E shtune, 27.04.2024, 11:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Ese nga Vangjush Ziko

E marte, 28.07.2009, 07:06 PM


Vangjush Ziko

TOLSTOI DHE SFINKSI DASHURI  (ese)

Dante Aigierit i doli përpara pantera lara-lara dhe i preu rrugen.
Edipit,më të lashte se Danteja,i doli përpara sfinksi i Tebës dhe i bëri pyetjen enigmë mbi njeriun.
Leon Tolstoit,më të ri se Danteja e se Edipi,iu shfaq në rrugën e krijimtarisë Sfinksi Kupidon,perëndia antike e dashurisë dhe i bëri tri pyetje.Shkrimtari gjenial me famë botërore,ne tre romanet e tija:"Lufta dhe Paqja","Ana Karenina" dhe "Ringjallja",iu përgjigj me gojën e Natasha Rostovës,Ana Kareninës dhe Katjusha Masllovës.
 
Pyetja e parë ishte e thjeshtë dhe e lashtë sa vetë njeriu:Çështë Dashuria?
Ndjenja e dashurisë lind bashkë me njeriun,ashtu si të gjitha ndjenjat e tjera,që përbëjnë botën ndijore dhe shpirtërore të tij,është projektuar nga Krijuesi në çdo qënie njerëzore,ajo mund të zhvillohet apo të mpihet dhe të thahet,mund të ripërtërihet dhe të marrë përsëri mbi ndjenjat e tjera sipas çastit dhe kushteve të caktuara.
Natash Rostova,ende fëmijë dymbëdhjetëvjeçare,ndjen një tërheqje,një simpati instiktive ndaj tre meshkujve të moshave dhe profesioneve të ndryshme;djaloshit Boris Trubeckoi,mësuesit francez të muzikës,zotit Dyportje,kontit Pjer Bezuhov.Këtë ndjenjë ajo e heton në qënien e saj,por nuk di ta shpegojë;ajo e quan dashuri,siç e quajnë të mëdhenjtë.Natashës,në fillim,kjo ndjenjë i duket si lodër,ashtu si ndjenja e saj e "nënës" për kukullat.Dhe ja,me kukullën atje pranë,ajo e përqafon Borisin me krahët e saj të imët(kështu kish parë që të bënte edhe Sonja me Nikollain) duke hipur mbi kadushkën e luleve,e puth në buzë dhe kërkon prej tij që ta dojë gjer në vdekje.Kur Borisi shkon në front,ajo ka turp t'i shkruajë letër.Pas katër vjetësh,pasi takohet përsëri me të,ajo përpiqet që ta quajë kalamallëk atë puthjen e dikurshme të harruar,por në shpirt e mundon pyetja:a kishte qenë shaka ajo,apo një veprim serioz që i lidhte ata të dy?Kur i vëllai,duke e ngacmuar,e pyet:"A e ke tradhëtuar Borisin?",ajo nuk e kupton se ç'është tradhëtia ndaj një mashkulli dhe i tregon të vëllait shenjën e një djegije në llërën e saj e bërë me vizore të hekurt të skuqur në zjarr,për t'i dëshmuar Sonjës besnikërinë si shoqe dhe e pyet Nikollain:"A e ke parë Dyportjenë?Unë nuk martohem me asnjeri,unë do të bëhem valltare..."
Dashuria për të nuk është më lojë me kukulla,ajo barazohet me pasionin e saj për të vallëzuar.
Natasha akoma nuk e di t'i përgjigjet sfinksit për atë pyetje që bëri ai.
Dhe ja,i vëllai sjell në shtëpi shokun e tij të armës,kalorësin Vasil Denisov.Natasha e pyet të vëllanë:"a është i frikshëm?...Ti atë e quan Vaskë.Çudi.A është shumë i mirë?'Ajo ndjen një diçka të çuditshme ndaj Denisovit dhe kjo ndjenjë i lind nga simpatia për të dhe për arsye se Denisovi entusiazmohet nga zëri i saj,e pëlqen.Ajo këndon përpara tij dhe këndon për herë të parë,jo me zë fëmije,pa e kuptuar as vetë.Por,kur ky,i dashuruar,i bën propozimin,ajo rend e trembur,struket pas gjoksit të së ëmës dhe e pyet këtë se çfarë të bëjë,si të dalë nga kjo situatë;ajo ndjen një keqardhje për Denisovin që u bë qesharak me këtë propozim.
Dashuria nuk qenka keqardhje për tjetrin!
Por ç'qenka atëhere?
Dhe ja,vjen balloja e parë e madhe në jetën e Natashas.
Ajo është e lumtur se do të vallëzojë me tërë ata të rinj që i pëlqejnë;të gjithë njerëzit e tërheqin atë.Midis tyre,i afrohet Andrea Bollkonski(dhëndri më i mirë i Rusisë),ai e fton në vallëzim dhe ajo këndon para tij dhe përpara njerëzve.Pas këngës,ajo instiktivisht shkon dhe e pyet Andrean,se a i pëlqeu kënga që ajo këndoi.Dhe,pa pritur dhe pa e kuptuar,ndjen tronditje dhe trembet nga ky afrim.Ajo mediton: "...isha e dashuruar me Borisin,me mësuesin e muzikës,me Denisovin,por kjo është diçka tjetër.Jam e qetë,e sigurtë,jam kaq mirë tani.Aspak si më parë." Kurse në mbrëmje,e shtrirë në krevat përbri së ëmës,i thotë e habitur dhe e trembur nga ndjenja e re që po provon:"Kjo gjë,kjo gjë...me mua s'kishte ndodhur kurrë!..."
Dashuria,sikut thotë Tolstoi,është një e fshehtë kaq e madhe,kaq kërcënuese dhe e gëzuar që e trondit shpirtin me një gëzim të tmerrshëm.

Por Sfinksi qesh nën buzë.A mjafton që të japë fjalën dhe të lidhë fejesën me Andrean,qoftë dhe me kushtin që të pritet një vit edhe si provë,për ta shpallur botërisht?

Dhe ja,e fejuara e pashpallur,takon bukuroshin Anatol Kuragin,që i rrëmben zemrën.Ai bëhet për Natashën "sundimtari i saj dhe ajo e ndjen veten skllave të tij". Ajo nuk e përcakton dot se cilat janë arsyet e kësaj gjëje,por është e sigurtë që s'mund të rrojë dot pa të

Sfinski nënqesh hidhur.Në ethet e kësaj kllapie ndjenjash u fshekërka zjarri i dashurisë?!Ky poshtërim dhe nënshtrim ndaj ndjenjës së vërtetë qenkërka shprehja e dashurisë?!

Por Tolstoi sikur i thotë: -Prit! Mos u nxito!Natasha nuk e ka dhënë akoma përgjigjen.
Ajo,vërtet,i shkroi letër së motrës së Andreas,Maria Bollkonskës,se nuk mund të bëhet gruaja e Andreas.Ajo e ndjen thellë se pastërtia e ndjenjave të saj ndaj Andreas u njollos,u ndot,vdiq.Natasha tenton të arratiset me Kuraginin,ose,më saktë,ky tenton ta rrëmbejë.Pas kësaj aventure të dështuar,Natash pi helmin,sëmuret seriozisht,i neveriten burrat,mbyllet brenda shtëpisë.
Sfinski Kupidon është i pamëshirshëm!
Edhe më i pamëshirshëm është ai me Katjusha Masllovën,bashkëmoshataren e Natasha Rostovës.Edhe Katjusha dashurohet,duke luajtur dhe duke rendur me Dimitri Nekludovin,aristokratin e ri,të pashëm e të dashur,të padjallëzuar,por...mbetet shtatzënë,zbohet nga çifligu,ku kjo vajzë jetime dhe ilegale mbahej si shërbëtore;braktiset nga Nekludovi;i vdes fëmija,që lind dhe përfundon në shtëpinë publike;bëhët,pa dashur,vrasëse,dënohet dhe internohet në Siberi.
Kështu e ka Kupidoni,si sfinksi i Tebës,po mos iu përgjigje drejt pyetjes së tij enigmë,të shqyen pa mëshirë!
Katjusha nuk e kujton më asnjë herë dashurinë që pati filluar me Nekludovin,nuk do që ta kujtojë se e parandjen që do të vuaj.
Limontia e Natasha Rostovës dhe kjo vuajtje e Katjusha Masllovës,mos,vallë,janë vetë dashuria e gjymtuar dhe e njollosur?A mos,vallë,dashuria ushqehet më shumë nga dhimbja se sa nga gëzimi?!
Sfinksi përsëri qesh nën buzë me ironi:përgjigja nuk është e plotë!
Dhe ja,qëllon që Andrea Bollkonski plagoset për vdekje në betejë dhe qëllon që trupi i tij gjysmë i vdekur udhëton në karrocë bashkë me karvanin me të cilin shtegton edhe Natasha.Ajo fajtore dhe e penduar nuk i largohet nga koka...dhe,në këto çaste tragjike,dëgjon monologun e Andreas që po vdes dhe ajo ndjen në shpirt thellësinë e dashurisë së tij për të.Natasha tashi mund t'i përgjigjet pyetjes së Sfinksit...
E njëjta gjë ndodh,pothuaj,edhe me Katjusha Masllovën.Në internimin e largët ajo zbulon se këtë njeri(Nekludovin),që dikur u tregua kaq mizorisht indiferent ndaj fatit të saj,që dikur,në atë natën e Pashkës,atë natën tronditëse,e çmoi me një kartmonedhë njëqindrubëlshë dashurinë e tyre dhe që tani,pas gjyqit që e dënoi Katjushan me internim,po e ndjek i penduar hap pas hapi duke i kërkuar të falur dhe duke i propozuar të martohen.Këtë njeri ajo vazhdon ta dashurojë!Aq shumë e dashuron,sa që propozimit të tij për martesë i përgjigje,"kurrë!",sepse mendon se,po të lidhet me Nekludovin,do t'ia prishë atij jetën.Prandaj ajo,duke vuajtur,i përgjigjet me fjalën"kurrë" propozimit të tij dhe shkon me shokun e ri të njohur në internim.
Të dyja.Natasha dhe Katjusha,i përgjigjen pyetjes së Sfinksit se ç'është dashuria,me një gojë:
-Nuk mjafton të dashurosh vetëm ti;apo që ty të të dashurojë dikush,por duhet që të piqen të dyja dashuritë,ashtu siç piqen dy re të ngarkuara me elektricitet në mes të qiellit dhe buçet dhe ndrit dheu dhe qielli bashkë.Por,që të piqen ato,nuk është lehtë,është një shtegtim i vështirë dhe i mundimshëm,është një kalvar i vërtetë dhimbjeje dhe lumturie,është Golgothë dhe Parajsë njëkohësisht.
Duket sikur përmbajtja e përgjigjes që kërkon Sfinksi u shterr.
Por shprehja e fytyrës të Sfinksit Kupidon,ashtu si shprehja e fytyrës së Sfinksi Keops,është vështirë të kuptohet.


Ai shtron një pyetje të re.
Natasha e kupton se e ka dashur Andrean më shumë se këdo tjetër.Ajo është sa e lumtur,aq edhe fatkeqe dhe dëshiron vetëm një gjë:të jetojë Andrea i plagosur për vdekje.Por Andrea vdes dhe ajo martohet me Pjerr Bezuhovin,shokun dhe mikun e Andreas.
Katjusha e kupton në internim se më kot e ka larguar Nekludovin nga mendja,ajo nuk e ka harruar dot atë,ajo vazhdon ta dojë,por...martohet me bashkëvujtësin e internimit,Simonsonin.
-Ç'dashuri na qenka kjo,kur sa e zbulon, e braktis,e harron apo e kyç diku në thellësi të zemrës dhe jepesh pas një dashurie të re?Sa dashuri mbajtkërka brenda zemra e njeriut?
Kjo ishte pyetja e dytë e Sfinksit për dashurinë.

Këtë radhë qesh nën buzë Tolstoi:
-Dashuria është një ndjenjë dhe,si çdo ndjenjë,është abstrakte.Natasha, nëpërmjet jetës së saj të re njëzetvjeçare,ka arritur në një përfundim të vetin se ç'është dashuria,ç'kuptim,ç'qëllim,ç'ngjyrë ka për të ajo;ka zbuluar polin tërheqës të saj,yllin udhërrëfyes.Pjerr Bezuhovi ishte ndër të parët burra për të cilin ajo kishte ndjerë tërheqje (edhe përpara Andreas),që kur ishte dymbëdhjetëvjeçare.Po të mos kishte qenë Pjerri i martuar dhe,po të mos kishte qëlluar Andrea i ve atëhere;po t'i ishte afruar i pari Pjerri...,po të mos kishte vdekur Andrea...Kjo është jeta,me plot "po" të këtilla dhe rastësi të papritura,që i di vetëm një Zot.Por ndjenja e dashurisë së Natashas,si përmbajtje,si domethënie,si përmasë është një dhe një e vetme.Dhe Pjerri dhe Andrea kanë përmasa,gati të njëllojta,për botën shpirtërore dhe për atë intelektuale,e konceptojnë njëlloj jetën.Natashës,duke u martuar me Pjerrin,nuk i duhet ta modifikojë trajtën dhe kuptimin,përmbajtjen e ndjenjës,e universit të saj të dashurisë.Kurse Katjusha Masllova,fatkeqe deri në skaj në dashurinë e vet,në kushte të tjera nga Natasha,ka një univers më tragjik të dashurisë dhe shumë më pak të lumtur,për të mos thënë aspak."Sa zemra,aq dashuri",thotë fjala popullore ruse.Dashuria e saj ka provuar sakrifica dhe poshtërime tronditëse,përçudnuese;goditjet e jetës kanë lënë në zemrën e saj bllana të llahtarshme;botëkuptimi i saj për jetën ka pësuar shndërrime dhe lëvizje të thella,duke sunduar në shpirtin e saj herë dashuria e pastër,e sinqertë,herë epshi dhe,së fundi,ndjenja kristiane sublime e vetësakrifikimit dhe përdëllimit.Por,në të njëjtën kohë,dashuria e saj për Nekludovin ka mbetur e gjallë si një kujtim dhe realitet i shenjtë.Katjusha e hedh poshtë propozimin tejet të vonuar të Nekludovit për t'u martuar me të dhe bashkëjeton me Simonsonin,që e ka njohur në internim,megjithëse ky i fundit është krejt i kundërt në botëkuptim dhe karakter me Nekludovin.Ajo thotë:"E adshuroj apo s'e dashuroj (Simonsonin),kjo s'ka rëndësi...S'ke ç'i bën,duket,kështu qe e thënë...". Zemra e saj përdëllyese e hedh poshtë propozimin e Nekludovit sepse e do dhe nuk do që ta bëjë të mundohet pas saj.Katjusha,pra,ka në shpirt vetëm një dashuri,dashurinë për Dimitër Nekludovin.
Kështu mbaron sqarimi i Tolstoit dhe përgjigjeja për pyetjen e dytë të Sfinksit Dashuri.
 
Por Sfinksi Dashuri,dinak dhe provokues,bën pyetjen e tij të tretë në formën e një deduksioni.
-Dashuria na qenka si krimbi i mëndafshit që end dhe formon si të dojë kukulen e vet dhe na u mbyllka atje,pa pyetur fare për botën përreth tij,si një mbret dhe si një skllav i kësaj kulle ngujimi dhe froni të bardhë!

Tolstoi e ka kuptuar fare mirë thelbin e kërshërisë së Sfinksit.Ai e ka fare të lehtë që t'i përgjigjet.Ai e ka shkruar me kohë romanin e tij "Ana Karenina".
Ana Karenina,një grua e re,elegante dhe e bukur është martuar pa dashuri me Aleksej Karenin të zgjuar,të ditur,të suksesshëm në karrierën zyrtare,pedant dhe ironik,"një makinë ministrie" që nuk kupton dhe nuk ndjen asgjë,që nuk di se ç'është dashuria.
Zemrën e Anas e rrëmben oficeri i ri,Aleksej Vronski,i zgjuar,fisnik,i pasur dhe i pashëm.Kështu fillon flirti midis tyre,që shpie,pas një tensioni të rëndë familar,në ikjen e Anës nga shtëpia e të shoqit,bashkë me vajzën e porsalindur me Vronskin,duke e lënë djalin e saj,Seriozhën,me të atin,Karenin.Por ditët e lumturisë fillestare vijnë dhe ftohen nga çasti në çast.Midis saj dhe Vronskit hyn mërria,xhelozia,një betejë e vërtetë nervash,që e ka burimin e saj,sa në motive personale,po aq edhe në ato shoqërore.
Ana e dëshiron ndarjen nga Karenini pa asnjë mëdyshje,por i trembet,sepse kjo mund të bëjë që të humbasë djalin e dashur.E,megjithatë,ajo e bën këtë hap e shtyrë nga dashuria e saj pasionante për Vronskin,dashuri e cila e zhvendos dashurinë prindërore.Edhe vetë Ana habitet: "...Edhe unë e pandehja se e doja dhe mallëmgjehesha nga dashuria e tij(djalit).Por ja që jetova pa të,e këmbeva atë me një dashuri tjetër dhe nuk më erdhi keq për këtë këmbim që bëra,përderisa isha e kënaqur nga ajo dashuri''.
Duke zhbiruar në labirintin tragjik të ndërgjegjes së saj të plagosur,Ana heton edhe një mendim tjetër,aq befasues dhe sfidues për të: "Unë mund t'i jap çdo gjë (Vronskit),por s'mund të sakrifikoj lirinë time". Ana e ndjen veten dashnore,por jo të dashuruar.Ajo mbetet krejt e vetme ne botë,e mbyllur në mëshikëzën e dashurisë së saj pasionante.
Në këtë vetmi tragjike të Anas ka rolin e vet edhe rrethi shoqëror,që e sfidon që në hapat e para të dashurisë së saj këtë grua që shkon drejt dashurisë së sinqertë,thirrjes së parë të dashurisë në jetën e saj,duke shkelur kurorën dhe duke shkelmuar normat e etikës fallco bashkëshortore;ky mjedis i mbyll asaj dyert e komunikimit,e ofendon publikisht dhe e mbështjell me mjegullën e hidhur të përbuzjes.Dhe Ana vendos të vrasë veten...
Edhe Natasha,pas aventurës më Kuraginin,tentoi të helmojë veten e saj,por,me të pirë helmin,e tronditur filloi të qajë dhe të kërkojë ndihmë që ta shpëtojnë.
Katjusha,në atë nate vjeshte të errët,në platformën e stacionit të trenit,e ndjen se është e braktisur nga Nekludovi dhe mendon:"Do të vijë treni,nën vagon...dhe merr fund...":Por,për një çast,ndjen se si lëvis foshnja në barkun e saj dhe ideja e vetëvrasjes,së bashku me ndjenjën e ligësisë dhe të hakmarrjes ndaj Nekludovit,i largohet nga mendja.
Natasha me Katjushën shpëtuan nga vdekja sepse nuk i shkëputën lidhjet me jetën,nuk u mbyllën në fshikëzën e vetmisë.Kurse Ana,që tashmë e ka humbur emrin e mirë,humbi familjen,u nda nga i biri i dashur,i është tronditur dashuria për Vronskin,i ka këputur lidhjet më të holla dhe më delikate me jetën,e ka mbyllur përfundimisht kukulen e saj dhe arrin në përfundimin fatal: "...jeta më shqetëson më shumë dhe arsyeja më thotë se duhet ta flak tej..pse të mos e shuash qiririn kur nuk ke ç'të shohësh më..."
Dhe Ana hidhet në rrotat e trenit!

-Ana vret veten.Katjusha martohet me nje burrë të cilin nuk e di e do apo s'e do.Natasha martohet me Pjerr Bezuhovin,që e dashuron dhe mbyllet brenda mureve të familjes duke iu gëzuar shtytkave te bebes..Ku është,atëhere,lumturia që duhet të sjellë dashuria?!-vazhdon sfidën e tij Sfinksi Dashuri.
 
Tolstoi, me qetësinë e tij filozofike,i përgjigjet:
-Dashuria është një nga ndjenjat më të qenësishme njerëzore,më personalja dhe më e vështira për t'u realizuar.Në qoftë se ndjenja e vdekjes është një ndjenjë sa e frikshme aq edhe e realizueshme me dëshirë apo pa dëshirën e çdo vdekëtari,ndjenja e dashurisë,në kuptimin filozofik të saj,është më delikatja,më pak e realizueshmja dhe më kryeneçja,por më jetësorja.Platoni thotë në veprën e tij "Gostia" se dashuria (qoftë ajo platonike apo dhe ajo jo platonike) shërbejnë si gur prove për njerëzit.
Ana Karenina nuk pati forcë karakteri për ta përballuar sfidën e dashurisë,asaj iu desh të vriste ndjenjën e dashurisë prej nëne dhe të pohonte ndjenjën e dashurisë së saj prej femre,ajo nuk mundi t'i harmonizojë dot këto dy dashuri.
Tek Natasha Rostova ndodh një diçka tjetër.Pas martesës me Pjerin dhe,pasi bëhet nënë,,ajo gjymton diçka në ndjenjën e saj të dashurisë për burrin,e do këtë,por veçohet,largohet nga bota mendore dhe filozifike e tij.Ajo i kushtohet,kryesisht,dashurisë prej nëne dhe në këtë harmoni familjare të saj ajo gjen lumturinë paqësore të dashurisë së vet.
Kurse Katjusha Masllova,më e traumatizuara nga jeta,arrin në kuptimin kristian të lumturisë,si njeri dhe si femër.Ajo e mbyll përsëri në zemrën e vet ndjenjën e dashurisë femërore,ashtu siç mbyll,vulos bleta në hojet e saj krimbin që rrezikon të dëmtojë kosheren,ajo e gjen lumturinë në vetësakrifikimin e dashurisë së vet,për të ruajtur të ardhmen e Nekludovit,që vazhdon ta dashurojë akoma dhe lidhet pas Simonsonit,pas ëndrrës së tij për lumturi të përgjthshme njerëzore.

Sfinksi  cinik triumfon!
-Ana e sfidon dashurinë me vdekjen e vet.Natash e gjen kënaqësinë e vet në harmonizimin,sipas saj,të dashurisë për burrin me dashurinë familjare prindërore.Katjusha e gjen Lumturinë në vetësakrifikimin në emër të dashurisë dhe luan rolin e së lumturës...Pra,asnjëra s'paska gjetur dashurinë e vërtetë,absolute!

Tolstoi i përgjigjet i zemëruar,por i përmbajtur.
-Dashuri absolute nuk ka!Njeriu është në kërkim të kësaj dashurie ideale njerëzore.Realizimi i kësaj dashurie është një ëndërr tejet e vështirë për t'u arritur mbi tokë.Kjo ka të bëjë me lirinë e njeriut,me të drejtën e tij të patjetërsueshme për të afirmuar vetveten,natyrën e tij të papërsëritshme dhe të shenjtë,gjënë më të çmuar që ka gjinia njerëzore,për të qenë i lumtur plotësisht,pa cënuar aspak vetveten dhe pa i sjellë asnjë të keqe tjetrit,pa e cënuar lumturinë e të tjerëve.Dashuria ideale mbetet një ëndërr tokësore!
Duke përsiatur rreth kësaj ëndrre,Leon Tolstoi i shkroi dhe këto tri romane,"Lufta dhe paqja","Ana Karenina" dhe "Ringjallja".


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora