Shtesë » Shoqëria
Kazinotë, aty ku përfitohet nga puna e adoleshenteve
E marte, 11.09.2007, 09:51 PM
Nga Isuf Kurtaj
Dhjetëra raste të minoreneve që punojnë në kazino. Inspektorati i Shtetëror i Punëve bën të paditurin
Nuk pretendojnë të jetojnë si moshatarët e tyre të pasur, por të paktën duan ato pak gjëra elementare që t'i bëjnë të ndihen të kohës. Pikërisht, këto kërkesa që prindërit e tyre kurrë nuk munden t'ua plotësojnë, ka detyruar disa nga adoleshentët e familjeve të varfra të kryejnë punë të pahijshme dhe aspak normale për moshën e tyre. Në këtë mënyrë, me dhjetëra minorene të kushtëzuar nga kushtet janë përplasur në dyert e ndërmarrjeve private, kazinove, lokaleve të natës e deri tek PUB-et, ku shpesh abuzohet me ta. E ndërsa vetë adoleshentët sjellin dëshmi që punojnë në këto subjekte, burime nga Inspektorati Shtetëror i Punëve, të pyetur për këtë çështje nën zë thonë se janë në dijeni të këtyre rasteve, por nuk kanë bërë asnjë kontroll në terren për të verifikuar. Ata thonë se kanë bërë një inspektim të hollësishëm nëpër ndërmarrje private, por jo në lokalet e natës.
Abuzime me adoleshentët
"Punoja në një lokal nate prej një viti. Aty kam parë se sa shumë abuzohet me punonjëset e reja",- tregon Anita Aliu. Për të hequr qafe punën me të dehur dhe për të gjetur gjasme rehatin, siç i kishin thënë shoqet, Anita fillon të punojë në një kazino të kryeqytetit. "Në kazino paguhesha më mirë dhe në fillim më pëlqente puna sepse nuk lodhesha shumë, vetëm pastroja pajisjet, dhe shefat më trajtonin mirë. Por më pas, njerëzit që humbnin para filluan të silleshin keq me mua. Më shihnin vëngërt, madje edhe më shanin me fjalë",- rrëfen Nita. Historia e saj me kazinot mori fund sapo gjeti një punë në një Exchance, por ajo tregon se fati e ndihmoi që të largohej nga kazinoja, ku i binte të takonte dhe të fliste me lloj-lloj njerëzish. "Kam qenë e detyruar të rri e qeshur edhe kur më poshtëronin, por s'kisha zgjidhje dhe duroja". Vajza 18-vjeçare thotë se tanimë ajo është shkëputur përgjithmonë nga bota e rrogëtares në lokalet e natës, por atë e shqetëson fakti që dhjetëra moshatare të saj nga halli punojnë në këto vende aspak të sigurta për ta. Ndërkohë që legjislacioni shqiptar parashikon një ligj që ndalon adoleshentët që nuk kanë mbushur moshën 18-vjeç. "Kjo nuk është respektuar dhe s'ka për t'u respektuar në vendin tonë derisa edhe vetë kazinotë janë ngritur në mënyra të dyshimta dhe shpeshherë shërbejnë si llogore pastrimi".
Në kazino, nën moshën 18-vjeç
Pothuajse në të gjitha kazinotë më moderne të Tiranës të zë syri vajza që luajnë rolin e recepsionistes apo të punonjëses personale të "bosave", por edhe adoleshentët tek luajnë nën moshën e lejuar. Burimet zyrtare pranë Inspektoratit Shtetëror të Punëve ngrenë supet në lidhje me punësimin dhe frekuentimin e minoreneve në vende si kazino apo PUB-e. Burimet pranë këtij inspektorati tregojnë se kanë verifikuar me qindra raste që janë punësuar në ndërmarrje private, kryesisht në rrobaqepësi dhe floktore, por jo në kazino. "ISHP-ja ka bërë edhe një inspektim para pak javësh, ku ka verifikuar më qindra raste",- thotë burimi zyrtar nga ISHP. Sipas tyre, ky numër është rritur gjatë kohës së pushime verore dhe kjo për ta nuk përbën problem pasi i ndihmon adoleshentët që të përvetësojnë zanate. Por punësimi i adoleshentëve bëhet jo vetëm në kohën e pushime, por edhe gjatë shkollës. "Punoj për të siguruar veshjet dhe për të pasur dy lekë në xhep",- tregon Klarisa Serhani. Vajza me origjinë nga Shkodra rrëfen se nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi të ardhurat e familjes nuk i krijonin mundi për t'u veshur trendy. "Kam lekët e mia, gjysmën e rrogës ia jap mamit dhe me gjysmën tjetër mbaj veten". Klarisa e pranon se, kur rri deri vonë në punë mezi ngrihet për të shkuar të nesërmen në mësim. Ajo është e shqetësuese për faktin se shumë nga shoqet e saj që punojnë në këto ambiente, kanë lënë anash mësimet dhe nga këtu mund të marrin rrugët e këqija. Disa nga vajzat që komunikuam na thanë se nuk e kanë pasur aspak të lehtë për të punuar në këto kazino, por kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë punë për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Disa të tjerë jetojnë pa prindër ose edhe vetë prindërit në familje, ku edukata familjare nuk respektohet. Rastet janë të shumëllojshme, që shkojnë deri në absurditet. Joshja e parasë nuk është vetëm te të rriturit, por edhe te të rinjtë, kërkesat e të cilëve janë edhe më të mëdha, si dhe një nga rrugët për të arritur ëndrrat e tyre. Me sa duket, asnjëri prej personave të shfrytëzuar nuk i njeh ose nuk do t'i njohë të drejtat e veta. Çdokush prej tyre preferon më mirë të mirat materiale të momentit!
Alda Melo: Fitoj shumë para, për një natë të vetme
Në kazinotë e Tiranës janë të punësuar vajza dhe djem nën moshën 18-vjeç. Punësimi i të miturve ndalohet rreptësisht me ligj. Për këtë ligj me sa duket nuk kanë dëgjuar pronarët e lokaleve të natës dhe kazinotë. Në kazinotë apo lojërat e fatit, të shpërndara nëpër Tiranë, nuk është çudi të shohësh vajza minorene që marrin paratë e klientëve, të cilët luajnë apo i udhëzojnë për në vendet se ku duhet të luash. Shpesh, vajzat janë të detyruara nga kushtet të punojnë aty pasi nuk kanë mundësi për ta mbajtur veten. Ka nga ato që kanë braktisur shkollën dhe sigurojnë të ardhura për veten dhe familjen. Si djemtë dhe vajzat që punojnë në këto ambiente, vishen bukur, ndërkohë nuk e kanë problem që të punojnë deri në orën 5 të mëngjesit. Madje, ato thonë se çdo ditë shoqërohet për në vendin e punës, në kazino, nga prindërit, më shumë për t'ia bërë qejfin atyre. "Është zgjedhja ime dhe më pëlqen kjo punë. Fitoj shumë para në një natë të vetme, gjë të cilën nuk mund të ma sillte një punë tjetër". Alda Melo, është një tjetër vajzë që nuk ka mbushur të tetëmbëdhjetat dhe ka zgjedhur të punojë në kazino. I pëlqen puna dhe do që t'i fitojë vetë paratë që shpenzon. Për të, puna është fitimprurëse dhe nuk ka ngacmime, edhe pse punon në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkohë, ajo e pranon së shoqet e saja më të vjetra janë me përvojë dhe dinë ta bëjmë pa u abuzuar këtë punë. Fenomeni i punësimit dhe frekuentimit nga adoleshentët vazhdon të zgjerohet, dhe askush nuk merr masa konkrete për ta parandaluar. Zgjedhja adoleshentëve nga ana e pronarëve nuk është aspak i pamenduar, pasi ata përpos që i punësojnë minorenet i shfrytëzojnë edhe për nevoja tjera, pasi mundësia e "kontrollit" mbi ta është më e kollajtë. Ndërsa zgjedhja e minoreneve për të punuar në këto llogore mund të jetë një gabim fatal, që mund t'i kushtojë...
Adoleshentet reklamojnë cigare dhe pije në mes të natës
Kushtet, dhe rrallëherë dëshira i ka nxjerrë adoleshentët që të shesin imazhin e tyre në rrugë. Kështu, pjesa më e madhe e vajzave që i bëjnë reklamë cigareve dhe pijeve alkoolike në rrugë, ditën dhe natën, nuk i kanë mbushur të 18-at. Një lumë vajzash që nuk i kanë mbushur 18-at punojnë edhe në kazino, edhe pse tek hyrja e tyre në tabela shkruhet "Nuk lejohen ata që nuk kanë mbushur 18-vjeç". Ligji i dënon të gjithë ata persona që punësojnë minorene, nën moshën 18-vjeç. Por, mesa duket, kjo është një fushë e parrahur nga Inspektorati Shtetëror i Punëve. Mund të mendosh që ky është një lapsus që pronarët kanë bërë, por jo, pasi ata adoleshentët i trajtojnë si duan vetë. Pavarësisht rregullave, një pjesë e punonjësve të kazinove janë nën moshën 18-vjeç. Ende nuk është arritur në një përfundim se përse e bëjnë këtë punë: janë të detyruara nga kushtet ekonomike apo mosha i kufizon për të mos e menduar gjatë. "Një mjedis i varfër ndikon në psikologjinë e adoleshentëve. Ata, për t'i përshtatur trendy-t të moshatarëve të tjerë rreken që të punojnë qoftë dhe punë që nuk i kanë shumë në qejf, cilëson sociologu Ardian Goga, ku shton se tundimi për t'u veshur bukur, për të pasur një celular të shtrenjtë, në mënyrë që të mos ndjehen inferiore, minorenet pranojnë pa kompromis të punësohen edhe në kazino ose të bëhen imazh i pijeve apo markave të cigareve në rrugë".