E merkure, 13.11.2024, 07:41 PM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në Diasporë (V)

E diele, 05.07.2009, 03:11 PM


DITARI I NJË JETE NË DIASPORË (V)

Nga Alfred Papuçiu

Funksionari ndërkombëtar dhe pavarësia e tij

Gusht 1991. Kam filluar punën si funksionar i pavarur ndërkombëtar pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Një punë që më jep kënaqësi, por edhe që paraqet vështirësitë e veta, pasi ke të bësh me kolegë me përvojë të gjatë me organizatat ndërkombëtare. Janë funksionarë të kombve të ndryshme, britanikë, francezë, amerikanë, ruse, çekë, gjermanë, spanjollë etj. Jam i vetëm nga Shqipëria dhe bëj pjesë në familjen e madhe të kombeve të  botës që përfaqësohen në OKB. Në zyrë jam vetëm, por here pas here vjen britaniku që merret me analizat ekonomike të shteteve. Ka vite që punon këtu dhe ka një përvojë të madhe.

Dikush  më merr në telefon nga Tirana, nga MPJ, një njeri për të cilin kam patur gjithmonë respekt, dhe më thotë të ndërhyj tek zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së lidhur me demostratën e madhe që po mbahet përballë Presidencës në Tiranë. U ndodha para një çasti të vështirë. Në radhë të parë, ai që më telefononte as nuk e kishte haberin se unë tashmë isha një funksionar ndërkombëtar, pra si i tillë nuk më lejohej që të ndërhyja për një çështje që i përkiste përfaqësuesit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara. Funksionarët ndërkombëtarë për veprimtarinë e tyre i japin llogari vetëm OKB-së dhe betohen se as do të marrin as do t’i japin udhëzime ndonjë qeverie, as një autoriteti të jashtëm. E dyta ishte se m’u duk se kërkesa ishte disi e stisur, për të më vënë në një qorsokak. Megjithatë, e mblodha veten dhe i thashë: “Kërkesa duhet të bëhet si në çdo rast nëpërmjet Misioneve diplomatike pranë Kombeve të Bashkuara. Unë, nëse më ngarkon sekretariati ta ndjek si problem, me gjithë qef do të bëj në bazë të normave që i përmban Karta e Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, mendoj se duhet t’i drejtoheni misionit shqiptar që të ndërhyjë”. Dhe kaq.

S’kisha fare respekt për përfaqësuesin  në Misionin shqiptar në  Gjenevë, një njeri tepër finok që i kishte ngjitur shkallët e diplomacisë me lajkat që i kishte bërë një zëvendësministri dhe një funksionari të lartë në parlamentin shqiptar që ishte nga trevat e tij. Më kujtohej se një mik, duke e përçmuar për gjestet e tij, më kish thënë se ky “qoftëlarg” kur ishte në punë në një organizëm të tregtisë shqiptare, e detyronte pastruesen të shkonte t’i lyente këpucët(?!) Mbi të gjitha të vinte ndot kur buzëqeshte si Hurjahipi dhe i dukej ai dhëmbi i florinjtë. Ai më pare ndiqte problemet e misionit shqiptar në ministri, por shpesh nuk përgjigjej fare për hapat që duhej të merrte Shqipëria ndaj problemeve që trajtoheshin në Kombet e Bashkuara. Shpesh detyrohesha t’i jepja vetë “dum” problemeve të koklavitura që dilnin, pasi nuk mund të prisja sa “t’i ngroheshin atij llampat”

Gusht 1991. Ai profesori i shquar zviceran më dha çelësat e vilës së tij dhe m’u shpreh se gjatë pushimeve të tij mbi një mujore, mund të qëndroja dhe të banoja me familjen time tek ai. Akoma nuk isha rregulluar mirë me banesë, por nuk më vinte mirë ta pranoja. Ai gjeti mënyrën për të më bindur dhe unë kapërceja çdo ditë qytetin me biçikletë nga shtëpia e tij, për të shkuar në punë në Kombet e Bashkuara. Një kënaqësi e veçantë të banoje në një mjedis aq të bukur dhe të pastër. Aty kam lexuar shumë libra interesantë në bibliotekën e pasur, darkave, kur qëndronim në verandën e shtëpisë së profesorit. Të shtunave dhe të djelave kisha dëshirë të punoja kopshtin. Aty pranë kalonte një lum dhe shumë afër ishte Saleva. Fqinji i profesorit, një bankier, me të shoqen na ftuan edhe për darkë. Kaluam ditë të bukura në shoqërinë edhe të vajzës së profesorit, Emanuelës, që erdhi pas nja 25 ditësh që ishim vendosur aty.
Shtator 1991. Shqipëria po i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve me vendet ballkanike dhe veçanërisht Jugosllavisë që është akoma teorikisht e bashkuar. Qysh nga fillimi i manifestimeve që kërkonin pavarësinë e Kosovës, rajon zyrtarisht autonom i Republikës së Serbisë, ku popullsia është përafërsisht 90 për qind me origjinë shqiptare, u duk reagimi i qeverisë shqiptare. Në shumë artikuj dhe fjalime u fol për mbështetjen e domosdoshme për vëllezërit e Kosovës fqinje, të persekutuar nga serbët dhe është kërkuar e drejta për vetvendosje nën formën e krijimit të një Republike të Kosovës, një kërkesë e papranueshme për qeverinë jugosllave. Në shtator 1991, Shqipëria njohu “pavarësinë” e Kosovës, e shpallur nga pjesa më e madhe e banorëve të saj me rastin e organizimit të një konsulte, të deklaruar të paligjshme nga ana e autoriteteve federale të Beogradit. Në këto çaste të shpërbërjes së Jugosllavisë, po shihet se tensionet midis Shqipërisë dhe fqinjit të saj verior po rriten. Natyrisht këtu as bëhet fjalë që Shqipëria të ndërmarrë ndonjë “sulm” veprues për të “pushtuar” Kosovën. Shqipëria, është në një gjendje shqetësuese për veten e saj, sikur ka dalë nga një luftë dhe nuk ka mundësi tani për tani të japë një ndihmë më të madhe vëllezërve kosovarë. Gjithashtu, edhe opinioni në Shqipëri nuk është aspak për një “bashkim” me Kosovën, por si vëllezër të një gjaku dhe një gjuhe, edhe ata duhet të gëzojnë të drejtat e tyre të ligjshme për të qënë të lire në tokën e tyre amë, të trashëguar brez pas brezi.
Shtator 1991. E ndjej se ka diçka që nuk shkon. Dikujt nuk i ka pëlqyer përgjigja ime lidhur me angazhimin tim pranë Kombeve të Bashkuara dhe përpiqet të hedhë baltë ndaj meje. Këtë m’a tha edhe funksionari i lartë i atij organizmi ndërkombëtar, për të cilin kam respekt të veçantë. Unë do të vazhdoj punën time, por sidomos duhet të kem kujdes nga ai “qoftëlargu” me dhëmbë floriri që bën gam-gam, sikur unë i kam zënë vendin. Nuk e kuptoj pse duhet të egzistojë kjo cmirë ndaj një bashkëkombasi, kur ai me aq sa ka mundësi jep ndihmesën e vet, duke siguruar bursa, si dhe pjesëmarrjen në seminare për specialistët shqiptarë. A nuk duhet të bëhemi edhe ne më të ndërgjegjëshëm se sigurimi i çdo vendi qoftë edhe i thjeshtë, apo siç thuhet i shërbimeve të përgjithshme në një organizëm ndërkombëtar, do të jetë dobidhënës. Pse nuk marrim shembull nga gjithë ata funksionarë ndërkombëtarë francezë, britanikë, amerikanë, gjermanë, çekë, bullgarë, apo afrikanë, që bëhet bllok nëse cënohet vendi i punës së një bashkëkombasi të tyre?
1991. Funksionari bullgar në Departamentin e Energjisë është shumë i sjellshëm dhe shpesh herë më vë në dijeni për mundësi për bursa dhe specializime për specialistët tanë të energjisë. Ata kanë përfituar disa udhëtime studimore në Gjenevë apo edhe gjetiu nga projektet e KEE dhe PNUD-it. Edhe funksionarja turke e Departamentit të transportit është shumë dashamirëse. Ajo ka qënë edhe në Shqipëri dhe ka dhënë një ndihmesë të pakursyer. Marrëdhënie shumë të mira pune kam edhe me drejtorin tim nga Britania e Madhe, Skot, i cili ka qënë njëherë në Shqipëri në vitet 60-të por kishte qënë i detyruar të ruante mjekrën.
Shtator 1991. Ftohem të marr pjesë në konferencën dy ditore “Sigurimi evropian në vitet 90-të: problemet e Evropës Juglindore”. Konferenca zhvillohet në Rhodes të Greqisë. Ftesa m’u bë nga drejtori i UNIDIR-it, Jayantha Dhanapala. Me mua vjen dhe ambasadori bullgar, Teodor Ditcev që është një mik i imi dhe me tepër përvojë. Tashmë unë jam funksionar ndërkombëtar dhe ai vazhdon të jetë ambasador ku përfaqëson vendin e tij në Kombet e Bashkuara. Bëjmë një ndalesë në Athinë, ku na pret miku im Kastriot Robo, sekretar i parë i ambasadës. Na shëtit nëpër Athinën e bukur dhe pastaj nisemi me aeroplan për në Rhodes.  Sa zbresin më bën përshtypje ai vend i bukur. Vendosemi në hotel. Papritur përpara më del ish-ambasadori ynë në Nju Jork, Abdiu. Bisedojmë miqësisht. Darka kaloi me tingujt e buzuqeve karakteristike greke dhe me mezetë e shumta. Të nesërmen filloi konferenca. Nuk kisha menduar të flisja, por duke parë se shumica e pjesëmarrësve e mirrnin fjalën, përgatita një fjalim të shkurtër, që më vonë u përfshi në botimin e Kombeve të Bashkuara për konferencën e Rhodesit. Tanimë në këtë konferencë isha tepër i çliruar, pasi kisha ardhur si një i ftuar i pavarur. Gjithashtu, kisha pranë mikun tim bullgar që çdo herë kishe qef ta dëgjoje. Ai ishte erudit dhe me shumë finesë. Fat i keq për të. E shoqja ishte tepër e sëmurë. Kjo e mundonte shumë. Kur u kthyem përsëri në Athinë, për të Gjenevë, i bleva një dhuratë simbolike për të shoqen një grua e thjeshtë ballkanase. Nuk e dij por kam një respekt të veçantë për të gjithë popujt e Ballkanit,ata që nuk i kanë ndyer duart me gjakun e kosovarëve; apo edhe për popullin boshnjak që ka vuajtur, për atë kroat, slloven ku im atë ka patur kujtime shumë të bukura të rinisë; për popullin grek, turk, bullgar, maqedonas dhe gjithë popujt evropianë.
1991. Më së fundi Karta e Helsinkit u firmos edhe nga Shqipëria. Të paktën në analet e historisë të mos mbetet prapa edhe ky vend dhe sidomos populli i saj që ka aspiruar prej kohësh, që nga Skënderbeu për Europën, duke qënë gjeografikisht në Evropë, por jo „de jure“.
1991. Në Pallatin e Kombeve vjen ministri i jashtëm shqiptar, adashi im, në një konsultë për Ballkanin. Bashkë me të ishte edhe një i njohuri im, Petriti, të cilin e kam takuar vite më parë kur ishte në ambasadë në Vjenë. Unë shkoja shpesh në Vjenë, pasi meqënëse nuk kishim akoma ambasadë në Bernë mbuloja edhe marrëdhëniet dypalëshe me Zvicrën. Ambasadori ynë në Vjenë ndërkohë ishte edhe ambasador pranë Bernës. Me të kisha shkuar edhe për paraqitjen e letërkredencialeve ,Presidentit zviceran. Më parë shkoja shpesh në Bernë dhe kisha marrëdhënie të mira sidomos me një funksionar në Departamentin e jashtëm, Nobs, i cili ishte me kulturë dhe e njihte mirë zonen e Ballkanit. Më priste gjithmonèë me kënaqësi dhe problemeve që i shtroja i jepte gjithmonë dritën jeshile. Në fakt të gjithë funksionarët e departementit të jashtëm të Zvicrës ishin të predispozuar të më ndihmonin duke e ditur se isha pothuajse vetëm dhe kisha dy kasketa: ndiqja marrëdhëniet me Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që ishin vendosur në Zvicër, por edhe marrëdhëniet dypalëshe.
1992. Shkoj më shpesh tek shitësi ambulant maroken Idriz, i cili më shërben me kulturë fruta dhe zarzavate të stinës. Është një treg i madh në Francë, tek Ville – la Grande dhe të jep kënaqësi sikur edhe të shkosh të kalosh një orë ditën e djelë. Shpesh shkoj edhe tek shitësit e katër stinëve në Gjenevë që sidomos janë turq dhe blej fruta dhe zarzavate të freskëta.
1992. Sot pashë në shtypin shqiptar disa pasazhe të një studimi tim të dikurshëm mbi marrëdhëniet me vendet e Shoqatës Europiane të Shkëmbimit të Lirë (AELE), ku bën pjesë edhe Zvicra. Ato janë rimarrë fjalë për fjalë nga një “kandidat shkencash” në ekonomi që e njoh. U çudita si ai njeri guxon të mos citojë të paktën burimin se ku e ka marrë atë studim! I thashë dhe një mikut tim se mos duhej t’i shkruaja një letër atij merhumi, por më sygjeroi ta lija në „kënaqësinë“ e tij të vjedhjes së punës së tjetrit. Dhe nuk ishte hera e parë që ndodhnin fenomene të tilla të shëmtuara. Sulua më thoshte se dikush kishte marrë edhe nga studimet e tij për OKB-në dhe i kishte përvetësuar si të tijat.
Vazhdimi i studimeve të Larta Europiane në Universitetin e Gjenevës po më ndihmon për të patur një pamje më të qartë të problemeve evropiane, dhe sidomos atyre që lidhen me vendin tonë. Një Universitet i dytë ku merr një formim më të plotë për problemet ekonomike, juridike, sociale, rajonale e politike të Evropës. Të kësaj Europe moderne që ka vazhduar trashëgiminë e Greqisë antike, të perandorisë romake dhe të kristianizmit. Studimi i çështjeve europiane të shtyn të gërmosh më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë.  Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, Robert Shuman.
Mars 1992. I ndjek me kujdes zhvillimet e bashkëpunimit të Bashkësisë Europiane me Shqipërinë. Në Bibliotekën e Pallatit të Kombeve, e shoqja gjermane e një të njohurit tim, një grua shumë simpatike dhe e sjellshme, më jep gjithmonë libra apo shkrime ku flitet për Shqipërinë. Për shembull, marr vesh se më 11 mars 1992, Parlamenti europian vendosi të miratojë bisedimet për një marrëveshje të tregtisë dhe të kooperimit midis Bashkësisë Ekonomike Europiane dhe Republikës së Shqipërisë. Parlamenti theksonte se ndihma e drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë është një domosdoshmëri absolute për t’i garantuar popullsisë një nivel minimal jetese dhe me afat të mesëm, zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis Bashkësisë dhe Shqipërisë, veçanërisht me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimet, të cilat përbënin një mjet më të përshtatshëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Demokracia e brishtë në Shqipëri ka nevojë për një ndihmë konkrete për krijimin e institucioneve demokratike, për shkëputjen e tyre nga kthetrat e njerëzve nostalgjikë të diktaturës së E.Hoxhës që e mbajtën vendin larg proceseve mirëbërëse europianoperendimore.
Korrik 1992. Me miqtë e mij funksionarë ndërkombëtarë bisedoja mbi mundësitë që mund të krijoheshin lidhur me ndihmën që i duhej dhënë Shqipërisë në këtë periudhë tranzicioni. Mundësitë ishin të shumta, veçse duhej vepruar shpejt dhe i duhej përgjigjur sa më parë kërkesave për të dhënë njoftime për zhvillimin, si edhe ku duhej përqëndruar ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, në këtë drejtim po bëheshin hapa. Më 22-23 korrik 1992, në Tiranë organizohet mbledhja e Grupit të 24-tërve. Mbledhja u drejtua nga Frans Andriessen, zëvëndëspresident i Komisionit. Ajo pati si synim që të hartohej një strategji me afat të mesëm lidhur me masat e ndryshme mbështetëse për procesin e reformave politike dhe ekonomike në Shqipëri. Grupi i të 24-tërve përgëzoi qeverinë shqiptare për përparimet në demokratizimin në Shqipëri dhe ngulmoi mbi domosdoshmërinë për ndjekjen e ndihmës humanitare urgjente dhe veçanërisht që të mbuloheshin nevojat ushqimore deri në korrjet e vitit 1993. Ju dha përparësi sidomos rëndësisë për një mbështetje sektorit bujqësor ku punojnë 65 për qind e fuqisë punëtore në Shqipëri, me qëllim që vendi të ecte në rrugën e plotësimit vetiak për ushqime.
Tetor 1992. Bashkësia Europiane vendos, duke patur parasysh ashpërsimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, ta fusë këtë vend në listën e vendeve përfituese të programit ECIP (European Community Investment Partners), domethënë për të shpejtuar investimet e vendeve të Bashkësië në Shqipëri.
Nëntor 1992. Shumë biznesmenë shqiptarë që banojnë jashtë shtetit ndjekin me vëmendje të veçantë zhvillimet në Shqipëri. Disa prej tyre kanë ndërmarrë studime dhe po bëjnë investime për të krijuar baza të shëndosha sidomos në fushën e tregtisë, e në përgjithësi të ekonomisë, me vendin e tyre të origjinës. Konstatohet një veprimtari në rritje sidomos e shqiptarëve të Kosovës që banojnë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, sidomos në fushën e shërbimeve dhe tregtisë me pakicë. Shpesh ata kanë edhe njerëz të familjeve të tyre në Shqipëri, kështu që lidhja është më e lehtë dhe fitiprurëse për të dy palët.
Në fushën ndërkombëtare shihet një rritje e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkësinë Ekonomike Evropiane/ programi PHARE, me PNUD-in, UNICEF-in, OMS, Komisariatin e Lartë për Refugjatët, Organizatën Ndërkombëtare të Punës, Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën etj. Duke parë numrin në rritje të partnerëve të huaj, qeveria shqiptare vendosi të krijojë në gjirin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës, një departament të ngarkuar me koordinimin e ndihmës nga jashtë. Shqipëria do të ishte e udhës që të krijonte sa më parë “zona të lira”, sepse ato do të japin mundësi për tërheqjen e kapitalit të huaj, por akoma këtë nuk e lejon konteksi politik. Megjithatë, programi i tranzicionit drejt ekonomisë së tregut– objektiv drejt të cilit shumica e kandidatëve e kishin afishuar gjatë fushatës elektorale, ishte për një privatizim të kufizuar për sektorët kryesorë të ekonomisë, tregtisë, industrisë së lehtë, asaj minerare, turizmit, transportit. Në fushën e bujqësisë, ju shpërnda toka çdo fshatari ish anëtar koperative ose banor i fshatit me 0,1 hektarë tokë për çdo fshatar. Por doli problemi se parcelat e tokës së shpërndarë nuk jepnin mundësi për krijimin e një bujqësie të mjaftueshme për të plotësuar nevojat vetiake, si edhe për konsum.
Dhjetor 1992. Jam duke çfletuar librin e ish-profesorit tim të ekonomisë së shërbimit në Intitutin Evropian të Gjenevës, profesor Orio Giarinit, me titull: “Rreziqet e sigurisë”. Profesori i shquar, që ka mbaruar studimet në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Austin, jep disa mesazhe të qarta se si duhen përballuar rreziqet në një ekonomi të re shërbimi. Libri do të më vlejë shumë për studimin tim: “Shqipëria dhe Europa: perspektiva të integrimit”. Më pëlqen kur spjegon profesori, pasi i ka frazat shumë të qarta dhe jep shembuj konkretë e domethënës. Është ndër të tjera Sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes federaliste evropiane dhe anëtar i Klubit të Romës.
Dhjetor 1992. Në kohën kur shoqëria dhe morali shqiptar kalonin një periudhë tranzicioni drejt ekonomisë së tregut, në kryeqytetin Tiranë, por edhe në qytete të tjerë, dyqanet e artikujve të luksit, të importuar, afishonin me gërma të mëdha reklamat për “Koka-Kolën”, “Marlboron”, si dhe reklama për ndërmarrjet që prodhonin kostume popullore. Në gazeta shihet të flitet për linjën ajrore private “ADA AIR” të Julien Roch me bashkëpronar Marcel Skëndon, që mbulon Tiranën – Barin – Tiranë; “Nderalb” ndërmarrje private e ndërtimit që ndërton hotele, objekte tregtare etj. Mentaliteti ka evoluar në Shqipëri. Vete shqiptarët e kanë parë nevojën e “informacionit publicitar”. Lindi dhe një treg publicitar që as ekzistonte më parë. Cdo ekonomi tregu ka një industri të rëndësishme reklamash. Një bashkëpunim mbi baza të shëndosha me agjencitë perendimore të reklamës do të jepte mundësi të gjenden dhe rrugë të tjera të mundëshme për të tërhequr klientelën.
Shkurt 1993. Sipas një sondazhi të EUROBAROMETRIT, afro një banor në dy (45 për qind) “mendon se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore të vendeve të tyre përparon shumë ngadalë;  një banor në tetë (12 për qind) “mendon se ky proces po bëhet siç duhet” dhe një në pesë (15 për qind) “shumë shpejt”. Në Shqipëri, sipas një sondazhi të sipërpërmendur, 56 për qind e personave mendojne se procesi i privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore përparon shumë ngadalë, 21 për qind mendojnë se ai përparon siç duhet dhe vetëm 13 për qind mendojnë se ai përparon “shumë shpejt”. Sipas dokumentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERD) “Strategy for Albania”, BERD po kryen tani veprimtari konkrete të privatizimit dhe të ristrukturimit në dy sektorë kyçe: kromin dhe turizmin që me sa duket do të luajnë një rol model për transakcionet e ardhshme në industritë kryesore. Janë vënë re disa përparime të rëndësishme në vendosjen e një kuadri ligjor për zhvillimin e sektorit privat. Janë miratuar një numër ligjesh nga ana e Parlamentit shqiptar. Fushat që mbluon legjislacioni janë: ndërmarrjet shtetërore, falimentimet, përparësia e zhvillimit ¨të zonave turistike, liberalizimi i çmimeve dhe i tarifave, investimet e huaja, ndërmarrjet private.
Megjithatë, kapitali kombëtar është jo vetëm i pamjaftueshëm por edhe i ndarë keq. Në veçanti, një pjesë e rëndësishme ndodhet akoma në duart e ish nomenklaturës që përfitoi nga mugesa e legjislacionit përkatës për të akaparuar pasuritë e popullit. Dhënia e pronësisë kësaj kategorie njerëzish nuk është e pranuar tanimë as nga populli, as nga qeveria e re demokratike. Duhet theksuar se një nga faktorët negativë që pengojnë fluksin e kapitaleve të huaja në Shqipëri është fakti se gjatë më tepër se 45 viteve, investimet e huaja nuk lejoheshin në vend. Domethënë ky është një faktor politik. Ka më tepër se një vit që tensionet shoqërore dhe pastabiliteti politik ishin gjithashtu në disfavor të investimeve të huaja. Tani nuk ka më tensione sociale të dukshme, por pranë kufinjve të Shqipërisë, sidomos në Veri të saj, në ish-Jugosllavi gjendja është e acaruar. Topat dhe lufta në Bosnjë –Herzegovinë nuk shkatërojnë vetëm Sarajevën, por ushëtima e tyre godet edhe projektet e investimit në vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Maj 1993. Zvicra është anëtare e Shoqatës Europiane për Shkëmbimin e Lirë (AELE). Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të përfitojë nga përvoja e këtij vendi të vogel, por me një potencial të pamasë. Krijimi i një zone të shkëmbimit të lire ka qënë dhe mbetet qëllimi i bisedimeve midis vendeve të AELE dhe Europës Lindore. Këto marrëveshje parashikojnë një liberalizim të shpejtë të shkëmbimeve. Shqipëria ka si synim të diskutojë problemin e një ndihme teknike dhe financiare të AELE duke realizuar një program për zhvillimin e tregtisë dhe inkurajimin e eksporteve shqiptare. Duke ju përgjigjur kësaj kërkese AELE organizoi dy kurse intensive mbi ekonominë e tregut, më 19 prill 1993 dhe 17 maj 1993. Programi i edukimit të AELE përfshin edhe Shqipërinë dhe dhjetë studentë shqiptarë do të pranohen në vitin akademik 1993/94.
Qershor 1993. Rangu i partnerëve ekonomikë të Shqipërisë në 1992 ka ndryshuar në 1993. Natyrisht, Italia është furnizuesi i parë dhe klienti i parë i Shqipërisë. Si përsa i përket ndihmës humanitare, ashtu edhe në fushën dypalëshe, Italia është në krye të partnerëve perendimorë. Jo vetëm lidhjet midis dy vendeve janë të shumta dhe të vjetra, por nga ana tjetër Roma përpiqet të krijojë kushtet që të mos jetë përballë një fluksi masiv të mijra shqiptarëve. Kështu që ajo po përpiqet të bëjë një punë parandaluese, duke kontribuar sa të jetë e mundur në ngritjen e ekonomisë shqiptare. Tabela e investimeve është domethënëse: nëse investimet në projekte me afat të shkurtër dhe të mesëm në 1992 ishin 27 milion dollarë, në 1993 ato arritën në 37 milonë dollarë, sidomos në fushën e infrastrukturës, bujqësisë, telekomunikacioneve, turizmit dhe sektorit energjetik.
Qershor 1993. Gazetari i TV Suis Romandë, Pjer Bardë na fton bashkë me Rozën në shtëpinë e tij në Zhento. Është një shtëpi e ndërtuar bukur, me stil të vjetër, në pronën e trashëguar nga të parët e tij. Aty pranë ka edhe vreshtat prej nga merr çdo vit prodhimin e një vere të mirë. Ai është i pasionuar pas letërsisë dhe sidomos pas Ismail Kadaresë, veprat e të cilit në frëngjisht zënë vendin kryesor në Bibliotekën e tij të pasur. Ka patur shumë dëshirë të realizojë një intervistë me shkrimtarin tonë mbarëkombëtar. Më flet me simpati për vizitën e tij të dikurshme në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. E shoqja, Liza arkitekte na tregon për restaurimet e fundit të bëra në një kishë të vjetër të Gjenevës. Një nga vajzat e tij vazhdon zhirimin e filmave në Belgjikë dhe është bërë një kineaste me emër. Ndërsa tjetra është e pasionuar pas ecjes me kuaj.
Tetor 1993. E ndjek me vëmendje ecurinë e marrëdhënieve të vendit tim me organizmat ndërkombëtare. Personalisht nuk mund të ndikoj në mënyrë të veçantë, pasi nuk dua që dikush të thotë “po ndërhyn në punët tona”. Por si shqiptar e ndjej për detyrë që të jap një ndihmesë modeste. Në Organizatën Ndërkombëtare të Punës ku kam filluar të punoj si funksionar P-4, në Drejtorinë e Edukimit Punëtor, gjej mundësi sidomos në Departamentin e Ndihmës Ekonomike dhe në atë të Europës, me Di Bernardon që të stimulohet organizimi i seminareve edhe në Shqipëri, me fondet e Organizatës apo dhe fonde të tjera të mundshme. Kam përgatitur disa materiale interesante për këto seminare, me ndihmesën e kolegëve të mij, të cilat pastaj u përmblodhën në një libër të veçantë. Gjithashtu kam përshtatur botimet bazë të OIT në shqip të cilat dërgohen pastaj në Shqipëri për sindikatat apo punëdhënësit, lidhur me kontratat kolektive, si duhen duhen zhvilluar bisedimet e përbashkëta midis pronarëve dhe punonjësve. Tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave gjej një përkrahje të plotë nga drejtori i këtij departamenti, danezi Ivan Elsmark. Ai është një njeri me tepër horizont dhe shpesh flas me të për probleme që lidhen me botimet. Kam si udhërrëfyes në OIT dhe zotin Mishel Servé, belg por që ka një përvojë të pasur. Ka qënë këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm e tani është drejtor Departamenti dhe nxjerr revistën prestigjioze të OIT. Formimin e ka si jurist. Disa herë më ka ftuar me time shoqe në shtëpinë e tij, ku fton edhe kolegë të tjerë. Shpesh bisedojnë për udhëtimet e shumta që bëjnë jashtë. Unë dhe Roza përpiqemi të shprehim diçka me modesti, megjithëse s’para se kemi dalë shumë jashtë Zvicre, për shkak të preokupacioneve familjare. Maja e shoqja e Mishelit është profesoreshë e frëngjishtes në Kombet e Bashkuara, tepër e sjellshme dhe e thjeshtë. Në OIT kam shoqëri të mirë dhe e respektojmë njeri tjetrin. Sidomos flas edhe me çekun Zdenek Gregor, jurist i dëgjuar i cili e njeh mirë temperamentin tonë. Atij i drejtohem kur kam ndonjë material juridik dhe që duhet dhënë në gjuhën shqipe me terma sa më të sakta. Di Bernardo i Departamentit të Europës është tepër serioz, por dashamirës dhe shpesh më flet për ecurinë e marrëdhënieve të OIT me institucionet përkatëse në Shqipëri. Ai kërkon edhe mendimin tim personal për disa çështje që lidhen me marrëdhëniet me shqiptarët. Marrëdhënie të mira kam edhe me departamentin e manaxhimit ku herë pas here jap ndihmesën për hartimin e materialeve për Shqipërinë.
Nëntor 1993. Ekonomia e tregut krijon kushte të favorshme për veprimtarinë private dhe perspektivat janë të favorshme me afat të mesëm për Shqipërinë. Edhe nëse monopoli shtetëror vazhdon akoma në fushën e turizmit, janë bërë disa rregullime që nga 1991, duke përfshirë edhe format e reja të pronësisë dhe infrasktrukturës turistike, si edhe rajonet e hapura për turizmin ndërkombëtar.. Duhet thënë se deri së fundi, përveç “Albturistit”, nuk u krijua ministri turizmi, as agjenci paralele që duhej të nxisnin turizmin në Shqipëri. Përveç kësaj, për shkak të kufizimeve burokratike, si disa  “zona ushtarake” dhe kushtet e vjetruara, kanë sjellë si rezultat që shumë rajone turistike janë lënë mënjanë dhe përveç shqiptarëve dhe “marksistë-leninistëve”, aty nuk mund të afrohej njeri deri vonë. Duhet zhvilluar patjetër turizmi, si në të gjitha shoqëritë moderne evropiane. E ardhura për çdo frymë nga turizmi në Shqipëri është akoma 1-3 dollarë, e krahasuar me 230 dollarë në Greqi. Greqia siguron sipas Biznes Njuz-it çdo vit një përfitim neto prej 2,5 bilion dollarë, Turqia afro 2,5 bilion dollarë dhe ish-Jugosllavia siguronte në një vit 2,1 bilion dollarë. Shqipëria ka një potencial tërheqje për turistët të konsiderueshëm. Karakteri i saj me male, 472 km e bregdetit të saj, Riviera shqiptare, liqenjtë, parqet, pyjet, gërmimet arkeologjike, kultura, muzetë, mikpritja e shqiptarëve janë një shans i virgjër që duhet të tërheqë kuriozitetin e turistëve.Gjithashtu mundësitë janë të shumta me krijimin e lehtësive portuale, apo me tërheqjen e mallrave të huaja që mund të kalojnë tranzit nga porti i Durrësit, për në Maqedoni apo gjetiu. Porti i Selanikut thith pjesën më të madhe të mallrave që shkojnë në këto rajone. Mijra tonelata mall, grurë, misër, vaj, sheqer etj., mund të stokohen në Shqipëri dhe pastaj të kalojnë në destinacionet përkatëse. Ky është një problem që është ngritur por nuk mund të gjejë zgjidhje nëse ekziston skeptiçizmi apo neglizhenca.
Maj 1994. Mora vesh se paska ndruar jetë drejtori i muzeut të aparateve fotografikë në Vevei. Nuk ishte shumë i moshuar. Më kujtohet kur hapëm ekspozitën me pamje fotografike nga Shqipëria dhe erdhën shumë miq e dashamirës për ta vizituar. Ishte njeri shumë i mirë, i sjellshëm, me tepër kulturë. Kishte një « kavë » të shkëlqyer me verërat më të mira. Priste me padurim festën e bukur të vreshtarëve që organizohet zakonisht çdo 25 vjet por që nuk arriti ta shohë. Kujtonte edhe nga tregimet e paraardhësve dhe ato që kishte pare vetë “Festën e Vreshtarëve” të vitit 1889, 1905, 1927, atë të verës 1955, 1970, të cilat kishin marrë një famë botërore. Shumë spektatorë kishin ardhur nga larg për të mbushur vendet ku jepeshin shfaqjet dhe për të duartrokitur muzikantët e dëgjuar Hugo de Senger dhe Gustave Doret, poetin René Morax, piktorë si Jean Morax dhe Ernest Biéler. Të rralla janë familjet në Vevei që nuk kanë vreshtarë si anëtarë të familjes së tyre. “Shtëpia e bukur” e krijuar në shekullin e 15-të dhe e restauruar në 1733, si kala, është selia e “Vëllezërve vreshtarë”. I çoja herë pas here nga një shishe konjak « Skënderbeu » dhe kur e takoja gjithmonë më servirte nga një gotë nga vera e mirë e vreshtarëve të Veveit.
Qershor 1994. Rëndësi ka sipas edhe bisedave me analistë dhe që merren me problemet e vendeve në tranzicion, që të zhvillohen edhe shërbimet në Shqipëri. Profesor Orio Giarini, profesori im i nderuar i ekonomisë së shërbimit, thotë në studimin e tij me titull: “Shoqëria e konsumit përballë ekonomisë së shërbimit”, Gjenevë, 1992: “Në rast se ne shohim sot çdo sektor të veprimtarisë ekonomike, do të rezultojë se pjesa kryesore e sistemit të prodhimit dhe të shpërndarjes të të mirave materiale dhe të shërbimeve përbëhet nga shërbimet e çdo lloji. Për çdo prodhim që blejmë, qoftë kjo veturë apo qilim, kostoja e prodhimit apo e fabrikimit rallë mund të kalojë 20-30 për qind të çmimit përfundimtar. Kostoja e funksionimit të sistemit kompleks të shërbimit dhe të shpërndarjes përfaqëson gjërësisht 70-80 për qind të çmimit përfundimtar. Kjo tregon se funksionet e shërbimit janë sot në zemër të shqetësimeve dhe të investimeve edhe tek ndërmarrjet industriale më tradicionale”.
1995. Gjatë këtyre viteve si funksionar ndërkombëtar kam mësuar shumë lidhur me funksionimin e tyre, por edhe mbi mundësinë e bashkëpunimit të vendeve të vogla me to por edhe të tërheqjes së fondeve. Vetëm se në këto raste duhet vepruar shpejt, pasi koha nuk pret.
3. Qershor 1995. Sot u shkrova një letër dy të afërmve të mij. Ndër të tjera u thashë: “Të dashurit e mij! Pas kaq vitesh, vendosa t’u shkruaj. Im atë ka 20 vjet që është larguar nga kjo tokë, atë ditë të fillimit të qershorit, atje në Shkodër ku e donin dhe ai i donte dhe i respektonte shkodranët. E ndjente veten të çliruar dhe i harronte brengat dhe hallet. Kishte miq e shokë si Lajden, Skënderin e shumë shkrimtarë, letrarë e piktorë që i kishin faqet e “Fatosit” gjithmonë të hapura për shkrimet apo skicat e tyre. Pas vdekjes së babait, të them të drejtën kam shkruar, por jo aq, pasi nuk kisha besim në vetvete. Ai m’i shihte të gjitha shkrimet e mija, m’i redaktonte dhe kur nuk i pëlqente diçka m’a thoshte haptaz. E kisha baba por edhe shok që asnjeri nuk m’a ka zëvëndësuar në jetë. Edhe sot e kësaj dite e ndjej sikur e kam pranë e sikur më këshillon. E shoh shpesh në ëndërr. Do të kisha dashur të kishte jetuar më shumë edhe për veten, por edhe për mua, pasi do ta kisha udhërrëfyes të çmuar për hallet që kam kaluar. Nejse jeta kështu është. Mjekësia nuk bëri dot gjë atëhere, para dëshirës së njerëzve për të jetuar edhe Tuni pranë të afërmve të dashur. Iku shumë shpejt. Dy pengje më kanë mbetur: që nuk e gjeta gjallë kur shkova në Shkodër dhe i thashë mjekut të bënin diçka për të, pasi m’u duk se hapi sytë kur hyra unë. E dyta: nuk e kam zërin e tij. Kaseta e vetme, me sa kujtoj u muarr atëhere nga Ed M. që nuk e ktheu më. Sigurisht që ai nuk e ka ruajtur. Do të kisha dëshirë, dhe të drejtohem ty B., si njeri i afërt, nëse ke ndonjë kujtim të babait, nga zyra e tij tek “Fatosi”, të lutem m’a jep dhe ta kthej përsëri. Dua të shkruaj prapë për të, pasi ndjehem borxhli ndaj atij njeriu shumë të mirë e të pastër, që bëri tepër jo vetëm për të afërmit e tij. Pra m’i dërgo dhe t’i kthej përsëri. Unë jam shumë i kujdesëshëm në këto gjëra. Më kujtohet kur isha i vogel, në bodrumin e shtëpisë së Kristaq Shtëmbarit kam gjetur libra të shumtë me autografin e babait, por asgjë nuk mora nga to, jo vetëm se isha në moshë të vogel, por edhe pse më dukej sikur nuk më përkisnin mua, megjithëse kishin firmën e tim eti dhe do të ishin kujtim i bukur për mua…” Im atë lexonte shumë edhe më vonë, kishte një korespondencë të pasur me të afërm dhe dashamirës të letërsisë, por shumë prej tyre tashmë nuk i kam“.
“Pa e zgjatur, po ju dërgoj një pjesë të shkrimeve që u thashë, që do të mbeten vetëm midis nesh, derisa, nëse mund të piqet mendimi, të shohin dritën e botimit…”
5 qershor 1995. Shpesh bie në pesimizëm, kam një karakter të vështirë, por të pastër si babai, Tuni i paharruar që e shoh shpesh në ëndërr, sikur më këshillon për hapat që duhet të ndërmarr: nuk i duroj meskinitetet, flas hapur për diçka që nuk shkon, megjithëse koha sot është ndryshe. Nuk duhet të flasësh, sidomos me disa, pasi të nxjerrin sytë. Kombi ynë do të ecte më përpara po ta donim njeri tjetrin si çifutët, italianët, spanjollët, britanikët, amerikanët. Unë pata fatin të kaloj një pjesë të jetës sime me njerëz të kombeve të ndryshëm në Kombet e Bashkuara, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës etj., dhe të them të drejtën shqiptarët nuk mbeten pas, si nga formimi, si nga sjellja, por kanë fatin e keq se vijnë nga një vend i varfër, që nuk ka këllqe të japë të holla për organizatat ndërkombëtare, pra edhe vendet për të në këto organizata janë me pikatore. Edhe ai që ka mundur të gjejë një vend në to, herë pas here ha shkelma nga meskinët, burracakët që hedhin gurin e fshehin dorën, sa që ai është i detyruar të gjejë ndonjë qoshe diku, që të mos duket, e jashtë dëshirës së tij, të mos bëjë më tepër për të ofruar bursa apo pjesëmarrje në seminare, pasi mund të marrë “damkën” e ndërhyrjes nga ndonjë “qoftëlarg” që nuk sheh më tepër se rrezja e ngushtë e tij...
Korrik 1995. Marcel Cellier na ka ftuar tek shtëpia e tij në Shebrë. Aty është edhe e shoqja, Aleksandri, i biri, si dhe nusja e djalit. Ai më dhuron diskun e ri që ka realizuar me muzikë shqiptare me një shoqëri franceze. Përsëri shpreh dëshirën të realizojë nga ato këngë që ka grumbulluar me “nagrën” e tij, një disk me muzikë popullore shqiptare, duke patur mbështetjen e autoriteteve të kulturës në Shqipëri. Nuk di si të veproj pasi në fakt nuk më takon mua të merrem me realizimin e dëshirës së mikut tim, sidoqoftë e transmetova kërkesën e Marcelit. Ky njeri është pritur me respekt të veçantë në disa vende të Ballkanit, ka realizuar me kompetencë disa emisione të bukura për muzikën popullore shqiptare në Radio Suisse Romandë, por nuk e kuptoj se ku duhet të konsistojë angazhimi i tij për realizimin e një disku, kur ne si shqiptarë kemi interes ta tërheqim një figurë të tillë të njohur botërisht në fushën e muzikës “arkaike”, popullore...

Puna tek multinacionalja amerikane

dhjetor 1996. Kam filluar punën në një shoqëri multinacionale. Kam një kontratë të rregullt me afat të pacaktuar. Puna me organizatat ndërkombëtare ishte gjithashtu dobiprurëse për mua. Atje mësova shumë. Me punën time arrita edhe postin e profesionistit P-4. Por nuk kisha ndonjë mbështetje të veçantë nga vendi im. Megjithëse këshilltari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ish drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, francezi Francis Blanshard, më thoshte gjithmonë: “Alfred, duhen vetëm dy gisht letër nga autoritetet shqiptare dhe unë do të bisedoj për një post që ti e meriton”. Nuk e di por e kisha bezdi t’i lutesha dikujt atje në Tiranë dhe mbi të gjitha kisha patur një përvojë të hidhur me një “qoftëlarg” që në vend të vinte vetullat nxorri sytë. Tregoi veten por edhe mua më dëmtoi. Më kujtohet se një funksionar i lartë amerikan në UNCTAD që e kisha koleg dhe mik, më kishte thënë një ditë: “Dikush nga shqiptarët që punon në një organizëm ndërkombëtar në Tiranë i ka thënë drejtorit të këtij organizmi se ne të dy s’kemi pse merremi me projektet që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Kjo është e pabesueshme. Të vësh duart në kokë. Ti dhe unë po ndihmojmë në mënyrë modeste për projekte me vlerë dhe këtë mund ta bënim edhe për një vend tjetër kudo në Ballkan apo Europë. Cfarë emri mund t’i vihet një logjikë të tillë që dëmton ecurinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare. Unë vete ndoshta do të tërhiqem pak, pasi mund të ndihmoj një vend tjetër ballkanik me përvojën time, por ti në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqesh…”
Mora vesh se ambasadori shqiptar, para se të largohet nga detyra ka bërë një kërkesë në OIT dhe organizma të tjera ndërkombëtare që unë të mund të vazhdoj punën atje si funksionar ndërkombëtar. Siç duket dikush atje në Tiranë, një këshilltar i Presidentit, që ka qënë për disa muaj në Gjenevë dhe shpesh bisedonim sëbashku, ka menduar se unë jam i vlefshëm edhe duke qënë funksionar i pavarur, për vendin tim. E vlerësoj një përçapje të tillë nga ana e ambasadorit, për të cilin kam respekt, por tani është tepër vonë. Unë kam filluar punën tek shoqëria multinacionale, në sajë të këmbënguljes edhe të mikut tim italian Roberto i cili ruan si kujtim të mirë që unë e kam ndihmuar dikur për të përfunduar një biznes për grurin me Shqipërinë. Më mungojnë kolegët e mij të punës tek Departamenti i Botimeve dhe Licensave të Byrosë Ndërkombëtare të Punës, ku kalova disa vite gëzimesh, përpjekjesh dhe kënaqësish të përbashkëta. Më mungon Denisi, Fabio, Ivani, Shërlei, Zhan-Mari, Irma, Beatris e shumë të tjerë. Shoh shënimin e drejtorit tim Elsmark i cili përveç karakteristikës shumë të mirë për mua, në një kartëpostale më shkruan ndër të tjera: “We have very much appreciated to have you as a collegue in PUBL. We wish you and your family all the best in 1996. Ivan Elsmark”. (Ne kemi vlerësuar shumë që ju kemi patur si koleg në PUBL. Urojmë për ju dhe familjen tuaj çdo gjë të mirë në 1996. Ivan Elsmark). Ndërsa Beatris më shkruan: “Kurajo Alfred. Kujtoju se gjithmonë diku ndodhet edhe një qoshe qielli ku jemi edhe ne. Të dërgoj miqësisht këtë mesazh”. “ Gjithmonë është një rreze drite që ndriçon edhe për ne. Fat të mbarë dhe mos na harro. Zhan-Mari”. Ndërsa Denisi, informaticien i zoti që shpesh më nxirrte nga situata kur nuk “punonte” mirë ordinatori më shkruan: “I dashur Alfred! Faleminderit shumë për punën tënde të çmuar dhe sjelljen tënde shëmbullore. Mirupafshim së shpejti. Sinqerisht. Denisi”.
Këta miq më kujtojnë gjithmonë thënien e “Kathleen Partridge” që shkruante për “Miqësinë”: “Miqtë e vjetër janë si këpucët e vjetra, ne kemi kaluar sëbashku shumë rrugë. Le t’i njohin ata përpjekjet tona dhe të ndajnë frikat tona më sekrete. Ata kanë ecur me ne dhe ne i kemi pritur, kur ne shpresonim për ditë më të mira, si në shqetësim apo në lavdi, të varfër si Xhobi, krenar si një mbret, dhe megjithëse për arsye të ndryshme, këpucët grisen dhe miqësia shteron, ne humbim një pjesë të jetës sonë, pas çdo zënke me një mik”.
Dhjetor 1996. Ben Nati, djali i një vajzës së dajës së tim eti, vjen nganjëherë në Gjenevë. Është i muhabetit dhe ka shumë shaka. Më tregon historinë e atij Sokolit që i hypi aeroplanit për në Gjenevë dhe nuk e dinte fare frëngjishten. Kur e pyetën si ja bëre me gjuhën. Ai ishte përgjigjur: Ke parë ti, sa hyra në Zvicër m’u zgjidh gjuha. Më erdhi një frëngjishte e bukur. Vajta dhe në restaurant dhe kamarjeri më tregoi disa djathra, duke më treguar me gisht, një lloj djathi që nuk ja mbaj mend emrin: “A e njeh këtë djath?”. “Unë i thashë, përgjigjet Sokoli, vij nga vendi i djathit, Gjirokastra”...Beni na tregon dhe një histori tjetër. Vite më parë, ministrja e arsimit shqiptar, do të priste një delegacion nga Zvicra. E shqetësuar merr në telefon dikë dhe i thotë: “Lutemi, na gjeni një përkthyes për zvicerançen, se presim një delegacion të rëndësishëm!!!”
Janar 1997. Napolon Roshi nga Ljubljana më dërgon me një dedikim librin e tij “Terminologji, ngjarje, organizata, Personalitete shqiptare dhe botërore”. Në të ndër të tjera ai shkruan” Shokut tim Alfred Papuçiu, me respekt dhe dashuri, Ljubljanë, 21.01.1997”. Më kujtohet se kur u botua libri im, vite më parë, për “eurokomunizmin”, ai më përshëndeti përzemërsisht dhe në faqet e gazetës “Bashkimi”, si dhe në “Drita” ku unë isha bashkëpunëtor i rregullt i faqes së katërt, bashkë me Shaban Muratin dhe Kastriot Gjinin, dilte rregullisht për 3 javë rresht citimi i botimit të librit tim. Pastaj, papritur një heshtje. Më thanë se libri ishte hequr nga qarkullimi (ndërkohë ishte shpërndarë një pjesë e mirë e tij), pasi E.Hoxha nuk e kishte përdorur deri atëhere akoma termin “eurokomunizëm” në fjalimet e tij. Megjithatë, libri u pëlqye dhe ishte një punë e gjatë e skedimeve dhe analizave të mija lidhur me “eurokomunizmin”, figurat e tij kreysore, Marshenë në Francë, Kariljon në Spanjë dhe Berlinguerin në Itali. Libri përmbante sidomos fakte nga jeta e këtyre “eurokomunistëve” apo manjatëve të tjerë “eurokomunistë” që shpesh mendonin për interesat e tyre vetiake dhe aspak për popujt e tyre.
Dhjetor 1997. Detyrohem të shkoj në Tiranë lidhur me një biznes që multinacionalja jonë amerikane ka realizuar me disa kompani shqiptare. Njëra nga to që e quan veten si më e forta ka nxjerrë një problem të kotë dhe pa baza. Kur të tjerët festojnë Krishlindjet unë shkoj në Durrës tek anija e mbushur me mall, bashkë me kolegun tim francez dhe përfaqësuesin e Shoqërisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë. Atje na presin disa përfaqësues të kompanive, disa “profesorë” (njeri prej tyre kishte qënë student në Zvicër dhe disa herë kishte shërbyer si ciceron për të fituar ndonjë frangë më tepër, kur vinin ansamble shqiptare për të dhënë shfaqje). Kërkova kapitenin e anijes. I thashë të na përgatitet një drekë me ushqimin që kishte ardhur. Pijet do t’i paguaja unë. Ftova të gjithë të hanim drekë sëbashku. U theksova se unë do ta ha i pari ushqimin e përgatitur me mallin që ka ardhur enkas për juve. Nëse unë pësoj ndonjë gjë, jam i siguruar dhe familja ime do të ketë një rentë. Fillova të ha dhe të tjerët më shihnin. Kolegu im francez buzëqeshte. Më vonë më tha se veprove shumë mirë dhe në kohën e duhur…
Përsëri, për shkak të ngulmimit të atij “profesori” ekspert i analizave, malli qëndron i bllokuar. Nuk kam asnjë respekt për atë njeri fodull, por kam respekt për ata profesorë të vërtetë shqiptarë që e meritojnë atë titull pasi dijnë të argumentojnë dhe mbrojnë pikpamjen e tyre. Është e lehtë të jesh snob që i gjen me shumicë edhe në Perëndim që nga lypësat e deri tek milionerët. Atë natë nuk më zinte gjumi. Pastaj kllapita. M’u shfaq para syve ai “profesor” i cili më bënte pyetje nëse me të vërtetë mendoja se kjo tokë ishte krijuar nga snobizmi. Tamam sikur ai njeri e vinte baraz veten me Zotin dhe tekstet e shenjtë. Ose prano , më thoshte ai që unë jam si Zoti, ose Zeusi.
Kur u zgjova isha mbushur me djersë dhe për ta hequr atë mundim bëra një dush të lehtë dhe me ujë të vakët.
19 Janar 1998. U mbushën 10 vjet që Todi Kokoneshi u largua nga kjo jetë. Iku edhe ai i ri. Kishte mbushur vetëm 62 vjeç. Më kujtohet se ishte tepër gazmor, por mbi të gjitha me karakter dhe i drejtë. Gjithë jetën u rropat atje fshatrave të Pogradecit. Ndihmoi shumë njerëz jo vetëm të rrethit të tij, por edhe bashkëfshatarë që i kërkonin një ndihmë apo këshillë. Kishte shumë respekt për njerëzit dhe familjen e kishte si diçka të shenjtë. Lexonte shumë dhe dinte të tregonte historira për njerëz e ngjarje, si dhe bënte shaka. Fëmijët i donte shumë. Pak më tepër të bijën e madhe, sepse edhe ajo e donte shumë dhe bëri gjithçka që mundi për t’i lehtësuar dhembjet që i shkaktoi poliartriti rematoid. Edhe fëmijët e donin shumë si Flora, Piro, Roza, Vaska.
Njeriu është i ndërgjegjëshëm për pavetëdijen e tij. A mund të pritet që fëmijët tanë të mendojnë një ditë se kanë ardhur në jetë në sajë tonë ? Natyrisht këtë duhet ta meritosh, duke gëzuar respektin e tyre, duke ju qëndruar afër atyre, duke i ndihmuar në rravat e tyre të jetës, pa u imponuar diçka, duke u treguar për paraardhësit, kombin, kulturën, me dëshirën që ata të gëzojnë një jetë më të mirë, në paqe, në harmoni me fqinjin, me shokun, me bashkëkombasin, me…
Këto mendime më vinin në mendje këto ditë kur shihja atë kolegen time përkthyese, e cila gjithë jetën e ka shkrirë për të ardhmen e fëmijëve të saj të mirë e të urtë, pa harruar të kujtojë edhe të atin që e solli në jetë, e që nuk jeton më, pa harruar nënën e saj që është atje larg, por që shpesh e fton të qëndrojë pranë saj dhe kujdeset për shëndetin e saj, megjithëse ajo po i afrohet të 75-save…Kam dashur të shkruaj edhe më parë për të, për rrugën e saj të mundimshme në jetë, për hallet dhe gëzimet e saj, për gjithçka që i jep kënaqësi, por ajo nuk më ka lejuar. Jeta e saj, siç shprehet ajo është tepër e zakonshme, dhe nuk ja vlen të shkruhet, ashtu siç nuk ka diçka të veçantë të shkruhet për prindërit tanë…Unë kësaj radhe, nuk po e dëgjoj atë, megjithëse e dij se do të më zëmërohet kur të lexojë këto rradhë, si edhe bashkëkombasit e saj në Zvicër apo gjetiu, ku i kanë çuar rrugët e jetës. E di se ka qënë sypatrembur dhe do të mbetet e tillë. Në këtë drejtim ka marrë diçka nga i jati, Todi Kokoneshi që u largua ashtu papritur nga kjo jetë, atë ditë të 19 janarit 1988. Iku për të mos u kthyer më, por la kujtimin e mirë të babait të urtë, të sjellshëm, që i edukoi fëmijët me frymën e dashurisë për Atdheun, për Llëngën e Pogradecin, me frymën e solidaritetit dhe respektit për njeri tjetrin. Ai ishte një njeri i thjeshtë, për të u shkruajt vetëm disa rreshta kur vdiq, por ai ishte një njeri me zemër të madhe. I donte njerëzit, shokët, të afërmit, i ndihmonte kur mundte, kurrë nuk bërtiste apo të shihte vëngër, por vetëm drejt në sy. Kishte ardhur në Tiranë, pas viteve të shumta të kaluara në qytetin e tij, buzë liqenit të Pogradecit, pas një pune të lodhshme fshatrave, për t’u bashkuar me shokët e tij. Vinte nga një familje me tradita patriotike. I jati, Dhimitër Kokoneshi ishte i njohur si prifti i Llëngës, i cili kishte arritur të blinte malet rreth Llëngës dhe nuk kishte lejuar për asnjë çast që fshatarët e varfër të paguanin taksa, pasi rropateshin për të fituar bukën e gojës. Ai u bë edhe kryepeshkop i Shqipërisë dhe rrojti shumë, 87 vjet. Njihej mirë dhe me gjyshin tim Polizoi Ikonomin, i cili ishte peshkop në Fier dhe kishte punuar tre vjet me Fan Nolin, në vitet 20-të në Boston dhe sëbashku kishin ngulmuar që psjalljet të bëheshin në gjuhën shqipe. Pra i biri i Kokoneshit , iku shumë më shpejt. Siç duket vitet e kaluara, duke ecur në baltë e duke punuar pa parë orarin dhe interesin vetiak, i kushtuan që të ikte shpejt nga kjo jetë. Edhe në fund ishte gazmor dhe nuk i linte shakatë e tij me kripë. Kishte respekt të veçantë për bashkëfshatarët e shumtë që nuk mungonin t’i bënin vizitë në Tiranë. Shpesh shkonte edhe ai tek ata, i takonte dhe shkëmbente me ta mendime, duke u dhënë këshilla dhe duke mësuar prej tyre. Me thjeshtësinë e tij, me maturinë dhe kujdesin që tregonte për ta, si edhe për të afërmit, për t’u siguruar një shkollë në bazë të aftësive të tyre, apo për t’i çuar tek një mjek i mirë, gjithë jetën e tij pati privilegjin të ndante çastet e gëzueshme apo hallet me ta.
E bija, Roza e donte shumë dhe e adhuronte të jatin. Me kurajon e saj ajo bëri çmos që i jati të qetësohej nga dhembjet e shumta që i shkaktoi sëmundja. I qëndronte tek koka, me buzëqeshjen e saj karakteristike dhe i jepte zemër. Ai e shihte me simpati dhe i përkëdhelte duart. Vinin mjekët më të mirë në konsulta dhe një kohë u duk se sëmundja u mposht…Një ditë ajo u detyrua të ikte në rrugën e largët…
Kolege, përpiqu të jesh e urtë dhe e arsyeshme si në rininë tënde! Sot është e qartë se jeta nuk mund të kthehet prapa. Por përpiqu t’i japësh një kuptim jetës së tanishme! Ajo është besimtare dhe shpesh mediton. Ajo mbështetet tek energjia hyjnore, tek Zoti i Plotfuqishëm, prandaj edhe shkon rregullisht dhe falet në kishë. I respekton shumë të afërmit, miqtë dhe bëhet copë për t’i pritur sa më mirë kur ata i bëjnë vizitë. Të njëjtën gjë bën edhe me bashkëatdhetarët e saj të cilët i ndihmon ashtu me modestinë që e karakterizon.
Shkurt 1999. Lexova diku në një gazetë se ka filluar biznesi i kokave të diktatorit që priten, të cilat pastaj shiten sidomos tek nostalgjikët. Tamam si biznesi i armëve. Si edhe librat e tij që i gjen “gratis” në shkallaret e banesës së një mikut tim. Në Francë, është një librari që i ka ato me shumicë dhe bën reklamë edhe në Internet për shitjen e tyre me gjysëm çmimi.
Prill 1999. Më tregonte ai miku finlandez për dy bashkëatdhetarë të tij që u takuan pas dhjetë vitesh bashkë. Njëri i thotë tjetrit: “Cfarë do marrim për të ngrënë?”. Shoku përgjigjet:”A kemi ardhur për muhabet apo për të ngrënë…” Në Finlandë edhe në krahun e këmishës mbajnë flamurët e ndryshëm për të treguar se çfarë gjuhësh dijnë...Ndërsa, diku në një vend të botës, ndërsa pronari i hotelit kishte vënë në hyrje: “Këtu fliten të gjitha gjuhët”, dikush i bëri një pyetje në arabisht. Pronari i hotelit nuk dinte t’i përgjigjesh. Klienti i tha: “Si është e mundur, pse e vë kot pankartën?”. Hotelxhiu u përgjigj në gjuhën e vet: “vetë turistët që vijnë e dijnë gjuhën e tyre!”
Qershor 1999. Franko më fton me Rozen tek vila e tij në Francë. Ka qënë një fermë e vjetër, të cilën ai e bleu një të shtunë kur kishte dalë për shëtitje me të shoqen. Me duart e tij të arta ja ndroi krejtësisht pamjen. Kati i tretë mund të pranojë deri në 60 vete, në një mjedis të këndshëm, me xhamllëk, pa harruar edhe me ngrohje në dimër. I jati është me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë. Ka edhe shtëpinë atje që e ka trashëguar nga i jati. Është brezi i dhjetë i një familjeje që është larguar nga Puka në vitet 1700 për në brigjet e Dalmacisë, si rezultat i konflikteve me osmanllinjtë. E kanë ruajtur fenë e tyre të krishterë, por edhe ritet dhe gjuhën shqipe që përdoret në lagjen e “Arbanasve”. Franko dhe e shoqja Joël, franceze, janë shumë mikpritës dhe me time shoqe kemi shkuar disa herë. Kishte ftuar edhe një profesor të dëgjuar polak, që kishte ardhur me të shoqen dhe të bijën që do vazhdonte studimet në Francë. Diskutimet u përqëndruan sidomos në problemet e kulturës dhe të gjuhëve tona.
1999.Erdhi në Gjenevë Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani. Dikur kishte shkuar për studime në Trieste. Nuk ju afrova se më vinte zor . Përsëri kisha respekt për atë njeri me kulturë dhe mbi të gjitha që ishte i aftë në fushën për të cilën kishte studjuar. Kishte bërë edhe disa hapa në politikën shqiptare, megjithëse disa herë dukeshin edhe shenja ndrojtjeje. Atë natë e pashë se ai personi me një dhëmbë floriri i rrinte si rrodhe bashkë me të shoqen. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse nuk ju afrova. Këshilltari i tij, një miku im, më pyeti nëse do të vija në mbledhjen e nesërme ku do të flitej për mundësinë e ndihmës për biznes me Shqipërinë. I thashë, nëse jam i ftuar mund të vij...Megjithatë, atje ishin ftuar njerëz që as kishin haber nga biznesi. Unë vete nuk kisha nevojë për atë mbledhje, pasi me mundësitë e mija, ndihmoja biznesmenët në Shqipëri, duke realizuar kontrata të rregullta shkëmbimesh tregtare.
    24 tetor 1999.Sot lexova në shtyp dhe në media se Xhulio Andreoti u quajt i pafajshëm. Më gëzoi ky fakt sepse kam një respekt të veçantë për këtë burrë të shquar, ish-kryeministër i Italisë dhe sa herë ministër i punëve të jashtme. E kam takuar më shumë se një herë në Nju Jork kur isha me ministrin e jashtëm në diskutimet lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje. Ai ishte i përmbajtur, por një njeri që donte të zgjeronte marrëdhëniet midis dy vendeve tona dhe asnjëherë nuk futej në çështje anësore dhe pa interes midis Italisë dhe Shqipërisë. Ai fliste me një elokuencë të përkryer dhe i njihte thellë aspektet më të hollësishme të marrëdhënieve midis dy vendeve.
    Nëntor 1999. Takohem nganjëherë me atë mikun turk dhe bisedojmë bashkë lirshëm. Njëherë i thashë: « Pse i thonë kafe turke, kur ju pini më shumë çajin? ». M’u përgjigj: « Ataturku sapo erdhi në fuqi e pa se bëheshin shumë harxhime për kafenë. Vendosi të provohej më mirë çaji, se kushtonte shumë më lirë për shtetin. Kështu që atëhere ka mbetur. Megjithëse grekët vetë i thonë: kafe greke. Si edhe italianët që nuk e pëlqejnë « ristreton » gjetiu përveç se në Itali...
    Maj 2001. Ruaj dy palë syzesh. Ato të eklipsit të kaluar, megjithë prisnim të shihnim diçka më tepër. Një palë i mora tek « Koopi » dhe një palë m’i dha një mik. Të parat i ruaj për të parë eklipsin në Madagaskar, ku mund të takoj dhe mikun tim sindikalist, shumë simpatik e të urtë që ka qënë në Shqipëri, dhe të dytat për eklispsin tjetër, pasi mjekët thonë se do të ketë jetëgjatësi tani pas vitit 2000. Vetëm dua të rroj edhe disa vjet, me duar e këmbë, nuk dua më tepër, sa të nxjerr në dritë vajzën time...
    Prill 2002. Agron Agalliu vjen herë pas here në mbledhje këtu në Gjenevë sidomos për të ndjekur punimet e Organizatës Botërore të Tregtisë. E kam patur dhe e kam shok të mirë. Bashkë kemi bërë edhe praktikën pedagogjike në Korçë, në vitin 1969 kur jepnim frëngjisht në gjimnaz. Flinim në katin e katërt të konviktit të pedagogjikes. Ishim si veçantë nga konvikti, pasi kati i vajzave ishte i mbyllur me derë me dryn. Ne kishim vëmë një radio dore sipër tek dritat për të dëgjuar më mirë. Vaska, që ishte jurist dhe bënte praktikën edhe ai në Korçë na tregonte 30-40 barcoleta çdo natë, deri nga ora 2-3 e mëngjezit. Pastaj binte të flinte se duhej të ngrihej herët në mëngjez për në rrethinat e Korçës. Ne ishim më të lirë me Gonen, sepse kishim vetëm disa orë në ditë frëngjisht në gjimnaz, një punë e bukur dhe e frytshme, duke patur parasysh se Korça ishte djepi i frëngjishtes prej viteve 30-të dhe nxënësit e mësonin mirë gjuhën… Hanim kërnacka dhe çdo mëngjez paçe tek turizmi. Tek konvikti e pashë për herë të parë Rozën, me bukle të bukura, tek mësonte. Një vajzë tjetër, që i vinte pas Gones, por ai as donte t’ja dinte, më thoshte kur e pyesja: « Roza është vajzë e bukur, por vetëm di mësimet dhe asgjë më tepër ». Me të vërtetë, e shihje vetëm me libra në dorë. Pas disa vitesh e solli rasti të shiheshim përsëri në Tiranë, si dhe sidomos në kampin e rinisë në Durrës, kur unë isha me prindërit dhe ajo me shoqet. E lija të fitonte në lojën e letrave, saqë njëherë më tha: « Nuk dua të më lesh të fitoj kështu »… Kështu filloi dashuria jonë dhe një mbrëmje vajtëm në kinemanë verore të plazhit dhe unë për herë të parë i preka dorën dhe ja shtrëngova. Edhe ajo m’a mbajti të shtrënguar…
    Kur vajta për herë të parë tek shtëpia e nuses sime të ardhshme, më pyetën: « A e pi rakinë ». U përgjigja « Jo ». Më zgjatën cigare, nuk e mora. Pashë një buzëqeshje tek vjehra ime, Marika dhe tek gjyshi mbi 80 vjeçar i nuses sime. Shikimi i tyre tregonte se isha dhëndër i mirë. Kur erdhi radha tek ëmbëlsirat, për një çast Roza ashtu papritur e skuqur në fytyrë tha: » Ai nuk i ha ëmbëlsirat ». Kur më përcolli i thashë: « C’pate që ma hoqe riskun e ëmbëlsirës? ».  « Nuk e di si më erdhi », tha ajo, gjithmonë me ato mollëzat e faqes skuqur flakë. Herën tjetër kur shkova në shtëpinë e saj u thashë: « Vërtetë nuk e pi rakinë, vetëm rrallë me shoqëri, as duhanin, por ëmbëlsirat i dua shumë. Kështu, kunata ime më ruante dy copa gjithmonë, gjë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, pasi në çdo mjedis të afërmish e shokësh më ka dalë nami se i ha shumë ëmbëlsirat. Në këtë drejtim më ka ngjarë edhe im bir…
    Maj 2002. Sot profesor Zhan-Filip Assal më dhuroi librin e tij të fundit me një dedikim. Ndër të tjera ai më shkruan: “I dashur Alfred! Jeta nuk është si në këtë libër “një vitrinë gëzimesh”…Por ajo që mund të bëjmë sëbashku, është që ta kthejmë hidhërimin e realitetit më të butë. Me mirënjohje të thellë për të gjitha episodet e bukura të kaluara sëbashku”. Fjalët e profesorit të shquar më japin zemër. Shpesh fjalët e tij më kujtohen në çaste të vështira, sidomos kur edhe atij i është dashur të përballojë vështirësi dhe të realizojë me këmbënguljen e tij seminaret e Grimenzit apo të përçojë mendimet e tij tek breza të tërë mjekësh si dhe në përgjithësi të personelit mjekësor. Një fjalë e urtë më kujtohet në këto çaste : « Miqësia nuk mund të blihet. Ajo vlen më shumë se pak ar. Vlera e saj sa vjen e rritet kur miqtë tanë bëhen më të moshuar ».
Shtator 2003. Kam fatin e madh të kthehem përsëri pas shumë vitesh në Nju Jorkun e bukur dhe madhështor, tek Broduei, tek Kombet e Bashkuara dhe rrugët e drejta të këtij qyteti shumëngjyrësh dhe me reklama të panumërta. Araniti dhe Sonila na japin kënaqësinë e veçantë të bëjmë një udhëtim të paharruar me anije rrotull Nju Jorkut, pranë Statujës së Lirisë dhe Nju Xhersit. Jam tepër i lumtur që mbesa ime është vendosur atje dhe ka një bashkëshort të respektuar që nuk e ndan për asnjë çast nga goja „dajën e gruas“. Mario vogëlushi e dëgjon dajën dhe shpesh e përqafon duke i folur rrjedhshëm në dy gjuhët: shqipe dhe anglisht. Largohem nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi me kujtimin më të mirë për t’u kthyer përsëri. Nuk munda të takoj miq të shumtë që kam në Nju Jork pasi koha e qëndrimit ishte tepër e shkurtër. Udhëtimi me anije rreth Nju Jorkut dhe nju Xhersit deri natën vonë na hëngri shumë kohë por dhe na dha kënaqësi, pasi pamë dhe u ngazëllyem nga madhështia e atij qyteti kozmopolit. Me Aranitin patëm dhe një takim tepër të frytshëm me Radhika Sawn, drejtoreshë e pacientëve tek „Cooley’s Anemia Foundation“. Mora me vete materiale shumë të vlefshme për mjekimin e Talasemisë.  Bisedova dhe me profesorin zviceran James Humbert me të cilin kam patur kontakte të rregullta. Daniela na ndihmoi në komunikimin paraprak me të.
    Shtator 2003. Një botë tjetër na pret në Florida ku takojmë miq e të afërm të shumtë. Më bëhet qefi që çdo shqiptar është bërë me shtëpi, si dhe i ka krijuar vetes dhe familjes kushte të mira jetese. Natyrisht gjithçka e kanë siguruar me djersë dhe punë të madhe. Krushku Neim me të shoqen na çojnë në Tampa ku është një Universitet me emër. Kalojmë edhe në urën më të gjatë në botë, ndërtuar mbi oqean nga duart e arta të amerikanëve. Aty kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe shqiptarë që punojnë në ndërtimin e grataçielave në Florida. Vasili, Flora dhe fëmijët e tyre na presim “si ujët e pakët” dhe na shëtisim në vendet e bukura të bregut të pafund të Oqeanit Atlantik. Ato ditë me Andin kam përfituar nga dielli i fortë i Floridës, dhe kam bërë not si në rininë time kur kaloja dy muaj në plazhin e Durrësit. Largohemi me kujtimet më të mira nga ky vend prallor, me mendimin se do të kthehemi shpejt. Largohemi duke marrë me vete dhe përshëndetjet e shokëve të fëmijërisë që janë vendosur aty në Floridë.
15 shtator. Sot mora një letër të ngrohtë nga ish-drejtori i Byrosë Ndërkombëtare të Punës dhe ish- këshilltar i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, francezit 80 e ca vjeçarit të nderuar Francis Blanchard. Ruaj një respekt të veçantë për këtë njeri erudit që ka dhënë aq shumë për ecurinë e organizatave ndërkombëtare dhe që shpesh bisedonte me mua aq lirshëm dhe më jepte këshilla të vlefshme. Të njëjtën gjë ndjej edhe për ish zëvëndës sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe drejtor i Zyrës Europiane të OKB-së në Gjenevë, suedezin Jan Martenson, i cili më përgëzoi me një letër shumë të ngrohtë për shkrimin që botova tek “La Suisse” mbi frymën humaniste të Kombeve të Bashkuara, me rastin e ditës së OKB-së, si dhe për pikturën domethënëse të djalit tim që është e depozituar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë: valltarë shqiptarë duke kërcyer në një ditë feste. Shpesh korridoreve të OKB-së ndalonte, më shtrëngonte dorën dhe bisedonim pak caste ashtu lirshëm për probleme të ndryshme, si dhe për demokracinë e brishtë në Shqipëri. Nuk më harrohet se si, në sajë të ngulmimit të tij, si dashamirës i një vendi të vogël si Shqipëria, një ish diplomat shqiptar i ri, megjithëse e kishte kaluar moshën për t’u pranuar në kursin e së drejtës ndërkombëtare, përfundoi me sukses atë kurs dhe eci mire në rrugën e problemeve të së drejtës ndërkombëtare. Nuk mund të harroj kurrë atë drejtorin gjerman të departamentit të energjisë së KEE i cili shpesh më vinte në dijeni për bursa të ofruara nga PNUD-i, të cilat në vend t’I jepeshin vendeve të tjera, sygjeroheshin për specialistët shqiptarë. Nuk mund të harroj funksionarin e lartë ndërkombëtar, që ndodhet tanin ë Bejrut, si dhe të urtën profesoreshë e gjuhës frënge në Kombet e Bashkuara, bashkëshorte të tij, si miq të mirë të shqiptarëve, ish-drejtorin e botimeve të asaj organizate ndërkombëtare, me të cilin punova disa vite dhe më ndihmoi me shpirtin e tij metodik dhe logjik, kulturën e tij dhe njohjen e perkryer të artit të botimeve, biznesmenin me zemër të artë, danezin Ib Henriksen, i cili në çdo rast përpiqej të bënte diçka edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. A mund të harroj të ndjerin Jean Pascal Delamurraz i cili vite më pare kur ishte President i Zvicrës foli me aq respekt për popullin krenar të një vendi të vogël, por me histori të pasur si shqiptarët? A mund të harroj vizitën e kryetarëve të dy Dhomave të Parlamentit zviceran para shumë vitesh në Shqipëri, entuziazmin e tyre nga vizita në Universitetin e Tiranës midis studentëve dhe profesorëve shqiptarë por edhe dëshirën që Shqipëria t’u përmbahej standarteve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut? Nuk mund të ri pa përmendur bisedat e ngrohta me drejtorin e Institutit Europian të Universitetit të Gjenevës dhe profesorit të shquar të historisë së Evropës, Philippe Braillard, i cili sëbashku me stafin e Institutit, si profesorin dhe mikun tim Silvio Guindani dhe kolegë shqiptarë punojnë për krijimin e një Instituti të tillë në Tiranë. Pasuniversitarë shqiptarë që studjojnë tani në këtë Institut dhe të tjerë që e kanë përfunduar atë me sukses do të përbëjnë bërthamën e tij, krahas profesorëve të tjerë të nderuar shqiptarë që punojnë prej kohësh që Shqipëria të përfshihet në Evropë, si dhe në organizmat që e përbëjnë atë në Bruksel, Strasburg e forume të tjera evropiane.
A mund ta harroj gazetaren Ruth dhe të shoqin Walter që sollën disa vite më pare gratis nëpërmjet Swiserit të atëhershëm dhjetra koli të mëdha me veshje, triko, fletore, lapsa, libra etj. etj, për vocërakët shqiptarë; gazetarin Pierre që ka mbetur i mahnitur nga Gjirokastra dhe vepra e Ismail Kadaresë, si dhe në bibliotekën e tij të pasur mban vepra të shkrimtarit Dritëro Agolli e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë; bashkëshorten e tij arkitekte të shquar, profesoreshën Francine së cilës i kujtohet akoma ai bukëpjekësi shqiptar i Tiranës që ja ruante të ngrohta çdo mëngjez “Croissant-in” si në Zvicër ;arkitektin e shquar me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë Franko i cili megjithëse është hartuesi dhe zbatuesi i banesave të përkryera të qytetarëve francezë, spanjollë, zviceranë, por edhe i sheikëve arabë, gjen kohë për të studjuar prejardhjen e “arbanasve” në brigjet e Dalmacisë dhe ëndërron të ndihmojë shqiptarët në ndërtimet arkitektonike të kohës;  funksionaren ndërkombëtare Renata, zvicerane dhe me origjinë argjentinase që në çdo çast të vështirë më ka qëndruar pranë me këshillat e saj të çmuara dhe ka respekt të veçantë për shqiptarët në Shqipëri dhe Argjentinë, juristin zviceran të urtë dhe meditues Yves.  Nuk mund të ri pa permendur mikun tim, mjekun  humanist profesor Enis Boletini, botimet e të cilit për “Talaseminë” njihen nga profesorë të dëgjuar hematologë zviceranë, apo amerikanë, italianë etj., dhe përmenden në punimet e tyre; ai ndodhet diku në Itali tek të bijat dhe do të doja të gjeja adresën dhe telefonin e tij atje. Së bashku dua të bëjmë diçka për të gjithë ata vocrrakë shqiptarë, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, të mjekëve hematologë shqiptarë, të Organizatës Botërore të Shendetësisë dhe Zyrës Rajonale të OMS-it në Kopenhagë, të një Fondacioni me prestigj zviceran, apo biznesmenë shqiptarë që jam i bindur se do të pranojnë thirrjen tonë dhe të atyre mijra shqiptarëve për të ndikuar në parandalimin dhe mjekimin e Talasemisë, sidomos në zonat e fshatit në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, si edhe në Kosovë; në këto pak rreshta nuk mund të përmend të gjithë ata miq e dashamirës por do të gjej rastin të shkruaj për ta, në skicat, kujtimet dhe ésétë e mija të ardhshme.
    21 tetor. Sot mora një e-mail nga një miku im shqiptar në Zvicrën gjermanofone. Më shkruante me dashuri për shkrimet e botuara, për kujdesin që tregonte për librin shqip, për shpërndarjen e tij dhe për dëshirën për të krijuar një shoqatë ndërkulturore të shqiptaro-zviceranëve. Ju përgjigja me takt mikut tim se ideja ishte e mirë por duhej patur parasysh se në atë shoqatë duhej të bënin pjesë edhe intelektualë, shkrimtarë, piktorë, pianistë, studentë dhe shqiptarë nga e gjithë Zvicra, pasi ndryshe ajo nuk do ta kishte jetën e gjatë, pa tërhequr mendimin krijues dhe mundin e atyre dhjetra shqiptarëve që japin ndihmesën e tyre për kulturën dhe librin shqip edhe duke qënë në Zvicër. Gjithashtu i vija në dukje se në emërtime të tilla shoqatash duhej hequr dorë nga fjalë të huaja të cilat nuk duhet t’u lihen « peshqesh » brezave të ardhshëm. Ka ardhur koha që edhe ne, si edhe popujt e tjerë të kulturuar zviceranë, francezë, spanjollë, gjermanë, arabë, afrikanë etj, të kemi gjuhën e njësuar letrare shqipe në botimet dhe fjalët tona, paçka se vijmë nga Kosova, Jugu apo Veriu i Shqipërisë, nga arbëreshët, arbanasit, arvanitasit apo shqiptarët në Amerikë. A nuk kanë francezët dialekte si « patois »- gjuhë e folur në Auvergne apo « savoyard », apo spanjollët gjuhën baske, apo italianët dialektet e Jugut dhe të Veriut të Italisë, apo gjermanët dialektet e tyre. Gjuha angleze që përbën gjuhën e parë sot në botë flitet ndryshe në Amerikë apo gjetiu në Afrikë, por gjuha e Shekspirit përdoret si e tillë në botimet letrare, shkencore, apo vulgare kudo në botë. Për këtë duhet të mendojnë intelektualët shqiptarë, si dhe shqiptarët e thjeshtë kudo që janë : në tokën mëmë por edhe jashtë shtetit , pa shikuar përkatësinë e tyre sociale apo politike, të qënit e tyre intelektualë, punëtorë apo të një shtrese tjetër të popullsisë. Një ditë diaspora shqiptare do t’u kërkojë llogari, atyre politikanëve shqiptarë për harresën ndaj diasporas dhe që mundin e tyre ta kanalizojnë për të mirën e Shqipërisë. Duhen vënë vath në vesh, fjalët e Presidentit shqiptar Alfred Moisiu,i cili u shpreh me plot të drejtë e në kohë në intervistën e tij tek « Zëri i Amerikës » lidhur me vizitën e tij të fundit në Uashington, me rastin e « Mëngjezit të Lutjeve » : « Unë i përkas një brezi idealist. Pa idealizëm nuk mund të bëhet gjë. Unë shpresoj që politikanët shqiptarë do ta kuptojnë më në fund sepse qënia në një pozitë të caktuar në radhë të parë presupozon t’i shërbesh kombit, t’i shërbesh vendit…Politika shpesh herë ose politikanët shpesh herë më shumë shikojnë interesat e tyre partiake personale sesa interesat mbarëkombëtare ». Mendimi për krijimin e një ministrie të diasporës është më tepër se aktual, në një kohë kur dhjetra mijra shqiptarë rropaten e punojnë në Evropë e gjetiu dhe japin ndihmesë për zhvillimin e vendeve ku janë vendosur. Një ndihmesë që duhet ta japin qoftë edhe me një shumë simbolike për mbarëvajtjen e një vendit ë mrekullueshëm si Shqipëria, me bregdet të bukur, me atë tokë pjellore të Myzeqesë, të Devollit, të Jugut e Veriut të saj, me minerale, apo me njerëz punëtorë, liridashës e mikpritës. A nuk mund të merret shembull nga ajo shumicë politikanësh, parlamentarësh, diplomatësh, apo funksionarë të shtetit zviceran, francez, gjerman, italian, britanik, austriak apo amerikan që nuk mendojnë për veten e tyre, por për të mirën e popullit që i ka zgjedhur apo që paguan edhe taksa për mbajtjen e tyre në postet ku janë. ? Ata e kanë për nder që përfaqësojnë kombin apo bashkëkombasit e tyre kudo që janë në vendin e tyre apo atje ku i ka shpënë detyra. Lexova rastësisht në shtyp se një zyrtar i lartë i një vendi me prestigj kishte qënë për vizitë në SHBA dhe në një ndalesë të shkurtër në Nju Jork kishte ngrënë darkë në një restorant. Ai kishte marrë për të shoqëruar darkën një verë jo shumë të shtrenjtë, por që kushtonte shishja 120 dollarë. Të nesërmen gazetat e vendit të tij e kritikonin se kishte shpenzuar me të hollat e taksapaguesve më tepër se çfarë i lejonte posti i tij. Zyrtari i lartë u detyrua të kërkojë falje, përveç pagesës që bëri…Nuk dua të paragjykoj me këtë shembull ndonjë politikan apo parlamentar tonin që shkon jashtë shtetit. Pasi ata kanë të drejtë të marrin një shumë dinjitoze për të fjetur apo për të drekuar diku. Por vlerësoj qëndrimin e atij parlamentari apo intelektuali të çdo krahu qoftë që paguan nga xhepi i tij për të drekuar apo ftuar miqtë e tij, pa asnjë kompeks apo imponim. I heq kapelen këtij parlamentari që pata rastin ta takoj rastësisht në atë kryeqytetin e vendit mik. Gjithashtu ai, si dhe presidenti shqiptar me fjalën e tij tek « Mëngjei i Lutjeve » më bëri të mendoj se edhe shqiptarët këtu mund të bëjnë diçka më shumë për vendin amë. Diaspora shqiptare kudo që është do t’i presë ata me zemër të hapur në çdo kohë, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake…
23 shtator.  Më kujtohet se si një mbrëmje ishim të ftuar në çerdhen “Dhëmbi  i qumështit ” ku po organizohej një festë për Shqipërinë. Gjithë mjedisi ishte mbushur me pamje nga Shqipëria, fëmijë shqiptarë të qeshur,  duke vallzuar e luajtur të shkujdesur, sikur të ishin në tokën mëmë. Mbi të gjitha mjedisi i çerdhes ishte mbushur edhe me flamurë shqiptarë. Një simbol i madh. Më kujtohet ajo mbrëmja atje në Lozanë pranë « Kinematekës zvicerane » kur piktori Bujar Kapexhiu vizatoi me mjeshtri kineastin e shquar zviceran Freddy Buache, me ato flokët e gjata prej artisti dhe me sytë e tij shprehës. Portreti ishte realizuar shumë bukur dhe jepte me nuancë të theksuar tiparet e bukura të njeriut të madh të filmit. Bujari e kishte vizatuar portretin në Librin e Artë të Kinematekës zvicerane. Kineasti zviceran ishte shumë i prekur. Ai e përqafoi si mik të vjetër piktorin dhe regjizorin shqiptar. Darka atë mbrëmje kaloi duke ngritur dolli për miqësinë midis dy popujve si edhe me shkëmbimet midis dy kinematekave. Atë natë Kinemateka ishte plot me miq zviceranë dhe shqiptarë të cilët vlerësuan filmat e shfaqur nga Shqipëria... Kujtoj atë shokun dhe mikun tim ish ambasador shqiptar,  erudit, i cili ka bërë një punë pasionante për të gjurmuar lidhjet midis Shqipërisë dhe Zvicrës që nga lashtësia deri në ditët tona,  për ata paraardhës tanë që zbritën në rajonin e Gjenevës në kohën e Jul Qezarit dhe krijuan vendbanime, siç është njera që quhet Dardanji. Zvicra është bërë për mëse 200.000 shqiptarë nga Kosova e viset, si dhe nga Shqipëria, si atdhe i dytë, i nderuar, i dashur dhe shumë i respektuar. Një numër i madh studentësh dhe pasuniversitarësh vazhdojnë studimet në Zvicër. Gjithashtu piktorë, si këta që kanë ekspozuar disa vite më parë në Pallatin e Kombeve jetojnë e punojnë në tokën helvete…A do të kemi rastin të shohim veprimtari të tilla, si ato që janë organizuar së fundi nga Universiteti Popullor Shqiptar për shembull « Kundër dhunës ndaj grave » ku morën pjesë personalitete të Zvicrës dhe Gjenevës, përfshirë edhe Ministren e brendshme të Gjenevës, zonjën Spoeri, kryetarin e Bashkisë Ferrazino, zonja Bugnon e departamentit të barazisë në Gjenevë, mediatoren zvicerane Michèle Gigandet e njerëz të artit dhe kulturës nga Shqipëria, Kosova e viset, Maqedonia. Broshura « Ndal dhunës » përkthyer në shqip është shpërndarë tek bashkësia shqiptare në Gjenevë që përbëhet nga rreth 8000 vetë. Fushata e nisur në 22 janar 2004, do të vazhdojë rreth tre muaj. Ajo nisi me atë mbrëmje të bukur, me konkursin letrar ku u përfshinë dhjetra letrarë të rinj që pati si temë « Të jesh grua… ». Puna e mirë e bërë në drejtim të përfshirjes së gruas shqiptare në jetën zvicerane, nga ana e departamentit të barazisë së gruas, drejtuar nga zonja Bugnon, është një nismë dhe një shkëndijë për ndërmarrjen e hapave sa më të duhura për barazinë e të drejtave për gratë shqiptare. Ato gëzojnë me ligj në Zvicër të drejtën për t’u shkolluar në gjuhën e tyre amtare dhe për të mësuar gjuhët e vendit mikpritës, por edhe për të zhvilluar talentin e tyre në fushën e informatikës, qëndistarisë, rrobaqepsisë, biologjisë, artit, kulturës. Ato kanë Bibliotekën e tyre Ndërkulturore të Kryqit të Kuq të Gjenevës, ku gjejnë libra të autorëve shqiptarë. Në atë Bibliotekë të pasur ku ka libra nga mbi 180 vende të botës, drejtoresha Adriana Mumenthaler dhe stafi i përgatitur gjejnë kohë për të përhapur e shpërndarë tek lexuesit e shumtë shqiptarë libra si dhe fjalorë të botuar nga « Toena », « Dituria », « Albin », « Botimpex » dhe shtëpi të tjera botuese shqiptare dhe nga Kosova. Gratë shqiptare shkojnë edhe tek « Camarada », etj., ku bisedojnë bashkërisht me shoqet e tyre zvicerane apo të kombeve të tjerë, si dhe vazhdojnë kurset e mësimit të gjuhës frënge, apo për informatikë, gatim, qepje…Duket një integrim shumë domethënës i shqiptarëve në shoqërinë multietnike zvicerane.

(vazhdon)


(Vota: 29 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora