E marte, 16.04.2024, 06:43 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Ah! Këta adoleshentët....

E enjte, 09.08.2007, 06:57 PM


Klea Faniko

Psikologe, kandidate në Ph.D, Universiteti i Lozanës

Eja të flasim, të ndajmë idetë, dyshimet dhe shqetësimet. Është më mirë të flasim sesa të heshtim. Kështu ndihmojnë njëri-tjetrin dhe njerëzit rreth nesh. Për çdo ide që dëshironi të trajtojmë në faqet e revistës sonë më shkruani në: Klea.Faniko@unil.ch

Im shoq nuk pranon të dashurin e vajzës

Që prej gjashtë muajsh ime bijë ka një marrëdhënie me një moshatarin e saj. Jam e bindur se çdo gjë shkon mirë midis tyre. Të vetmet tensione që krijohen në lidhjen e tyre kanë në origjinë tim shoq. Ai nuk mund të tolerojë faktin që i dashuri i së bijës nuk ka filluar ende studimet e larta. Im shoq nuk ka mbaruar shkollën e lartë dhe është shumë i ndjeshëm ndaj çështjes së arsimimit. Për të shkolla e lartë është çdo gjë.

Letra juaj tregon se deri në çfarë pike, problemet tona personale mund të jenë në origjinë të opinioneve dhe qëndrimeve tona ndaj personave të tjerë. Sikundër edhe ju e theksoni, bashkëshorti juaj ka një qëndrim ekstrem ndaj çështjes së edukimit: për të shkolla e lartë është gjithçka. Ndoshta, nëse ai do të kishte përfunduar shkollën e lartë, për të edukimi nuk do të ishte kaq i rëndësishëm sa tani. Është e vërtetë që në Shqipëri shpesh rëndësia e edukimit ekzagjerohet. Ndoshta rrënjët e këtij qëndrimi gjenden gjatë periudhës së komunizmit, kur në kushtet e shpronësimit, diploma konsiderohej si e vetmja pronë. Gjërat tani po ndryshojnë, por gjurmët e së kaluarës shpesh janë të vështira të fshihen.

Sigurisht është e gabuar të gjykosh vlerat e dikujt sipas niveli të tij të edukimit, për më tepër në shoqërinë tonë, në të cilën pas marrjes së një diplome mund të fshihet një “bandë” miqsh. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se i dashuri i vajzës suaj është i ri në moshë dhe ka një sërë alternativash përpara tij. Në shoqërinë shqiptare ekziston një normë, e cila përjashton “pauzën” midis shkollës së mesme dhe shkollës së lartë, ndërkohë në vendet evropiane në auditorët e universiteteve gjenden njerëz të çdo moshe. Ka shumë të rinj të cilët pas përfundimit të shkollës së mesme preferojnë të punojnë diku dhe të udhëtojnë për disa muaj përpara se t’i kushtohen studimeve. Nga ana tjetër, ndjekja ose jo e shkollës së lartë është një zgjidhje personale dhe jo zgjedhje e babait të së dashurës. Shpeshherë, në Shqipëri qëllon që jo vetëm prindërit, por edhe më tej, prindërit e partnerit në kuadrin e “kujdesit” dhe “posesivitetit” i lejojnë vetes marrjen e vendimeve për të tjerët. Në mbyllje, do të doja të theksoja se ju mund të ndihmoni bashkëshortin juaj të ndryshojë sjellje ndaj të dashurit të vajzës suaj, duke u përqendruar tek vlerat e personit të cilën vajza juaj ka zgjedhur.

Djali im do të largohet nga shtëpia

Djali im është vetëm 18 vjeç dhe tani sapo ka përfunduar provimet e maturës. Bashkë me një shok ka vendosur të marrë një apartament me qira. Financiarisht ai mund ta përballojë qiranë falë disa orëve pune në ofiçinën e tim vëllai. Unë nuk jam dakord me vendimin e tij dhe jam gati të bëjë çdo gjë për ta penguar. Kam frikë se do të marrë rrugë të keqe nëse do të jetojë pa ne.

Sigurisht, largimi i fëmijës nga shtëpia ju vendos para një etape dhe një sfide të re. Ju duhet të ripërshtatni rolet tuaja dhe t’i bëni ballë sindromës së “folesë bosh”. Shumë prindër ndihen të parëndësishëm dhe të braktisur pas largimit të fëmijës. Ata kanë përshtypjen se janë plakur brenda pak orësh dhe se një lloj tërmeti emocional ka ndodhur në jetën e tyre. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë me kohën që dikur i kushtonin fëmijës. Kjo gjendje e re kërkon një organizim më të mirë të interesave. Pas largimit të fëmijës, ju do të keni më shumë kohë për veten dhe partnerin. Së bashku mund të rijetoni edhe një herë momentet e një marrëdhënie në çift që shpesh humbasin pas lindjes së një fëmijë. Nga ana tjetër, ju duhet të përgatiteni të përballni shqetësimin për mënyrën sesi fëmija juaj do të orientohet në jetën e tij të re. Kjo është sfida e dytë, ndoshta më e madhe se e para. Për ju nuk është e lehtë të pranoni rritjen e fëmijës dhe pakësimin e kontrollit mbi të. Ju nuk do të jeni më në gjendje të kontrolloni oraret e kthimit në shtëpi, mënyrën sesi ai e përdor kohën dhe njerëzit të cilët ai do të frekuentojë. Për më tepër, ju thoni se “ai do të marrë rrugë të keqe”. Askush nuk ndryshon brenda ditës, pavarësisht nga mosha.

Nëse djali juaj ka një sjellje normale, ai nuk do të transformohet ditën që do të jetojë i pavarur. Për më tepër, kjo ndjesi e humbjes së kontrollit mund të shkaktojë nervozizëm dhe acarim të marrëdhënies me djalin tuaj. Por, nuk duhet harruar në përpjekjen e tij për t’u rritur dhe bërë i pavarur, fëmija ka nevojë për mbështetjen tuaj. Kjo është një sfidë e stërmadhe për të, e cila mund ta bëjë të ndihet i brishtë dhe i pasigurt. Nëse ju vazhdimisht i bëni presion që ai të rikthehet, ai mund të dështojë në iniciativën e tij. Mënyra më e mirë për ta ndihmuar të rritet është ta ndihmoni në projektin e tij për t’u bërë i pavarur, pavarësisht nga ndjesitë tuaja personale.

E pres me ankth dhe padurim kthimin e tim biri

Që prej disa muajsh, djali im 18 vjeç kthehet në mesnatë në shtëpi. Pavarësisht nga fakti se njoh shokët e tij dhe e di në çfarë ore do të kthehet, e pres më shumë ankth dhe padurim kthimin e tij. Mendoj gjërat nga më të keqja. Kam frikë se mund të pësojë ndonjë aksident apo në baret që ai frekuenton mund të përshihet në grindje. Përpiqem të jem tolerante me të dhe e lejoj të kthehet vonë, megjithëse unë bllokohem në orët e pritjes. Ai ka humbur të atin para një viti dhe mendoj se orët që kalon me shoqërinë e ndihmojnë të kalojë këtë periudhë të vështirë. Çfarë duhet të bëj për t’u qetësuar?

Është e vërtetë që shumë prindër e kanë të vështirë të flenë duke e ditur që fëmija është ende jashtë. Disa i ndalojnë në mënyrë kategorike fëmijët e tyre të frekuentojnë miqtë orëve të vona, duke krijuar konflikte me adoleshentin. Të tjerë përpiqen të jenë më liberalë, por “fatura emocionale” që ata duhet të paguajnë është e lartë. Ata kanë frikë se fëmijës së tyre do t’i ndodhë diçka e keqe dhe gati ndihen fajtorë që e kanë lejuar fëmijën të kthehet vonë. Në letrën tuaj, ju shkruani se e gjykoni të nevojshme që djali juaj të frekuentojë miqtë e tij. Ju mendoni se orët në praninë e miqve të tij do të lehtësojnë dhimbjen që pason humbjen e prindit. Sigurisht, ai ka nevojë të përfshihet në shumë aktivitete dhe të vazhdojë të jetojë, megjithëse humbja e babait është e pakompensueshme. Është e shëndetshme nga ana juaj ta inkurajoni të jetë sa më shpesh me miqtë e tij.

Nga ana tjetër, ju duhet të gjeni forma për të qetësuar ankthin që përjetoni gjatë pritjes. Mos harroni se aksidentet mund të ndodhin në çdo orë të ditës, ndërsa përfshirja në grindje midis djemsh nuk mund të ndodh rastësisht. Nëse djali juaj është natyrë paqësore, ai nuk mund të bjerë në “kurthin” e konflikteve të të tjerëve. Nëse ju arsyetoni në këtë formë, do të pengoni mendjen juaj të shkojë larg dhe të mendojë më të keqen. Shpesh mjafton një mendim i vetëm dhe në mendjen tonë ndërtojmë katastrofat më të këqija. Për më tepër, nëse ju flisni me djalin tuaj rreth këtyre frikës që ju bllokojnë, ai mund të thotë se çfarë bën, çfarë vendesh frekuenton me miqtë e tij. Kështu, aktivitetet e tij do të jenë më të njohura për ju dhe ky informacion mund t’ju ndihmojë të qetësoni ankthin tuaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora