E shtune, 27.04.2024, 03:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me fituesin e Çmimit për librin më të mirë poetik Mr. Kadrush Radogoshin

E marte, 16.06.2009, 09:33 PM



ÇMIMI  PËR  ,,GUERNIKËN  NË  VARGJE”


Poet, prozator, kritik, eseist, studiues i letërsisë, dramaturg e publicist Kadrush Radogoshi në Mitingun e 45 të Poezisë në Gjakovë u nderua me Çmimin për libër më të mirë poetik, të botuar në mes të dy mitingjeve, të titulluar ,,Çabrat antologjia”. Gazeta ,,Infopress” bëri këtë intervistë të rastit.

Intervistoi: Ilir Hajdari

“Zemra shqiptare”: Morët Çmimin për librin tuaj të fundit. Ç’do të thotë kjo për ju?

            K.Radogoshi: Të marrësh çmim për librin më të mirë poetik është një nder, që u bëhet vlerave letrare dhe krijuesit të tyre. Gjithashtu është edhe një përgjegjësi më shumë për mua gjatë aktit të krijimit në të ardhmen.

            “Zemra shqiptare”: Titulli ,,Çabrat antologjia” dhe nëntitulli ,,Seancë e përshpirtshme” tingëllojnë disi ndryshe në veshët e lexuesit . Cili do të ishte komenti juaj?

            K.Radogoshi: Një pjesë e madhe e kritikëve dhe studiuesve të poezisë janë jo vetëm kundër shpjegimit, komentimit, interpretimit të poezisë nga autori, po edhe nga kritika sepse ata janë të mendimit se poezia vetëm mund të shijohet. Pjesa tjetër është për interpretimin e poezisë, por jo nga autori. Në këtë kontekst bëjnë përjashtim poetët e dobët e mburravec, të cilët bëhen të mërzitshëm, jo vetëm me poezinë e tyre, po edhe me komentet për të. Siç ndodhë gjithmonë, rregullat i kanë edhe përjashtimet e tyre: janë të njohura rastet, kur poetët e mëdhenj kanë marrë guximin dhe kanë shprehur mendimet për krijimet e tyre poetike. I tillë është edhe poeti amerikan Edgar Allen Po, i cili në esenë e tij ,,Filozofia e kompozicionit” shpjegon shumëçka për poezinë e famshme të tij ,,Korbi”, të përkthyer në gjuhën shqipe nga Fan Noli. Duke marrë guximin nga ky poet i madh, po përpiqem t’ia jap një shpjegim të shkurtër për titullin e nëntitullin e librit tim lexuesit tuaj të nderuar. Në titullin e librit tim, në radhë të parë, qëllimisht është thyer rendi sintaksor sepse Çabrati është shenjë identifikuese për Gjakovën, ndërsa termit ,,antologji” i është dhënë një kuptim tjetër. Nuk është fjala për antologji poezish apo tregimesh të zgjedhura, po është fjala për antologji varrezash të eshtrave të kthyer nga varrezat masive të Serbisë, të cilat gjenden në majë të kodrës së Çabratit. Nëntitulli ,,Seancë e përshpirtshme” sugjeron një komunikim spiritist të dy nënave me të vdekurit, përmes monologëve poetikë.

“Zemra shqiptare”: Poeti dhe kritiku Abdullah Konushevci, në shkrimin e tij të vënë në pozicion të parathënies, këtë libër e ka quajtur ,,një ,,Guernikë” në vargje” dhe ,,një projekt i madh dhe i vështirë poetik”. Cili është komenti juaj?

            K.Radogoshi: Dhjetë vjet, pothuajse çdo ditë, më ka rënë të kaloj pranë varrezave në Çabrat. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë të kaloj andejpari e të mos shoh familjarë të viktimave, të cilave Serbia ua dhunoi jo vetëm të drejtën për jetë, po edhe të drejtën për të pasur varr. Më së shumti kam parë nëna, të cilat të ngarkuara me peshën e viteve dhe të dhembjes e pikëllimit ngjiteshin kodrës për të shkuar në varreza. Një ditë, vërtetë, m’u duk se dy nëna po lexonin emrat e të gjithëve me radhë dhe ky lexim sikur kishte zhdukur kufirin në mes të jetës e vdekjes, prandaj kisha idenë, që në atë atmosferë sa reale aq edhe ireale, nënat po bënin një seancë të përshpirtshme në të cilën ato kuvendonin me të vrarët, po edhe ata komunikonin përmes monologëve, të cilët për çudi më shumë i këndonin një himn jetës sesa vdekjes, prandaj duke i kënduar jetës ata sfidonin vdekjen.

            Mendoj se Abdullah Konushevci me të drejtë e ka quajtur librin tim ,,Guernikë” në vargje” duke e krahasuar me pikturën e njohur të Pablo Pikasos në të cilën piktori i madh reagon kundër masakrave të Frankos në Spanjë. Ngjashmëritë në arte janë të përhershme, pa marrë parasysh mjetet e ndryshme të shprehjes artistike.

            “Zemra shqiptare”: Ndonëse jeni nga Gjakova dhe libri i shpërblyer poetizon dramën e madhe të Gjakovës gjatë luftës së fundit, vetëm korespodentja  e gazetës ,,Zëri” raportoi për Mbrëmjen  Qendrore të Mitingut të 45 të Poezisë dhe për dhënien e Çmimit, ndërsa korrespodentët nga Gjakova të gazetave tjera nuk raportuan fare. Ç’mendoni për këtë fenomen, që nuk ka ndodhur në 44 mitingjet e mëparshme?

            K.Radogoshi: Përgjigjen time në këtë pyetje do ta filloja me aktualizimin e titujve të dy librave, të autorëve dhe zhanreve të ndryshme. Poeti i ndjerë Jakup Ceraja, në vitet e shtatëdhjeta, pat botuar një libër me titullin ,,Ngjarje që nuk duan shpjegim”, ndërsa njëri nga reformatorët më të mëdhenj të krishterimit, humanisti evropian Erazmo i Roterdamit librin më të njohur të tij e ka titulluar ,,Lavdi marrisë”. Ngjarja, që nuk do shpjegim, është bojkotimi i informimit për manifestimin, vetëm pse unë kam qenë fitues i çmimit për librin më të mirë dhe edhe raportimi më joprofesional dhe më tendencioz, s’ka mundur ta anashkalojë emrin e poetit të shpërblyer, prandaj para se t’i vë në spikamë motivet e këtij bojkoti, po e theksoj titullin e librit të Erazmos: ,,Lavdi marrisë” së reporterëve të gazetave nga Gjakova!

            Ky bojkotim nuk është i rastit, por paraqet hallkën e radhës së një procesi të ,,diferencimit ideo-politik” të filluar kundër meje në vitin 1981, i cili nënkupton arrestime, izolime, dënime me burg, largim nga puna, satanizim, margjinalizim. Segment i rëndësishëm e aparatit satanizues,, që shpeshherë ka arritur të satanizojë gjer në linq publik kanë qenë gazetarët nga Gjakova, njëri prej tyre ende punon për gazetën ,,Kosova Sot”, ndërsa të rinjtë e kanë mësuar rrugën e gazetarisë së instrumentalizuar qoftë nga pararendësit e tyre joprofesionist të këtij profesioni, qoftë nga mitet e rrejshme të së kaluarës dhe të së tashmes, apo nga politika ditore dhe interesat që kanë në raport me të. Për fat të keq mitet e ,,patriotizmit socialist jugosllav” në Kosovë e posaçërisht në Gjakovë ende adhurohen, ndërsa të satanizuarit prej tyre ende persekutohen në format më të ndryshme. Kjo skemë e të menduarit dhe të vepruarit anakronik tani po funksionon nën etiketën e re të demokracisë, që vetëm demokraci nuk është. E vetmja gjë që mund të them në këtë kontekst është ndjenja e kënaqësisë, që ndjej, pse unë, me jetën dhe veprën time, jam ana e kundërt e medaljes. Nuk është e rastit një poezi e imja në librin e shpërblyer, e cila titullohet ,,Në Gjakovën tënde, në Gjakovën time”. Në këtë poezi poetizoj idenë e ekzistimit të dy Gjakovave. Gjakova e ,,atij” është sinteza e të gjitha të këqijave dhe është totalisht e parëndësishme se a do ta quaja me emrin e saj ,,Moskva e vogël” apo Sodomë. Gjakova ime është ajo tjetra për të cilën poetët kanë shkruar poezi, ndërsa heronjtë kanë dhënë jetën për lirinë e saj. Gjakova ime është Gjakova e traditës ekonomike, arsimore e kulturore. Cila vetëdije qytetare nuk do të përkulej me respekt para figurave të përmasave të Selman Rizës, Zekria Rexhës, Avni Mulës e shumë të tjerëve? Kuptohet ky radhor vlerash i Gjakovës sime nuk përfundon këtu, ai është i gjatë. Ky model i Gjakovës ka qenë busulla ime në jetë e krijimtari.

“Zemra shqiptare”: Modeli kulturor, i cili ju ka shërbyer si gurrë në të cilën keni pirë atë ujë kristalor a e ka ndonjë ekzemplar nga gjenerata e re e krijuesve dhe studiuesve?

K.Radogoshi: Ka, ndonëse pengohen nga gjysmëanalfabetizmi e mediokriteti për çdo ditë. Një ekzemplar përfaqësues i këtij modeli padyshim është Arben Hoxha.

“Zemra shqiptare”: Cili do të jetë libri i radhës?

K.Radogoshi: Shkruaj në të gjitha zhanret letrare, prandaj krejt çka mund të them, është se libri i ardhshëm do të jetë ndonjëri nga dorëshkrimet e mia në poezi, prozë, kritikë letrare apo eseistikë.

“Zemra shqiptare”: Ju falënderojmë për intervistën.

K.Radogoshi: Me nder qofshi!


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora