E enjte, 12.12.2024, 10:51 PM (GMT)

Speciale

Nexhmije Mehmetaj: Një vështrim mbi të folmen shqipe në Zvicër (+ Paraqitje nga Alfred Papuçiu)

E merkure, 01.07.2009, 07:59 PM


Ekskluzive për Zemra Shqiptare

Simfonia shqiptare

Te flasesh gjuhen shqipe eshte respekt per ate popull dhe vend te lashte

Paraqitje nga Alfred Papuçiu

Tirane, me 29 qershor 2009

Ne shenimet e mija te mbajtura ne kartoteken personale, ketu ne Tirane, gjej sot nder te tjera edhe shenimin tim:”Profesori im i nderuar, Nonda Bulka, shpesh na kujtonte gjate oreve te mesimit, kur na jepte oren e letersise frenge, ne vitet 1965-1969, poemen e bukur te Alfonse de Lamartine (emri i rruges ne Gjeneve ku une banoj me dy femijet, Gentin dhe Nausiken dhe bashkeshorten time te urte, Roza qe me qorton se shkruaj dhe marr kohe nga jeta ime e shkurter), me titull: “Simfoni shqiptare”. Nder te tjera poeti i madh francez, ne poeme shprehet:”Shqiperia eshte vendi i herojve te te gjithe koherave”. A mund te rrish pa shkruar kur ke perpara shenime te tilla apo shkrime si te profesoreshes se gjuhes shqipe ne Zhyra (Jura) te Zvicres, Nexhmije Mehmetaj. Ndoshta keto shenime po i hedh shpejt, pasi si cdo shqiptar po ndjek me ankth dhe interes rezultatet e votimeve te 28 qershorit ku une pata fatin te hedh voten time te lire, te nje prej miliona sovraneve te ketij vendi te bukur, te lashte, mikprites. Uroj nga zemra si edhe ju qe pas votimeve te ndiqen menjehere projektet dhe reformat e Shqiperise demokratike qe do ta bashkojne ate shume shpejt me familjen europiane te Brukselit. Anetari i 28-te i saj do te jete Shqiperia, e cila ka mesuar shume nga vitet e tranzicionit. Ajo Shqiperi e Skenderbeut, Nene Terezes dhe qindra Rilindasve dhe mijra e mijra shqiptareve qe japin ndihmesen e tyre ne Europe ne ndertimin e rrugeve, pallateve, ne ekonomi, arsim, shkence, art.

Cdo gje eshte e bukur ketu ne Tiranen “blu” dhe “te kuqe”. Njerezit vazhdojne jeten normalisht. Kafenete dhe restorantet jane plot. Te mbushet zemra mal kur shetit me autobuzet komode (jot e gjithe tani per tani por shpejt do te jene ashtu) rreth e qark Tiranes per 30 leke ( m’a do mendja 20 cent te sterlines). Televizioni jep komentet e gazetareve por edhe intervistat e politikaneve. Te ben pershtypje sidomos maturia dhe elokuenca e prof.dr. Sali Berishes qe flet me argumenta dhe respekton voten e lire te sovranit. Packa se degjon akoma ndonje ze te cjerre te ndonje parlamentari apo opozitari qe per ruajtjen e kolltukut te vet, apo vizes diplomatike, jo ate te thjeshte qe urojne shqiptaret te shkojne qofte edhe njehere ne Europe, vazhdon ne thirrje e qarje bajate. Shqiptaret zgerdhihen (me falni per shprehjen) me te, ashtu sic zgerdhihen edhe miqte tane te shumte, Mireille nga Zvicra, Olivier nga Parisi, Lucio nga Italia, Peter nga Londra…Zoti e bekofte Shqiperine dhe demokracine shqiptare!

Le te kthehemi tani tek tema jone fillestare.Ne keto caste, kur profesoresha e gjuhes shqipe Nexhmije Mehmetaj, me dergoi shkrimin e saj te meposhtem, per ta botuar ekskluzivisht tek “Zemra Shqiptare”, dhe shpresoj qe stafi i saj, i drejtuar nga Gezim Marku, do me jape kete kenaqesi, mendoja se edhe ajo eshte nje nga heroinat shqiptare, packa se Nexhmija do te me qortoje kur te shohe keto shenime te hedhura ne leter, ketu ne malin e Dajtit, ku u ngjita me teleferik. Si ato vitet 1965-69 kur ngjiteshim me profesorin e nderuar Vedat Kokona, apo edhe njehere me te paharruarin flokegjate dhe fisnik Nonda Bulka. Nje miku im ketu si edhe cdo shqiptar kur te sheh sidomos qe vjen nga Diaspora, me dha ordinatorin dhe une po hedh keto rreshta i emocinouar pasi lexova shkrimin e te urtes Nexhmije. Ajo se bashku me koleget e saj bejne nje pune te cmuar dhe shpesh pa pagese, qe voceraket tane edhe pse te integruar ne shoqerine zvicerane, te mos harrojne gjuhen e te pareve te tyre, te cilen e mbrojten me gjak e sakrifica breza te tere shqiptaresh. A ka simfoni me te bukur se kjo qe po na dhuron Nexhmija sot? Ja le lexuesit ta vleresoje.


Nexhmije Mehmetaj eshte mesuese ne Jura te Zvicres. Nderkohe ajo eshte nje veprimtare e shquar e LAPSH-it, Lidhjes se Arsimtareve dhe Prinderve Shqiptare. Në nje nga projektet e shumte ben pjese dhe projekti "Kamishibai" ku është përfshirë edhe letërsia shqipe për fëmije.  Ky projekt, i quajtur “Kamishibaï “ i kushtohet gjuhësisë dhe integrimit. Ideja e projektit lindi nga arsimtarët  e kantonit Jura dhe nismetare ishte arsimtarja e perkushtuar e gjuhes shqipe, Nexhmije Mehmetaj. Projekti është përkrahur edhe nga Zyra e integrimit dhe lufta kundër racizmit në Delemont (anëtare e së cilës eshte dhe Nexhmija). E kam takuar per here te pare ne promovimin e paradokohshem ne Neshatel te Zvicres te librit te Akademikut Bedri Dedja me titull: “Presidenti i planetit te kuq” ( Marsit). Ajo shprehet me entuziazmin e nje profesoreshe te gjuhes shqipe, teper modeste dhe fisnike, fjalepake:”Nuk ka qëllim më të bukur sesa të punosh që njerëzit të cilët do të vijnë më pas të jenë më të lumtur sesa ishim ne. Lumturinë më të madhe njerëzimi e gjen duke u përpjekur për lumturinë e fëmijëve. Ndihmën së pari e meritojnë të vegjlit, fëmijët, nxënësit, se për ta çelet e ardhmja. Fjala dhe vepra e mirë dëgjohen larg. Ky projekt jep një imazh të mirëfilltë gjuhës dhe kulturës shqiptare e cila nuk prezantohet shpesh në shkollat zvicerane. “Kamishibaï”është një projekt i suksesshëm bashkëpunimi shkollë–institucion dhe kulturë amtare kushtuar integrimit.  “Kamishibaï” është disi i panjohur për ne. Historinë e Kamishibaït e gjejmë qysh në shekullin XVI në Japoni. Themeluesi i Kamishibait konsiderohet një edukator i shquar japonez. Pra emri rrjedh prej fjalës japoneze që do të thotë, kami – letër dhe shibaï teatër. Në fillim Kamishibai përdorej si mjet marketingu nëpër rrugë në formë spektakli.  Pas viteve ’50-të të shekullit që lëmë pas Kamishibaï ka gjetur përdorim edhe në pedagogji. Ku përfshinë strategjitë e të mësuarit, që fokusohen në mësimdhënien e fëmijëve në moshat 6 -7 -8 vjeçe.  Themeli i Kamishibait si art i të mësuarit është ndërtuar në përshtatjen dhe përvetësimin e leximit për mes formës “ludique”(lojës)”.                                  

“Projekti në fjalë, vazhdon te tregoje Nexhmija, ka nisur në vitin 2008 dhe i ka paraprirë faza parapërgatitore, zgjedhja nga letërsia shqipe për fëmijë, përkthimi në frëngjisht dhe shoqërimi me vizatime. Përcaktimi im është në përrallën “Fitorja e milingonave” e autores Myzejen Çullhaj e cila është mirëpritur nga shkolla zvicerane.  Faza e dytë e projektit realizimi i tij filloi nga 16 shkurti e përfundoi me 5 mars”.

Prezantimi i përrallës shqipe u be nga Nexhmije Mehmetaj në tridhjetë komuna brenda kantonit  për gjatë katër dhjetë e tri orëve. Ora mësimore zhvillohet në shqip dhe frëngjisht. Përmes të cilit dëshmohet shkëmbimi dhe njohja reciproke e gjuhës shqipe pranë gjuhës frënge, në mjedise dygjuhësore.

“Si shqiptare dhe mësuese, shprehet Nexhmija, ke gëzim kur merr pjesë në orën e mësimit në shkollën zvicerane. Sheh, bujarinë, korrektësinë, profesionalizmin, përpikërinë në punë. Njëkohësisht ndjen dhimbje shpirtërore kur dëgjon sa dobët artikulohet gjuha shqipe nga nxënësit tanë, sa pak vlerësohet ajo nga prindërit e tyre   në të folur e në  shkruar prej vetë shqiptarëve”.

Me poshte, te nderuar lexues dhe bashkepunetore te Zemres shqiptare po ju paraqes. Shkrimin aq te arrire dhe me argumenta te Nexhmijes. Mundesisht jepni voten maksimale per te dhe shkruani komentin tuaj.



Nexhmije Mehmetaj
Nexhmije Mehmetaj
NJË VËSHTRIM MBI TË FOLMEN SHQIPE NË ZVICËR


Nga Nexhmije Mehmetaj

Ngulimi i shqiptarëve në Zvicër është themeluar, në valë të ndryshme, në një hark kohor që kap mbi 40 vjet. Dihet se në Zvicër banojnë disa grupe të popullsisë shqiptare: Shqiptarët nga Shqipëria, shqiptarët nga Kosova, shqiptarët nga viset shqiptare të Maqedonisë, shqiptarët nga Kosova Lindore (Serbi jugore), shqiptarët nga viset shqiptare të Malit të Zi. Pra vendi prej nga janë dyndur shqiptarët janë më shumë nga Kosova. Deri në vitet ’90 të shekullit që lëmë pas vlerësohet se në Zvicër nuk kishte më shumë se 120 mijë shqiptar, kurse sot mendohet se janë rreth 200 mijë shqiptarë. Numri i madh i mërgimtarëve kanë përtëritur dhe shtuar dukshëm elementin shqiptar e gjuhën shqipe në Zvicër. Krahas kësaj shtrohen pyetjet që i përkasin një trajtimi kryesisht sociolinguistikë.

1. Kush flet shqip në Zvicër, cila është gjendja e sotme gjuhësore e tyre dhe a ka shqiptarë që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë as njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës ?  

2. Kur flitet shqip dhe kur frëngjisht nga shqiptarët e Zvicrës?

3. Në ngulimet shqiptare në Zvicër a ka dygjuhësi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve do të mbështetemi në gjykimin tonë të formuar nëpërmjet kërkimeve dhe anketimeve rreth të folmeve shqipe në kantonin Jura të Zvicrës . Kërkime të pjesshme e, sidomos, plotësime të materialeve e verifikime kam bërë disa herë edhe gjatë periudhës dy vjeçare 1995/97, duke mbledhur nga nxënësit fjali me përzierje shqip – frëngjisht.

Ana tjetër shumë e rëndësishme për njohjen e situatës gjuhësore të shqiptarëve të Zvicrës është bërë në kuadër të një ankete në vitin 2005 nëpër fshatrat dhe qytetet në Jura. Tani së fundi kërkimet e bëra përmes informatorëve shqiptarë rreth problemeve të bilinguizmit të mërgimtarëve.
1. Kush flet shqip në Zvicër, cila është gjendja e sotme gjuhësore e tyre dhe a ka shqiptarë që flasin vetëm shqip dhe nuk dinë as njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës ?

Pyetja e parë, që shtruam më lart, lidhet me zanafillën e numrin e ngulimeve shqiptare të Zvicrës, me kohën e vendin e shpërnguljes së tyre, si dhe me numrin e sotëm të banorëve të këtij komuniteti. Sipas të dhënave më të fundit të studiuesit të shquar zviceran prof dr dr Basil Shaderit popullsia shqiptare në Zvicër përfshin nja 160’000 – 175’000 njerëz. Në shkrimet e vetë shqiptarëve ky numër na del më i madh. Është vështirë për t’u përcaktuar me saktësi numri i shqiptarëve në Zvicër, dokumentet heshtin në këtë pikë. Porse dihet prejardhja e tyre nga vende të caktuara shqiptare. Mendimi i përgjithshëm i studiuesve është se nuk ka qytet as fshat në Zvicër që nuk ka shqiptar.  Shqiptarët që sot jetojnë në Zvicër kanë mbetur të lidhur fort me atdheun, nuk i këpusin lidhjet shpirtërore me vendlindjen e tyre. Është e kuptueshme, prandaj, pse ata nuk i fillojnë herët përpjekjet për një jetë më të organizuara politike dhe kulturore në mërgim. Deceniet e para janë kohë e zgjimit të kërshërisë politike, shënojnë, po ashtu interesimin e tyre të shtuar për atdheun e robëruar, vihet në shërbimin e lidhjes kombëtare dhe të çlirimit të shqiptarëve prej pushtuesve shekullorë. Aktiviteti politik, kulturor dhe arsimor i shqiptarëve, ndërkaq, do të marrë hov mbas çlirimit të vendit, Kosovës. Kështu diaspora e Zvicrës ka rëndësi për gazetarinë shqiptare edhe të shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe por nuk mungon edhe zhvillimi i letërsisë. Të folmet shqipe të shqiptarëve në Zvicër përbëjnë një grup të folmesh, mjaft të afërt me njëra – tjetrën, por tiparet kryesore  janë ato të gegërishtes, kryesisht me gegërishten veriore dhe veriore- perëndimore.                       

Proceset migruese e kanë ndryshuar dukshëm strukturën demografike të mërgimeve tradicionale shqiptare. Një numër i mirë shkrimtarësh, mësuesish, gazetarësh dhe veprimtarësh shqiptarë njohin, zotërojnë dhe, sipas rastit, përdorin me shkrim ose me gojë edhe gjuhën letrare shqipe.  Gazetat dhe revistat e tyre, që tani janë gjithnjë e më të shpeshta, ushtrojnë një ndikim të dukshëm në jetën politike, kulturore, shkencore, por edhe letrare të shqiptarëve.  Shqipja e diasporës shqiptare në Zvicër është kryesisht një idiomë e folur, e mësuar dhe e shkruar në shkollat e vendlindjes. Kurse te brezi i dytë i mërgimtarëve shqipja është kryesisht idiomë e folur, e mësuar nëpërmjet rrethit  familjar, në shtëpi. Dhe vetëm një numër i vogël nxënësish vijojnë mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Të gjitha këto tregojnë se shqipja vijon të jetë një gjuhë kulture e folur dhe e shkruar, tri gazeta shqipe dalin dhe botohen prej shqiptarëve të Zvicrës. Kultura shqiptare është një element konstituiv i bashkësive të sotme shumë kulturore të Zvicrës në gji të së cilës po integrohen shqiptarët.

Pavarësisht kësaj në mjedisin zviceran , gjuha shqipe tek shqiptarët e Zvicrës vijon të jetë vetëm gjuhë e vatrës, e familjes, ndonjë herë rrallë edhe e punës ( është fjala për firmat e vogla shqiptare ku janë të punësuar pjesëtarët e të njëjtit  komunitetit). Psh. në firmën “Era “ në Cyrih  janë të punësuar 67 shqiptarë etj.. Shqiptarë dhe zviceranë jetojnë me dhjetevjecare së bashku duke nderuar njëri tjetrin.

Është rasti të kujtojmë këtu që është vënë re, kontrastet ndërmjet  mërgimtarëve shqiptarë dhe popullsive vendase. Shqiptarët për arsye  të gjuhës  që nuk e kuptonin si dhe për arsye të lidhjes së fortë që ata kishin me zakonet dhe traditat amtare ( niveli i ulët arsimor dhe kulturor i pengoi të lidhen me normat e vlefshme shoqërore t’i përvetësojnë e t’i zbatojnë), shqiptarët u dukën si të “pamirë” popullsive autoktone zvicerane, që nuk munguan edhe shkrimet tendencioze ndaj shqiptarëve. Takimi e afrimi shoqëror midis dy grupeve, nga të cilat është i kushtëzuar kontakti gjuhësor, erdhi më vonë. E megjithatë këta ardhës nga Kosova apo vise tjera shqiptare, dalëngadalë po pësojnë njërën nga këto dy fate: Një pjesë po ” treten “ duke harruar gjuhën shqipe, një tjetër, pavarësisht nga pësimet arritën të krijonin pak a shumë qendrat e tyre  kompakte shqiptare dhe shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Deri para disa vjetësh, një numër i madh  mërgimtarësh shqiptarë në Zvicër nuk dinin të shkruajnë e të lexojnë as shqip e as njërën nga gjuhët e shtetit përkatës. Ata nuk dinin të flisnin ndryshe përveç shqip. Shqiptarët që kishin vuajtur nën shtypjen më të madhe sllave  edhe nga ana gjuhësore dhe izolimin e tyre  të njohur kishte ndikuar edhe në vlerat e tyre kulturore dhe shoqërore. Gjuha është njëra nga shfaqjet kryesore të jetës së një populli. Është thënë shumë herë  edhe me të drejtë se historia e gjuhës është njëkohësisht historia e popullit që e ka folur dhe e flet. “Gjuha është bashkudhëtare me popullin që e flet nëpër të gjitha rrugët dhe dallgët e historisë. E historia e gjuhës është edhe historia e vet atij populli që ka folur dhe e flet.”[2]   Që nga viti 1912, me pushtimin e Kosovës  nga shteti serb/jugosllav shqiptarëve nuk u njihej e drejta e shkollës shqipe dhe e përdorimit të gjuhës amtare në vende publike. Kjo ishte pozita e shqipes deri në vitin 1941, kur Jugosllavia e pushtuar u vu nën sundimin e forcave ushtarake gjermane dhe Italia i shtonte mbretërisë së saj shqiptare Kosovën , duke u dhënë shqiptarëve të drejtën e shkollës dhe të administratës shqipe. Në këto vite u hapën shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, dhe, natyrisht, me gegërishten zyrtare të Shqipërisë si gjuhë e shkruar dhe e folur[3]. 

Për ta mësuar një gjuhë të huaj duhet ditur së pari gjuhën amtare, mërgimtarët  duke mos e ditur mirë as gjuhën shqipe nuk arritën dot ta mësojnë një gjuhë tjetër. Brezi parë i mërgimtarëve i paarsimuar kanë mbetur po ata që kanë qenë. Kjo situatë ia vonoj diasporës shqiptare përparimin dhe integrimin në rrjedhat e kulturës zvicerane, por ndihmonte dukshëm mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe.  Duke u hedhur në një vështrim të këtillë , e rrugës do të ishte sikur t’i hidhej një sy edhe së kaluarës historike të shqiptarëve të Zvicrës. Ndarja e shqiptarëve dhe e etnisë së tyre në dy shtete, në njërin prej të cilëve shqipja ( në ish Jugosllavi ) nuk e gëzon statusin e gjuhës së shtetit, e për pasojë i është shtruar një trysnie shumë intensive sllave i ka vështirësuar proceset e natyrshme evropiane me kufizime të jashtme po edhe me rritjen e nevojave për mbrojtje nga rrezikimi i thelbit.[4]                                

Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë para se të vinin në Zvicër ata ishin kryesisht dygjuhësh shqip- serbisht, shqip- maqedonisht: d.m.th. krahas shqipes ata flitnin edhe serbishten apo maqedonishten. Në Zvicër  krahas këtyre mësojnë edhe frëngjishten apo gjermanishten njërën nga gjuhët zyrtare të vendit përkatës, varësisht ku janë të punësuar dhe të sistemuar përfundimisht.
Megjithatë, ne theksojmë se njëgjuhësh vetëm shqipfolës ka, mund të përcaktohen si një gjuhësh këto shtresa e grupe shqiptarësh: analfabetet e moshuar, në ketë shtresë, duhet të themi, kanë qenë gratë ato që nuk kishin kontakte me frëngjishten, prandaj mbeten një gjuhësh vetëm shqipfolës. Në vijim, mund të përmendim,  ndër të tjera njëgjuhësh, vetëm shqipfolës, janë edhe një pjesë e mirë e fëmijëve shqiptar, derisa hyn në shkollë është një gjuhësh: ai flet vetëm shqipen e mësuar nga prindërit.

Por me gjithë shkallën përherë në rritje të degradimit nën ndikimin e gjuhës së mjedisit të huaj, shqipja mbetet ende mjeti i parë i komunikimit në ngulimet shqiptare shqipfolëse. Struktura demografike shqiptare është masive  dhe shqipja dëgjohet kudo, në sheshe, në rrugë, në dyqane shpesh mendon se je diku në vendlindje.

Tani, sidomos këtë dhjetëvjeçarin e fundit, gjendja gjuhësore ka ndryshuar. Frëngjishtja mësohet më mirë nga shqiptarët, kurse për shqipen as që mund të shpresohet.

Nder  mërgimtarët shqipfolës të nxënit e gjuhëve përkatëse fillon që nga kopshtet shkollore.  Këta janë kryesisht brezi i tretë i mërgimtarëve të  cilët do të jenë më të përgatitur për shkollë.                                                    

Faktorëve të mësipërm u duhet shtuar edhe një tjetër dukuri. Ka disa vite, ku më shumë e ku më pak, në diasporën  shqiptare po shtohet numri i familjeve që, edhe pse nuk janë të përziera, enkas, u imponojnë fëmijëve të flasin vetëm frëngjisht, pa u interesuar fare për gjuhën shqipe.                                                                                        

2. Kur flitet shqip dhe kur frëngjisht nga shqiptarët e Zvicrës?

Banorët shqiptarë të Zvicrës  kanë prejardhje të ndryshme. Ata i gjen të grumbulluar në fshatra të tërë dhe lagje të veçanta të qyteteve të mëdha, po edhe të shpërndarë në tërë Zvicrën.  Familja shqiptare është mjedisi më i përshtatshëm për ruajtjen e shqipes, kurse shkolla ku mësohet vetëm frëngjishtja apo gjermanishtja përbën një mjedis ku ushtrohet dhe kultivohet një tjetër model gjuhësor, ai i frëngjishtes zyrtare. Ndërsa gjuha frënge realizohet si gjuhë në të katër funksionet gjuhësore themelore: dëgjim dhe lexim, të shprehjes: gjuhë e folur, gjuhë e shkruar, shqipja ushtrohet vetëm gojarisht . Edukimi njëgjuhësh, në mënyrën se si ushtrohet në shkollën publike midis pakicave gjuhësore, nuk bën tjetër veçse t’i nënshtrojë një strukturë gjuhësore tashmë të formuar në vitet e para të jetës, një tjetre, të imponuar nga sistemi shkollor, pa marrë parasysh të parën. Kapërcimi i kësaj vështirësie në bashkësitë shqipfolëse është i mundshëm vetëm nëse praktikohet mësimi dygjuhësh, d.m.th, nëse përdoren të dy gjuhët.

Një ndikim të fuqishëm në ruajtjen e shqipes ushtron edhe forma e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Vite me radhë  LAPSH-i në Zvicër ka bërë përpjekje që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë ta mësojnë gjuhën amtare. Hullia e tradita e shkrimit të gjuhës amtare, shqipes jo në përmasa të kënaqshme për shkak se kanë munguar kushtet e favorshme,(institucionale)  vijon edhe tani. I vetmi mjet kundër asimilimit është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo shqiptar të bëhet një dygjuhësh i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës zvicerane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën e kulturën shqiptare.

Pas çlirimit të Kosovës, mësuesit dhe prindërit shqiptarë i drejtuan sytë dhe shpresat kah Kosova, për t’i ndihmuar që mësimi i shqipes të merr kahe institucionale, por, kot deri sot nuk u realizua asgjë, përveç plan programit.
Natyrisht që gjendja po ndryshon në rrjedhë të kohës, duke vërejtur dy faza të ndryshme nga njëra – tjera:  Në fazën e parë, që i përket periudhës së shkuar, që te mërgimtarët duken shenjat e dy gjuhësisë : shqip- frëngjisht duke qenë shqipja ende në pozicionin zotërues dhe me marrëdhënie të pakta me popullsinë anase.

Faza e dytë pas vitit 2000, me shtimin e komunikimit  si dhe me njëfarë përmirësimi të kushteve ekonomike e kulturore, ngulimet shqiptare zunë të hapeshin më shumë në marrëdhëniet e shkëmbimit me qendrat zvicerane. Frëngjishtja filloj të bëhet gjuhë e folur dhe shqipja në bjerrje e sipër. Shqipja po i humb folësit e vetë burimor. Duam apo nuk duam, shqipja sot në diasporën shqiptare në Zvicër është kudo një gjuhë që po humbet që në brezin e dytë.                                 

3. Në diasporën shqiptare në Zvicër a ka dygjuhësi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës?

Një studim i të folmeve shqipe të Zvicrës në gjendjen e tyre të sotme nuk mund të jetë i plotë, pa një njohje të thelluar të proceseve të dygjuhësisë. Do të kujtojmë këtu edhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhën frënge si gjuhë në kontakt. Takimi dhe bashkëjetesa shumëvjeçare me gjuhët e mjedisit ku u vendosen shqiptarët në Zvicër po lënë gjurmë të thella edhe në të folmet e tyre. Për këtë na dëshmojnë huazimet leksikore të frëngjishtes  në të folmet shqipe të Zvicrës.

Ndikimi i një gjuhe në tjetrën është një fenomen shoqëror, një pasojë e pashmangshme e takimeve në mes të dy bashkësive që nuk flasin gjuhë të njëjtë.“Ai është i lidhur medoemos me prestigjin që gëzon gjuha ose populli i cili e flet atë , ose me urrejtjen që shfaqet ndaj njërit apo tjetrit . Më së shpeshti ky është një fenomen reciprok; por në rastin tonë konkret kemi të bëjmë me një gjuhë të prestigjit më të lartë siç është frëngjishtja në krahasim me shqipen e cila, deri më 1908 s’kishte alfabet definitiv të njësuar. [5]  

Në qoftë se para katër dhjetë vjetësh në Zvicër  kishte mërgimtarë që dinin vetëm shqipen (pra, ishin vetëm një gjuhësh shqipfolës ), sot pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare di mirë frëngjishten dhe përherë e më keq shqipen.  Në ditët tona, shqiptarët, së paku nga mosha tridhjetë vjeç e poshtë, kanë mësuar në shkolla të shkruajnë e të lexojnë frëngjishten, por janë të paktë ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë edhe shqip, prandaj edhe dygjuhësia e tyre është “kurrë fare”.  Dygjuhësia frëngjisht – shqip tani është normë për të gjitha grupet sipas moshës, por ka shumë situata kur folësit e vjetër përdorin shqipen, ndërsa folësit e rinj frëngjishten. Duket sikur shqiptarët më të vjetër përdorin shqipen për shumicën e qëllimeve, përveç për ato më formalet. Folësit e moshës mesatare dhe të rriturit e rinj favorizojnë bukur shumë transferimin e kodit varësisht nga faktorët siç janë formaliteti, vendi, objekti, prania e të jashtmëve dhe aftësia gjuhësore e bashkëbiseduesve.

Varfërimi i vazhdueshëm i leksikut të shqipes sigurisht, bën që dygjuhësia frëngjisht – shqip brezi i ri të jetë e çalë,  kështu që, edhe fushat e përdorimit të tyre vijnë duke u ndarë e duke u dalluar: shqiptarët flasin shqip në shtëpi, në festa tradicionale, por në disa raste edhe në punë, kur është e vështirë të shprehen në gjuhën shqipe, përdorin frëngjishten. Për herë e më të shpeshta janë situatat dhe rastet e bisedave të përziera shqip dhe frëngjisht.

Ditë për ditë po shtohen martesat e përziera: djemtë shqiptarë po martohen me vajza zvicerane ( nder 84 nxënës të mësimit plotësues të gjuhës shqipe 8 fëmijë janë me prindër të përzier )  por numërohen në gishta martesat e vajzave shqiptare me djem zviceran. Kështu, dalëngadalë, krahas dygjuhësisë shqip- frëngjisht që vinte vetëm nëpërmjet shkollës dhe medieve gjithnjë po thellohet edhe dy gjuhësia frëngjisht –shqip. Në rastet kur zënë martesat e përziera, burrat shqiptar tërhiqen krejtësisht nga shoqëria shqiptare. Ndërsa gratë zvicerane të cilat kanë lidhje martesore me burra shqiptarë kohëve të fundit janë më tepër të interesuara që tek fëmijët e tyre të ruhet dygjuhësia frëngjisht- shqip.

Ketu perfundon, te nderuar lexues te Zemres Shqiptare shkrimi i profesoreshe Nexhmije Mehmetaj te cilin kam bindje se e keni pelqyer. Me poshte po ju japim nje pjese te veprimtarise se “Bashkesise Shqiptare te Kantonit Jura- Shkolla shqipe” e cila do te pasohet pas disa ditesh me veprimtarine e shkollave te tjera shqipe ne Zvicer qe po lulezojne dita dites, fale mirekuptimit te autoriteteve kantonale dhe konfederale zvicerane.   A. P.

[1] Basil Shader, Bashkëjetesa Shqiptaro-Zvicerane, f.25

[2] Shih : Idriz Ajeti, Shqiptarët dhe gjuha e tyre

[3] R.Ismajli Rrerr shqipes standarde, kodeve të tjera dhe kontestimeve.f. 60

[4] Gj. Shkurtaj, Gjebilinguzmi shqiptaro-sllav,f.195

[5] Murat Bejta, Integrimi dhe modifikimet semantike të huazimeve frënge në gjuhën shqipe.




(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora