E premte, 26.04.2024, 11:11 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Jeta seksuale pas lindjes së një fëmije

E enjte, 09.08.2007, 06:41 PM


Klea Faniko
Psikologe, kandidate në Ph.D, Universiteti i Lozanës

Eja të flasim, të ndajmë idetë, dyshimet dhe shqetësimet. Është më mirë të flasim, sesa të heshtim. Kështu ndihmojnë njëri-tjetrin dhe njerëzit rreth nesh. Për çdo ide që dëshironi t’i trajtojmë në faqet e revistës sonë, më shkruani në: Klea.Faniko@unil.ch

Jeta seksuale pas lindjes së një fëmije

Dhe ja, bebja lindi. Periudha e shtatzënisë mori fundi, ndërsa ti gjendesh me një bebe në duar. Sigurisht, je e mrekulluar nga krijesa që gjendet përballë teje, por, njëherësh, mendon se duhet ta ushqesh, ta lash, t’u përgjigjesh të qarave të tij dhe të përshtatesh sa më mirë me rolin e nënës. Gjithashtu duhet të merresh me vetën tënde, me kilet shtesë në trupin tënd dhe me çdo gjurmë fizike që lindja ka lënë tek ty. Ti gjendesh në një fazë të re të jetës tënde, në të cilën vështirësitë janë më të mëdha se më parë. Për me tepër, mjeku yt gjatë periudhës së shtatzënisë nuk është përqendruar te periudha pas lindjes. Kjo mungesë përgatitjeje dhe informacioni e ndërlikon edhe më tepër gjendjen, edhe pse mamaja jote apo mikeshat e tua përpiqen që të ndajnë me ty aq sa dinë.

Në këtë kontekst ndryshimesh dhe përshtatjesh, marrëdhëniet seksuale me partnerin do të ishin gjëja për të cilën do të mendonit më pak, apo jo? Dhe në fakt, nuk je e vetmja. Statistikat tregojnë se një çift në pesë të tillë, e kanë të vështirë të rinisin një marrëdhënie seksuale pas lindjes së një fëmije. Megjithëse jemi të rrethuar nga shumë çifte që bëhen prindër rishtas, shumë pak flasim për jetën seksuale pas një lindjeje. Vëmendja përqendrohet kryesisht te bebja, ndërsa jeta në çift shndërrohet në tabu. Atëherë le të flasim, le ta thyejmë akullin! Përse për shumë çifte rifillimi i raporteve seksuale është i vështirë? Cilat mund të jenë disa nga shkaqet? Si mund të veprohet?

Një lindje e vështirë

“Lindja për mua ishte një eksperiencë e frikshme dhe e dhimbshme. Kam lindur para një muaji. Ende nuk kemi provuar të bëjmë dashuri, por jam e bindur se trupi im nuk mund ta përballojë kontaktin seksual. Më duket sikur një tërmet ka ndodhur brenda meje”, - tregon një nënë e re.
Një lindje e vështirë mund të shoqërohet me një sërë pasojash në planin fizik. Për më tepër, kur një gjurmë fizike shndërrohet në një problem psikologjik, mund të jetë më e vështirë për ta trajtuar. Kjo do të thotë se, edhe nëse problemi është trajtuar në planin fizik, nëna e re mund të besojë se trupi i saj ende nuk është gati për një marrëdhënie seksuale. Frika se akti seksual do ta dëmtojë, se do t’i aktivizojë frikën që ka përjetuar gjatë lindjes, e bllokon dhe e detyron të refuzojë përpjekjet e partnerit për të nisur një marrëdhënie seksuale. Në një rast të tillë, mirë është të bëhet diferencimi midis një problemi që ekziston në trupin tuaj dhe prirjes për të besuar se keni një problem, edhe pse ky nuk është më i pranishëm. Një vizitë te gjinekologun, do të ishte zgjidhja më e mirë. Dhe më pas (pse jo?), një psikolog mund t’ju ndihmojë për më tej.

Një trup ndryshe

“Nuk ndihem mirë me peshën time. Në pasqyrë shoh një trup të shëndoshë, që s’ka fare lidhje me trupin që kisha para shtatzënisë. Një bark i madh, vithe të gjera… Kur unë ndihem keq me trupin tim, nuk di se çfarë mendon im shoq”, -thotë dikush tjetër.
Sigurisht, pas lindjes, fiziku yt nuk është më si më parë. Ca kile më tepër ndikojnë në marrëdhënien që vendos me trupin tënd, si dhe në imazhin që ke për veten gjatë kryerjes së aktit seksual. Pranimi i trupit është thelbësor për të rinisur një jetë seksuale. Pas lindjes, duke iu përkushtuar plotësisht fëmijës, ti nuk arrin të gjesh kohën që të kujdesesh për veten. Por nuk është edhe kaq e vështirë që të gjesh pak hapësirë për disa aktivitete fizike. Kilet e tepërta mund të pakësohen dhe ti do të ndihesh në harmoni me trupin tënd.

Kur e sheh veten vetëm si mami

“Pas lindjes, çdo ledhatim të gjoksit nga im shoq e shihja si një akt afeksioni dhe jo si pjesë të lojës seksuale. Gjirin tim e konsideroja si monopol të fëmijës, ndërsa im shoq kishte humbur çdo të drejtë për të”, - tregon dikush tjetër.

Shumë nëna të reja mendojnë se natyra është hileqare. Pas lindjes ke një gjoks të bukur, por mungon dëshira seksuale. Veten e sheh më tepër si mami sesa si grua e bashkëshorte. Shpesh, mëmësia merr përmasa shumë të mëdha, duke eklipsuar pjesët e tjera të qenies. Bebja është një magnet që thith gati çdo gram energjie të nënës. Atëherë, thoni “Ndal!” dhe vendosni ca kufij. Sigurisht, të jesh mami është përvoja më e plotë dhe më e bukur që një grua mund të ketë, por, njëherësh, duhet gjetur koha për të qenë grua dhe bashkëshorte. Duhet thjesht më shumë kurajë për t’u rishfaqur te partneri jo vetëm si nëna e fëmijës, por edhe si gruaja e tij. Kjo nuk do të thotë se fëmija yt do të marrë më pak dashuri dhe kujdes se më parë.

Një partner që nuk kupton

“Kam rinisur jetën seksuale gjashtë muaj pas lindjes së fëmijës. E ushqeja beben me gji, gjë që e pakësonte lubrifikimin e vagjinës dhe më shkaktonte dhimbje”, - thotë një nënë tjetër.
Shpesh partnerët nuk arrijnë të kuptojnë se, për shumë nëna të reja, rifillimi i marrëdhënieve seksuale pas lindjes mund të jetë një traumë më vete. Ndjesitë fizike janë të ndryshme, të pakëndshme dhe shpesh të dhimbshme. Edhe në këtë rast, komunikimi është hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit. Edhe partneri yt, sikundër ti, gjendet përballë një situate të re. Edhe ai është i papërgatitur për periudhën pas lindjes. Shpesh, mendojmë se intuita mjafton për të kuptuar problemet e tjetrit, madje mund të akuzojmë për mungesë ndjeshmërie, vëmendjeje etj. Ne fakt, harrojmë se tjetri nuk është radar që kap çdo mendim dhe luhatje tonën. Ndaj dialog, sa më shumë dialog!

Një bebe tekanjoze

“Rastis shpeshherë që të qarat e bebes na ndërpresin, kur tentojmë të bëjmë dashuri”- shprehet një nënë e re.
Është e vërtetë që pas lindjes, foshnja nuk ka një ritëm të qëndrueshëm. Ajo mund të zgjohet me orë e pa orë. Pra,  jeta në çift varet në një masë të konsiderueshme nga bebja. Por ju mund ta ndihmoni beben që të krijojë një ritëm të përcaktuar. Ju mund të bëni një “program” tuajin dhe të qëndroni së bashku, kur bebja është në gjumë.

Frikë nga një shtatzëni tjetër

“Fëmijën e ushqej me gji dhe mendoj se, nëse marr kontraceptivë nga goja, mund të dëmtohet cilësia e qumështit. Nga ana tjetër, ideja se mund të mbetem shtatzënë në një marrëdhënie të pambrojtur më tremb.”
Frika se mund të mbetesh shtatzënë pas lindjes së një fëmijë, është e përhapur te shumë nëna të reja. Gjithsesi, në mungesë të kontraceptivit ka një mënyrë tjetër për t’u mbrojtur. Prezervativi! Sigurisht, të bësh dashuri me prezervativ nuk është edhe aq e këndshme, por kjo është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur dhe për t’u çliruar nga stresi.

Kur nuk shkëputesh plotësisht nga puna

“Duhet të punoj njëlloj si më parë, me ndryshimin e vetëm se shtëpia ime tashmë është shndërruar në zyrë. Jam bërë nënë prej dy muajsh, por, pavarësisht nga kjo, ritmi i punës është i njëjtë. Është gati e pamundur të punoj si duhet, ndërsa bebja kërkon vazhdimisht vëmendje. Ngarkesa në punë më streson aq shumë, saqë vëmendja ime përqendrohet vetëm te bebja dhe puna. Marrëdhëniet seksuale me partnerin më duken gati luks”.
Me një bebe që vendos për oraret e punës tënde, asgjë nuk mund të jetë si më parë. Me një bebe që kërkon kohën dhe energjinë tënde, nuk mund të punosh njësoj si në zyrë. Nga ana tjetër, mungesa e kohës për partnerin nuk mund të justifikohet me praninë e fëmijës dhe stresin e punës. Nëse për punën arrin të gjesh kohë, përpiqu t’i japësh edhe partnerit vendin që meriton.
Këto mund të jenë disa nga shkaqet që mund të pengojnë rifillimin e marrëdhënieve seksuale pas lindjes. Nëse reagoni shpejt ndaj problemit, mund të gjeni një zgjidhje. Mos harroni se përfshirja në marrëdhënie seksuale, lehtëson marrëdhënien në çift. Për më tepër, sikurse shprehet edhe një mikja ime pediatre, “që të jesh një nënë e lumtur, duhet të jesh një bashkëshorte e lumtur”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora