E diele, 28.04.2024, 08:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Ziko: Një ninullë kanadeze

E enjte, 18.06.2009, 06:34 PM


Tregim

Vangjush Ziko

NJË NINULLË KANADEZE
                              
Stacionin e autobuzit e lashë pas.Erdhi autobuzi, por unë nuk hipa. Edhe ju,besoj,do ta kini provuar kur kini pasur ndonjë mbresë të re e të panjohur për ju dhe kini parapëlqyer më mirë të ecni me këmbë të kredhur në mendimet tuaja,sikur kjo ecje e vetmuar do t'i lehtësonte ato apo do të ndihmonte për t'i kthjelluar.Jam i porsa erdhur në këtë vend dhe shumë gjëra që shumëve
 mund t'ju duken të zakonshme,për mua, janë të reja dhe befasuese.
Po shkoja,si shpesh herë ditëve të diela për në Burger King për t'u takuar me miqtë e mi bashkatdhetarë dhe bashkëmoshatarë, për të pirë një kafe me qumësht dhe për të shtyrë ditën,që në emigrim edhe mezi lëviz edhe ik si pa e kuptuar.
Duke pritur dritën e bardhë të semaforit të kalimtarëve, për të kapërcyer rrugën,pashë që po vinte drejt meje një grua e moshuar e veshur me fustan të gjatë ngjyrë gri të çelur me lulka.Në kokë kishte një kapellë bojë hiri të puthitur mbi flokët e saj të thinjura.Nuk më tërhoqi vëmendjen gruaja se sa fëmija rreth dy-trevjetshe që mbante ajo në krahë.Gruaja e thinjur sapo kishte dalë nga makina që pati lënë në parking.Ajo u drejtua drejt kishës,që ndodhej përbri.Në sfondin e derës së bardhë të kishës më ra akoma më shumë në sy fytyra jo e bardhë dhe leshkat e zezka dredha-dredha të mbledhura bufkë në të dy anët e kokës së vajzës së vogël të veshur me një fustankë ngjyrë rozë.Mendova për një çast se ajo grua e bardhë do të ishte ndonjë bebisiter e ndonjë çifti me ngjyrë.Por nuk m'u duk e besueshme.Kurioziteti më bëri ta ndjek nga pas.
Hapa derën.Hyra brenda në koridorin e vogël të kishës.Gruaja flokëthinjur,pasi kishte ndezur qirinë për të gjallët,u drejtua për në pangari tjetër dhe ndezi një qiri në kujtim të shpirtit të njerëzve të afërt të vdekur.Duke mbajtur çupkën në krah,bëri kryqin dhe tha me mend ndjesën për ata që kanë shkuar pranë Zotit,pastaj gjeti një vend bosh në fronat e sallës dhe u ul.Edhe unë zura një vend diku aty afër për ta vëzhguar me kërshëri.Prifti po lexonte pjesë të ungjillit.Me sa e kuptova,ai po meshonte në gjuhën rumune.Pra,ishte një kishë rumune dhe gruaja një emigrante nga ai vend i Ballkanit.
Po i vëzhgoja me kujdes të gjitha veprimet e përgjëruara dhe përkujdesjet e asaj gruaje ndaj fëmijës.Mori jastëçkën e fronit,ku ishte ulur,e vuri në dyheme,u ul më gjunjë duke e shtërnguar pranë vetes vajzën e vogël duke i folur diçka.Dëgjova që po i fliste në gjuhën e vet dhe jo në gjuhën kanadeze.Tashmë isha i bindur që ato të dyja ishin gjyshe dhe mbesë.Një gjë nuk e përcaktoja dot me saktësi.E kishte mbeskë nga çupa apo nga djali.Një gjë është e njohur,gjithashtu,se dy-tre fëmijët e parë nga një martesë e përzjerë lindin me ngjyrë,mulatë.
E kredhur në hamendjet e mia,nuk e mora vesh kur i erdhi fundi meshimit.Filloi ceremonia e kungimit.Gjyshja u çua.Vuri në vend jastëçkën.Mori në krahë mbeskën.I rregulloi fustankën ngjyrë rozë dhe dy bufkat me kaçurela të dredhura dhe shkoi drejt kupës së artë të kungimit.Prifti,duke i buzëqeshur lehtë me dashamirësi,kungoi në fillim çupkën.Pra, ajo ishte e pagëzuar.I lëmoi flokët e zez sterrë.Pastaj kungoi gjyshen.Gjyshja e qetë dhe serioze,me atë hijen solemne të ceremonisë së shenjtë dhe me mbeskën në krah,hapi derën e makinës,e uli atë në fronin e saj dhe e lidhi me rripat e sigurisë.U ul edhe vetë në timoni.Dhe makina u nis.
Unë nuk vajta t'i takoja miqtë e mi si çdo të diel.Ata,patjetër,ishin larguar.Por,edhe po të ishin,nuk kisha qef t'i takoja.Desha të ecja buzë lëndinave,nëpër trotuar dhe rrokullisja në kokë mendimet e mia.Mendime që nuk i kisha blojtur tjetër herë.Nuk jam aspak racist.I respektoj të gjitha racat njerëzore.Jam besimtar.Ungjilli shkruan se të gjithë njerëzit e të gjitha ngjyrave dhe kombeve janë njëlloj të barabartë.Më ndje,o Zot!Jam vdekëtar dhe kam plot dobësi dhe mëdyshje.Flasim dhe mburrim njerëzit që japin jetën për një ideal të shenjtë.U ngremë monumente dhe i quajmë heronj apo shenjtorë.Lëvdojmë udhëheqësit e shteteve të ndryshme që u shtërngojnë duart kolegëve të kontinenteve me ngjyrë.Na mallëngjejnë shenjtore si Nënë Tereza që nuk bëjnë dallim se çfarë ngjyre ka fatkeqësia apo dhimbja njerëzore.Përse lumturia familjare,në çdo kontinent,nuk e ka aq të lehtë që të pranojë bashkëjetesën e ngjyrave të ndryshme?!Pse ka akoma njerëz që ngurojnë?!Jo vetëm të moshës sime.Pse?!...
Me këto mendime më zuri mbrëmja.Dëbora anës rrugës dhe mbi çatitë e shtëpive filloi ta humbasë qetësisht dhe në heshtje bardhësinë.Ne mengjes do te zbardhe perseri qetesisht.Sa tolerante që është natyra vetë!A s'jemi dhe ne pjesë e kësaj natyre!
Që nga larg më vjen në veshë jehona e zërit të asaj nëne zemërmadhe  që po ve në gjumë mbeskën e vet.Ajo këndon per nje engjellth te vogelth me ngjyre, për një kuvertëz të thurur me thinjët e saj,të larë me lotët e saj,të tharë me zjarrin e dashurisë së saj të trazuar dhe të lumturuar.Ajo shikon me sytë e mendjes se si mbi krevatkën e foshnjës shpallet një ylber i zjarrtë,si kometa e Bethleemit,që lajmëroi një besëlidhje të re...
Është një ninullë e re.Ninulla e gjakut të përzjerë njerëzor.Ndoshta,ninulla më e re e folklorit të globit tonë.Po e këndon një nënë ballkanase në tokën e Kanadasë,në vendin e bashkëjetesës së të gjitha racave njerëzore.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora