Kulturë
Mexhid Yvejsi: Mëshira e njerëzimit
E shtune, 07.03.2009, 02:38 PM
Mexhid YVEJSI, Gjakovë
MËSHIRA E NJERËZIMIT
(Muhammedit a.s. në përvjetorin e lindjes)
Lavdia të qoftë përherë o i Madhi Zot
Për krijesën më të përsosur në gjithësi,
Për Muhammedin (a.s.) që lindi sot
Shembulli më i shkëlqyer për njerëzi.
Lavdia të qoftë gjithmon o i Madhi Zot
Për këtë ditë - lindje vërtet të bekuar,
Nga mallëngjimi kemi gaz edhe lot
Në këtë ditë të bardhë, vërtet të madhëruar.
Ai na mësoi Fenë Islame e Kur’anin
Që janë Drita dhe Fjala e Jote,
Na urdhëroi të duam Atdheun-Vatanin
Djepin e qëndisur të kësaj bote.
Ai ia mbylli të gjitha dyert errësisë
E varrosi çdo besim të rremë, të kotë,
Pishtar i pashuar i mbarë njerëzisë
Me besimin e pastër, të vërtetë, në një Zot.
Ai mposhti urrejtjën-ndezi dashurinë
Urdhëroi vetëm mbarë për të vepruar,
Kudo që t’a gjejmë t’a marrim diturinë
Se vetëm ajo ka për t’na lartësuar.
Të lutem bekoi o i Madhi Zot
Muhammedin dhe Familjen e Tij,
Shokët, shehidët, për jetë e mot
Dhe të gjithë besimtarët e rinj.
Për ty o Muhammed i Lavdëruar
Salavate e selame të dërgojmë gjithë jetën,
Se rrugën e shpëtimit na ke ndriçuar
Me besnikëri na përcjelle të Vërtetën.