E enjte, 08.05.2025, 06:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Sulejman Sulejmani: Muharremi i Agushit

E hene, 27.07.2009, 07:12 PM


MUHARREMI I AGUSHIT

Rrëfim nga Sulejman SULEJMANI
 
Ne jetonim në lagjen e Kishalive, në fshatin Zarbincë. (Malësia e Bujanovcit-Hashani).Fshati ynë kishte disa lagje.Në fillim të fshatit nga rruga që vinte prej Gjilanit,ishte lagjja e Rekalive,me sa shihet ishte pagëzuar kështu, në bazë të Lumit që të ne përdorej më shumë si Rekë.Pastaj, vinte lagjja e Dishëve së bashku me Bërnjashët,lagjja e Lumjanëve,e Baxhukëve,e Liteshit,dhe, ajo e jona Kishali.Në shumicën e rastëve lagjet kalonin në harmoni dhe ishin të gjithë bashkë,si në dasma edhe në vdekje.Në Zarbincë, qarkullonte një lloj anekdote me bazë të vërtetë.Lagja e Bërnjashëve, shumica merrëshin me gjueti dhe posedonin pushkë gjuetie,ata njiheshin edhe si njerëz të ahengut.Kur shkonin nëpër dasma nuk zgjedhnin vendin edhe kur ishin në dhoma shtinin me pushkë.Një ditë lagjet tjera marrin një vendim, që mos t´i ftojnë në dasma Bërnjashët.Bëhet një dasëm dhe vërtetë nuk i ftojnë,por edhe dasma nuk bëhet me atë gëzimin, që bëhej kur ishin ata prezent.Përsëri mblidhen lagjet dhe marrin vendimin tjetër,se do t´i ftojnë Bërnjashët,sepse nuk paska dasma lezet pa ta.Që nga atëherë, për çkado thuhet ''Medet, keq me Bërnjashët e keq pa ta''
Të ne ishin gërmadhat e një Kishe,për të cilën fliteshin shumë legjenda dhe lagjja quhej sipas Kishës.Pak më lartë, nga gërmadhat e kishës, ishte një krua që quhej:'' kroi i kishës'' dhe besohej, se shëronte sëmundje dhe zgjidhte halle dashurie.Gjatë Shën-Gjergjëve,nuset dhe vajzat shkonin dhe lidhnin nga një pe,që e nxirrnin nga rrobat e veta dhe luteshin, që Kroi t'u zgjidhte problemet.Se kush e kishte ndërtuar atë Kishë edhe sot ka mbetur mister.Prej se mbahej mend, aty kishin jetuar shqiptar të besimit musliman,kjo na flet për faktin, se Kisha ështe shumë e vjetër,së paku para pushtimit të Perandorisë Otomane do të jetë ndërtuar.
Ne,jetonim afër gërmadhave të kishës,e nëna si bestyte që ishte, shpesh i bëhej se i dëgjonte Këmbanat e kishës.Jo,që frikësohej vetë nga këto këmbana, por na frikësonte edhe ne fëmiëjve, që në imagjinatën tonë thurrnim lloj-lloj fantazishë.
I vetmi, që disa herë ishte interesuar për këtë kishë,ishte tekniku i medicinës,Ilaz Idrizi, i njohur në popull, si Ilaz Doktori.
Ai, kishte tentuar disa herë ,që të zgjonte intersimin e ndonjë arkeologu,por nuk ia kishte arritur.Ilazi ,shpesh mblidhte gur për rreth dhe i dërgonte në Institute të ndryshme për hulumtime në Vranjë.
Ilaz Idrizi, vdiq pa pasur mundësinë të kuptonte misterin dhe lashtësinë e kësaj kishe.Tash, kur në Zarbincë nuk ka mbetur, asnjë banor,vështirë se do të gjëndet dikush, që do të bëj hulumtime për këtë kishë.
Zarbinca, bashkë me disa fshatëra të Malësisë së Bujanovcit, u boshatis kur filloj lufta e UÇPMB-së, në vitin 1999.Për një moment nga frika e forcave serbe u ndërpe jeta,pushuan kumbonat e bagëtive,fyelli i barinjëve,lojërat e fëmijëve,thonë se edhe zogjët shkojnë më rrallë edhe lumi rrjedhë më vajtueshëm e më ngadalë...
                                                        *  *   *
Tash, kur më janë bërë shumë vite mërgim,dhe,mosha e mërgimi kan filluar të më rëndojnë më fort mbi supe,e flokët më janë zbardhur,shumë gjëra nga vendlindja më dalin,para mendje e syeve me një dritë tjetër,me një pamje shumë më të ndryshme, sesa kur i kam parë e jetuar dikur nga afër.Mbi të gjitha, më kaplon një mall dhe më duket, se nuk kishte vend më të bukur dhe njerëz më të dashur,sesa në Zarbincën time,që sot ka mbetur shkret dhe e harruar nga zërat e jetës...
Sot, do të  mundohem të rrëfej për Muharremin e Agushit,sesa do të ia arrijë,mbetet të vlersojnë ata që e lexojnë rrëfimin tim!
Ka shume kohë,këtu në mërgim,që sa herë më mundon vetmia, më kujtohet Muharremi i Agushit.Ndërsa, në raste ekstreme vetmie dhe mërzie,e kujtoj martirin e Shqipërisë Etnike,Mulla Idriz Gjilanin,i cili pesë vite me radhë i kaloj në ilegalitet të plotë,në një lloj qelie të ngusht,pa parë kurrë dritën e diellit.Thuhet, se kur u kap nga OZN-a,dikund në Hogoshtë, në prani të dëshmitarëve e pyeti një oficier:''Hoxhë, si e kaloje kohën, në qeli apo bunker''? Hoxha,munddhet të buzëqeshë me sy gjysëm të mbyllur nga dielli, dhe, i përgjigjet shkurt:''Knojsha dhe u falsha''(Knojsha-lexoja Kuranin).Këto fjalë të Hoxhës patriot, më japin motiv që mos të ligështohem.
Kur e kam njohur Muharremin e Agushit unë,do të ketë qenë burrë rreth të pesëdhjetave,me flokë dhe mustaqe të zbardhura.Sa herë, që shkoja në shkollë dhe kaloja nga shtëpia e tij,kur ishte në shtëpi e shihja ulur në një livadh, një pesëdhjetë metra largë shtëpisë,ulur,pinte duhan dhe qëndronte i zhytur në botën e tij vetmitare...
Muharremi,jetonte me familjen e vëllait,gruaja kishte kohë që i kishte vdekur.Në ato vite, bënte punën e druvarit,i merrte drunjët në malësinë tonë dhe i shiste në qytetin e Vranjës.Kjo puna e druvarit ishte një punë e rëndë,me rreziqe e pa fitim dhe gjithnjë i ndjekur nga organet e pushtetit.
Vëllanë e Muharremit,Selmanin,e mbaj mend poashtu.Ishte burrë i hollë dhe i gjatë, si të gjithë malësorët tonë dikur.Dalloheshin nga njëri-tjetri, vetëm nga kapelat,Muharremi mbante plis të mbështjellur me shall, ndërsa Selamani mbante një lloj kapele të zezë.Selmani, dukej, sikur jetonte nga ajri dhe kurrë nuk fuste gjë tjetër në gojë.Axha im Ferati,një muzikant i lindur në shpirt dhe në zë,tregonte me emocione, se, kur luante Selmani në kavall,bashkë me Musliun edhe zogjët ndalnin këngën e tyre dhe dukej, sikur ndaleshin të dëgjonin,e mos të flasim më për gratë, që dëgjonin prapa dere,që zemra iu bëhej zjarr dhe dashuri.
Edhe ushtarët e egër të Bullgarisë fashiste,që gjatë LDB-së e kishin zaptuar Zarbincën,kur e dëgjonin kavallin e Selmanit,merrnin pamjen e njerëzve.Për ushtarët fashist bullgar, flitej, si për pushtuesit më të egër që kishin kaluar në këto anë.
Selmani, vdiq një ditë dimri dhe Muharremi më duket, se u bë edhe më i heshtur dhe më i vetmuar, se kurrë më parë.
Muharremi,sa më shumë që plakej, bëhej më misterioz dhe i pa depërtueshëm.Për te flitej, se pas LDB-së kishte udhëhequr një togë të policisë që kishte krijuar OZN-a,për ndjekjen e luftëtarëve të lirisë që kishin mbetur ende maleve.
Ishte kyqur Muharremi, në policinë vullnetare ,për të humbur gjurmët e pjesëmarrjes në  luftën e Desivjcës kundër Partizanëve
jugosllav,apo ishte kyqur nga bindja,kjo nuk u kuptua kurrë.
Dëshmitarët tregonin një ngjarje interesante.Në një mëngjes në katundin Suharrën, ishte rrethuar ballisti zulmëmadh i këtyre anëve, Sylë Zarbinca.Ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarako-policore, në shtëpinë e Sadikut të Balës.Sylë Zarbinca, ishte rrethuar bashkë me
vëllanë Ramizin,djalin Feratin dhe martirin e më vonshëm Muharrem Fejzën nga Hogoshti.Në sajë të shkathëtësive të tyre luftarake e kishin shpërthyer rrethimin dhe ishin drejtuar në drejtim të Lumit të Zarbincës, për të dalur në drejtim të katundit Ramnabuqë.Ferrin e dytë, pas shpërthimit të rrethimit të parë e kishin pasur, kur kan kaluar urën mbi lum ,në vendin e quajtur Mollareka.Pasi kan kaluar rrezikun mbi urë, njëqind metra më tutje, kan rënë në pritën e policëve vullnetar të Muharrem Agushit.Ata,që kan qenë në këtë njësit,tregonin më vonë odave të Zarbincës,se kur na u afrua Sylë Zarbinca në afërsi pesëdhjetë metra,nuk u dha asnjë urdhër,ne të gjithë e kuptuam, se nuk kemi plumba për bashkfshatarin tonë Sylën.Të gjithë, për shkak të rrethanave filluam të shtinim, por plumbat i dërgonim më së paku  njëqind metra mbi kokën  e tyre.Sylë Zarbinca, bashkë me të tjerët ,na hetuan se ishim ne dhe nuk na i kthyen pushkët.
Kur Syla me bashkëluftarët, hynë në malet e Ramnabuqës dhe ishin larguar nga rreziku,të gjithë ia filluam në heshtje të qanim.Muharremi e nxorri kutinë e duhanit,drodhëm nga një cigare dhe u nisëm drejt Mejtepit të Zarbincës me një zbrastësi të madhe në shpirt.
Këtë rast e tregonte edhe vëllai i Sylës,axha Ramiz, i cili shpëtoj i gjallë.Ai, gjithashtu dëshmonte, se policët vullnetar, të Muharremit të Agushit,po të donin na vrisnin, sepse kishin pozitë shumë më të volitëshme.
                                                * * *
Kur filloj Muharremi të plakej i la kuajt dhe tregtinë me drunjë në qytetin e Vranjës.Sapo gdhinte mëngjesi, i merrte qetë
dhe shkonte në malet e thella,te Guri i Zi dhe nuk dilte nga aty derisa errësohej.Në mbrëmje, ngarkonte ndonjë dru në qerre, për të mos ardhur kot në shtëpi dhe vinte mendueshëm rrugës.Kishte raste kur kaloja nga Guri i zi dhe e shihja qerren e tij mënjanë,ndërsa ai i zhytur thellë nën hijen e lisave.
Si e ngryste ditën e gjatë verore në thelësi të malit,kjo më ngacmonte edhe atëherë.E luste Perendinë?Mërzitej për jetën që nuk e kishte kaluar ashtu siç e kishte ëndrruar?E kujtonte gruan e vdekur para shumë viteve?Vuante për ndonjë dashuri të parealizuar?E kujtonte vetën ashtu burrë të ri dhe të bukur, siç ishte në të vërtetë dhe i kujtonte shikimet e grave pas avlive kur kalonte rrugës?E kujtonte melodinë e Kavallit, kur luante i vëllai Selmani?E kujtonte ditën kur e rrethuan Sylë Zarbincën?I kujtonte ditët e kaluara në male, si druvar dhe gjuetar?Të gjitha këto Muharremi i Agushit i mori me vete, në amshim,ku ka disa vite që është tretur, dhe, mua më ka lënë dilemat e asaj heshtje pikëlluese deri në dhëmbje...


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx