Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Tragjedia “Otello” – Shekspir
E enjte, 16.04.2026, 06:56 PM

TRAGJEDIA “OTELLO” – SHEKSPIR
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
"Otello" është
një nga katër tragjeditë e mëdha të tragjediografit dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616). Është shkruar rreth vitit 1603. Është një nga
veprat më të luajtura në teatrot botërore. Trajtohet
tema e xhelozisë shkatërruese, e dashurisë, e tradhtisë, e racizmit dhe e
manipulimit. Flitet për pasigurinë, hakmarrjen dhe pendimin.
Titulli i plotë i kësaj tragjedie në pesë akte është: "Tragjedia
e Otellos, Maurit të Venedikut” (The Tragedy of Othello, the Moor of Venice).
Titulli i kësaj tragjedie haset edhe si “Otello,
Arapi i Venedikut”.
Personazh kryesor është Otello. Është një gjeneral i fuqishëm maur (nga Afrika Veriore), në shërbim të
Republikës së Venedikut. Edhe pse një ushtarak i zoti, ai bie viktimë e dilemave
të veta. Antagonisti Jago konsiderohet
si një nga personazhet më dashakëqij në letërsi. Ai e manipulon Otellon me
mjeshtëri duke e bindur rrejshëm se bashkëshortja e tij, Desdemona, e tradhton.
Viktima Dezdemona është
bashkëshorte besnike dhe e pafajshme e Otellos. Ajo bëhet viktimë e xhelozisë
së verbër të të shoqit E shkruar rreth vitit 1603, kjo vepër mbetet
një nga katër tragjeditë e mëdha të Shekspirit.
Shënim: Titulli i tragjedisë në shqip haset edhe si “Otello” edhe si “Othello”.
Në botimet në shqip, emri i haset edhe si Desdemona por edhe si Dezdemona.
* * *
Historia e kësaj
tragjedie fokusohet në rënien tragjike të Otellos. Jago, i shtyrë nga urrejtja
dhe ambicia, krijon një intrigë të ndërlikuar duke përdorur një shami si
"provë" të tradhtisë së Dezdemonës me oficerin e Otellos - Kazion.
Tragjedia arrin kulmin me vrasjen e Dezdemonës
nga Otello, i cili sapo zbulon të vërtetën e tmerrshme se Jago e kishte mashtruar,
vret edhe veten.
Mendohet se është shkruar
rreth viteve 1603-1604. Është bazuar në tregimin “Un Capitano Moro” (Kapiteni maur)
të poetit dhe dramaturgut italian Cinzio
(Giovan Battista
Giraldi Cinzio; Ferrara, 12.11. 1504 - Ferrara, 30.12. 1573), ndjekës i shkrimtarit dhe poetit italian Xhovani Bokaço (Giovanni
Boccaccio; Certaldo,
Itali, 16.06.1313
- Certaldo,
Itali, 21. 12.1375), të botuar në vitin 1565 në përmbledhjen “De gli Hecatommithi” (E Hekatomitëve) të shkruar sipas shembullit të “Dekameronit”
Akti i parë zhvillohet në
Venedik, kurse aktet e tjera në një qytet portual të paidentifikuar në Qipro.
Otelo është një gjeneral i famshëm i ushtrisë veneciane, Maur të cilit i besohet
edhe administrimi i Qipros. Në fshehtësi, martohet me venedikasen e re Dezdemonën,
e cila është dashuruar tek ai. Drama hapet me bisedën midis Jagos dhe
Roderigos. Nga biseda e tyre mësojmë se Otelo, zëvendës të vet e ka caktuar Kasion
(Cassio) dhe jo Jagon, i cili mendon se me shërbimin që kishte kryer e meritonte
një gjë të tillë. Xheloz për sukseset e Otellos dhe për avancimin e Kasios,
Jago me anë të intrigave ndikon që Otello të besojë se Dezdemona dhe Kasio
(Cassio) janë dashnorë. Kjo shpie në një fund tragjik.
Shënim: Në vitin 1858, vdekjen e Dezdemonës e pikturon edhe piktori
romantik francez Ezhen Delakrua (Ferdinand Victor Eugène Delacroix; Saint-Maurice,
Francë, 26.04.1798 - Paris, 13.08.1863).
* * *
Përshkrimi
i personazheve
Rolet kryesore të tragjedisë i luajnë Otelloja, Dezdemona dhe
Jagoja.
Otelloja është një arap i Mauritanisë dhe gjeneral i Republikës së Venedikut.
Ka lindur në një familje mbretërore. Ka shëtitur tërë botën dhe jetën e ka
kaluar nëpër luftëra. Është trim, besnik, i ndershëm , i drejtë, i padjallëzuar
dhe kryelartë. Por venedikasit e quanin të zi. E pranojnë në shtëpitë e tyre por
kurrë s’e quajnë shok ngase është zezak. Bie në
dashuri me Dezdemonën, të bijën e
senatorit Brabant të kësaj republike. E rrëmben dhe martohet fshehurazi me të. Jagoja, nënoficer i Otellos, ia mbush
mendjen se e shoqja e tradhton me një oficer të tij të quajtur Kasi. Otelloja e vret gruan në shtrat
të. Kur mëson se ajo ishte e pafajshme, vret edhe veten.
Dezdemonën
e
përshkruajnë "si më të bardhin dhe më të ëmblin pëllumb që fluturon në
këtë botë. E rritur mirë, muzikante e mbaruar, luan me delikatesë dhe me një
elegancë aristokrate. Flet ëmbël dhe me mirësi, nikoqire dhe e zonja në
gjilpërë, e qetë dhe e urtë. Të gjithë djemtë e Venedikut vdisnin për të, por
ajo nuk ua kthen as syrin dhe nuk dëshiron të martohet me asnjërin prej tyre.
Jagoja është intrigant, mollë grindjeje, i lig, shpirtzi, ziliqar dhe
xheloz, djall në formë njeriu.
Personazhet:
- Otelo – prijës i famshëm ushtarak i zi në shërbim të
Venedikut;
- Dezdemona – gruaja e Otellos, viktimë e intrigave, vajzë e Brabantit;
- Jago – një nga antagonistët më makiavelistë në
letërsi i cili e mashtron Otellon
për ta bërë të besojë se Dezdemona e
tradhton; flamurtar jobesnik i
Otellos;
- Kasio (Cassio) –
djalosh i hijshëm, i drejtë dhe toger besnik ndaj të zotit – Otellos;
- Bjanka (Bianca) –
e dashura e Kasios (Cassio);
- Emilia – gruaja e Jagos;
- Brabanzio – senator i Venedikut, baba i Dezdemonës;
- Roderigo – venedikas me autoritet, i dashuruar te Dezdemona
- Dogj i Venedikut (zyrtar më i lartë i Venedikut)
- Graciano (Graziano) – vëlla i Brabantit;
- Ludoviko (Lodovico) – kushëriri i Brabantit
- Montano – guvernator i Qipros para Otellos;
- Bufoni – në shërbim të Otellos;
- Senatorë;
- Zotërinj;
- Oficerë, nëpunës, muzikantë, shërbëtorë etj.
*
* *
Tragjedia "Otello" është shkruar dhe është
interpretuar në vitin 1604. Është botuar për herë të parë në vitin 1622. Është marrë
kryesisht nga tregimi i shkurtër "Un
Capitano Moro" (Kapiteni maur)
i botuar në përmbledhjen me tregime "De
gli Hecatommithi" (1565) të poetit dhe dramaturgut italian Xhanbatista Xhiraldi Cinzio (Giambattista
Giraldi Cinzio, 1504-1573). Flitet
për histori dashurie, xhelozi dhe tradhti. Sidoqoftë, personazhet, temat dhe idetë
e dy veprave janë shumë të ndryshme. Shekspiri jep një pasqyrë më të qëlluar të
natyrës dhe të psikologjisë njerëzore. Për lexuesit modernë është interesant
fakti se si Shekspiri i ka përshtatur këto histori duke i shndërruar rrëfimet e
zhveshura në një dramë gjithëpërfshirëse. Shekspiri në veprat e veta, e sidomos
në “Otello” bëri analiza të ndryshme të sjelljeve njerëzore
në situata të caktuara. Otello është tragjedi ku bie në sy kompleksiteti i
marrëdhënieve ndër-personale, inteligjenca, manipulimi, naiviteti dhe
impulsiviteti. Një nga devijimet kryesore nga burimi është motivimi për paraqitjen
e personazhit Jago. Jago i Cinzios ishte i motivuar për hakmarrje kur Dezdemona
refuzoi të kishte një lidhje me të, ndërsa motivimet e Jagos nuk janë aq të
qarta si në versionin e Shekspirit. Për subjektet e dramave të veta Shekspiri
ka përdorur edhe burime të tjera. Disa i mori nga historia (për shembull Makbeti bazohet në “Kronikat e Holinshedit të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës” (Holinshed's
Chronicles of England, Scotland, and Ireland) të historianit anglez Rafael Holinshed (Raphael Holinshed ; rreth vitit 1529 – 1580) si dhe në librat e historisë të kohës.
Shënim: “Holinshed's Chronicles” njihet edhe si “Holinshed's Chronicles of
England, Scotland, and Ireland” (Kronikat e Holinshed të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës) është vepër
në te vëllime e historianit anglez Rafael Holinshed. Botimi i parë në vitin 1577,
i dyti në vitin 1587. Pasqyron në mënyrë gjithëpërfshirëse historinë britanike.
*
* *
“Otello” prek gjithashtu një
problem të madh të Evropës së asaj kohe - përzierjen e fesë dhe të kulturës islame
me qytetërimin perëndimor. “Otello” është
shkruar vetëm një shekull pasi myslimanët u dëbuan nga Spanja si pjesë e
Rekonkuistës. Origjina maure e Otellos dhe konvertimet fetare dhe kulturore të
tij bëhen tema të dukshme armiqësie brenda dramës. Armiqësia midis Perëndimit
dhe Lindjes vërehet edhe në konfliktin midis Venedikut dhe turqve. Venedikasit e
krishterë duan ta mbrojnë krishterimin
nga ndikimi i turqve myslimanë dhe për ironi, Otello maur dërgohet për ta
përfunduar këtë mision. Ai bëhet personazhi kryesor dhe më i popullarizuar zezak i letërsisë së
hershme perëndimore.
“Otello” paraqet shembull kryesor të dramës aristoteliane*. Kemi një
numër shumë të vogël personazhesh, si në asnjë vepër tjetër të Shekspirit. Ka pak
shpërqendrime nga personazhi kryesor dhe përqendrohet vetëm në disa tema
qendrore. Si e tillë, është një nga dramat më intensive të Shekspirit. Ka gëzuar
popullaritet të madh që nga koha kur është shfaqur për herë të parë e deri në
ditët e sotme.
Shënim: Drama
e Aristotelit, siç është përkufizuar në “Poetikën” e tij, është një formë e imitimit (mimezis) të veprimit
serioz dhe gjithëpërfshirës që ngjall ndjenja
keqardhjeje dhe frike (katharsis).
Ai i vuri bazat e fabulës me fillim, mes dhe fund dhe përcaktoi gjashtë elementet
kryesore: fabula, karakteri, ideja, shprehja gjuhësore, muzika dhe spektakli.
*
* *
Personazhi i Jagos është
një variant që haset në dramat e mëparshme të
moralit. Ai shmanget nga ky model në mungesë të motivimit të qartë dhe
portretizimit të tij si një personazh shumë i lig. Sidoqoftë, Jago është më pak
një personazh dhe më tepër një komplotist i paqëndrueshëm. Në këtë kuptim, ai është
një pasardhës i qartë i figurës së kudondodhur të "vesit". Aftësitë dinake dhe manipuluese të Jagos dhe
perceptimi pothuajse mbinatyror nënkuptojnë se ai është edhe një armik shumë i
rrezikshëm, gjë që rënien e Otellos e bën edhe më të pashmangshme dhe tragjike.
Drama është përqendruar në
dy njerëz që sfidojnë shoqërinë për të ndjekur zemrat e tyre. Për këtë arsye
ajo ka fituar një popullaritet të madh.
Studiuesi i Shekspirit Uolltër Koen (Walter Cohen) thotë se “Otello” ka arritur një popullaritet të
theksuar në kohë rebelimesh dhe trazirash të mëdha. Shfaqja ka qenë më
popullore gjatë luftërave në Evropë kah mesi i shekullit XIX, rënies së Rusisë
cariste dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në Amerikë.
Këto rrethana nxorën në
sipërfaqe fisnikërinë e tragjedisë dhe ngjallën dashurinë për Otellon dhe
Dezdemonën. "Rënia" e tyre u konsiderua si tragjike dhe e paarsyeshme.
"Otello", si të gjitha dramat e Shekspirit, është
shkruar në kombinim të prozës (fjalimit) dhe poezisë (vargjeve). Kompozimi përbëhet
nga të ashtuquajturat "vargje
bosh" në të cilat nuk ka rimë
dhe theksohet vetëm rrokja tjetër.
Objektiv i tragjedisë
është komplot. Narratori flet në vetën e tretë. Vepra karakterizohet nga
fjalime motivuese dhe dialogë të fortë. Kemi një komplot të unifikuar dhe një
strukturë me pesë pjesë.
Pjesa e parë e shpjegon
situatën. E njofton lexuesin me karakterin e personazheve kryesore. Pas kësaj
fillon veprimi. Pjesa e dytë ka të bëjë me formën e veprimit dhe me zhvillimit.
Veprimi vazhdon dhe shfaqen ndërlikimet. Pjesa e tretë ose kulmi çon në komplotin kryesor. Në këtë pjesë ndryshon drejtimi. Pjesa
e katërt përfshin lëvizje të mëtejshme që në mënyrë të pashmangshme çojnë në
pjesën e pestë në të cilën pasqyrohen krizat përfundimtare të veprimit, zbulimet
dhe zgjidhjet.
*
* *
Elementet
e tragjedisë:
Gjinia letrare - dramë;
Lloji letrar - tragjedi në 5 akte e shkruar me
kombinim proze (fjalimit) dhe poezie (vargjeve);
Vendi ku zhvillohet veprimi - në aktin e
parë veprimi zhvillohet në Venedik, kurse në aktet e tjera veprimi zhvillohet
në një qytet port të Qipros;
Koha
kur zhvillohet veprimi 0
Veprimi zhvillohet në vitet 1489 – 1570;
Tema e
tragjedisë – Flitet për dashurinë tragjike
të Otellos dhe Dezdemonës. Otello është një gjeneral maur, zezak. Xhelozia i shkakton Otellos pasiguri dhe
reagim të tepruar. Në fund e çon edhe në
vrasje. Flitet edhe për manipulimet dhe veprimet e tjera të Jagos të
cilat nuk kanë një motiv të qartë;
Ideja e tragjedisë -
Xhelozia është një obsesion që eklipson logjikën e shëndoshë dhe respektin për
drejtësinë. Paragjykimi racor çon në
shkatërrimin e individit dhe duhet të shmanget në mënyrë që të shmangen
skenarët tragjikë. Prova e së vërtetës duhet të jetë vizuale. "Të vërtetosh"
diçka do të thotë të hetosh deri në atë pikë sa të zbulosh natyrën e vërtetë të
veprës. Ndërtimi i besimit në një martesë kërkon kohë.









