Shtesë » Shoqëria
Rrëfimi i një vajze ujë e sapun
E hene, 30.07.2007, 06:48 PM
Silvi Skënderaj |
Keni ndryshuar shumë që nga koha kur u shfaqët për herë të parë në ekran?
Nuk bëj pjesë në natyrat që preferojnë ndryshimin apo vrapimin pas një imazhi të kopjuar. Jam e natyrshme dhe vazhdoj të ngelem po ajo që kam qenë. Në sytë e të tjerëve mund të dukem ndryshe vetëm në disa raste që mund të jetë ekrani apo setet e fotografimit.
Çfarë lexoni përgjithësisht?
Më pëlqen të lexoj dhe përpiqem të mos i lë pas dore romanet, pavarësisht se duke qenë në vitin e katërt të shkollës së mesme shumë romane i lexoj edhe me detyrim (për hir të të mësuarit). Më pëlqejnë romanet psikologjikë, më pak dramat, por mbi të gjitha më pëlqen poezia franceze.
Bukurinë e përjetshme në shkëmbim të shpirtit. A do ta bënit këtë zgjedhje?
Bukuria është pa vlerë nëse mbetet vetëm kaq. Një fotografi pa zemër. Jo, jo nuk do ta bëja këtë zgjedhje.
Le ta lëmë mënjanë paktin me djallin. Si do ta ruani bukurinë tuaj?
Unë kam një kurorë bukurie mbi krye dhe mendoj se natyrshmëria dhe thjeshtësia janë ato që do të më bëjnë të ruaj këtë. Gjithçka vetëm duke besuar tek gjërat natyrore (e kam fjalën për kremrat, maskat apo produktet e ndryshme, të cilat më vonë do të më duhet t’i përdor).
Një pikë të dobët dhe një sekret të pamjes suaj?
Pikë të dobët? Nuk di ç’të them. Nuk kam gjetur ende një të tillë, ndoshta ngaqë nuk kaloj shumë kohë papara pasqyrës. Njoh veten dhe të qenit e thjeshtë. Italianët thonë "ujë dhe sapun".
Ka një moshë për gjithçka. Për ju ka mbaruar periudha e....
Dikur isha një vajzë me flokë të shkurtër. Nuk shihesha fare në pasqyrë, tip çuni... Tani ndjehem tërësisht femër.
Cila do të ishte veshja juaj e preferuar për mbrëmje?
Një veshje e një stilisteje shqiptare që po bën bujë në botë. Quhet Ema Koja (Savahl), ka veshje vërtet fantastike për mbrëmje, pa harruar që bizhuteritë janë të preferuarat e mia, por vetëm për raste.
"Uniforma" juaj e përditshme për në shkollë?
Xhinse, atlete dhe bluzë të bardhë. Ndërsa në ekran veshje shik dhe me klas.
Kur nuk punon xhinse dhe atlete?
Eshtë natyra ime e dytë veshja sportive. Nuk mund të kuptohem ndryshe. Ndjehem mirë, jam unë.
Të brendshmet e preferuara?
La Perla dhe Victoria’s Secrets. Nuk kam preferencë për ngjyrat, por markat janë kryesore dhe më bëjnë të ndjehem mirë.
A mund ta konsiderosh veten seksi? Apo...?
Me natyrën time, nuk gjej përgjigje për këtë pyetje!
Çfarë mban zakonisht në çantë?
Nuk besoj se në çantën time ka më shumë apo më pak gjëra se në çantën e një vajze gjimnazi. Stilolaps, një bllok, shkëlqyes buzësh, rimel, parfumi, telefoni) d.m.th. plot. Por kam edhe një portofol lëkure, që ma ka bërë motra dhuratë dhe një hajmali që ma ka dhënë mbesa.
Muzika që nuk mungon kurrë në iPod-in apo makinën tuaj?
Muzika ritmike më pëlqen, por ka edhe grupe të vjetër për brezin tim që më pëlqen t’i dëgjoj.
Nëse se do të zgjidhje, në ç'qytet do të doje të jetoje?
Në qytetet e ëndrrave. Në Romë, në Paris, në Monte Karlo, në New-York... Por Tirana më pëlqen, ndjehem mirë.
Zgjedhjet për stinën e verës?
Nuk kam pasur kohë për të dalë nëpër dyqane për ta shtuar gardërobën, sepse kam qenë shumë e zënë me shkollën. Jam në vitin e fundit të gjimnazit, me spektaklin... por vapës i bëhet ballë vetëm me gjëra të freskëta dhe të buta. Ngjyrat e mia të preferuara nuk ndryshojnë sipas modës, por sipas humorit. E verdha këtë vit është në modë dhe mua nuk më shkon aq shumë, por do të bëj plazh dhe ndoshta gjej kombinime.
Parfumi i preferuar: "Lancome"
Celulari: Nokia
Linja e flokëve: Elvive
Çanta "Fendi"
Libri i preferuar "Një grua e denjë" Sveva Casati Mondigniani
Cd e preferuar: Nelly Furtado