| E hene, 24.08.2009, 07:12 PM |
Analizë për librin “Elegji për lotin” të autorit Ilir
Hajdari
POEZI E DHEMBJES DHE E ZHGËNJIMIT
Me këtë përmbledhje poezishë Ilir Hajdari na vjen
si një poet i formuar me individualitet krijues pa rënë nën ndikimin e poetëve
të tjerë dhe dallohet për origjinalitetin e tij krijues.
Shkruan: Mr. Muhamet Rogova
Ilir Hajdari si pa trokitur hyri në letërsinë shqipe me
përmbledhjen e tij të parë poetike të titulluar “Elegji për lotin”, një
përmbledhje modeste me 55 poezi e botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës
në Prishtinë më 2008. Poezitë në këtë përmbledhje, poeti, sipas tematikës, i
ndanë në pesë cikle apo çerthuj poetik. Sipas titujve me të cilat i emërton
këta cikle poezishë, nuk është vështirë për t’u kuptuar brenga e thellë që përjeton
poeti, vuajtje e thellë shpirtërore, jo vetëm personale por një vuajtje
kolektive e përjetuar nga një popull i tërë. Shtrirja kohore e ngjarjeve dhe
motiveve që trajton poeti është mjaft e gjatë. Aty përfshihet periudha e
pushtimit, ekzili dhe periudha e pas luftës.
Ndonëse poeti për nga pamja duket një djalë i qetë,
modest, fjalëpaktë e i heshtur, por ka një shpirtë të trazuar e plot dallgë
ashtu si vërehet në vargjet e poezive të kësaj përmbledhje.
Me këtë përmbledhje poezishë Ilir Hajdari na vjen si një
poet i formuar me individualitet krijues pa rënë nën ndikimin e poetëve të
tjerë dhe dallohet për origjinalitetin e tij krijues. Poetin nuk e preokupon aq
shumë forma e jashtme apo gdhendja dhe skalitja e vargut për të krijuar poezi
të bukura si një vazo me lule, por më tepër poezia i shërben poetit për të
shprehur dufin dhe brengën shpirtërore dhe përpiqet për ta paraqitur pezmin e
thellë të tij për jetën dhe realitetin e hidhur që ka kaluar dhe po kalon
populli ynë.
Këtë mendim, poeti përpiqet ta përligj përmes vargjeve
në poezinë “Biografia e turpit”. Nëse pjesa dërmuese e poetëve thërrasin muzën
për t’ua dhënë frymëzimin për të shkruar poezi të bukura e të frymëzuara, poeti
Hajdari e ndëshkon dhe e dëbon muzën ashtu si shprehet:
E ke rrahur muzën
Kur e more penën
Ngase poeti, gjatë rrugëtimit të tij poetic përherë
është në kërkim të lirisë dhe njerëzores, por këto as nuk i pa e as nuk i gjeti
askund, prandaj poeti bie në zhgënjim dhe zhytet në një pesimizëm të thellë pa
e parë askund ndonjë rreze drite apo ndonjë rreze shprese.
Këtë përmbledhje poezishë, autori e titulloi “Elegji për
lotin”. Titull mjaft simbolik që në një farë mënyre paraqet tematikën e poezive
që trajtohen në këtë përmbledhje. Autori, dhembjen personale përpiqet ta
shtrijë në një dhembje kolektive dhe si shkaktar i kësaj dhembje ishte fati
historic që neve si popull na ra shorti të kemi mbi kokë e mbi kurriz një
pushtues barbar e gjakpirës dhe si rrjedhojë e atij pushtimi, jeta për popullin
tonë ishte bërë një ferr i vërtetë.
Që në poezinë e parë të kësaj përmbledhje, “Dorëshkrimet
fjalëpaka” me të cilën e fillon këtë përmbledhje e që i shërben si prolog,
hasim në një atmosferë të rëndë e trishtuese që paralajmëron se edhe poezitë
vijuese do të kenë përmbajtje të ngjajshme:
Errësirë e dehur
Sundon
Duke shkuar nga poezia në poezi hasim të njëjtën
atmosferë. Egërsia e pushtuesit kishte kaluar çdo kufi. Ata përpiqeshin të
ndrydhnin çdo ndjenjë njerëzore e kombëtare, por edhe çdo mendim të lirë, për
të krijuar një masë amorfe pa formë e pa trajtë. Çdo gjë shqiptare ishte e
ndaluar dhe përpiqeshin ta stërkeqnin deri në absurd:
Fjalës ia lëshuan ndryshkun
Gjuhës qumështin e helmuar
Nga pasha e rëndë e atij pushtimi barbar, poeti, ashtu
si edhe një pjesë e popullit tonë, të ndrydhur ishin mbyllë në vetvete, as merr
e as jep dhe me një indiferentizëm të tillë shprehej mospajtimi me regjimin dhe
kjo kuptohej si rezistencë. Këtë mendim poeti e shpreh në poezinë “Lirisë iu
bëra mburojë”. Por se në çfarë shkalle kishte mbërritur pasha e atij pushtimi,
poeti e shpreh edhe në poezinë “Barkut të jetës” kun ë çdo rrugë e skutë nuk
shihje asgjë të mirë veç se: “Tanksa. Plumba/ Helm/ gjarpërojnë. Duan/ t’ia
zënë frymën/ e t’ia thithin gjakun/ jetës”.
Se në çfarë shkalle kishte arritur absurdi i
pushtetmbajtësve të asaj kohe tregon edhe poezia “A të kujtohet profesor” ku
një popull i tërë ishte shpallur popull i ndaluar dhe jashtinstitucional, duke
i mbyllur jo vetëm fabrikat përmes të cilave siguroheshin të ardhurat për
popullsinë, por i mbyllën edhe shkollat për ta zhytur popullin tonë në errësirë
dhe për ta bërë të pamundur zhvillimin e jetës për popullin shqiptar në këtë
hapësirë, në tokat tona stërgjyshore. Por, megjithatë populli e gjeti formën e
vetorganizimit të shkollave nëpër shtëpi private e nëpër bodrume për ta
shpërndarë dritën e diturisë. Se në çfarë rrethanash e në çfarë atmosphere
zhvillohej mësimi nëpër ato shkolla të improvizuara, përherë të përndjekur
mbase edhe të maltretuar, si nxënësit ashtu edhe mësimdhënësit, por megjithatë
edhe në ato kushte të pakushte, mësimi vazhdonte: “A të kujtohet/ kur
pizgauerët/ gumëzhinin rrugëve/ e ne nën dritën e qirinjëve/ shkruanim
hartimin/ për lirinë?”.
Tania to kohë kanë mbetur një kujtim i hidhur dhe shërbenjnë
për t’iu kujtuar brezave të rinjë rrethanat në të cilat ky popull është
përpjekur për ta mbajtur gjallë qenjen e tij kombëtare.
Poeti, përmes poezive të tij shkon rradhë – rradhë në
mënyrë kronologjike për të paraqitur rrjedhën e ngjarjeve. Fillimin e luftës
dhe masakrimin e popullsisë së pafajshme, me të vetmin faj se ishin shqiptar,
poeti e përjeton shumë rëndë. Para tmerreve dhe masakrave që shkaktonte kuçedra
e karpateve mbi popullin tonë, poeti ndjehet i pafuqishëm, por ndienë dhembje
që i kalon caqet e një dhembje të zakonshme. Në poezinë “Horizonte të bardha”
që ia kushton masakrës së Reçakut shprehet”
Qava me pika shpirti
Dënesa me dammar zemre
Poeti tregohet i sinqert me veten e tij dhe tregon se
nuk arriti të dalë përtej dhembjes për ta kthyer atë në forcë e kushtrim për
hakmarrje, por rrin e dëgjon: “Refrenin e qyqes/ në luginën/ e shpresës së
madhe”
Dhuna që zbatohej mbi popullin tonë i kishte rrënjtë e
thella. Një dhunë e tillë ishte zbatuar edhe mbi familjen e poetit, kur i kishin
masakruar gjyshin dhe axhën e tij, duke iu humbur edhe varreth edhe gjurmët,
kurse babi i poetit kishte ardhur në këtë botë të përciellë me tmerre pasi
babain e tij e kishin masakruar. Pra tmerret në atë familje si edhe te një
pjesë e popullit tonë ishin përciellë nga brezi në brez. Por një ditë mbushet
kupa e durimit dhe rinia rroku armët e doli në mal për të treguar se ky popull
ende nuk ka vdekur por ka djem që dinë t’i dalin zot e t’ia kthejnë dinjitetin
vendit e popullit të tyre.
Në poezinë “U bëre atdhe” që ia kushton shokut, mikut
dhe bashkëvendasit të tij Ilir Hoxhës, poeti, krahas dhembjes që shpreh për
humbjen e shokut të tij, shpreh edhe krenarinë që kishte një shok të tillë trim
e guximtar, të urtë, të menqur dhe atdhetar që i la bankat e shkollës dhe
lapsin e ndërroi me pushkën se siç thoshte ai “Në këto kohë çdo gjë e ka humbur
kuptimin përveç pushkës” se kupa ishte mbushur e më nuk durohej. Prandaj doli
për t’i dalë zot atdheut në ato caste të vështira për t’ia sjellë këtij populli
të shumëvuajtur lirinë, atë liri të ëndërruar gjatë shekujve. Ai ran ë altarin
e lirisë, por varri i tij u mbulua me lavdi. Poeti me modesti e akuzon vetveten
që nuk e pati atë guxim për t’iu bashkuar shokëve të tij në rrugën e lirisë, ku
shprehet:
Të kam zili
Miku im Ilir
Ti u bëre atdhe
Unë gur varri
Poeti me butësinë e tij shpirtërore përulet para guximit
dhe heroizmit të shokut të tij dhe sa shumë i lakmon atij që e mbylli jetën me
nder, kurse veten e konsideron si qenje të mjerë që nuk e pat guximin për t’i qëndruar
praën shokut të tij, por iu bashkua turmës për të kërkuar strehim në ekzil.
Ekzili tani është një temë tjetër që e trejton poeti në
poezitë e tij. Paraqet atë tmerrin biblik që përjetoi populli ynë në kapërcyell
të këtij mileniumi. Përmes vargjeve shumë prekëse na qon në atë atmosferë të
dhembshme e që do të mbetet në kujtesën e popullit si një kujtim i hidhur:
“Qyteti i mërrolur/ po i tmerrohet ikjes/ së dhunshme”. Kurse në poezinë
“Atdhe, tradhtia ime e parë” poeti e akuzon vetvetn që në ato caste të rënda,
në vend se t’i rrokë armët e t’i bashkohet shokëve të tij në male, atje ku
kriste pushka e provohej burrëria, mori rrugën e ikjes, përtej maleve e përtej
tmerrit dhe me një lloj pendese përpiqet të arsyetohet: “Atdhe të tradhtova/ u
largova dhunshëm”.
Tmerri i të dëbuarve ishte i paskajtë. Iknin prej
dhunës, duke lënë prapa shtëpi e katandi, të afërmit e njerëzit e tyre, të
vrarë dhe të masakruarit, nën tytat e armëve e nën kërbaq, të shajtur e të
poshtruar, pa ditur se ku po shkojnë, çfarë i priste atje dhe pa e ditur se a
mund të ktheheshin ndonjëherë në vendin dhe në vatrat e tyre: “Kortezhi i
ikjes/ po e derdh shpirtin/ e ngrirë/ rrugës së panjohur…”
Në kronologjinë e paraqitjes së ngjarjeve nëpër poezitë
e tij, poeti paraqet gëzimin e papërshkruar të refugjatëve kosovar, kur marrin
lajmin se erdhi liria dhe presin me gëzim marathonomakun e tyre. Në poezinë
“Rruga e kthimit” poeti shprehet: “Të erdha atdhe/ me ty në zemër”. Gëzimi për
ta parë Kosovën e lirë, pas atij tmerri që e kishte përjetuar ky popull, ishte
i jashtëzakonshëm. Që në ditët e para filloi kthimi i të larguarve me shpresën
e madhe se tani vendin e tyre të lirë do ta shihnin të realizuar ëndrrën e tyre
shekullore dhe do ta thithnin ajrin e pastër të lirisë. Në poezinë “Buzëqeshje
e lirë” poeti shprehet: “Lotin tënd/ ta vendosësh në muze/ e të më buzëqeshësh/
për të parën herë/ në liri” se për poetin ato tmerre dhe vuajtje duhej t’i
takonin të kaluarës e që nuk duhej të ktheheshin kurrë. Prandaj e kaluara e ka
vendin në muze për t’iu shërbyer brezave që vijnë vetëm si një kujtim i një të
kaluare të largët me të cilat do të merrej historia.
Por ky gëzim nuk zgjati shumë se pas kthimit në vatrat e
tyre, gjetën rrënime, djegie, varre të panumërta, por edhe të humbur për të
cilët nuk dihej se nga i kishin tretur. Pas kthimit nga ekzili i mundimshëm
mendonin se në vendin e tyre tani të lirë, do ta gjenin një atmosferë feste e
gëzimi me lodra e me fishekzjarre, për lirinë që erdhi, për të cilën kishin
pritur e luftuar për shekuj me radhë. Por vendin e gëzimit e zuri trishtimi.
Qyteti ishte shndërruar në gërmadhë, rrugët e mbushura me shkrumbin e dyçaneve
dhe shtëpive të djegura. Nëpër rrugët e qytetit e shihje varganin e nënave të
veshura me të zeza që kërkonin bijtë e tyre të vrarë apo të tretur që as ato
nuk dinin se ku. Dukej se qyteti ishte mbushur me hijet dhe fantazmat e të
vdekurve që kërkonin një varr për prehje por nuk e gjenin askund. Në poezinë
“Atdheu mezi buzëqeshte” poeti me dhembje shprehet:
U kthyem
Për t’i kërkuar varret
Për t’iu gëzuar dhembjeve
Ata nuk e gjetën atë liri çfarë e kishin ëndërruar.
Poeti bie në zhgënjim dhe mbyllet në guackën e një pesimizmi të thellë për
realitetin e hidhur që e rrethon. Në poezinë “Mos e shfleto emrin tim” poeti
shprehet: “Ecjet u bënë pendesë/ deri në palcë/ dashuria u gërvisht”. Një
mendim të tillë poeti e shpreh edhe në poezinë “Përditshmëri”: “Përditshmëria/
në kornizë/ gatitë mëngjese/ të hidhura”.
Poeti këtë përmbledhje poezishë e përmbyll me poezinë
“Kur të vdes”. Kjo poezi duket si një epilog i tërë mendimit të tij krijues e
jetësor që përshkohet me tone të një pesimizmi të thelolë jo vetëm për jetën e
tij, por për tërë këtë popull. Është thellësisht i zhgënjyer për këtë realitet
të zymtë të krijuar te ne, pa shpresë e pa perspektivë. Liria e ëndërruar
nuk erdhi ashu si e kishte ëndërruar poeti, por erdhi një liri e përgjysmuar,
përciell me varfëri e papunësi, shoqëri që udhëhiqet jo nga ligji por nga
mafija ku i forti e bënë ligjin e vepron si t’i teket, ashtu si shprehet në një
rast në poezinë e tij “Hakërrim” Ali Asllani, “Të pa brek i gjeti dreka,
milionerë i zuri darka” dhe njerëz të tillë të babëzitur tallen me një popull
të tërë. Njerëz të cilët e kanë kthyer atdheun në çiflig. Kjo kategori e njerëzve
e kanë edhe përkrahjen e ndërkopmbëtarëve, të cilët na janë bërë zot në
shtëpinë tonë. Shkelin parimet dhe premtimet e tyre për vetvendosje, e drejtë
që i takon çdo populli në botë sipas parimeve të demokracisë universale. Poeti
i indinjuar thellë nga ky realitet i hidhur, len testamentin e tij poetic dhe
kërkon që “Kurt ë vdes/ varrin ma mbuloni/ me baltë e gur/ e ma rrafshoni/ që
të mos dallohet kurrë” se nuk don të jetë dëshmitar i këtij realiteti as pas
vdekjes. Por megjithatë ka një fije shprese se dikur në të ardhmen e largët do
të vijë ajo liri e vërtetë kur poeti nuk do të jetë më në këtë botë, kërkon:
Kur të vdes
Dërgomani një telegram
Atëherë kur liria
Të jetë liruar nga prangat
Se ende qëndron si një kular mbi kokë Kosovës së “lirë”
rezoluta 1244 dhe thonë se jemi të lirë. Prandaj zhgënjimi i poetit është shumë
i thellë. Prandaj ai don të largohet pa lënë gjurmë nga kjo botë e qelbur. Ai
nuk ka iluzione se në botën tjetër do ta gjejë më mirë. Duke e përjetuar ferrin
e kësaj bote poeti ka një bindje se edhe në botën tjetër do ta prêt ferri, bile
në fund të ferrit, praën luciferrit, praën liqenit të zjarrit. Ashtu si
shprehej poeti I mjerimit, Migjeni “Pash më pash do t’i bie ferrit”, e që kjo
Migjenit i del si një dëshirë, kurse Ilir Hajdari e paraqet veten të
pozicionuar mirë në fund të ferrit, bile në atë më të vështirin. Për këtë e len
edhe adresën në testamentin e tij.
Ilir Hajdari, siopas përmbledhjes së këtyre poezive të
përmbledhura në këtë vëllim, duket se është nisur për t’i kënduar lirisë. Nëpër
këto poezi 17 herë e përdor fjalën LIRI. Por si duket veshtë nuk ia dëgjuan e
sytë nuk Ia panë, se dikur ishte liri e ëndërruar, kurse sot koncepti liri për
popullin tonë ka evoluar në liri të përgjysmuar apo të lidhur me pranga.
Prandaj fund e krye këto poezi përshkohen me tone të zymta e të errëta. Duke i
lexuar këto poezi të krijohet përshtypja se poeti po udhëton nëpër një natë të
errët e i rrëmbyer nga kallakagjat që nuk sheh as rrugë e as shteg e nuk e pa
një ditë të mirë, nuk e përjetoi një cast të gëzuar. Kjo kuptohet edhe prej
fjalorit që përdor poeti gjatë hartimit të këtyre poezive. Një fjalor shumë të
zymtë për të mos thënë edhe rrënqethës. Ja po i rendisim dhe po e shënojmë fjalorin
që e përdor poeti në poezitë e tij: errësirë, ndryshk, helm, rënkim, gorilla,
dhembje, psherëtimë, klithmë, burg, frikë, tanksa, gjarpërinjë, varr, lot,
dhunë, gjak, futë, zi, plagë, vajtime, gjëmë, baltë, tmerr, përbindësh,
holocaust, robëria, klithje, godasin, mistere, kamp, refugjat, vdiq,
përvajshëm, ikje, çyrra, helm, nepërka, urrejtje, ego, mëkati, thinjur,
zhgënjim, dënes, mallkim, udhëkryqe, mallëngjim, kafshim, pushkatim, i ngrirë,
gjelozi, pendesë, gërvisht, lëndoi, grushti, godas, tradhti, përmbys, mëkatar,
dyshim, kacafytje, prangat, luciferri, ferri etj.
Krahas këtij fjalori të zymtë, të errtë e të
trishtueshëm, poeti përdor edhe një seri togfjalsha që kanë pothuajse të
njëjtën përmbajtje: ja zënë frymën, korb i zi, futë, shpirt i ngrirë, qytet i
mërrolur, kortezhi i ikjes, ikje e dhunshme, gur varri, loti i kuq, e prenë në
fyt, botë e fëlliqur, thith gjakun, mistere të trishta, pranga të ndryshkura,
gjak zemre, heshtje e zezë, vdekje e hidhur etj.
Ky fjalor i përdorur si lëndë për hartimin e poezive të
këtij poeti, jep për të kuptuar se sa u zhgënjyer është poeti dhe sa thellë
është zhytur në pesimizëm si asnjë poet deri tani.