes poezive të tij shkon rradhë – rradhë në mënyrë kronologjike për të paraqitur rrjedhën e ngjarjeve. Fillimin e luftës dhe masakrimin e popullsisë së pafajshme, me të vetmin faj se ishin shqiptar, poeti e përjeton shumë rëndë. Para tmerreve dhe masakrave që shkaktonte kuçedra e karpateve mbi popullin tonë, poeti ndjehet i pafuqishëm, por ndienë dhembje që i kalon caqet e një dhembje të zakonshme. Në poezinë “Horizonte të bardha” që ia kushton masakrës së Reçakut shprehet”

 

Qava me pika shpirti

Dënesa me dammar zemre

 

Poeti tregohet i sinqert me veten e tij dhe tregon se nuk arriti të dalë përtej dhembjes për ta kthyer atë në forcë e kushtrim për hakmarrje, por rrin e dëgjon: “Refrenin e qyqes/ në luginën/ e shpresës së madhe”

Dhuna që zbatohej mbi popullin tonë i kishte rrënjtë e thella. Një dhunë e tillë ishte zbatuar edhe mbi familjen e poetit, kur i kishin masakruar gjyshin dhe axhën e tij, duke iu humbur edhe varreth edhe gjurmët, kurse babi i poetit kishte ardhur në këtë botë të përciellë me tmerre pasi babain e tij e kishin masakruar. Pra tmerret në atë familje si edhe te një pjesë e popullit tonë ishin përciellë nga brezi në brez. Por një ditë mbushet kupa e durimit dhe rinia rroku armët e doli në mal për të treguar se ky popull ende nuk ka vdekur por ka djem që dinë t’i dalin zot e t’ia kthejnë dinjitetin vendit e popullit të tyre.

Në poezinë “U bëre atdhe” që ia kushton shokut, mikut dhe bashkëvendasit të tij Ilir Hoxhës, poeti, krahas dhembjes që shpreh për humbjen e shokut të tij, shpreh edhe krenarinë që kishte një shok të tillë trim e guximtar, të urtë, të menqur dhe atdhetar që i la bankat e shkollës dhe lapsin e ndërroi me pushkën se siç thoshte ai “Në këto kohë çdo gjë e ka humbur kuptimin përveç pushkës” se kupa ishte mbushur e më nuk durohej. Prandaj doli për t’i dalë zot atdheut në ato caste të vështira për t’ia sjellë këtij populli të shumëvuajtur lirinë, atë liri të ëndërruar gjatë shekujve. Ai ran ë altarin e lirisë, por varri i tij u mbulua me lavdi. Poeti me modesti e akuzon vetveten që nuk e pati atë guxim për t’iu bashkuar shokëve të tij në rrugën e lirisë, ku shprehet:

 

Të kam zili

Miku im Ilir

Ti u bëre atdhe

Unë gur varri

 

Poeti me butësinë e tij shpirtërore përulet para guximit dhe heroizmit të shokut të tij dhe sa shumë i lakmon atij që e mbylli jetën me nder, kurse veten e konsideron si qenje të mjerë që nuk e pat guximin për t’i qëndruar praën shokut të tij, por iu bashkua turmës për të kërkuar strehim në ekzil.

Ekzili tani është një temë tjetër që e trejton poeti në poezitë e tij. Paraqet atë tmerrin biblik që përjetoi populli ynë në kapërcyell të këtij mileniumi. Përmes vargjeve shumë prekëse na qon në atë atmosferë të dhembshme e që do të mbetet në kujtesën e popullit si një kujtim i hidhur: “Qyteti i mërrolur/ po i tmerrohet ikjes/ së dhunshme”. Kurse në poezinë “Atdhe, tradhtia ime e parë” poeti e akuzon vetvetn që në ato caste të rënda, në vend se t’i rrokë armët e t’i bashkohet shokëve të tij në male, atje ku kriste pushka e provohej burrëria, mori rrugën e ikjes, përtej maleve e përtej tmerrit dhe me një lloj pendese përpiqet të arsyetohet: “Atdhe të tradhtova/ u largova dhunshëm”.

Tmerri i të dëbuarve ishte i paskajtë. Iknin prej dhunës, duke lënë prapa shtëpi e katandi, të afërmit e njerëzit e tyre, të vrarë dhe të masakruarit, nën tytat e armëve e nën kërbaq, të shajtur e të poshtruar, pa ditur se ku po shkojnë, çfarë i priste atje dhe pa e ditur se a mund të ktheheshin ndonjëherë në vendin dhe në vatrat e tyre: “Kortezhi i ikjes/ po e derdh shpirtin/ e ngrirë/ rrugës së panjohur…”

Në kronologjinë e paraqitjes së ngjarjeve nëpër poezitë e tij, poeti paraqet gëzimin e papërshkruar të refugjatëve kosovar, kur marrin lajmin se erdhi liria dhe presin me gëzim marathonomakun e tyre. Në poezinë “Rruga e kthimit” poeti shprehet: “Të erdha atdhe/ me ty në zemër”. Gëzimi për ta parë Kosovën e lirë, pas atij tmerri që e kishte përjetuar ky popull, ishte i jashtëzakonshëm. Që në ditët e para filloi kthimi i të larguarve me shpresën e madhe se tani vendin e tyre të lirë do ta shihnin të realizuar ëndrrën e tyre shekullore dhe do ta thithnin ajrin e pastër të lirisë. Në poezinë “Buzëqeshje e lirë” poeti shprehet: “Lotin tënd/ ta vendosësh në muze/ e të më buzëqeshësh/ për të parën herë/ në liri” se për poetin ato tmerre dhe vuajtje duhej t’i takonin të kaluarës e që nuk duhej të ktheheshin kurrë. Prandaj e kaluara e ka vendin në muze për t’iu shërbyer brezave që vijnë vetëm si një kujtim i një të kaluare të largët me të cilat do të merrej historia.

Por ky gëzim nuk zgjati shumë se pas kthimit në vatrat e tyre, gjetën rrënime, djegie, varre të panumërta, por edhe të humbur për të cilët nuk dihej se nga i kishin tretur. Pas kthimit nga ekzili i mundimshëm mendonin se në vendin e tyre tani të lirë, do ta gjenin një atmosferë feste e gëzimi me lodra e me fishekzjarre, për lirinë që erdhi, për të cilën kishin pritur e luftuar për shekuj me radhë. Por vendin e gëzimit e zuri trishtimi. Qyteti ishte shndërruar në gërmadhë, rrugët e mbushura me shkrumbin e dyçaneve dhe shtëpive të djegura. Nëpër rrugët e qytetit e shihje varganin e nënave të veshura me të zeza që kërkonin bijtë e tyre të vrarë apo të tretur që as ato nuk dinin se ku. Dukej se qyteti ishte mbushur me hijet dhe fantazmat e të vdekurve që kërkonin një varr për prehje por nuk e gjenin askund. Në poezinë “Atdheu mezi buzëqeshte” poeti me dhembje shprehet:

 

U kthyem

Për t’i kërkuar varret

Për t’iu gëzuar dhembjeve

 

Ata nuk e gjetën atë liri çfarë e kishin ëndërruar. Poeti bie në zhgënjim dhe mbyllet në guackën e një pesimizmi të thellë për realitetin e hidhur që e rrethon. Në poezinë “Mos e shfleto emrin tim” poeti shprehet: “Ecjet u bënë pendesë/ deri në palcë/ dashuria u gërvisht”. Një mendim të tillë poeti e shpreh edhe në poezinë “Përditshmëri”: “Përditshmëria/ në kornizë/ gatitë mëngjese/ të hidhura”.

Poeti këtë përmbledhje poezishë e përmbyll me poezinë “Kur të vdes”. Kjo poezi duket si një epilog i tërë mendimit të tij krijues e jetësor që përshkohet me tone të një pesimizmi të thelolë jo vetëm për jetën e tij, por për tërë këtë popull. Është thellësisht i zhgënjyer për këtë realitet të zymtë të krijuar te  ne, pa shpresë e pa perspektivë. Liria e ëndërruar nuk erdhi ashu si e kishte ëndërruar poeti, por erdhi një liri e përgjysmuar, përciell me varfëri e papunësi, shoqëri që udhëhiqet jo nga ligji por nga mafija ku i forti e bënë ligjin e vepron si t’i teket, ashtu si shprehet në një rast në poezinë e tij “Hakërrim” Ali Asllani, “Të pa brek i gjeti dreka, milionerë i zuri darka” dhe njerëz të tillë të babëzitur tallen me një popull të tërë. Njerëz të cilët e kanë kthyer atdheun në çiflig. Kjo kategori e njerëzve e kanë edhe përkrahjen e ndërkopmbëtarëve, të cilët na janë bërë zot në shtëpinë tonë. Shkelin parimet dhe premtimet e tyre për vetvendosje, e drejtë që i takon çdo populli në botë sipas parimeve të demokracisë universale. Poeti i indinjuar thellë nga ky realitet i hidhur, len testamentin e tij poetic dhe kërkon që “Kurt ë vdes/ varrin ma mbuloni/ me baltë e gur/ e ma rrafshoni/ që të mos dallohet kurrë” se nuk don të jetë dëshmitar i këtij realiteti as pas vdekjes. Por megjithatë ka një fije shprese se dikur në të ardhmen e largët do të vijë ajo liri e vërtetë kur poeti nuk do të jetë më në këtë botë, kërkon:

 

Kur të vdes

Dërgomani një telegram

Atëherë kur liria

Të jetë liruar nga prangat

 

Se ende qëndron si një kular mbi kokë Kosovës së “lirë” rezoluta 1244 dhe thonë se jemi të lirë. Prandaj zhgënjimi i poetit është shumë i thellë. Prandaj ai don të largohet pa lënë gjurmë nga kjo botë e qelbur. Ai nuk ka iluzione se në botën tjetër do ta gjejë më mirë. Duke e përjetuar ferrin e kësaj bote poeti ka një bindje se edhe në botën tjetër do ta prêt ferri, bile në fund të ferrit, praën luciferrit, praën liqenit të zjarrit. Ashtu si shprehej poeti I mjerimit, Migjeni “Pash më pash do t’i bie ferrit”, e që kjo Migjenit i del si një dëshirë, kurse Ilir Hajdari e paraqet veten të pozicionuar mirë në fund të ferrit, bile në atë më të vështirin. Për këtë e len edhe adresën në testamentin e tij.

Ilir Hajdari, siopas përmbledhjes së këtyre poezive të përmbledhura në këtë vëllim, duket se është nisur për t’i kënduar lirisë. Nëpër këto poezi 17 herë e përdor fjalën LIRI. Por si duket veshtë nuk ia dëgjuan e sytë nuk Ia panë, se dikur ishte liri e ëndërruar, kurse sot koncepti liri për popullin tonë ka evoluar në liri të përgjysmuar apo të lidhur me pranga. Prandaj fund e krye këto poezi përshkohen me tone të zymta e të errëta. Duke i lexuar këto poezi të krijohet përshtypja se poeti po udhëton nëpër një natë të errët e i rrëmbyer nga kallakagjat që nuk sheh as rrugë e as shteg e nuk e pa një ditë të mirë, nuk e përjetoi një cast të gëzuar. Kjo kuptohet edhe prej fjalorit që përdor poeti gjatë hartimit të këtyre poezive. Një fjalor shumë të zymtë për të mos thënë edhe rrënqethës. Ja po i rendisim dhe po e shënojmë fjalorin që e përdor poeti në poezitë e tij: errësirë, ndryshk, helm, rënkim, gorilla, dhembje, psherëtimë, klithmë, burg, frikë, tanksa, gjarpërinjë, varr, lot, dhunë, gjak, futë, zi, plagë, vajtime, gjëmë, baltë, tmerr, përbindësh, holocaust, robëria, klithje, godasin, mistere, kamp, refugjat, vdiq, përvajshëm, ikje, çyrra, helm, nepërka, urrejtje, ego, mëkati, thinjur, zhgënjim, dënes, mallkim, udhëkryqe, mallëngjim, kafshim, pushkatim, i ngrirë, gjelozi, pendesë, gërvisht, lëndoi, grushti, godas, tradhti, përmbys, mëkatar, dyshim, kacafytje, prangat, luciferri, ferri etj.

Krahas këtij fjalori të zymtë, të errtë e të trishtueshëm, poeti përdor edhe një seri togfjalsha që kanë pothuajse të njëjtën përmbajtje: ja zënë frymën, korb i zi, futë, shpirt i ngrirë, qytet i mërrolur, kortezhi i ikjes, ikje e dhunshme, gur varri, loti i kuq, e prenë në fyt, botë e fëlliqur, thith gjakun, mistere të trishta, pranga të ndryshkura, gjak zemre, heshtje e zezë, vdekje e hidhur etj.

Ky fjalor i përdorur si lëndë për hartimin e poezive të këtij poeti, jep për të kuptuar se sa u zhgënjyer është poeti dhe sa thellë është zhytur në pesimizëm si asnjë poet deri tani.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora