Speciale
Çerkin Bytyçi: Në Hoçë të Qytetit, fshat në afërsi të Prizrenit
E enjte, 16.07.2009, 07:16 PM
Pamje e fshatit Hoçë e Qytetit (afër Prizrenit) |
Gjurmë etnografike
Në Hoçë të Qytetit, fshat në afërsi të Prizrenit
Dikur ushtroheshin zeje tashmë të harruara
Supozohet se në fshatin Hoçë të Qytetit, si qendër e regjionit të Vërrinit (komuna e Prizrenit), ku gravitojnë tetë vendbanime, veprimtari tejet të zhvilluara dhe të njohura zejtare që nga lashtësia, ishin ato të tabakëve (lëkurëregjësit), samarxhinjve (samarëpunuesit) dhe gërçakxhinjve (testipunuesit). Këto zeje si dhe disa të tjera të njohura si ai i mullinjxhinjve (dëshmohet se kjo zeje në këtë anë është e pranishme madje që nga viti 1348 e më herët), zhgunjaxhinjve, pëlhurendëseve, hanxhive etj., për të cilat dëshmojnë toponimet e trashëguara brez pas brezi, dikur në këtë rajon ishin shumë të zhvilluara.
Se tri lagjet e këtushme përkatësisht Mahalla e Tabakëve, Mahalla e Samarxhijve dhe Mahalla e Gërçakve, edhe aktualisht nga më të moshuarit, përmenden me këto emërtime, tregon se këto zeje janë ushtruar intensivisht në mënyrë të organizuar dhe që në kohët e hershme kan bërë emër, kurse brezet e reja, për këto dhe zejet tjera që dikur në këtë vendbanim ishin tejet të zhvilluara, as që kanë dëgjuar.
Shkruan Çerkin BYTYÇI
Lidhur me zhvillimin e veprimtarive zejtare në Hoçë të Qytetit (në rajonin e Vërrinit në Prizren) që në kohët e hershme, të dhënat e shkruara janë të pakta, por supozohet se ato filluan të aplikohen në kohën kur po këto u zhvilluan në qytetin e Prizrenit. Siç mund të konstatohet, që në shekullin XIV, zeja e mullisit, në regjionin e Vërrinit, ushtrohej me sukses kurse më së voni në shekullin e XVIII, Hoça e Qytetit, ishte e njohur edhe me tabakët ose lëkurëregjësit. Mëhalla e Tabakëve ishte në zë për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Në këtë periudhë në Hoçë të Qytetit, ishte e zhvilluar edhe zeja e samargjinjve (samarëpunuesit) dhe e gërçakëve (testipunuesit). Këto veprimtari zhvilloheshin në lagjet e këtij fshati të cilat thuhet se i kishin të ndara zejet që i ushtronin. Kështu, sipas ushtrimit të këtyre zejeve, tri lagjet e këtushme u bënë të njohura si Mëhalla e Samarxhijve (ajo e Shabollarëve), Mëhalla e Tabakve (ajo e Hoxhës) dhe Mëhalla e Gërçakëve (ajo e Gashjanëve). Emërtimi i tillë i tyre i përcjellë nga gojëdhënat, brez pas brezi, kultivohet edhe sot e kësaj dite. Shi për këtë edhe aktualisht nga më të moshuarit, këto lagje përmenden me këto emërtime. Gojëdhanat dëshmojnë se në këtë trevë ishin të zhvilluara edhe zejet e zhgunjaxhinjve, pëlhurendëseve, hanxhive etj., për të cilat është me vlerë të bëhen hulumtime që të ndriqohet një traditë e pasur zejtare të një vendbanimi fshatar si është Hoça e Qytetit dhe Vërrini në tërësi.
Tabakët e Hoçës së Qytetit dikur ishin tejet aktiv
Meqenëse të dhëna të shkruara për këto zeje dhe veprimtaritë tjera në Hoçë të Qytetit nuk ka, nga gojëdhënat transmetohet se punë intensive zejtare janë bërë në shumë familje të këtushme. Blegtoria e zhvilluar në këtë trevë, që mundësonte prodhimin e lëkurave, pastaj kultivimi i gjerë i drurit të verrit, frashërit e llojeve tjera të lisave me shumë lëng në këto vise, nga lëvoret e të cilëve fitohej ekstrakti për regjjen dhe ngjyrosjen e lëkurave, ishin parakushte të rëndësishme që mbi të gjitha, veprimtaria e tabakëve në Hoçë të Qytetit të jetë e zhvilluar që në lashtësi. Të moshuarit akoma i ruajnë kujtimet për qërimin e lisave dhe marrjen e lëvoreve sidomos nga verri e frashëri, që futeshin në ujë të nxehtë për të fituar substancat që nevojiteshin për regjjen e lëkurave. Poashtu këtu flitet edhe për koritat e mëdha nga druri të punuara për futjen e lëkurave në to në të cilat gëlqeroseshin. Në Lumin e Hoçës së Qytetit si dhe atë që kalonte përmes fshatit, tabakët, siç rrëfehej, vendosnin kaca të mëdha që përdoreshin për shkeljen dhe larjen e lëkurave.
Shkrimet e para për tabakët në Prizren i kemi në vakufnamen e Suzit nga viti 1513, pastaj në Defterin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1591, ku përmendet e dhëna se 19 kryefamiljarë të familjeve muslimane, janë marrë me zejen e tabakëve, dhe se çdo udhëpërshkrues që kaloi nëpër Prizren ka përmendur tabakët e këtij qyteti. Ndaj, mund të thuhet se kjo ka qenë një bazë e mirë që edhe tabakët hoçjan, ndoshta që në këto kohëra ose edhe më herët, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve të ngushta me qytetin si dhe në saje të kushteve të volitshme për ushtrimin e kësaj zeje (ujërave të mjaftueshëm, blegtorisë së zhvilluar dhe mundësive për gjueti që siguronin lëkura), në përpjekje për të siguruar egzistencën, të jenë marrë me regjjen e lëkurave. Mahalla e Tabakëve, megjithatë ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot jo vetëm si toponim por si cilësim i një lagjeje të tërë të Hoçës së Qytetit. Kultivimi i zejes së tabakëve bëri që, siç rrëfente plaka Sadbere Buduri (1895-1985), përroi i lagjes të quhet Përroi i Tabakëve. Mbi lagje, poashtu, sipas kujtimeve të saj, ndodhej një çeshme që i thonin Çeshmja Tabakëve sepse atë e kishin ndërtuar disa nga tabakët e kësaj lagjeje. Kjo ishte çeshme e vetme e lagjes, mbase uji nxirrej nga puset e shumta që ndodheshin në oborret e shtëpive. Çeshmja ishte shumë e thjeshtë. Rreth burimit ishte punuar nga rrasat një mur kurse në te ishte futur një lug nga lëvorja e një druri të verrit, e cila ishte nxjerrë gjatë marrjes së lëvoreve për ngjyrosje të lëkurave. Çeshmes së Tabakëve, sipas gojëdhanave, më vonë iu vendos edhe një koritë e punuar nga druri në të cilën ujë pinin bagëtia e fshatit.
Qarkullimi i karavaneve nëpër këtë vendbanim, kushtëzoi që këtu të jet e zhvilluar edhe zeja e samarxhinjve (samarpunuesëve), të cilën e ushtronin banorët e lagjes të njohur edhe aktualisht si Mahalla e Samarxhive. Për punimin e samarëve në këtë vendbanim kishte parakushte sepse drunjët e frashërit, nga i cili punoheshin samarët, merreshin nga malet e këtushme. Druri, sipas rrëfimeve të disa pleqëve që i bartin kujtimet nga gojëdhënat, futej në ujë dhe bëhej më i njomë respektivisht më i butë. I njejti, duke e pjekur në flakë të zjarreve që ndizeshin në shpatet mbi lagjen që ushtrohej kjo zeje, lakohej për t`iu dhënë forma e përshtatshme për samar për shpatullat e kafshës që dedikohej përkatësisht për mushkën, kalin apo gomarin. Kashta për samarët sigurohej nga mbjellja e grurit, thekrës, tërshërës e elbit në arat dhe bregoret e bereqetshme të bujqëve të vyer. Pjesa e brendshme e samarit mveshej me zhgunin e prodhuar poashtu nga duart e hoçjaneve, që dëshmon se këtu ka qenë shumë e zhvilluar edhe zeja e zhgunëpunuesve. Zhgunëpunuesit e këtushëm që njëkohësisht ishin blegtorë të njohur dhe që nga delet merrnin sasi të konsiderueshme të leshit, prodhonin zhgunin jo vetëm për nevojat e tyre (për punimin e veshmbathjes si tirqive, xhamadanëve, koperaneve, etj.) por edhe për treg. Pjesë e veshmbathjes ishin edhe këmishat e pëlhurës për gra e burra (me mëngë të ngushta e të gjera) që punoheshin nga pëlhura e endur nga pëlhurendëset e këtushme ( të njohura për këtë veprimtari ishin familja e Avllait Durës dhe e Beçës Dautit), pastaj nga materialet e thurura dhe të qëndisura.
Punimi i enëve nga balta- veprimtari e banorëve të Mahallës së Gërçakëve
Poashtu, në Hoçë të Qytetit (mendohet në shekullin e XVIII e më herët), ishte tejet e zhvilluar edhe veprimtaria e gërçakxhinjve (testixhinjve) respektivisht i punuesëve të enëve nga balta, zeje kjo sipas të cilës është emërtuar Mahalla e Gërçakve. Për prodhimtarinë e tyre përkatësisht të enëve shtëpiake si çerepit, kalanicës, vekshit, qypit, testisë etj., gërçakxhinjtë hoçjanë, dheun e merrnin, si thuhet nga gojdhanat, nga vetëm disa kodra që veçoheshin me cilësinë e dheut i cili ishte i përshtatshëm për përpunimin me duar. Deri vonë, në shenjë respekti për këtë zeje të suksesshme dhe si vazhdimësi e kësaj tradite të punimit të enëve nga balta, në Hoçë të Qytetit, me rastin e Festës së Jeremisë, gratë e të gjitha lagjeve, shkonin në gropat nga është nxjerrë dheu, te Udha Gorës (rruga për në Gorë), dhe merrnin dheun të cilin me thasët që i bartnin në shpinë, e dërgonin në shtëpi dhe nga ai punonin çerepë.
Po nga këto kodra, dikur nxirrej dheu për punimin e çerpikëve cilësor që përdoreshin për ndërtimtari.
Kur është fjala te ndërtimtaria, duhet theksuar se vërrinasit në përgjithësi, deri vonë, objektet e banimit, i ndërtonin vet, kryesisht nga gurët që i merrnin nga Lumi i Hoçës dhe Bistrica (Bizhtrica). Më vonë prodhoheshin edhe tullat nga masa e baltës me dheun e zgjedhur të disa kodrinave të kësaj ane. Ndërkaq, drunjët i siguronin nga malet e dendura përreth fshatrave, kurse pullazet i mbulonin me kashtën e thekrës që e mbillnin sidomos në arat në shpatiet e vendbanimeve.
Malet e pasura me drunjë të të gjitha llojeve mundësuan që banorët e këtushëm me sukses t’i punojnë edhe enët shtëpiake që përdoreshin në përditshmëri si djepin pastaj sofrën, palarenë, magjen, lugët, etj., (në amvisni), shekën, ftinin (për blegtori), pastaj koritën, pirajkën (për larjen e rrobave), vekun, shtizën, boshtin, çëkërrkin (për përpunimin e leshit), parmendën, fturkën, grabujën pastaj qerren, vllaçën (për bujqësi), koshin (për grurë, misër, pemëtari, perimtari e bletari), shportën (për pemëtari), sajat për bartjen e drunjëve, etj.
Mullinjtë e njohur të Hoçës së Qytetit dhe Vërrinit
Fshatrat e Vërrinit, shquheshin për kultivimin e drithërave dhe ishin si thuhet hambar i rëndësishëm i regjionit të Prizrenit. Kjo imponoi nevojën që, që nga koha e hershme të ngriten mullinjë të shumtë, mbase ky regjion është i pasur me ujëra të lumenjëve që vënin në veprim gurët e dhjetra mullinjëve. Se kur është ngritur mulliri i parë në Hoçë të Qytetit, nuk ka të dhëna por nga gojdhënat ruhet në kujtesë mulliri i Haxhi Ukës që ndodhej te shtëpitë e sotme të familjeve të Pajazit Hysen Krasniqit e i cili, në vitin 1910, nga vërshimet e mëdha që përfshinë këtë fshat u shkatrrua. (Nga këto vërshime u shkatrrua edhe xhamia e vjetër, e parë, e fshatit). Poashtu, këtu që herët funksiononte edhe Mulliri i Shaqir Agës (te Ura Farisë mbi lumin Bistricë), pastaj Mulliri Sabirit (Pronar i tij ishte familja e Sabir Bytyçit). Ate e trashiguan Jetish dhe Açif Ramë Bytyçi. Ky mulli ishte i vendosur te Ogradet (kopshtet e rrethuara), pas objektit të sotëm të shkollës. Mulliri vihej në lëvizje me ujin e lumit që kalon përmes fshatit, përmes jazit të rregulluar enkas për këtë. Poashtu në këtë kohë ishte i njohur edhe Mulliri i Sezait (Sezai i Tahirit) që funksiononte në lagjen e Bytyçve, rreth rrugës që shpie për në fshatin Gjeç (Jeshkovë). Këtu funksionuan edhe mulliri i Jeminit Lazës (te shtëpitë e sotme të Ramadan Buduri) si dhe mulliri i Lazës Abazit (aktualisht toponimi i njohur si Mullini Dinës) që ndodhej nën katund dhe supozohet të ket funksionuar deri në vitin 1890. Poashtu në rrugën nga Hoça e Qytetit për në fshatin Gjeç (Jeshkovë), punoi Mulliri i Bajramit (Bajram Sharragjisë).
Përveç mullinjëve në Hoçë të Qytetit, shumë mullinjë në të kaluarën punuan edhe në fshatrat tjera të rajonit të Vërrinit. Kështu në fshatin Arbëri (Leskovec) dikur ekzistonte Mulliri i Azemit, në Lybeçevë funksiononin Mulliri Durës, Mulliri Hoxhës, Mulliri Dautit, Mulliri Limanit e Mulliri Shamës ndërsa në Kushnin punuan Mulliri Hajdinit dhe Mulliri Azemit, nga të cilët mbetën edhe sot e kësaj dite toponimet me këta emra.
Pamje e mullirit në fshatin Poslisht |
Duhet përmendur sidomos rëndësinë e disa mullinjëve që funksionuan në fshatin Poslisht, që u shërbenin banorëve të regjionit të gjerë të Prizrenit. Për ekzistimin e disa mullinjëve në fshatin Poslisht, të cilët punuan me ujin e lumit Gurrë që buron këtu, kuptojmë edhe nga një dokument i rëndësishëm i shkruar historik që nga viti 1348.
Në krisobulën e Mbretit Dushan, pos tjerash thuhet se “Car Stefan Dushani themelon manastirin e shënjtorëve Mihal dhe Gabriel në Prizrend dhe i dhuron me këtë krisobulë prona dhe të drejta feudale (1348)”. (Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi II, Shek. VIII-XV, Universiteti Shtetëror i Tiranës/Instituti i Historisë dhe gjuhësisë, Tiranë, 1962, fq. 143;) Në këtë dokument, përveç të tjerash është shkruar se dhuron edhe “Fshatin Leskovç (Leskovec-ç.b) kufiri i të cilit shkon prej Lluboçevit(Lybeçevës-ç.b.) dhe prej Hodçes (Hoçës së Qytetit-ç.b.) siç bie rruga e tërthortë në kishë….
Fshatin Plloskishtino (Poslisht-ç.b) me mullinjë dhe me vreshta dhe me sinore dhe me të gjitha të drejtat e atij fshati, ashtu siç i kan mbajtur që përpara me Billushin (Billushën-ç. b.) dhe me Hodçen, kështu të mbahen.” ( Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi II, Shek. VIII-XV, Universiteti Shtetëror i Tiranës/Instituti i Historisë dhe gjuhësisë, Tiranë, 1962, fq. 148;)
Kjo dëshmon se tradita e egzistimit të mullinjëve në Vërri e sidomos në Poslisht, daton madje edhe para vitit 1348 kur është shkruar ky dokument. Besohet se nga kjo kohë, në Poslisht funksion mulliri që punon edhe sot e kësaj dite, i njohur si Mullini i Dinës. Deri para disa vitesh, objekti i këtij mulliri për shkak të vjetërsisë, paraqiste raritet, kurse, si mulli gurët e të cilit rrotullohen me forcën e ujit, mund të thuhet se është nga të vetmit ose të rrallët në Kosovë. Mu për këtë dhe duke u nisur nga rëndësia e tij që mund të ket në sferën historike dhe atë turistike, është mëse e nevojshme të shpallet si objekt i rëndësisë së veçantë historike, në mënyrë që të ruhet vlera e tij e lashtësisë së kahershme.
Në vitin 1948, në Vërri funksionon mullinjët e Fejzulla Begzatit në Poslisht me dy gurë, Sezait Tahirit, në Hoçë të Qytetit, me një gurë dhe Xhelil Mustafës e Billall Zyberit në Lybeçevë, poashtu me nga një gur. Pronarët e tyre, nga Këshilli Popullor i Rrethit në Hoçë të Qytetit, u obliguan që për periudhën gjashtëmujore maj-tetor të vitit 1949, të dorzojnë në emër të grumbullimit të tepricave, 12.400 kilogram misër, nga të cilët, vetëm nga mulliri në Poslisht u morën 7400 kilogram.(Sipas Planit të grumbullimit të tepricave të misrit nga mullinjët në rajonin e Këshillit Popullor të Rrethit në regjioni e Hoçës së Qytetit, i evidentuar me nr. 167 të datës 23.V.1949. Dokumenti ruhet në Arkivin Regjional në Prizren). Poashtu, një vit më vonë u evidencuan edhe mullinjët e Jetishit Ajetit në Hoçë të Qytetit dhe Bejtulla Saitit në Lybeçevë.
Përndryshe, toka e bereqetshme dhe rendimentet tejet të mira të drithërave, si thuhet, mundësuan të punojnë me sukses të gjithë mullinjët në Vërri.
Hanet në Hoçë të Qytetit
Në Hoçë të Qytetit, me kohë jan kryqëzuar shumë rrugë që kishin rëndësi për zhvillimin e tregëtisë. “Via Egnacia” që lidhte Prizrenin me Durrësin mundësonte njëkohësisht lidhjen e trojeve shqiptare me Evropën përmes udhës detare. Vetëm dy kilometra e ndanin këtë fshat nga kjo rrugë e atëhershme strategjike. Nëpër Hoçë të Qytetit dhe Billushë kalonte poashtu deri vonë, një rrugë shumë e vjetër që e lidhte Gorën e Opojën me Prizrenin. Vërrinasit këtë e quanin Udha e Gorës. Thuhet se kjo ishte rrugë karvanesh dhe se kishte rëndësi të madhe. Komunikacioni bëhej me kuaj, mushka e gomarë. Por, përmes kësaj rruge kalonin edhe bagëtitë që dërgoheshin në tregun e njohur të Prizrenit.
Kur kësaj i shtohet fakti se këtu kalonte rruga që Prizrenin e lidhte me Opojën dhe Gorën si dhe ajo që qonte për në Zhur e Kukës, ishte e arsyeshme pse në kohët e hershme, tregu që zhvillohej disa herë në vit në Hoçë të Qytetit, ishte i njohur jo vetëm në Kosovë. Ndërkaq, nga fakti se përmes fshatit Hoçë e Qytetit, kalonte rruga e rëndësishme që Prizrenin e lidhte me rajonin e Sharrit e të Tetovës, përmes të cilës qarkullonin karvanet, këtu që herët, thuhet se janë ngritur hane. Në to, përveç njerëzve, vendoseshin edhe bagëtitë. Në hane mundësohej vendosja e disa qindra deleve, dhive, lopëve, buallicave, kuajve, mushkave dhe gomarëve. Nga gojëdhanat transmetohet edhe sot e këtyre ditëve se dikur, hyrja e fshatit e aktualisht qendra e fshatit, quhej e quhet “Te Hani” për të cilën thuhej “Isha te Hani”;” Po shkoj te Hani”;”Njeva te hani”. Kjo thënje e fundit dëshmon se në hane këmbeheshin edhe lajme, në mungesë të mjeteve të informimit, pastaj bëhej edhe dërgimi i letrave apo edhe gjësendeve për të njohurit, të afërmit etj. Thuhet se këtu dikur ishin të ngritur hane përkatësisht bujtina që u shërbenin për vendosje e pushim, tregëtarëve të shumtë që vinin këtu për të bërë tregëti nga vise të ndryshme. Këtu u vendosnin edhe tregëtarët që shkonin e ktheheshin nga Prizreni. Që të mos udhëtonin këmbë e me kuaj natën, vendoseshin në Hanet e Hoçës. Të njohur, sipas gojëdhënave ishin hanet e paraardhësve të Sedës Avllait dhe Hani i Totës. Kështu, qarkullimi i karvaneve bëri që në Hoçë të Qytetit, të ket qenë e zhvilluar zeja e hanxhive kurse në hanet e këtushme, thuhet se është ushtruar edhe zeja e nallbanve.
Shtëpi karakteristike në fshatin Kushtrim (Billushë) |
Një veçanti, në Hoçë të Qytetit, paraqiste edhe sharra me ujë, që konsiderohet se ishte e para e këtij lloji në regjionin e Prizrenit e më gjerë. Ishte kjo pronë e Bajram Amitit (Shala), nga ky fshat. Sharra me ujë thuhet se funksiononte që para Luftës së Dytë Botërore dhe se kjo ishte e vendosur në mes të Hoçës së Qytetit dhe fshatit Gjeç (Jeshkovë), te vendi i quajtur “Te bashqet”, në të majtë të lumit të Gjeçit. Vihej në veprim me anë të ujit që merrej nga lumi që nuk shterrte asnjëherë. Ishte projektuar dhe ngritur nga vet pronari Bajram Amit Shala. Luajti rëndësi të madhe për përmirësimin e kushteve dhe modernizimin e ndërtimit të shtëpive, hambareve dhe veglave të punës nga drurët dhe drrasat që prodhoheshin këtu. Kjo sharrë u bënte shërbim banorëve jo vetëm të kësaj ane. Natyrisht që sot shprehet keqardhje për zhdukjen e tërësishme të saj, kurse nisma për riaktivizimin eventual të sharrës, edhe atë formal, të ringjalljes sëpaku si dëshmi e të qenit të saj në të kaluarën, do të ishte atraktive dhe me interes për gjeneratat e tashme e të ardhshme dhe sidomos për vizitorët.
Thuhet se sharra të ngjajshme, sipas idesë së Bajram Amitit-Shala, u ndërtua edhe në disa vendbanime tjera të regioni të Prizrenit.
Hartimi i një guide turistike- dëshmi e një të kaluare të pasur zejtare
Për këto zeje, të cilat dikur në Ho¬çë të Prizrenit kanë bërë jetë aktive, deri më tash nuk është shkruar asnjë fjalë dhe se për ushtrimin e tyre në këtë fshat dhe në mbarë rajonin e Vërrinit, nuk dihet fare. Nga gojëdhënat transmetohet se këtu dikur, në të kaluarën e largët, zejet e tilla ishin tejet të zhvilluara. Megjithatë, nisur nga rëndësia, do të ishte me vlerë për të gjurmuar më shumë këtë temë dhe pse jo, në interes të tërheqjes së turistëve, hapja e ndonjë muzeu të vogël kushtuar këtyre veprimtarive të cilat me improvizime sipas gojëdhanave, do të jenë dëshmi më e mirë për brezet e ardhshme. Poashtu, edhe për tërheqjen e turistëve, siç veprohet aktualisht kudo në botë duke riaktivizuar zejet e vjetra të harruara, ndoshta do të ishte domethënëse nisma për të regjistruar apo hartuar një guidë turistike për këtë vendbanim si dëshmi e një të kaluare të pasur zejtare me zejet e zhvilluara të mullinjxhinjve, tabakve, samarxhinjve, gërçakxhinjve, zhgunjaxhinjve, pëlhurapunuesëve, hanxhive etj.
Në shumë vende perëndimore, me të madhe është punuar dhe punohet për të dëshmuar traditën e zhvillimit ekonomik të vendbanimeve të shumta përmes pasqyrimit të dëshmive historike. Ndaj, veprimtarive që kaluan në harresë, u erdhi koha të riaktivizohen. Ato nuk jan funksionale por si objekte u rindërtuan, restauruan dhe me mburrje u prezantohen vizitorëve. U shërbejnë edhe studentëve të sferave të ndryshme. Kështu dëshmohet trashigimia kulturore në një anë dhe krijimi i një potenciali turistik që mundëson realizimin e të ardhurave. Mullinjët mbi të gjitha dikur ishin një fabrikë e rëndësishme e njerëzimit që paraqtnin një zhvillim domethënës teknik sidomos për trevat shqiptare. Kujdesi më i madh për restaurimin e mullirit ekzistues në Poslisht (versionit të vjetër të mullirit) madje edhe me mjete shoqërore duke e shpallur atë paraprakisht si objekt i rëndësisë së veçantë historike, si dhe riaktivizimi eventual i ndonjërit nga këta mullinjë të dikurshëm historik si dhe të sharrës së vjetër me ujë, që funksionuan në të shkuarën në Vërri të Prizrenit, do të përjetonin një interesim të veçantë teknik të vizitorëve dhe paraqitnin atraktivitet të veçantë turistik sikundër edhe mbrojtja nga shkatrrimi i disa shtëpive karakteristike banimi të ndërtuara nga gurët, që ndodhen në fshatin Kushtrim (Billushë) e të cilat iu shpëtuan shumë stuhive të deritashme.
Formimi i një këshilli për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Vërri dhe riaktivizimin e asaj që i përket të kaluarës historike do të ishte me rëndësi të veçantë. I mbështetur nga strukturat komunale të Prizrenit, ky këshill, do të bënte punë me vlerë të madhe shoqërore, aq më tepër kur në një të ardhme jo të largët, Vërrini, me qendrën e tij në Ho¬çë të Qytetit (që në të kaluarën shumë kohë ishte komunë), do të bëhet komunë në vehte dhe trashigimia kulturore historike do të paraqet bazë të mirë turistike dhe ekonomike.
Komentoni
Artikuj te tjere
Fritz Radovani: Vrasja e At Lekë Lulit: Rastësi apo trathti?
Vangjush Saro: Shënime për Korçën (II)
Alfred Papuçiu: Rreth librit të Prof. Dr. Ksenofon Krisafi me titull “Në kërkim të arit”
Intervistë: Flet ish ushtari i lirisë i Luftës së Dytë Botërore, Hajriz Demaku
Vangjush Saro: Shënime për Korçën (I)
Avzi Mustafa: Kongresi i Dibrës – refleksion i Kongresit të Manastirit
Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në Diasporë (V)
Gjon Frani Ivezaj: Mbijetesa, dëshmi e lavdisë shqiptare ndër shekuj
Shevki Sh. Voca: Me rastin e 233 vjetorit të Pavarësisë së Amerikës
Nexhmije Mehmetaj: Një vështrim mbi të folmen shqipe në Zvicër (+ Paraqitje nga Alfred Papuçiu)
Arben Llalla: Racizmi ndaj minoriteteve në Greqi, në veçanti atij shqiptar
Alfred Papuçiu: Pershtypje nga Shqiperia ne prag te zgjedhjeve, te nje gazetari ne Diaspore
Speciale: Alfred Papuçiu
Arben Llalla: Thimi Mitko dhe Shoqëria “Vëllazëria Shqiptare” në Egjipt
Skënder R. Hoxha: Masakra e Jabllanicës (Shqiponjës) së Dushkajës e vitit 1921
Dhurata Hamzai: Disidenti Arshi Pipa rehabiliton Ministrinë e Kulturës
Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në Diasporë (IV)
Alfred Papuçiu: «Leksion» zviceran për shkollën, kulturën, artin… !
Entela Safeti Kasi: Letërsia dhe fabrikimi
Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në diasporë (III)