E marte, 15.10.2024, 02:14 PM (GMT+1)

Speciale

Vangjush Saro: Shënime për Korçën (II)

E merkure, 15.07.2009, 07:13 PM


Shënime për Korçën

Nga Vangjush SARO

Pjesa e dytë

Kuptimi mbi vlerat

Këtu ka qenë shtëpia e Mihal Gramenos…Epo, në këtë vizitë të shkurtër në Korçë, ishte e natyrshme të sillja ndërmend disa nga figurat e mëdha të letërsisë dhe artit, që ta kujtojnë dhe s’ta kujtojnë Korçën, ashtu si ajo është; disi e ftohtë, paksa aristokratike, nganjëherë e pakuptueshme.

Po e zbuloj që në fillim thelbin e grintës sime; që nuk ka të bëjë vetëm me Korçën: Ne në Shqipëri nuk dimë ose nuk duam të krijojmë mite; po them më mirë, shembuj. Duket sikur jemi trembur nga ata që në të kaluarën e deformuan (kjo është një fjalë e butë) kuptimin e nderimit për një figurë madhore, që do të duhej të rezatonte vlera dhe të të inspironte. Por një turist ose një udhëtar, që vjen te ne, për pushime a rastësisht, duhet të kuptojë ç’është ky vend. Bie fjala, kur ti je në Kavajë, nuk kupton asgjë nga e kaluara ose nga ajo me të cilën mund të mburret ky qytet. Kështu, po nuk e dite, as nuk e mëson dot se në këtë qytet ka lindur një nga legjendat e teatrit evropian, Aleksandër Moisiu. Tani, sado e largët e pa vend qoftë analogjia, mund ta përfytyroni Salzburgun pa ikonën e vet, Moxartin? Gjer edhe në kutitë e bonboneve gjendet portreti i muzikantit të madh. Pse nuk dimë të bëjmë gjëra të tilla? Pse jemi kaq shpërfillës? Mund të them të njëjtën gjë edhe për qytete e vlera të tjera, të pamenaxhuara. (Një fjalë e përdorur nga e keqja; për të mos i ikur motivit pse shkruhen këto radhë.) Kam qenë disa herë në Shkodër. Është një nga emblemat e këtij vendi. Ka prodhuar në shekuj vlera dhe histori. Kohët e fundit, infrastruktura e qytetit ka njohur përmirësime të ndjeshme. Ajo që dua të nënvizoj, vjen gjithë në të njëjtën linjë. Përpiqu të bësh një lidhje midis Shkodrës e Veriut në përgjithësi dhe Gjergj Fishtës, një nga figurat e mëdha të kulturës shqiptare; sërish, edhe këtu, nuk e gjen kund emrin, portretin, një shenjë që të tregojë më shumë se sa një imazh dyqankash, që edhe ato kishin vlerën e tyre.
Po kthehem në Korçë. Në këtë qytet ka lindur Vangjush Mio. Po ku ta gjej shenjën? Si? Ja, po shëtis, po endem. Nëse nuk e di, nuk e mëson dot. Kështu, disa gjëra të thjeshta, por të vlershme, e kemi të vështirë t’i bëjmë. Nuk kam ndërmend ta analizoj gjerë e gjatë këtë dukuri. (Jam përpjekur njëherë pjesërisht në shkrimin “Një histori me hile”, botuar përpara disa kohësh në gazetën “Shekulli”.) Por mund t’i shkoj idesë deri në fund me fakte të tjera. Në atë bërrylin që quhet Shkëmbi i Kavajës, janë ndeshur Qesari dhe Pompeu. Në Apoloni, ka studjuar Augusti, (një nga emrat më të mëdhenj të lashtësisë). Për këto dhe për shumë veçanësi të tjera, nuk ka shenjë…Të mos flasim për basorelieve apo kushedi ç’tjetër.
  Më vjen keq t’i mbaj në këtë frymë gjithë shënimet e mia. Por tekefundit, më mirë ca kritika konstruktive se sa lëvdata pa fund.  
Jam kthyer në Korçë. Disa vjet resht u fol këtu për rënimin e shtëpisë së Mihal Gramenos, autori i këngëve patriotike "Për mëmëdhenë", "Lamtumirë", "Uratë për liri". Mbase shtëpia jo, por veprat do t’i mbeten këtij  njeriu të madh, të pushkës dhe të penës. Grameno ishte ndër pionierët e dramaturgjisë e të prozës së gjatë shqipe. Shkroi komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906); novelat “Oxhaku” (1904-1905), “Varri i pagëzimit” (1909) dhe “E puthura” (1909). Dramat dhe novelat e tij janë shkruar në një kohë që Shqipëria kishte shumë pak, në mos aspak letërsi. Por kemi kaq shumë vlera dhe trashëgimi, sa që edhe mund t’i shpërdorojmë…(Nuk ndihem mirë që përdor sarkazmën, por ç’mund të them tjetër!)   
Ani. Duke shëtitur rrugicave të Korçës, kujtoj një tjetër figurë të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe asaj korçare. Kristaq Sotiri. Pionier i fotografisë shqiptare. E filloi krijimtarinë në SHBA. Në vitin 1922, u kthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku hapi studion "Sotiri". Gjatë gjithë krijimtarisë së tij, fotografoi dhe portretizoi qytetarinë shqiptare, jetën kulturore dhe protagonistët e saj, kryesisht sipas stilit amerikan të kohës.
Duke përjashtuar ndonjë konkurs me emrin e tij, ndjehet shumë   pak në qytet emri dhe vepra madhore, si e rrallëkujt. Refuzoj të jap shpjegime.

ooo

Më 3 mars 1891, lindi në Korçë Vangjush Mio. Në jetëshkrimin e tij, lexojmë se më 1908 shkoi në Bukuresht, pranë të vëllait, që ishte emigrant në Rumani. Pas shkollimit dhe një sërë aktivitetesh aty, Mio kthehet në Shqipëri për disa muaj. Në shtator të po atij viti, gjendet në Romë, ku regjistrohet në Institutin Mbretëror të Arteve të Bukura; nuk e përfundoi dot për arsye ekonomike. Por kthehet aty sërish më 1924, këtë herë për t’i përfunduar studimet. Merr diplomën dhe licensën si piktor.
Paskëtaj, vendlindja, me peizazhet e mrekullueshme, bëhet burimi kryesor i frymëzimeve dhe artit të tij. "Dimri në Korçë", "Aspekte nga Drenova", "Dishnica", "Boboshtica", "Vithkuqi", (nga edhe vinte familja e tij), "Manat e Drenovës", "Kositësit e barit", "Çobanët e dhenve që kullosin", janë disa nga veprat më të njohura të këtij piktori të madh. Por në krijimtarinë e tij, do të zinin vend të konsiderueshëm edhe mbresat nga Ulqini, Shkodra, Kruja, Tirana, Elbasani, Himara, Berati e Gjirokastra. Në gjininë e portretit, gjithashtu janë të njohura veprat "Autoportreti", "Portreti i gruas", "Portret plaku", "Cigani", "Njeriu me gajde", etj.
Në galerinë e arteve në Tiranë, ndodhen 40 vepra të Mios; po kaq edhe në shtëpinë e tij muze në Korçë.

ooo

Në hijet përpara Pallatit të Kulturës, meditoj për korin e njohur “Lira”. Qendra Kulturore “Vangjush Mio”, me mbështetjen e Bashkisë dhe në bashkëpunim me kompaninë diskografike Eurostar, ka realizuar së fundi dy CD me këngë të zgjedhura nga repertori i këtij kori të famshëm. “Lira”është një vlerë e madhe e kulturës lokale dhe kombëtare. Përmbledhja në CD e repertorit të  korit emblematik, është  një mundësi për të shfaqur vlerat e tij më të mira dhe, njëherësh, një suvenir i bukur nga Korça e serenatave dhe e këngëve qytetare.
Me profilin e këtij kori dhe me vlerat e muzikës shqiptare në tërësi, është i lidhur një tjetër emër i rëndësishëm, ai i Kristo Konos. Nuk ka shenjë, mos prisni asgjë të re…Krimtarinë muzikore ai e filloi qysh në vitet ’20, me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927, shkoi për studime në Itali, ku studjoi për drejtues orkestre. Me t’u kthyer në atdhe, u promovua si kompozitor në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu”, në shtator 1932; fitoi admirimin e publikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me krijimtarinë e tij. Nisi punën me korin e mirënjohur artistik “Lira” dhe mori në dorë bandën e qytetit. I veçantë ka qënë bashkëpunimi i Konos me këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço; nga krijimtaria e Konos, ajo interpretoi me shumë sukses këngët “Kur më vjen burri nga stani”, “Fol e qesh moj sylarushe”, “Fryn veriu në Mal të Thatë”, etj.
Kristo Kono kompozoi në vitin 1954 operetën “Agimi”, e cila i hapi rrugën zhvillimit të operës në vendin tonë. Kryevepra e tij, ishte opera “Lulja e kujtimit”, nëntor 1961. U dha disa herë edhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

ooo

Në fund të viteve ‘50, krahas shumë të rinjve të tjerë, do të shkonin për studime jashtë vendit disa nga yjet e ardhshëm të kinemasë dhe të letërsisë shqiptare. Dritëro Agolli në Leningrad, Piro Milkani në Çeki, Viktor Gjika dhe Vangjush Ziko në Moskë. Më pas, bashkë me ta, do të sillnin kontribute të veçanta në kulturën e vendit prozatori i njohur Sotir Andoni, poeti Dhori Qirjazi, etj.
Po ndalem diçka më gjatë në disa nga këta emra.

Dritëro AGOLLI

Drejtues të shoqatës “Devolli” më kanë thënë se po përpiqen të ngrejnë shtëpinë muze të Dritëro Agollit në Menkulas. Ja tek erdha në po atë temë. Ecë e gjej kund në Korçë ndonjë shenjë të  “mbretit” të realizmit socialist; dhe jo vetëm.
Le t’i hapim letrat. Disa emra të spikatur të letërsisë dhe kulturës shqiptare, midis të cilëve Ismail Kadare e Dritëro Agolli, janë mjaft të afërt - madje gati simbolikë - në lidhje me debatin për “dy kohët”, që ende s’po mbyllet tek ne. Dritëro Agolli mbart një pjesë të madhe të peshës së këtij debati. Nga Plenumet e sforcuara të Lidhjes së Shkrimtarëve, deri tek Kongresi i Partisë së tij (viti 1991) kur atë e fërshëllyen, pse po iu kërkonte “kongresistëve” të kuptonin...realitetin e ri.
E kam takuar disa herë Dritëroin dhe kam folur gjatë me të. Nuk e kam patur mik, sikundër e kanë zakon të thonë shumë njerëz, sapo që bie fjala për ndonjë person të rëndësishëm. Ia njoh mirë krijimtarinë dhe, kur më është dhënë rasti, kam shprehur konsideratat e mia. Kështu ndodhi, bie fjala, kur shkrimtari Kasëm Trebeshina dha për disa numra resht një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Duke tentuar të vështroj ftohtë si krijimtarinë e shkrimtarëve më të spikatur të “soc-realizmit”, ashtu edhe kritikat e forta të Trebeshinës, midis të tjerave shkruajta se ne mund t’i themi Dritëro Agollit pse ka shkruar tek “Nënë Shqipëri” diçka si “…hapni kanale në Pukë, ndryshe s’ka bukë!” Por në të njëjtën kohë, duhet t’i jemi mirënjohës, sepse në vite të vështira, krijoi një sërë lirikash të vërteta, krijoi “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Fytyra e dytë”, “Apasionata” dhe sidomos “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Thelbi i këtij diskutimi është thjesht të përmbajturit (nga të gjithë ne) e frymëzimeve subjektiviste. Më mirë: Kontrolli mbi to. Koha do të ngrihet mbi të gjitha sforcimet e panjerëzishme dhe pasaktësitë tona.

ooo

Patjetër që e kam parë gjithnjë si një shkrimtar dhe publicist të madh, një nga kometat që rrallëherë përshkojnë hapësirat letrare dhe artistike të një vendi. Por mund ta përshkruaj edhe si një njeri i mirë, i arsyeshëm. Më kujtohen vizitat e tij në Gramsh, kur ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. (Kam punuar për gati 12 vjet, në fillim në Tomorricë dhe pastaj në gjimnazin e këtij qytetthi.) Në një nga vizitat e tij, Dritëroi ndërhyri për të hequr nga “orizoret” mikun tonë të përbashkët, muzikantin Alaidin Topçiu; edhe ai devolli. Alaidini kishte “kleçka” në biografi. Dhe e kishin degdisur në fshatin e largët Sotirë, me gjithë gruan dhe djalin, fëmijë ende. Topçiu ishte një drejtues kori shumë i mirë dhe sidomos i prirur për të ndërtuar orkestrina me vegla popullore; por drejtuesit politikë të rrethit nuk e donin. (Ai kishte punuar më parë në Gramsh dhe ishte një prej protagonistëve kur Asambli Artistik i këtij qyteti, i përbërë kryesisht nga mësues dhe gjimnaziste të shkollës së mesme, fitoi flamurin në një takim kombëtar në Durrës. Ngjarjet e vitit 1974-75, kur u goditën disa “grupe armiqësore”, në ushtri dhe në fushën e kulturës, kishin sjellë dallgë edhe në këtë qytet të vogël. U goditën ish-Sekretari i Parë i rrethit, Mihal Dodbiba dhe sekretari tjetër Koço Asllani, më tej edhe shumë individë të tjerë, midis të cilëve disa nga miqtë e mi korçarë, si intelektuali Anesti Misha, atëherë Shef i Arsimit, poeti Klito Fundo, nga familja e famshme e Fundove, që përfundoi në fshatin Shëmbërdhenj, etj. Kështu, edhe muzikanti Alaidin Topçiu u degdis diku në këmbët e Tomorrit.)
Atëherë qëndruam për një kohë të gjatë me Dritëroin; doemos gjetëm rastin edhe ta kthenim ndonjë gotë. Ai nuk pati droje “të këpuste” disa nga ato të vetat. Si fillim, zuri të ngacmonte një shokun dhe mikun tonë, historianin Meçan Hoxha, në atë kohë drejtor i Pallatit të Kulturës. (Z. Hoxha, një nga miqtë e mi më të mirë, është historian dhe ka botuar disa libra me vlerë; sot jeton në Durrës.) Dritëroi filloi të debatonte, me sa më kujtohet, në lidhje me interpretimin e disa citateve të Engelsit. Dhe papritur e pyeti atë në se kishte kryer të famshmen Shkolla e Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, (një institucion që përgatiste kuadrot e komunizmit). Kur mori vesh se ai vërtet kishte bërë Shkollën e Partisë, Dritëroi filloi të bëhej edhe më i çuditshëm. Midis të tjerave, ai tregoi për një mikun e tij skulptor. Edhe ky ka bërë shkollën e Partisë, tha Dritëroi. Mirëpo ndërsa më parë flisnim e diskutonim mbarë e prapë, tani që bëri shkollën e Partisë, sa herë që nisim ndonjë debat, thotë: “Lere lere, janë të thella dhe të ngatërruara këto gjëra.” Është budallallosur fare i shkreti, përfundoi Dritëroi, i vështruar me habi nga shumë prej pjesëmarrësve.
Më duket, po në këtë mbrëmje, ra muhabeti edhe për një personazh të njohur, xha Mekja, një fshatar nga Pogradeci, që mbase kishte shërbyer si prototip për ndonjë nga krijimet e Agollit. Dhe ky tregoi se si plaku ishte i pakënaqur…“Na ka gjetur belaja me ca gomerë të kuq.”, kishte thënë xha Mekja.
Dhe Dritëroi vazhdonte shpjegimet, edhe pse vështrimet përqark ishin disi të turbullta.

ooo

Dikur iu lutëm të interesohej që të më jepnin një copë shtëpi. Më duket, këtë bisedë e hapi kolegu dhe miku im Ylli Bajraktari. Devolli. Shumë i kulturuar. Ka një biliotekë që ia kam zili. Fillimisht, u duk sikur unë u ankova që nuk shkruaja dot, sepse nuk kisha shtëpi. E vërteta është që së bashku me gruan dhe vajzën e parë - atëherë foshnjë - jetova rreth një vit në një dhomë hoteli. Më pas, disa vite të tjera i kalova në një hyrje me një familje tjetër, me korridor dhe banjë të përbashkët(!) Vonë, kur të shikoja filmin franko-rus “Lindje-Perëndim”, do të më kujtohej ajo kohë e sakrificave të kota dhe e mundimeve gjithaq.
Paçka. Mund të kujtoj, se si jo krejt padashur fillova të “vizatoja” kthinën ku jetoja; dhe thashë se kjo e pengonte krijimtarinë time. (Atëherë sapo kisha botuar vëllimet me tregime satirike “Dy orë dramaturg” e “Në kërkim të studentit Mete” dhe disa nga librat e parë për fëmijë.) Dritëroi ma “menderosi” menjëherë muhabetin, duke thënë se shkrimtari s’do t’ia dijë për kushte a për shtëpi. Atje në bodrum rri shkrimtari, tha ai. Tolstoi, vazhdoi gjithë eufori, shkruante ashtu dhe kështu...U desh ndërhyrja e Sadies që edhe Dritëroi të zbriste në tokë. (Ai shoqërohej pikërisht nga e nderuara Sadije Agolli dhe kritiku Dalan Shapllo.) Lëri këto, i tha Sadija, tjetri është pa shtëpi, si mos më keq, vuan; thuaju ta ndihmojnë. (Në fakt, aty Tolstoi nuk hynte fare, se të gjithë e dimë ç’saraje ka patur, paçka se roiti në pleqëri dhe mori të ikte nga sytë këmbët…Fundja, ç’lidhje kishte shkrimtari me qytetarin pa shtëpi? Edhe unë kot u ngatërrova.)
Logjika e thjeshtë e koleges Sadije Agolli - atëherë më duket punonte tek “Skena dhe ekrani” - e shmangu debatin. Në fakt, unë e kam dashur gjithnjë Dritëroin. Por nga ana tjetër, për mua, ashtu si të gjithë krijuesit e mëdhenj, edhe ai vuante manish dhe i pëlqente vetja pa masë. (Kërkoj ndjesë në se kjo përshtypje nuk është e verifikuar siç duhet.) Në po këtë mbrëmje, ai m’u ankua se Korça nuk i kishte nxjerrë bursën (pas shkollës shtatëvjeçare) dhe atij i ishte dashur të hidhej gjer në Gjirokastër, për të bërë shkollën e mesme(!) Midis ndjenjës së humorit - për atë se si mund të ishin sjellë me Dritëroin e vogël ata “aristokratët” e Korçës - dhe paralelizmave për fatin po kaq të trazuar të një sërë shkrimtarëve të tjerë, duke përfshirë Sotir Andonin, Dhori Qirjazin, etj., m’u desh të zgjidhja të parën. Tani rakia na kishte “arritur” paksa.
Po ajo puna e shtëpisë muze në Menkulas, është tjetër gjë. Dhe ka të bëjë gjithnjë me shenjën, që unë së koti e kërkoj...

ooo

Gjithsesi, të nesërmen, Dritëro Agolli shkoi në Komitetin e PPSH-së të rrethit. Kam qenë i pranishëm në takimin që pati me kreun e atij komiteti, duke i folur mirë për krijimtarinë tonë, (që sekretari nuk e kuptonte fare) për të hyrë më pas në detaje më “delikate”. Dritëroi përmendi muzikantin A. Topçiu, aftësitë e tij. Sugjeroi ta hiqnin nga fshati. Pastaj Dritëroi i kërkoi Sekretarit të Parë të kujdesej edhe për strehimin tim. Nuk mbaj mend çfarë tha fjalë për fjalë, por foli me shumë dashuri për mua; këtë nuk kam për t’ia harruar gjithë jetën. Sekretari i Parë dëgjonte, por nuk fliste fare; ndonjëherë më të rrallë vetëm tundte kokën. Nuk dua të përmend emrin e tij, por s’mund të rri pa thënë se ishte një njeri që nuk e nxirrte qimen nga qulli. Babai im, ndjesë pastë, sheqerxhi, njeri me mjaft humor dhe që i rrëfente bukur përrallat dhe anekdotat - për çka i jam shumë mirënjohës - përdorte nganjëherë fjalën dudum. Ja kjo më erdhi ndër mend për Sekretarin e Parë, atje në zyrën e ftohtë, kur Dritëroi mundohej të gjente shtëpi për mua dhe transferim për të degdisurin Alaidin Topçiu.
Kur dolëm, Dritëroi tha nëpër dhëmbë diçka si: “Mjerë ne!” Pas këtij takimi, nuk u bë gjë, as për transferimin e muzikantit Aledin Topçiu dhe as për strehimin e atij shkrimtarit që tani po shkruan këto radhë. Nuk do ta harroj kurrë se si më pa Dritëro Agolli, kur po hipte në atë “Fiat”-in polak të Lidhjes, për t’u kthyer në Tiranë. Është pak të thuash se ai ishte i dëshpëruar.
Po vë pikën mbi i. Nuk kam takuar asnjëherë (edhe më pas) një njeri të madh aq të sinqertë...

Sotir ANDONI

Në portalet e disa shoqatave të intelektualëve shqiptarë, të krijuara veçmas në dhera të tjera, mund të lexoje përpara disa vitesh se kishim humbur një nga emrat e mëdhenj të letërsisë shqiptare, Sotir Andonin. “Ka mbyllur jetën tokësore shkrimtari shqiptar Sotir Andoni - thuhej ndër të tjera në një nga këto portale. - I larguar nga Shqipëria pak vite më parë, ai ishte vendosur në Worchester të Bostonit, ku edhe ka mbyllur sytë në moshën 78 vjeçare. Për shkrimtarët shqiptarë, që kanë shprehur ngushëllimet, ai do të mbahet mend si një prozator i spikatur dhe prodhimtar.”
Kam shkruar edhe njëherë tjetër për shpërfilljen ndaj disa shkrimtarëve të mëdhenj, si Jakov Xoxa e Sotir Andoni. Kohët e fundit, po vërejmë se ka pak a shumë një qëndrim të tillë edhe ndaj një legjende si Petro Marko. Gjithkush nga ne që merret me letra, e di që vlerat janë një gjë tepër e koklavitur dhe do të duhen të krijohen një sërë kushtesh për t’u lançuar: që nga rropatja estetike, deri tek shitjet dhe, pse jo, edhe marifetet e ndryshme promovuese. Por nëse ka disa shkrimtarë shqiptarë, të cilëve gjatë gjithë jetës, madje edhe përtej saj, iu “është ngrënë haku” (po e them disi trashë), një nga këta është Sotir Andoni.
Ishte një prozator që më mirë se kushdo shërbeu temat e veçanta, pa shumë qasje ideologjike. Ishte një stilist që pasurinë leksikore popullore e ngriti në lartësinë e profesionizmit dhe e përdori si një instrument magjik. Ishte një model i madh i “marrjes shtruar të gjërave”, që i qëndroi besnik Mitrush Kutelit, por duke u riformatuar si një tregimtar origjinal.

ooo

Sotir Andoni ka lindur në Ziçisht, në familjen e një tregtari të mesëm dhe patriot. Shkrimtari i ardhshëm u shkollua në vendlindje. Shkollën teknike e nderpreu, sepse u bashkua me rezistencën antifashiste. Pas vitit 1944, për pak kohë ishte drejtor i shtëpisë së Kulturës në Korçë dhe kryeredaktor i gazetës lokale "Përpara". Duke reaguar herët ndaj mungesës së lirisë, u vu në pozita opozitare me pushtetin komunist. Në vitin 1945, u dënua me akuzën "veprimtari armiqësore dhe tentativë arratisje". Bën burg. Që nga ky moment, jeta e tij shkoi si një kalvar i vërtetë midis harresës dhe ngritjes së përkohshme, përndjekjes dhe luftës me të pamundurën për t’u afirmuar si shkrimtar. I hoqën të drejtën e krijimtarisë, e lanë pa punë, “e dëbuan” nga antologjitë gjithfarësoj. Por ai megjithatë shkëlqeu me tregimet dhe novelat e rralla, plot jetë e të vërteta. Si vitet e tij.
Mbaj mend, ishte gjithnjë i qetë dhe miqësor. Kur isha në gjimnaz dhe sapo kisha filluar të shkruaja, i paharruari Sotir Andoni më bëri një listë me vepra dhe shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë e të huaj, të cilët zura t’i lexoja gjithë etje, a thua sapo kishte filluar për mua shkolla e madhe e artit dhe e letërsisë. Kujtoj se Sotir Andoni ka lexuar me shumë durim disa nga skicat e mia të para (dhe jo vetëm); dhe më ka këshilluar si të shkruaja.
Pas ndryshimeve politike në vend, nga viti 1992 deri në vitin 1996, Soti Andoni u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Korçës. Por mbeti njeri i letrave, besnik i prozës së tij me aq kolorit dhe krejt të veçantë.
Nga libri i parë i tij, "Maleve në Shëndre", tek novela "I handakosuri", Andoni shquhet për realizëm dhe dramacitet. "Kohë e largët" është një film që ekranizoi një nga veprat e tij më të njohura, tregimin “David Selenicasi”. (Filmi është i regjisorit Spartak Pecani dhe u prodhua në vitin 1983.)
Ajo që doja të shtoj në këtë profil, të cilit sërish do t’i kthehem në rastin më të parë, është po në këtë linjë pakënaqësie dhe shfryrjeje. Gjatë vizitës në Korçë, nuk pashë kund gjurmë të këtij shkrimtari të madh. E pra, i jemi borxhli SotirAndonit, njërit prej më të shquarve njerëz të penës - në vitet ‘60 e ‘70 dhe më tej - në Shqipëri.

Vangjush ZIKO e Dhori QIRJAZI

Ata që na ndjekin, e kuptojnë menjëherë pse mund të tingëllojë e natyrshme të jenë në të njëjtin kapitull dy emra nga më të nderuarit e poezisë shqiptare. Kjo për shkak të afërisë në tematikë dhe, sidomos, për sensin e tyre njerëzor. Për poetin, dramaturgun dhe përkthyesin Vangjush Ziko kam shkruar edhe më parë. Kjo ndodhi kur krejt rastësisht lexova një cikël poetik të tij. Edhe atëherë, pata rastin të them se nga pikëpamja tematike, Vangjush Ziko tentoi gjatë gjithë kohës një poezi të vërtetë, të ndjenjave dhe të përjetimeve njerëzore; një poezi “të pastër”, pa anësira ideologjike. Në sensin estetik dhe sa i takon llojit letrar, poezia e tij është në vazhdën e traditës më të mirë poetike shqiptare, nga De Rada e Fishta tek Poradeci e Migjeni. Ndër poetët e viteve ‘60, krahas Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Dhori Qirjazit, Agim Shehut, etj., Vangjush Ziko shkëlqeu për thjeshtësinë dhe lirizmin e tij të papërsëritshëm. Edhe kur heshtte, edhe kur nuk shkruante, ai njeri dinte ta bënte këtë me shumë fisnikëri, për të mos e “lodhur” muzën e tij ndër patetizma të kota. Është padyshim një zë i veçantë në lirikën shqiptare.
Në të njëjtin shkrim, përpiqesha ta shikoja Zikon edhe në një plan tjetër; në atë të mecenatit të shumë shkrimtarëve dhe poetëve korçarë. Tek emri i tij, tek figura e tij - më pëlqen ta përsëris - rishoh një nga fenomenet më interesante të asaj kohe të trazuar; një nga gjërat më të mira që mund t’i blatoheshin apo të ndodhnin në atë qytet. Një shpirt i lirë, një poet që nuk bënte poza, një mësues i papërsëritshëm, më në fund - edhe pse shumë nga ne ishim pothuaj fëmijë a të rinj - një mik i madh. Të gjitha “leksionet” e tij, Vangjush Ziko i transmetonte në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Duke patur parasysh pikërisht këtë ndijesi, e përmbyllja shënimin tim modest - për figurën dhe poezitë e Vangjush Zikos - me një thënie të Faik Konicës për Shtjefën Gjeçovin: “Një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta”.
Pas botimit të shënimeve të mia, Vangjush Ziko më dërgoi një letër. Sërish me shumë modesti, ai shprehte mirënjohjen e tij për vlerësimet e mia; pa harruar të nëvizonte se ndjehej mirë që “paska lënë gjurmë që nuk qenkan fshirë plotësisht”. Ishte një nder për mua, që poeti dhe përkthyesi i njohur kishte gjetur kohën të më shkruante. I kujdesshëm dhe korrekt, si gjithnjë.    

ooo

Tani më duhet të bëj një parantezë. Është e domosdoshme përpara se t’i qasem një figure gjithashtu të veçantë, Dhori Qirjazit. Në rrethe letrare, dje dhe sot, shumë krijues përpiqen të kuptojnë pse “u kufizua” disi në sasi, mbase edhe në arritje, krijimtaria e Dhori Qiriazit dhe Vangjush Zikos, nga më të talentuarit e viteve ‘60. Janë fenomene që duhet t’i cekë kritika letrare dhe monografët. (Po ku janë se?) Për një pjesë të mirë të atyre që merren me letërsi, ku bën pjesë edhe autori i këtyre radhëve, dy ishin shkaqet kryesore. Së pari, “izolimi” i tyre, përkatësisht në Ersekë dhe në Korçë. Së dyti, përpjekja për t’i shpëtuar sadopak “rrjetave” të ideologjisë së kohës, mospërfshirja në kërkimet soc-realiste. Në këtë sens, ata të kujtojnë nga pak Lasgush Poradecin, që s’e bëri njëherë shkrap penën për dhjetra vjet jetë në socializëm; (përjashto një poemth për Reshit Çollakun).
Krahasuar me Qiriazin, Ziko ishte disi më i patrazuar dhe, le të themi, më me fat. Gjithsesi, Korça bënte njëlloj jete kulturore. Aty jetonin dhe shkruanin gjithashtu Sotir Andoni, Petraq Zoto, më pas Teodor Laço. Teatri profesionist i Korçës kishte patur fatin të drejtohej nga Piro Mani dhe pastaj Mihal Luarasi. Edhe nën udhëheqjen artistike të Dhimitraq Trebickës, gjithashtu realizoi një numër rekord shfaqjesh. Ishte ky teatër që theu akullin e mediokritetit komunist me dramën e Minush Jeros “Njollat e murme”. Ishte fushëbeteja e aktorëve brilantë Pandi Raidhi, Thimi Filipi, Jani Riza, Dhorkë Orgocka, Vangjush Furxhi (që më pas punoi në Tiranë), Llazi Serbo, Sotiraq Bratko, etj. Në Korçë punoi dhe punon gjatë gjithë kohës kompozitori dhe orkestruesi i njohur Josif Minga; më pas, do të vinte edhe kritiku dhe historiani i muzikës Pandi Bello. Korça nuk ishte shkretëtirë, paçka se i pëlqente nga pak “guacka e vet”.
Mbase u zgjata, por me këtë aspak nuk dua të them që Erseka ishte shkretëtirë. Gjithsesi, vend i vogël për një poet të madh si Dhori Qiriazi. Ishte e natyrshme që rrethet e militantëve ta kishin zili poetin dhe pedagogun e dhjetra brezave: për erudicionin e tij; për miqësinë që kishte me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë, por edhe krijues të njohur të Korçës; për talentin e tij poetik; më më fund, edhe pse ai nuk “e jepte penën vend e pa vend”. Dhori Qiriazi shkroi lirika nga më të ndjerat e letërsisë së kësaj kohe. Kam parasysh librat e tij “Balada intime”, “Pishat me kristale” “Vitet”; shkroi madje edhe fabula. Peizazhi është një nga zhanret më të pëlqyer të Qiriazit në poezi, nëse e vështrojmë këtë të fundit si sfidën e tij më të preferuar.
Dhori Qiriazi kishte lindur në vitin 1933, në Lëngëzë të Kolonjës. Mbaroi studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1958, për gjuhë-letërsi dhe histori. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës dhe së fundi në gjimnazin e qytetit të Ersekës. Dhori Qiriazi mban titullin "Mësues i Popullit". Nga viti 2003, është anëtar i përjetshëm i Klubit "Bërns" (Irvine Burns Club) në qytetin Irvine në Skoci.
Në portalin e njohur “Shtëpia e Librit”, duke prezantuar një nga librat e tij të fundit, “Baladat intime”, autorët e kolonës për librat shkruajnë: “Në kërkimet e veta krijuese, Dhori Qiriazi nuk disponon vrapin e galopit befasues në të pushtuarit dhe në të përvetësuarit e shtresave dhe hapësirave të reja shprehëse. Megjithatë, ai arrin të jetë gjithnjë i sinqertë në kërkimet e veta.”
Ndërkohë, Dhori Qiriazi ka përkthyer vepra të një sërë autorëve të njohur, si Xhorxh Bajron, Xh. Rumiu, Xh. Kits, S. Kuazimodo, R. Bërns, etj. Ai është marrë gjithashtu me kërkime dhe botime për folklorin e Kolonjës dhe Leskovikut, etj.
Vangjush Ziko dhe Dhori Qiriazi i dhanë krejt shpirtin e tyre poezisë lirike shqiptare - në vitet më të vështira të saj. Koha që shkon, e shëndosh edhe më këtë tezë. Sot, Skënder Rusi është një nga poetët e njohur, që në njëfarë mënyre udhëton në gjurmët e tyre. Përtej çdolloj subjektivizmi, për shkak të miqësisë së sinqertë me të, për mua Rusi përfaqëson cilësitë më të mira të një brezi, që e pati dhe e ka ende mundësinë për të shkëlqyer edhe më tej…

Teodor LAÇO

Janë të rralla rastet kur shkrimtarët lëvrojnë disa fusha të letrave dhe me sukses të plotë. Laço hyri në letërsinë shqiptare përmes prozës së shkurtër. Tregimet e tij të para lajmëruan kritikën shqiptare dhe lexuesit se po vinte një talent i madh. (“Tokë e ashpër”)
Teodor Laço lindi më 29 shtator të vitit 1936 në fshatin Dardhë të Korçës. Ai studioi për agronomi, por iu dha herët letërsisë. Ka filluar të botojë që në fillim të viteve ‘60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij, janë vlerësuar me çmime; pjesë të rëndësishme të veprës së tij, janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja, (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht, turqisht, bullgarisht, greqisht.)
Në fillim të viteve ‘90, Teodor Laço u angazhua edhe në jetën politike të vendit. Për dymbëdhjetë vjet, ishte deputet në parlamentin shqiptar; Ministër i Kulturës në vitet ‘94 - ‘97; po ashtu, ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Federatën Ruse.

ooo

Rreth 50 vepra në prozën e gjatë, përmbledhje me tregime e novela, drama, komedi, publicistikë, skenarë filmash. Një begati, që do ta kishte zili çdo shkrimtar i madh.
Disa prej librave të tij, si “Ajri i ftohtë i mesnatës”, “Portat e dashurisë”, “Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, dhe më vonë cikli i tregimeve “Kthimi i amerikanëve”, etj., i bënë vend në vlerat më të spikatura të prozës shqiptare. Duke patur parasysh disa nga veprat më popullore të autorit, si “Përballimi”, “Shi në plazh”, etj., të vjen habi se si ato vijnë përherë e më të vlerësuara nga lexuesi dhe publiku i gjerë në veçanti, (sidomos ekranizimet dhe pjesët teatrore). Mjaft prej personazheve dhe batudave të këtyre veprave, ashtu si vera e vjetër, më të mirë e më interesantë bëhen. Kam parasysh Çomen e famshëm te “Shi në plazh”, por edhe Nazifin e romanit “Përballimi”, Llano Bletën te “Dhe vjen një ditë”, etj. Romani “Vit i hidhur” është një nga veprat kryesore të autorit. Pavarësisht se është botuar më vonë, “themelet” e kësaj vepre kanë qenë shtruar dikur në skenarin e filmit “Dhe vjen një ditë” - të regjisorit Vladimir Prifti - një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare. Kemi parasysh sidomos mesazhet e fuqishme, që iu kujtojnë të gjithëve se ç’drama mund të sjellë për njeriun dhe rrethin e tij tjetërsimi i vetvetes. I një natyre krejt tjetër, por po aq njerëzor edhe romani “Lëndina e lotëve” (1978) dhe realizimi filmik i tij, “Vitet e pritjes” nga regjisori Esat Musliu (1989).
Për vëllimin me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës” dhe për novelën “Ditë dhe net që mund të vijnë”, Laço u fshikullua nga kritika dhe administrata zyrtare e kohës. Iu ndaluan librat në fjalë dhe u dërgua në Fier, ku gjithsesi ishte një mjedis artistik i plazmuar tashmë. Aty punonte shkrimtari dhe regjisori Pëllumb Kulla, si dhe një trupë teatrore mjaft kërkuese, ndërkohë që teatri i estradës përfaqësonte një kuotë në ngjitje të humorit shqiptar.
Kohët e fundit, autori iu afrua lexuesit me “Vrasja e buzëqeshjes” dhe “Një dritare në Kremlin”. Pas kësaj, shumë shpejt Teodor Laço deklaroi për kolegët e gazetës “Shqip” se do të sjellë për publikun një roman të ri. Lufta italo-greke do të jetë kësaj here në qendër të romanit të ri, të cilin ka vendosur ta titullojë “Mjegull”.
Gjatë gjithë kohës, nga Korça në Tiranë, nga Tirana në Fier, nga Fieri në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”, Teodor Laço ka qenë një nga personalitetet që më shumë se kushdo tjetër ka inkurajuar dhe ndihmuar shkrimtarët më të rinj. Autori i këtyre radhëve, në disa episode, e ka ndier nga afër kujdesin dhe dashamirësinë e fisnikut Teodor Laço. Ishte e natyrshme ndërkaq, të dy djemtë e autorit të njohur, janë gjithashtu protagonistë në jetën e sotme artistike.

ooo

Asnjëherë s’mund të jesh plotësisht i kënaqur me veten dhe me atë që ke realizuar. Sado modeste qoftë. Në fund të këtyre radhëve, do të duhej së paku një homazh për shkrimtarët dhe artistët, që nuk munda t’i përfshij në këtë shkrim të gjatë; duke filluar nga Foqion Postoli. Por edhe të tjerë, ende në aktivitet dhe me emër.
Më në fund, kjo nuk do të thotë aspak se këto shënime janë mbyllur këtu dhe me kaq. Ishin mbresat e një udhëtimi të shkurtër në vendlindje. Me ç’rast u shpreha edhe për do tema që, mendoj, i interesojnë publikut të gjerë. Kështu.

Korçë-Tiranë
Maj-Korrik 2009


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora