E diele, 28.04.2024, 01:24 AM (GMT+1)

Speciale

Vangjush Saro: Shënime për Korçën (I)

E enjte, 09.07.2009, 07:00 PM


Shënime për Korçën

Nga Vangjush SARO

Pjesa e parë

Në vend të një mësimi gjeografie

Nuk kisha shkuar prej disa kohësh në Korçë dhe një shërbim pune më çoi aty për nja dy ditë. Diku në fund të majit 2009. Bënte një vapë e padurueshme, gjë e pazakontë për Korçën. Por edhe pse kështu, m’u desh të endem mirë nëpër qytet e rrethina.
Këto shënime mund të jenë disi çapraz, por unë do të preferoja ta vështroja temën drejt e në sy. Falë shfrytëzimit të sajtit të qytetit dhe të disa institucioneve, shënimet e mia mund të duken si një mësim gjeografie. Edhe historie, në daçi. Por e gjitha do të jetë si një variacion mbi qytetin dhe krahinën, ku ka aq shumë kujtime, episode, thashetheme, por edhe ndryshime. E vërteta është që në shkollë asnjëherë nuk na kishin mësuar që Korça përmendet fillimisht si një kështjellë (në vitin 1280); që në vitin 1431 cilësohet në dokumente si një kala e banuar; që pas vitit 1484 filloi të zgjerohej dhe të zhvillohej me tiparet e një qendre urbane dhe qendër e zonës. Historianët na thonë se qyteti u zgjerua veçmas në shek. XVII-XVIII; sidomos pas djegies së Voskopojës, kur fillojnë të ndërtohen shtëpitë e tipit beratas, me dy kate, (i sipërmi pak më i dalë, në trajtën e një ballkoni të mbyllur). Më 1783, qytetin dhe rrethinat e tij i shtiu në dorë Ali Pashë Tepelena. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, u bë një nga qendrat më të mëdha ekonomike, tregtare e kulturore të vendit, me një pazar të madh e karakteristik, që zë vend të veçantë ndërmjet monumenteve kulturore të qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Rëndom na mësuan diçka për çeljen e shkollave të para shqipe: më 7 mars 1887 “Mësonjëtorja Shqipe” dhe më 1893 “Shkolla e Vajzave”. Po ashtu, dinim për për kryengritjet e viteve 1911-1912, kur ato treva ishin mbështetje për çetat e Bajo Topullit, Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos e Themistokli Germenjit. Aty u botuan disa nga gazetat e para në vend, si “Korça”, “Lidhja ortodokse”, etj. Më 10 dhjetor 1916, u shpall “Krahina Autonome e Korçës”. Edhe këtë na e kanë mësuar. Në tetor 1917, u çel Liceu i Korçës; një nga legjendat e këtij qyteti.

ooo

Korça nuk mund të konceptohet dot pa lidhjet e ngushta me Pogradecin, hapësira e mbijetesës së fisit ilir të Enkelejve, i njohur për liqenin e bukur, vendi nga erdhën Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Po ashtu Kolonja, një krahinë me tradita, “djepi” i kulturës dhe i patriotizmit shqiptar. Aty vepruan Petro N. Luarasi, dhe Papa K. Negovani. Më tej, Devolli, ku ndodhen disa nga vendbanimet e hershme ilire (si Treni), me qendër qytetin e Bilishtit. Ka qenë dalluar për njerëz punëtorë dhe bujq të rrallë, por edhe që dinë të shijojnë jetën. Kitara është simboli i kësaj treve. Prej andej, erdhi shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli.

Ekonomia përtej traditës

Ekonomia e Qarkut të Korçës sot mbështet kryesisht në industrinë e lehtë, në ndërtim, tregti dhe shërbime. Pikërisht në këto sektorë rezultojnë punësimet më të mëdha. Edhe turizmi ka filluar të zgjohet, duke shfrytëzuar ambientet dhe objektet kulturore, si dhe bukuritë natyrore te zonave përreth. Rehabilitimi i rrugëve që lidhin pikat e afërta kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë, ka lehtësuar lidhjet me hapësirat ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare përgjatë Korridorit VIII.
Në Korçë, operojnë aktualisht 34 kompani ndërtimi, ndërkohë që kjo industri është mjaft dinamike dhe ka një potencial të madh për rritje të mëtejshme, duke marrë parasysh edhe nevojën në rritje për ambiente biznesi dhe strehimi, lëvizjet demografike nga fshati në qytet, emigrantët që përbëjnë një treg potencial për këtë sektor si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës publike. Kohët e fundit, si kudo edhe këtu ky sektor është lëkundur. Sektori i konfeksioneve përbën rreth 33 % të ekonomisë së rajonit. Ndërmarrje që punojnë me lëndë të parë nga eksporti (përndryshe me fason) ka në Korçë, Pogradec dhe Devoll. Tradicionalisht, industria është dominuar nga trikotazhi, prodhimi i qilimave, por edhe i veshjeve dhe këpucëve; këto sektorë kanë numrin më të madh të ndërmarrjeve dhe të punësuarve; (rreth 6.000, kryesisht gra). Ndërmarrjet më të shumta janë sipërmarrje të përbashkëta me biznese greke.
Bujqësia dhe industria e përpunimit gjithnjë ka qenë një nga sektorët kryesorë të ekonomisë në këtë qark. Korça është aktualisht epiqendër e industrisë përpunuese të prodhimeve bujqësore, që ofrohen nga zonat përreth qytetit (dhe jo vetëm). Korça zë vendin e dytë në vend për sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore, që e bën kështu aktualisht bujqësinë sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë së vet, e cila zë 32 %  të të ardhurave të përgjithshme. Pllaja mbi të cilën qëndron qyteti, shumë pjellore, është një nga zonat kryesore në Shqipëri për rritjen e grurit. Një avantazh i madh i zonës është përqindja e lartë e produkte të rritura në mënyrë organike. Fermerët vendas, me të drejtë kanë apeluar heraherës për më shumë vëmendje ndaj prodhimeve të tyre. Kujtojmë atë episodin e paparë, kur një fshatar nga Devolli hidhte qepët në lumë; ose pamjet që na tregonin kalbjen e patateve, etj. Ekonomia (e tregut të lirë) është ende një kockë e vështirë për ne.

Turizmi, imperativ i kohës

Mundësitë dhe burimet për zhvillimin e turizmit në Qarkun e Korçës janë të shumta. Kjo për shkak të pasurive historike, kulturore dhe natyrore. Korça është e njohur në Ballkan për mundësinë e përdorimit të natyrës, veçanërisht në zonat përreth, duke e bërë atë një vend të shkëlqyer për ekskursionistët, dashamirët e natyrës, botanistët dhe zoologët.
Në perëndim të Korçës, ndodhet Voskopoja, një vend tërheqës për turistët, sepse është streha e shumë kishave dhe manastireve bizantine. Në fshatin e Mborjes (3 km larg Korçës) ndodhet një nga kishat më të vjetra në vend, që daton vitin 1390, por që është ngritur mbi rrënojat e një kishe akoma më të vjetër që daton në shekullin IV. Dy fshatra të tjerë të afërt, Kamenica dhe Barçi strehojnë gjetje të ndryshme arkeologjike që përfshijnë edhe tumuli (kodërvarret) që datojnë në Epokën e Bronzit. Fshatrat e afërt si Boboshtica ofrojnë varietete vendase të rrushit e frutave të tjera, që përdoret për prodhimin e verës dhe rakisë. (E njohur është sidomos rakia e manit.)

Ëndrra e asfaltit…

Përpara disa vitesh, kur udhëtonim në vendet fqinje, ne shikonim me zili rrugët e asfaltuara e të vizuara, mbajtëset anësore, tabelat; dhe pyesnim veten nëse do të vinte një ditë që edhe në Shqipëri të kishim një infrastrukturë rrugore sa më bashkëkohore. M’u kujtua kjo “ëndërr me asfalt” duke përshkuar ato ditë një nga akset kryesore të vendit; (atë të Qafës së Plloçës dhe rrugën nëpër Fushën e Korçës).
Por tani, administrata dhe njerëzit i janë kthyer edhe infrastrukturës rrugore të fshatrave. Në rang qarku, vetëm për vitin 2008 ishin asfaltuar 95 km rrugë, dhe ishin shtruar me çakull 66 km. Rajoni i Korçës, siç pata mirësinë të them më sipër, ka pasuri të mëdha turistike. Përmirësimi i rrjetit rrugor e ka afruar dhe do ta afrojë edhe më tej vizitorin me shumë nga këto qendra me vlerë turistike e mjedisore. Mund ta them këtë për Voskopojën, Dardhën, Vithkuqin, Boboshticën dhe Drenovën, (nga erdhën gjyshërit e mi). Po kaq tërheqëse janë disa hapësira turistike e kulturore në Pogradec. Këtë vit, qyteti i Lasgushit dukej më i çelur. Disa financime jo të pakta, kanë risjellë pretendimet e vërteta për turizëm. Ky sektor ka po kaq mundësi dhe hapësira në Kolonjë e Devoll. Më kujtohen me këtë rast disa vargje të lirikut të madh Dhori Qirjazi, për gjethet e gjelbra që ashtu s’i gjen askund…
Thuhet se një vit më parë, rajonin e vizituan rreth 100.000 turistë. Po vjen dita që t’iu tregojmë vizitorëve dhe miqve historinë tonë dramatike, qytetërimin tonë, natyrën e bukur, zakonet e mira që rrallëkush i ka, si mikpritja dhe sajdia; (të më falin lexuesit në lidhje me fjalën e fundit, për të cilën nuk jam i sigurt nga vjen, por s’më erdhi tjetër në mend për momentin).

Kritikë për zyrat e shtetit

Gjithkush e do vendin e vet, qytetin a fshatin ku ka lindur dhe të cilit i përket njëfarësoj. Kjo nuk do të thotë se duhet të heshtësh për gjëra që nuk të pëlqejnë. Ose nuk janë arritur ende në atë nivel që do të duhej.
Në media, flitet për investime sa i takon edhe modernizimit të shërbimit të zyrave të gjendjes civile. Por në këtë temë, autori i këtyre radhëve është i detyruar të formulojë edhe vërejtje dhe kritika. Thuhet se “në bashkëpunim me sektorin juridik dhe funksionet e deleguara, u monitorua procesi i modernizimit të shërbimit nga zyrat e gjendjes civile në njësitë vendore të qarkut Korçë dhe konkretisht, hedhja e të dhënave të shtetasve nga regjistrat themeltarë në format elektronik. U ndoq nga afër procesi i rikonstruktimit të zyrave të gjendjes civile për përshtatjen e tyre, për procesin e prodhimit të kartave të identitetit.”
Sa për punë e sa për hallet e mia, vizitova disa nga institucionet e shtetit. Është e vërtetë se edhe ato kanë ndryshuar, sa iu takon raporteve me qytetarët dhe punës së specialistëve; po ashtu, kanë ndryshuar edhe për nga pajisjet dhe logjistika. Megjithatë, zyra e gjendje civile, prapa Bashkisë, ishte një mjedis i vogël, i ngushtë dhe radha e qytetarëve përjashta ishte si njëherë e një kohë(!) Është absurde të mendosh që të gjithë banorët e një qyteti aq të madh, do të duhet të presin në radhë e të marrin një certifikatë apo dokument tjetër - në një zyrë kaq pak komode. Më tej, na u duk se njerëzit jashtë prisnin në një mjedis të papërshtatshëm; nuk bëhej fjalë për stola, nuk bëhej fjalë për një tendë, që të mos i djegë dielli e të mos i lagë shiu. Edhe në Prefekturë, zyra ku merren disa lloje certifikatash dhe dokumente të tjera, ishte e vogël, e ngushtë, e ulët. (Tavani i saj, ku për pak sa nuk të cekte koka, më kujtoi një fragment nga “Procesi” i Franc Kafkës, kur në sallën e gjyqit njerëzit mbanin mbi kokë një postiqe, pikërisht për shkak të atij tavani të ulët...) Pastaj edhe aty kishte radhë dhe kjo nuk shkon fare.
Në këto shërbime, shteti duhet të jetë më i shpejtë, më bashkëpunues; mbase ka ardhur koha që kundrejt pagesave, edhe këtu, dokumentet të shpërndahen edhe përmes zyrave postare apo njësive private, që mund t’i dalin për zot situatës.

“Birra Korça”, krenaria e qytetit

Por në këtë profil, më duhet të sjell një pamje nga të rrallat e kohës së shkuar. Edhe dikur kishte ditë që njeriu gjente oazin e qetësisë. Dhe, midis të tjerave, kjo ndodhte në atë lokalin e njohur në Korçë, me emrin “Panda”. Ishte fundi i viteve ‘60. Atëherë fëmijë, ne shkonin të zinin tavolinat që në orët e pasdites. Kjo ndodhte për shkak se në mbrëmje, nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.
Rreth orës 18.00, fillonin të vinin klientët e parë. Shumica e tyre ishin familjarë. Sillnin me vete edhe të vegjëlit, madje edhe foshnjat. Në të errur, i shëtisnin ato me karroca, nëpër rruginat me ajër të pastër, midis drurëve. Një orkestër, e vendosur në një pod - mbi degët e një arre të vjetër - luante muzikë të vjetër italiane, spanjolle. Luante edhe tangot shqiptare të atyre viteve. Mes dritash ngjyra-ngjyra, zërat e gëzuar të njerëzve dukej sikur vinin nga një botë tjetër. Kamarierët fluturonin midis tavolinave. Në dy pistat e rrumbullakëta e të betonta, vallzonin dhjetra çifte. Një pjesë e fëmijëve loznin në bar. Dhe nuk bëhej më fjalë për të gjetur një tavolinë të lirë, megjithëse lokali në natyrë, kishte një sipërfaqe që sot mund të duket përrallë. Dhe pihej “Birra Korça”…
Shumë kohë më vonë, këto pamje nuk do t’i gjeje më, as në Korçë, as në qytete të tjera shqiptare.

ooo

Po le të kthehemi tek biznesi “Birra Korça”, një nga sipërmarrjet më serioze dhe që vijon traditat më të mira të industrisë shqiptare. Për herë të parë, është prodhuar dhe hedhur në treg në vitin 1928. Prodhimi i saj do të ndërpritej për shumë pak kohë gjatë viteve të tranzicionit, për të rinisur sërish në vitin 2006, falë një investimi të konsiderueshëm. Rindërtimi model i fabrikës është kryer nga kompani të huaja brenda një harku kohor të shkurtër dhe teknologjia e përdorur në të është fjala e fundit e shkencës. Fabrika ka siguruar tashmë certifikatën ISO 22.000 për cilësinë dhe garancinë e konsumatorit, si dhe një sërë çmimesh ambicioze.
Kolegia Ermira Shpëtimi përshkruan momentet kur “Birra Korça” mori çmimin “Harku Internacional i Evropës” në Frankfurt të Gjermanisë. Me qindra kompani prestigjioze nga mbarë globi, shkruan ajo, prisnin të vlerësoheshin nga BID, organizatore e këtij evenimenti. Ndër to, ishte edhe “Birra Korça”. Dhe lajmi i mirë erdhi. “Birra Korça” arriti të marrë çmimin “Harku Internacional i Evropës”, përkatësisht në kategorinë “Diamant”, krahas shumë kompanive të tjera botërore me investime kolosale, teknologji, shërbim dhe cilësi të standardeve të larta. Personalitete të botës së biznesit - pjesëmarrës në këtë eveniment - u njohën me arritjet e “Birra Korça”. Presidenti i BID, Jose E. Prieto, theksoi: “Birra Korça” ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për të merituar vlerësimin e tyre.” Kompania është vlerësuar në angazhimin në lidership, në teknologji dhe novacion; ajo ka çmime konkurruese, duke u bërë kështu model i kompanive që operojnë në të njëjtin sektor. (Për BID, emri i “Birra Korça” është më se i njohur, pasi dy vite më parë ajo e kishte vlerësuar me çmimin “Quality Golden Croën” - Kurora e Artë e Cilësisë - një çmim që shpërblen arritjet në kulturën e cilësisë.)
Duke ndjekur suksesin e kësaj fabrike, që ka lënë kaq mbresa në kujtesën e gjithësecilit prej nesh, lexova një përshkrim të gazetares Jorgjeta Gjançi. Ajo fliste për krijimin e raporteve të reja midis “Birra Korça” dhe…vizitorëve nga bota. Një gjë e veçantë apo jo? Fabrika “Birra Korça”, shkruante kolegia Gjançi, tashmë është shndërruar edhe në një destinacion të turistëve që mbërrijnë në qytetin juglindor. Ambientet moderne dhe me pajisje të sofistikuara për prodhimin e birrës së zezë dhe bionde, kanë tërhequr një numër të madh vizitorësh, vendas e të huaj.
Më tej, ajo flet për vizitën e një grupi turistësh anglezë. “Ata zbritën në oborrin e fabrikës dhe filluan të shohin plot kërshëri ndërtesën që lartohet mes harqesh, që të kujtojnë kështjellat e hershme. I pari që iu uroi mirëseardhjen në fabrikë, ishte Presidenti i saj, Irfan Hysenbelliu. Ai i përshëndeti dhe i ftoi ta vizitonin fabrikën në të gjitha ambientet e saj. Mandej rezervoi për ta një takim të shkurtër dhe iu afroi plot bujari birrë e meze. Rreth tavolinave të bashkuara në barin e fabrikës, turistët anglezë shprehën mendimet dhe konsideratat e tyre për fabrikën dhe birrën që ajo prodhon.
Dhe më tej, citohen disa prej tyre. Nik Ellwz: “Kjo fabrikë është një perlë. Nuk e prisja që këtu në Shqipëri të shihja një fabrikë të tillë, sa të vjetër në arkitekturë, aq edhe moderne. E kam fotografuar dhjetra herë dhe do t’ua tregoj miqve të mi, atje në Angli...”. Turisti Riçard Borlo, që mban titullin Profesor dhe që ka punuar lektor në Universitetin e Londrës: “Unë kam shëtitur shumë me punë dhe si turist. Kujtoja se një fabrikë birre që kam parë në Danimarkë, ishte shumë e mirë; por “Birra Korça”, që pashë sot, ia kalon edhe asaj, qëndron shumë më lart.”
Më vjen mirë që ky biznes me emër dhe histori të madhe, çuditërisht po aq edhe romantik, qëndron aty si një nga stolitë e rralla të qytetit.
Dhe tani, duke shijuar një birrë Korçe, më duhet të çlodhem dhe të përgatitem për pjesën e dytë të këtyre shënimeve.


(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora