E diele, 28.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Aleko Likaj: Malli i Atdheut

E marte, 16.06.2009, 07:02 PM


Tregim nga  Aleko Likaj

Malli i Atdheut

Kishim lënë pas brigjet italiane, e trageti ynë dukej si një lëvozhgë are dhe i vetëm, në detin e paanë. Ishim nisur që nga Londra përtej, duke kaluar  tunelin e La Manshit, e pastaj përshkruam gjithë Francën, nga veriu ne jug. Edhe gadishullin Apenin deri në portin e Barit, u duk se e bëmë "me një frymë". Plot dymijepesëqind kilometra. Dy ditë rrugë të lodhëshme e rraskapitëse për gjithë familjen. Ktheheshim në Atdhe. Babai thoshte se "nuk e ndjente fare lodhjen" edhe pse ka qëndruar gjatë në timonin e makinës sonë. Nëna më ndryshe. Ankohej ndonjëherë se i duhej që të përballonte një "torturë të vertete". Por une e kuptoja se ata nuk thonin te verteten, ose me sakte, nuk donin qe ta pranonin. Këtë e tregonin edhe fytyrat e tyre të tejlodhura.

            Unë me motrën Albana, qëndronim në sedilet e pasme. Herë flinim rrugës e herë shihnim nga dritaret, pejsazhet që fluturonin para syve tanë, sikur të ishim përballë një ekrani kinemaje. Shumë pak pushime kemi bërë në pikat ku makina furnizohej me karburant.

            E ndjeja lodhjen. Kështu edhe ime motër, e cila është një trazovaçe, që nuk ka një shoqe të dytë. Për hiç gjë ndizte edhe sherre që përfundonin vetëm pas disa minutash. Atëherë, kur mamaja kthehej nga ne, e i thoshte.

            - Albana, e teprove. Nuk është mirë kështu. Respekto edhe më të mëdhenjtë.

  Gjatë rrugës i ndruam disa herë vëndet, pasi asaj i pëlqente gjithmonë të shihte pejsazhe që shfaqeshin, e kalonin nga ana ime. Unë bëja si thoshte ajo. Eshtë gjashtë vjet më e vogël nga unë.

          Do të rrinim vetëm një muaj për pushime në tokën tonë.

            Në port gjetëm një anije që nisej në mesditë. Pa u çlodhur nga rruga e gjatë, im atë e futi menjëherë makinën aty. Pastaj u ngjitëm lart në kuvertë. Kishte plot njerëz që udhëtonin së bashku me ne. Që të gjithë emigrante. Edhe ata kishin udhëtuar kështu si ne nga e gjithë Europa. Nëna na tha, se kishte dëgjuar komandantin e anijes kur fliste me një grup udhëtarësh,"Vërtetë që sot nuk kemi kapacitetin e duhur, por ne nxituam se nuk mund që të prisnim deri në mbrëmje. Përtej na pret një ngarkesë makinash që do të udhëtoj për në Europë"

            Pasi u çlodhëm ca, unë u ngrita që ta shihja gjithë mjetin lundrues. Kisha deshire që të shihja detin. Ku ai e ku lumi Tamiz aty në Londër që e shikoja çdo dite. Babai me vështroi në sy.

            -Ku do të shkosh -tha ai

            -Kam dëshire që të vizitoj anijen - i thashë. Vështrova nga mamaja. Ajo gjithmonë mi plotëson dëshirat. Dhe ketë herë, kështu u bë.

            -Vërtetë, Arben, ai është pothuajse i rritur tani, dhe kurioziteti nuk është vetëm për fëmijët. Ka edhe mall. Pastaj, është larguar vetëm pesë vjeç. U bënë shtate vite te tjera qe nuk jemi kthyer. Ai mall na solli qe nga Londra deri këtu.

            - Mirë - tha babai. Për një çast uli sytë në syprinën e tavolinës ku ishin ende mbeturinat e mbasdites që posa kishim ngrënë. - Po marrim aparatin fotografik. Edhe kamerën gjithashtu. Të kemi kujtime nga ky udhëtim. Në fillim po e bëj me Ilirin.

            Nëna qeshi. Albana nuk duroi më.

            - Do të vij edhe unë - tha ajo me një cop kek në gojë. U ngrit nxitimthi. Harroi që një çast më parë kishte kërkuar edhe një akullore, të cilën babai duhej që ta porosiste aty në banak,  ku shërbehej për të gjithë.

            - Lë te vijë edhe Albana - tha babai.

            Të tre i ngjitem shkallët e dolëm në një shesh ku nuk kishte asnjë këmbë njeriu. Frynte një fllad që i a përkedhelte kaçurelat babait. Nuk e di pse më pëlqeu aq shumë portreti i tij nën erë. Pak brun e me sy bojëqielli që dukeshin se qeshnin. Këtë herë portreti i tij tregonte se ishte çlodhur nga ai udhëtim tepër i gjatë. Albana kapte herë pas here leshrat e saj, të cilat losnin me erën e detit, dhe mbështeste mjekrën në kraharor duke pulitur sytë jeshil e të mëdhenj. Bluza e verdhë gufonte, e dukej se era  e lëpinte atë përbrenda, ashtu siç kishte bërë ajo një çast me parë me akulloren, që sapo e kishte përfunduar kur u ngjitëm në platë. Ndjehej një aromë e kripur deti. Babai më tha se "ishte nga leshterikët dhe gjallesave nën sipërfaqen blu. Aromë jodi". Shikoja përpara ku maja e anijes çante ujin si me thikë. Ai hapej menjëherë sikur ta kishe prerë me thikë, e rrëshqiste poshtë në sipërfaqen e metaltë të gjigandit tonë fluturues, që mua më dukej se ecte me shpejtësi maramendëse për të arritur bregun tjetër.

            Unë kisha marrë me vete një dylbi, që nëna ma kishte blerë për Vitin e Ri në magazinën e madhe, në qendër të Londrës. E ruaja me kujdes. Shihja ndonjëherë nga dritarja lumin e portin e jahteve që kishim përballë. Pas tyre vinte bregu tjetër. Hapsira e ujit më dukej fare e vogël sa herë që hidhja vështrimin e dylbive përtej. Këtu nuk më shfaqej asnjë breg në dylbi. Hapsirë blu. Sa mirë.

            Babai më bëri disa pozo aty në parmak. Edhe Albanës gjithashtu. Pastaj me kamër na rregjistroi kur qeshnim e lëviznim të shkujdesur mbi kuvertë. Albana herë pas here vraponte e flokët e verdha sërrish i a hapte era mbi supe. Unë e mora inat.

            -Pse qesh si budallaqe? -

            -Budalla je vetë - tha ajo e më shtyu.

            Unë deomos u nxeha. I dhashë një shuplakë faqeve e ajo përnjeherë qau.. Babai po filmonte një pulëbardhë që sillej rrotull nesh, uli kameren e na pa të dy.

            -Ah!, jo kështu. Albana është më e vogël se ti. Ne po bëhemi gati që të shikojmë brigjet e Atdheut, ndërsa ju të dy ziheni. Ti tani je më i rritur dhe e kupton mallin për tokën që kemi lënë.

            U duk se kaloi shpejt ky moment.Albana sikur të mos kishte ndodhur gjë, filloi që të qeshte përsëri. Luante si më parë duke shkuar sa në njërin cep tek tjetri. Herë vraponte dhe herë shikonte me kuriozitet poshtë sipërfaqen e detit.

            -Jemi afër - tha babai. Pulëbardhat nuk largohen shumë nga brigjet.

            Ndjeva nga pas që të vinte një udhëtar tjetër. Ishte vërtetë një burë i shkurtër me mustaqe të kuqe. Me një bark të fryrë më kaloi pranë indiferent. Mbante në dorë një aparat dhe u mbështet në parmakun përballë. Unë pastaj lëviza dhe u afrova tek babai që kishte zënë vënd pranë sallës së komandimit. Albana kishte mbështetur ballin në xhamin e trashë të derës. Po ma bënte me dorë. Në fillim nuk e kuptova. Kur i u afrova syu më rroku pas saj një sallë me aparate. Aty drejtohej anija. Brenda dy njerëz me uniforma të bardha. Një prej tyre rinte i përkulur mbi një tavolinë të ngritur, ku ishte hapur një hartë e madhe, dhe lëvizte mbi të një kompast, ndërsa tjetri kishte mbështetur dorën mbi një levë të vogël e vertikale.

            -Eshtë timoni i anijes - më tha im atë që u afrua edhe ai në moment.- Oficeri tjetër po llogarit distancën që na ka mbetur deri në brigjet e atdheut.

            Albana si gjithmonë e padurueshme. Lëvizte përpara xhamit duke u hedhur, e thërriste duke përplasur duart, sikur të kishte zbuluar diçka.

            - Shoferi i anijes. Shoferi i anijes...

            I tërhoqi vemendjen njerëzve që ishin brenda asaj salle me shumë hapsirë dhe dritare të mëdha. Përtej dukej sërrish deti me valët e lehta që lëviznin brenda sipërfaqes së tij. Oficeri që ishte përkulur mbi hartë, ktheu kokën nga ne e vuri buzën në gaz.

            Ndërkohë , babai po bisedonte me të sapoardhurin në atë shesh të vogël, mbi kuvertën e anijes. Unë e tërhoqa Albanën duke i a kapur dorën fort. Ajo nuk pranoi. Nguli këmbë për të qëndruar aty. Hodha edhe një herë vështrimin nga salla, dhe dallova që oficeri i hartës e vendosi kompasin mbi tryezë. U largova si i zënë në faj. Albana bën vazhdimisht faje, dhe unë e ha. Kështu ndodh  gjithmonë midis nesh.

            Babai që andej, kuptoi se kishte ndodhur diçka.

            - Ç'është?

            - Hiç babi, Albana si gjithmonë. I ra xhamit të anijes me shuplakë - i thashë unë, që nuk më erdhi mirë, pse babai u drejtua nga unë. Nuk isha fajtor.

            - Albana, mos shqetëso të tjerët. Aty drejtohet anija.

            Motra më mori inat. Më shau nëpër dhëmbë e nxitoi për tek babai. Përsëri nuk më erdhi mirë. Si është dhe kjo Albana. Nuk i lë njerëzit të bisedojnë. U mbështet aty në parmak. Hodha vështrimin nga brigjet që lamë pas, për të parë lëmshin e zjarrtë të diellit, që dukej se do të rrëzohej mbi detë. Në fund të anijes dy vija të bardha me shkumë, më krijonin idenë e një rrugë të cilën po e  linim pas me shpejtësi

            Ndjeva se u hap dera. Pashë që doli oficeri i hartës. Më buzëqeshi përsëri. Pastaj ai lëvizi ngadalë mbi shesh. Kontrolloi poshtë parmakut të djathtë. Prej andej vinte një melodi. E dija se aty ishin një grup turistësh të huaj që kishin një kitare. E kisha parë veglën sapo u vendosëm në një tavolinë pranë. Me siguri ata këndonin në këtë moment. Udhëtonin me ne për të vizituar atdheun tonë. Edhe ai që bisedonte me babin, shok i tyre duhej që të ishte.

            Oficeri tani po përkëdhelte flokët e Albanës. Ai diçka bisedonte me të. Sigurisht në anglisht, se vetëm atë gjuhë e thante ajo. Shqipen e fliste si një angleze e vërtetë. Kur u afrova unë, oficeri i anijes kish nisur një bisedë me babain dhe turistin e huaj.

            - Duket se anija mezi e çan Adriatikun - tha njeriu me bark të fryrë.

            Tjetri mblodhi supet sikur donte të thonte, se nuk ishin shumë pasagjerë në mjetin lundrues

            -Ju keni mbledhur për këtë udhetim vetëm ne që kemi qenë në sportelet e paradites. Në orët e mbrëmjes është fluksi i lëvizjes. Kështu ka ndodhur gjithmonë, sepse nuk është e para herë që vij si turist në Shqipëri - tha buri me mustaqe të kuqe, që mua mu duk se ishte danez.

            - Vërtetë ashtu është. Këtu peshon malli i këtyre emigranteve, për atdheun që i pret në ato brigje.

            Oficeri drejtoi dorën andej nga po ecte trageti, dhe vuri përsëri buzën në gaz.

            Turisti heshti. Pastaj tundi kokën e qeshi.

            - E the bukur. Kjo është e vërtetë. Malli për atdhe gjithmonë ka peshë...

            Dy ore më pas u kthyem sërrish në atë shesh.

Këtë herë morëm edhe mamin. Gjetëm edhe udhetarë të tjerë. Emigrante ashtu si ne që kishin marrë rrugën e kthimit. Të gjithë shikonin në horizont ku përpara shfaqej një breg. Ishte larg... tepër larg. Dukej gri, si një  vijë që zgjatej aty ku takohej deti me qiellin.

            Babai është bërë i heshtur me vështrimin andej. Mamaja dukej sikur do të thoshte diçka, por fjalët nuk i delnin nga kraharori. Dallova që sytë i u lagën e u bënë më të ndritshëm. Albana kishte kokën pas. Në një moment me tregoi diellin. Ai si një stërlinë e zjartë angleze, ishte zhytur përgjysëm në hapsirën e kaltërt të detit, në brigjet ku u nisëm. Dukej se bënte banjon e mbrëmjes.

            - Shiko, shiko përtej, Atdheu - tha një djalë i ri që ishte në shoqërinë e një gruaje të moshuar, e dy vajzave të reja të rritura si ai.

            Këtë herë nuk i pashë dot brigjet. Mbylla sytë fort. Kuptova se perëndimi i diellit më kishte mbetur brenda tyre. Pastaj sikur të isha zgjuar nga një ëndër e keqe më reflekse dritash verbuese, kërkova dorën e mamit. Në një moment e kapa atë, dhe e shtrëngova fort. Albana rrinte përpara nesh sikur ishte në një tjetër botë. E mbështetur në parmak  shikonte brigjet, që këtë herë, mua mu duken më të afërt. Si një dorë e shtrirë drejt nesh, ndofta për të na uruar; "Mirseardhët, bij".

            - Shqipëria, babi, mami, Shqipëria...Sa e bukur. Erdhëm.- thërriste sërrish Albana duke përplasur fort këmbët mbi dyshemenë e metaltë të kuvertës së anijes, e duke e valëvitur pëllëmbën e dorës së djathtë lart, si nje flamur që era e detit palët i a shkund

            Ishim kthyer.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora