E shtune, 27.04.2024, 05:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Këze (Kozeta) Zylo: Diloiada, Lotët e pa terur të dhimbjeve

E marte, 16.06.2009, 07:19 PM


Diloiada, Lotët e pa terur të dhimbjeve

Nga Këze (Kozeta) Zylo

…Mbledhur lotët e përgjakur,
Nga cdo rrënjë del një bisk,
Ngjizur bisqet e përflakur,
…Te Konizma-Obelisk.

Vargjet e kësaj strofe të shkëputur nga poema – baladë, Diloiada, japin dhjetëra shpirtëra që akoma nuk prehen të qetë, ngase xhelatët e kulturës dhe të fjalës hyjnore, nuk kanë arritur të ndërgjegjësohen, të kërkojnë më minimalen, faljen, por që është gjithçka, nëse del së brendshmi, nga loçka e zemrës.

            Në këto vargje përjeton idhtësinë e realitetit, brenda metaforës së lotit të përgjakur, ankthin se çdo të vijë më tej pas kësaj strofe nga më mbresëlënëset, por që përballë të dalin hijet e zeza që shkaktuan marrëzinë e përditshme të realitetit, dhe që mbytën çdo gjë progressive pa lënë gjurmë…!

Duke lexuar sot, shikoj se të gjitha strofat më shpirtëzohen, dhe kujtesat tona i bëjnë inkadeshente.

Edhe erërat e luginës së Sheperit nga kanë rënjën Dilot, mund të jenë grindur dikur, të dy autorët E.Dilo dhe J.Telo i kanë sjellë në tjetër formë, në këngëzimin e tyre, ashtu si dhe burimet që vinë nga mali i Cajupit, sepse kanë kryer detyrën më fisnike, përjetësimin e kulturës në këtë poemë-baladë.

            Në aktin e parë të baladës, shfaqen tri ëngjëj: prindërit dhe djali i tyre, një akt që të kujton dramat e Shekspirit, drama që nuk luhen më në skenat moderne të kohës, por në skena me mjedise ku krimi kryhet direkt, aty në mes të njerëzve, dhe njerëzit heshtin, heshtin të frikësuar…!

Jetës tokësore…c’ti kujtojmë më parë?
Na trajtuan egër,
S’u tërhoqëm zvarrë…

Antiteza në vargun e tretë, jep atë kontrast të fuqishëm midis errësirës dhe diturisë, ku mençuria nuk mund të hiqet zvarrë, jep dritën që do ndriçojë së shpejti dhe tunelin e errët ku u zhyt mjerisht Kombi ynë nga diktatura më e egër, dhe që u mundua të përçudnonte këto vlera.

            Eruditin, Ilia Dilo Sheperi, që i sherbeu një jetë të tërë gjuhës amtare, gjuhë që jua mësoi nxënësve shqiptarë, autorët e kanë skalitur portretin e tij mjeshtërisht, ashtu siç dhe e meritonte realisht.  Autori Dilo që është dhe një nga pinjollët e familjes, është një pjesë e këtij mozaiku të kulturës shqiptare, është një pjesë që gati-gati na duket sikur kanë ardhur nga bota joreale, pasi drama e tyre duket sikur ka përqasje me mistiken…

Ja si shprehet hartuesi i gramatikës shqipe eruditi i arsimuar në Zosimea me dipllomën shkëlqyeshëm, Ilia Dilo Sheperi, përpara torturonjësve:

“Edhe po ma pretë fytin nga inati,
Bindjet dot s’m’i vrisni, vrisni vetëm shtatin.
Fytin do ta kem si “a-ja e shqipes,
Boll u kam duruar përmes kërcënimesh…”

Aq me zjarr e donte Atdheun dhe gjuhën shqipe, sa dhe fytin e “prerë” e imagjinonte në shkronjën A, shkronjë që ishte ngjizur brenda shpirtit të tij, dhe që lëshonin bisqe brenda trungut Dilo.

Të dhjetë bisqet, që shpërthyen brenda këtij trungu, u munduan që kohët e zeza t’i ngrinin, t’u hiqnin oksigjenin e shpirtit, ku pa atë oksigjen asnjë Komb dhe kulturë nuk mund të jetojë.

            Në aktet e baladës na shfaqen heronjtë me radhë, heronj që kishin për armë të vetme kulturën, ku një ndër ta është Margariti, ish student në Athinë, dhe në shkollën e Fullcit.  Ai punoi si nëpunës në ministrinë e Botores, por me ardhjen në fuqi të diktaturës, e arrestojnë dhe e dënojnë si “Armik i Popullit”, dënim që e kreu në Kënetën e Maliqit, ose ndryshe këneta e vdekjes.  Këtë kalvar vuajtje e hoqi dhe bashkautori i këtij libri, i biri i tij Eduard Dilo së bashku me Elin, Themistokli, Jani, Fevronia, Kostandini, Viktoria, Hrisanthi, Ksenofon, Etien, Mihal, Qirjako, Sava, dhe Oresti Dilo.

Janë këta pasardhes që shkëlqejnë në kulturën shqiptare, jane yje që bëjnë dritë ashtu siç pohon eruditi tjetër Qirjako, një publicist i shquar nga trungu Dilo, i cili thotë:

Jeta është e përkohshme dhe e vërteta është e përjetshme.”

Vazhdoj të lexoj aktet në baladë, dhe më duket sikur libri është rënduar ca nga pesha, është rënduar nga pika e lotit prej parajsës qiellore, dhe prej dhimbjeve shpirtërore të lexuesve.

            I tërë libri është një elegji, që çuditërisht dhimbjet, vuajtjet nuk morën fund në këtë familje, edhe pse së largu po frynin erërat e demokracisë.

Në këto kohë ndryshimesh, krimet monstruoze vazhdonin, nuk kishin të sosur në atë kaos politik që u krijua.

Kështu barbarët shfrynë gjithë egërsinë e tyre duke  i prerë kokën gjyshes Kaliopi, një emër mitologjik, emër i pagëzuar nga i ati, i cili sikur ta dinte se do të lindte një zanë të vërtetë, emër i një prej muzave të Zeusit, që midis të tjerash simbolizonte dhe bukurinë…

…Cfare drodhi male, pyje, e tronditi vete Zotin?
Ishte vdekja me makabre, vdekja qe mori Kaliopin…

E duke lexuar këto vargje drithëruese, për njerëzit që janë pa shpirt dhe zemër, dhe që u edukuan duke humbur ndjenjën më  njerëzore, në mendje të vjen thënia proverbiale e Oskar Wilde:

“Gjëja më e tmerrshme nuk është t’i copëtosh zemrat, por e kundërta, t’i shndërrosh ato në gur”.

Dhe ky është një ogur i zi, një trishtim i madh të kaplon shpirtin, kur mendon se vrasësit bredhin të lirë, të qetë, ndoshta, ndoshta ndonjeri mund të jetë zgjedhur dhe deputet me votën e “lirë” të popullit.

A duhet të heshtë drejtësia përpara këtyre veprave nga më gjakataret, nga më tronditëset?

Këto plagë të familjes Dilo, janë plagë që kullojnë gjak të mijëra ish të dënuarve, janë dhimbje mes mijëra dhimbjesh që sëmbojnë në shpirt.

            Më tej, m’u duk vetja sikur u gjenda papritur në një shkretëtirë, në një shkretëtirë që s’pipëtin asgjë, ngase m’u shfaqen krejt papritur, kafka, kafka njerëzish që nuk prehen të qetë, dhe që kultura apo muza e tyre, u pushkatua në kampet, internimet, apo kënetat e vdekjes!

Dhe brenda vargjeve si në celuloid është fiksuar vetëm kujtesa e atyre që panë vdekjen në sy, të sjellë mjeshtërisht nga autori me përvojë të gjatë, Jorgo Telo dhe viktima e asaj kohe të mjerë, studjuesi E. Dilo.

Telo dhe Dilo u japin lexuesve atë botë të sakatimit njerezor, qe e kthenin  antivlerën në vlerë, por ata me  logjikën e arsyes shpresojnë se një ditë vlerat do të jenë vlera, dhe studjuesit do të kenë një perceptim tjetër, larg ideologjizmave të kuqe, larg mbretërimit të çmendurisë.

Në këtë libër krejtësisht origjinal, ndjejmë torturën që të mbërthen të tërën, dhe nuk të lëshon derisa sa ta përfundosh, dhe në këtë ankth për ta perfunduar leximin, dukesh sikur je buzë honit, buzë një vdekje, një agonie…

Megjithatë ata nuk japin mesazhe hakmarrjeje, por me figura që mbartin një ngarkesë tejet emocionale, ata kërkojnë vetëm drejtësi, kërkojnë që njerëzit të jetojnë në Paqe, dhe të gjithë personazhet reale, që kanë vdekur nga diktatura duket sikur na bashkojnë, saqë befasohemi se ku e gjejnë këtë forcë dhe këtë shpirt kaq qiellor?  Ata janë zëdhënës realiste, zëdhënës të guximshëm, për të na thënë të vërtetën në sy, herë me me një figuracion të pasur e herë të drejtpërdrejtë.

Ja si shprehet për babain e burgosur,

E burgosën Margaritin,
Fëmijëve s’u japin shkollë,
…Nën terror e kemi shpirtin,
Trëmben dhe lulet nën mollë!

Vargu i fundit jep gjithë efektin e drejtepërdrejtë që ka në fillim, një efekt i natyrshëm, si pjesë e së dukshmes, sa dhe lulet trëmben, vyshken, helmohet fryti i mollës nga pesticidet, hedhur në kopshtin e Dilove…

Poema baladë është një evidencë nga më të saktat e kohës së diktaturës, është një dëshmi e gjallë e realitetit, e parë në syrin e mprehtë, ku të vdekurit nuk kanë të drejtë as të mbulohen me arkivole, sepse zemërzinjtë dhe xhelatët prishin deri ritin e lashtë të përcjelljes së të vdekurit për në amëshim.

Të gjitha këto të japin një imazh të një lëvizje në shtrëngatë, sakrifica deri biblike, ku nuk është vetëm familja Dilo, por nëpërmjet saj përgjithësohen gjithë familjet që u dhunuan në atë kohë.

            Nëpërmjet librit ne lexojmë mjaft akte brenda poemës baladë, akte që të rrënqethin, dhe që të tërheqin vëmendjen se cfarë fshihej brenda botës së disidentëve dhe njerëzve që ushronin kamzhikun mbi ta pa mëshirë për dekada me radhë.

Duke përfunduar them se ky libër, do të ngelet si një legjendë për brezat që do të vijnë, pasi është një libër me vlera historike, ka të dhëna të drejtpërdrejta, nga një familje që pa tmerr me sy, por që jep forcë për të sfiduar sfinksin.

Eshtë një libër ku vargjet japin vetëdijen e plotë të autorit për të thënë vetëm të vërtetën.

Balada është si një sagë e vërtetë që pasqyron dhunimet nga diktatura, të gjithë familjes Dilo, që me ardhjen e saj në pushtet.

Në sytë e lexuesit do të lexohet gjithë bagazhi jetësor i një familje që jep efekte të paparashikueshme për të gjithë ata që nuk kanë e njohur diktaturën, apo dhe për të tjerët që kanë jetuar bashke me të, të papersekutuar, por që kanë virtyte njerëzore dhe për rrjedhojë ndjejnë dhimbje për njerëzit që u masakruan.

Vepra merr vlera të mëdha përgjithësuese si për mënyrën e rrëfimit po ashtu dhe për të vërtetën historike, pasi misioni i shkrimtarit dhe vecanërisht i atyre intelektualeve që u burgosen, internuan e syrgjynosën, duhet të kenë si amanet fjalët profetike të At Marin Sirdanit drejtuar At Zef  Pllumbit kur ishte ende i ri:

“Zoti asht i madh. i kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna.

Kush të teprojë le të kallzojë!”


(Vota: 16 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora