Kulturë
Tefë Topalli: Gjon Marku - 'Drita e syve të mi'
E marte, 24.03.2026, 06:50 PM
PËRMBLEDHJE POETIKE:
Drita
e syve të mi
Nga Prof. Dr. Tefë
Topalli
Kështu u formulua
kreu i këtij sythi, sepse, më së shumti, shkrimtarët e nisin krijimtarinë me
vargje, siç kanë bërë në letërsinë tonë Kadareja, Agolli e mjaft të tjerë, për
t'u hedhur më pas në hapësirën e lirë të prozës. Por Gjon Marku duket se i
kthehet poezisë ndryshe, në një mënyrë siç ndodh mes dy të dashuruarve, kur
takohen pas shumë viteve: përqafohen me njëri-tjetrin, sa për kortezi, jo me
pasionin e rinisë së tyre...
Ndoshta, ndoshta,
autori ynë i ka shkruar me kohë vjershat e veta, por tash së fundi ka vendosur
t'i publikojë... Gjithçka ngjet midis krijuesve; veçse kjo hyrje miqësore nuk
ka asnjë lidhje me vlerësimin e vjershërisë së këtij autori, i cili deri më
sot, në moshën më të mirë krijuese, numëron plot 26 libra të botuar... dhe një
album filatelik kushtuar Nënë Terezës, publikuar këto ditë.
Për këtë do të
flasim e shkruajmë në vijim të paraqitjes së kësaj përmbledhjeje, të cilën
poeti e quan Drita e syve të mi.(5)
Si pakkush ndër
krijues, Gjon Marku e ndan përmbledhjen e mësipërme në dy pjesë, secila me
ngjyrë motivesh: në të parën, me 10 grupime, kurse në të dytën, me 6 të tilla.
** *
Që në hyrje,
autorit i vjen mbarë të deklarojë "Unë jam", të pohojë qenien e tij
dhe, në vjershën e tretë, të shpallë se ndihet më mirë dhe ka zgjedhur të
jetë i rëndë si një gur - një varg përmbyllës me peshë guri, që na
kujton thënien e urtë popullore: "Guri i rëndë në vend të
vet!". Vetëm me këtë peshë të patrandshme ai ka dinjitet, nuk
përkulet ndaj pabesisë, nuk i përulet dhimbjes, nuk bëhet shtrojë e askujt, nuk
lë këmbë njeriu ta shkelë, fiton mbi trishtimin që jo rrallë e kaplon, nuk i
bëhet urë kërkujt... sepse ka zgjedhur vendin që do të zërë në jetë. Dhe ai
vend është vendi i tij, i pakrahasuar me asnjë prej vendeve ku kanë mërguar e
jetojnë prej vitesh bashkatdhetarë të shumtë, të cilët, sado krenarë e
kryelartë, ndoshta edhe bëhen puthadorë të njeriut të huaj...!
Të më shkelë me
këmbë njeri s'lë,
E të jem për
gjithkënd si një urë,
Kam zgjedhur vetë
vendin që do zë:
Zgjodha të jem i
rëndë si një gur.(6)
Nuk ka ego
personale të dalë në pah e të ngrihet mbi të tjerët poeti, por ai e ndien se,
në këtë kohë aspak të butë të klimës shoqërore, i duhet të nënshkruajë "Unë
jam...", për t'u njohur dhe theksuar se është zjarr,
flakë e llavë vullkani,(7) që prej mallit brenda vetes thyen edhe
kristale! Poeti është futur në jetë si furtunë; e kanë prerë në besë,
megjithëse ka qenë lis i pashembur; e kanë sulmuar si bishë: "Po s'mund të
ecni mbi mua, se nuk jam trung!". Për më tepër, na zgjon mendime se në jetën
e tij ka pasur çaste lotësh: mëkati e gëzimi, që ia kanë lagur qerpikët, dhe
përuljen hyjnore... prej tyre duhet pasur frikë, sepse prekin pafajsinë e
djegin si zjarr... dhe, ndonëse është i brishtë, loti i kthehet si
llavë me fuqi supreme, prej zemre!
Për gjithë këtë
hyrje të kursyer poetike fliste e shkruante V. Hugo, kur thoshte: "Ka
një ligj: poeti niset prej vetes për të ardhur tek ne."(8) Dhe kështu
vjen Gjon Marku, pa kryelartësi, thjesht, si qytetar i lirë me dinjitet
shoqëror, që hyn në jetën e vrullshme, duke e njohur egërsinë e saj...!
Tek grupi i
vjershave titulluar "Përulja e përjetshme" (f. 19-30), autori
vijon të paraqesë vetveten: nga babai që e la jetim në moshën e
fëmijërisë dhe iku mes yjesh, diku në qiell, të ndriçojë -
është formula e gjuhës me më të vegjlit që provojnë të mos i shohin prindërit,
edhe pse i kërkojnë për shumë e shumë ditë e javë; kur, në këtë çast, nëna
bëhet edhe baba:
Nëna më afrohej e
më merrte në gji,
- Duhet të pranosh
fatin, më thoshte me bindje.
- Më ler, përgjigjesha,
dua ta shoh kur në qiell të ndriçojë!
Gjithçka për
fëmijën bëhet nëna: me qeshje qelibari, ledhatuese, me fjalë të ëmbla, e
shenjtë, që jep jetën për fëmijët, që lotët i rrjedhin si kristal, me lumë
trishtimi e flokët vijimisht në thinja, me këngën e saj (kur zë e këndon), që
bën të heshtë bilbili... dhe... djepin e ka fshehur diku, ajo nënë me dhjetë
fëmijë e poetit!
Për çudi, vijnë e i
shtohen thinjat nënës.
Fjalën e ëmbël, si
melhem shërues mbi plagë, end,
U këndon yjeve dhe
hënës;
Për çudi, djepin e
paska vënë në tjetër vend!(9)
Dhe, siç rrezaton
pa prerë dashuria e nënës për fëmijët, ashtu vërshojnë vargjet për nënën
te: Përkëdhelja e nënës, Nënë, hajde, Dritë e
vetme më bëhet hija jote, Nënë, Në ëndërr desha të më vije, Shpirti
yt gjithnjë atje do të ndriçojë, Tek varri i prindërve të mi.
Janë gjashtë poezi, aq sa janë ditët e krijimit të Perëndisë, për të pushuar
ditën e shtatë - të dielën!
Atë ditë pushimi
hyjnor, poeti humbet e zgjohet nga kujtimi për gjyshin (f. 29-30); vjen e
krijon tablonë e trishtuar të ditës së varrimit të atij burri epik, kur, në
imagjinatë, sheh bashkëkohësit e tij teksa sjellin ndër mend kuvende burrash,
fjalët e tyre që janë si lisat e papërkulur në vetëtima; piskama e gjyshit në
kohën e tij. Kulla e moçme i ka bashkuar atje, në kodër, por ai ende nuk po ua
nis fjalën; veçse vendlindja, të gjithëve, zemrat ua ndez në atë përcjellje
nderi, megjithëse korbat kanë mbushur lisat e lashtë. Amaneti i atij
brezi mbetet e do të jetë: Shqiponja do të fluturojë e lirë, s'ka
tjetër!(10)
Mirë. Është mbyllja
e atij kujtimi që nuk shuhet (për gjyshin), po krijimet e gjashtë ditëve të
poetit - ashtu si në uratën e mbrëmjes:
Dita festë e dita e
Dielë
Asht e Zotit që rri
n'qiell;
Gjashtë ditë neve
na ka dhanë,
Një për vedi ma
s'ka lanë.(11)
...Çfarë ka thurrur
autori ynë? I ka kënduar dashurisë për nënën, nisur nga përkëdhelja e saj, që
ka qenë përkëdhelje edhe për të atin në qiell. E ndrydh veten poeti të gjejë
dhe të ndjejë atë përkëdhelje, e ta vërë në zemër dhe të shuajë mallin, etjen,
vetminë; buzagazin e saj ta sjellë para syve, dorën që i prek flokët... por veç
thërret nëpër shtëpi: "Nënë, Nënë!". Kështu, heshtja i jeton e
përjetshme për mungesën e saj!
Midis këtyre
ndjenjave-dallgë, i jepet ta thërrasë: "Hajde!",[12] se do të
flerë, se kërkon ta puthë, ta shohë vetëm një çast, se "Zemra mos t'i
plasë / sepse ikën prapë!". Ia lë portën hapur, pa fre malli, ngaqë:
"Prej vetmisë po
tutem / hajde, o vegim... o malli im!"
Këtyre thirrjeve,
që mbeten në kllapinë e gjumit të trazuar, poeti u vë pas nga një strofë
katërshe, me strukturë të rrallë gjuhe, ku hija e nënës i bëhet dritë – ku
figura e mrekullueshme l'enjambement në dy vargjet e fundit e ngre poezinë në
lartësi mjeshtri; po kështu edhe në strofën vijuese, ku kjo hije e nënës i
bëhet germë e gëdhendur në gur.
Malli për ty shkrim
në qepallat e mia,
Që në një ëndërr
plot mall merr jetë sonte;
Në lotin e bardhë
nga malli, dashuria
Dritë e vetme bëhet
hija jote.
Iku nëna dhe yll u
bë atje.
Një zë i zemrës me
aq nur;
Po në zemrën time
ka fole:
Si një germë e
shkruar në gur.
Me simbolin e
dritës kanë gjeneruar vargje edhe poetë si Andon Zako Çajupi, për shembull, në
elegjinë revoltuese ndaj Perëndisë, për Evgjeninë, kur ajo kaloi në amshim dhe
la djalin jetim, pa rritur:
Doje dritë, o
qiell, more dritën time
Dhe më mbushe jetën
plot me hidhërime!(13)
Kaq i mbushur me
mall është poeti ynë, sa lutet e kërkon që nëna t'i vijë, së paku, në ëndërr,
sepse shpirti po i thërrmohet dhe trishtimi me vetminë po e mbytin; ai përkund
pagjumësinë e vet duke u lutur:
"Në ëndërr do
të desha të më vije!"(14)
Ka një shprehje
ngushëllimi në Mirditë, dhe ndoshta më gjerë, në Veri, kur njerëzit shkojnë për
kryeshëndosh në familjen që ka humbur të vetët, fjala e parë është: "Dritë
pastë!", jo rrallë edhe: "Dritë i bëftë shpirti!". Pagane kjo apo
kristiane, vjen shumë e goditur dhe ngushëlluese. Këtë ka zgjedhur poeti ta
shtjellojë në një strofë, ku vetëm vargu i parë me fjalën "kambanë"
lidhet me kishën dhe ceremoninë fetare; i dyti del si pasqyrë e kohës pa
shpresë, që, veshur në gri, i rri sipër njerëzimit; por Nëna - Nënë vijon
të ndrijë nga lart jetën e poetit!
Një kambanë
tringëllon së largu e zi ndjell
Në këtë kohë pa
shpresë, veshur në gri;
Ike nënë dhe yll u
bëre atje lart në qiell
E shpirti yt
gjithnjë atje do të ndriçojë.(15)
Kjo thirrje për
t'iu shfaqur në ëndërr vjen dhe përsëritet edhe kur autori shkon tek varri i
prindërve të vet dhe u flet me përdëllesë:
"Së paku
m'u shfaqni / Në ëndërr, / Kam mall, dua t'ju puth." (f. 28)
Ky segment vjen si
motiv i Andon Zakos, në një sekuencë nga Vaje, pjesa IV, kur vetë
poeti i Zagorisë shkon midis varreve:
"Kur shkoj
ndër nëpër varre, ku ka mbirë bari,
Që rritet e mbahet
me trupin tënë,
Kujtoj kush ka
vdekur, mendoj s'kanë qenë,
Zemra më lëndonet
dhe s'pushon së qari..."(16)
Cikli i pesë poezive,
grupuar tek Drita e syve të mi, që i jep edhe emrin përmbledhjes së
autorit, spikat për intimitet familjar, për ndjesi të larta prindërore, për
peshën dhe përgjegjësinë si baba, kushtuar dy fëmijëve të poetit.[17]
Vjen një vjershë
monokolonë, pa metër, me rimë të largët, me 17 vargje, ku vëmendja përqëndrohet
kryesisht tek fjalët: gjykoni, verbërisht, bekimin, të shenjtë-të
shtrenjtë, në gji, si dhe tek sintagmat: drejt në sy, sy të
lig, rezatojnë ligësi, dy yje, engjëj mrekulli, dritë e dritës.
Tek vjersha Tim
biri(18) ka nota përngjasimi moral si tek poezia e famshme e poetit
indo-anglez Rudyard Kipling (1865–1936), me titull If (Sikur,
në mundësh), cilësuar si marrëveshje ideale që duhet të përmbushin
mendja, shpirti dhe trupi, në mënyrë që njeriu të jetë Njeri.
Përfundimisht, kjo
këngë krejt e çiltër shëron të dëshpëruarit dhe shëndosh të pamundurit. Jeta
nuk vlen të jetohet pa ia shpirtëruar as kushtoret. (19) Përndryshe,
Kushtoret e jetës, siç është quajtur kjo poezi e njohur në të gjitha
kulturat letrare të botës, është një bisedë, monolog i një ati me të birin e
tij: çfarë dëshiron ai t'i mësojë për jetën!
Natyrisht, në
vjershën–monolog të Gjon Markut, në skenë është një baba shqiptar, para një
djali shqiptar, që dëgjon në heshtje, sikurse biri anglosakson apo biri i
secilit njeri nga milionat e miliardat e njerëzimit! Në 16 vargjet e poetit
tonë nuk ka asnjë "sikur" të anglosaksonit, por ka disa
"kur" dhe mjaft "mos"; vargu final pothuajse vjen i njëjtë:
gjithë baballarët duan ta bëjnë trashëgimtarin njeri – dhe kjo na qenka më e
mira! Sepse, thotë autori ynë: "Që të mos pendohesh kurrë!"
Nëse vjersha e Kiplingut
nis me kushtin e lartë, kushtin bazë të jetës tokësore:
"Në mund ta
ruash arsyen...
gjykimin...
mendjen... nëpër vështirësitë e jetës..."
poezia e Gj. Markut
nis dhe mbyllet me vdekjen dhe varrin e ligjëruesit – babait që flet e flet dhe
gjithnjë ndihet i pasigurt për rrezikun që i biri: do të trishtohet prej lajmit
mizor të ikjes në botën tjetër; do të lëshojë veten, do t'i shohë plagët në
zemër të babait, do të përkulet e të kërkojë falje se nuk u bë si deshi i ati;
por njëherësh, nëpër vargje endet hija e zezë e ateizmit, që ka dashur t'ia
përcjellë në mendje e shpirt djalit, duke iu drejtuar me këshilla mohimi, si:
mos u trishto, mos shih, mos e lësho veten, mos iu lut Zotit, mos vështro, mos
u ndal para kufomës, mos kërko falje, harroje të shkuarën dhe mos u pendo!
Por lexuesi e ka të
vështirë të kuptojë sentimentet ateiste me të cilat qenkësh ushqyer autori,
paçka se fëmijëria dhe adoleshenca e tij janë shtrirë në ideologjinë e egër të
luftës kundër fesë dhe besimit, që diktohej nga shteti i vetëm ateist në botë!
Veçse është e njohur edhe teza se midis brezave ka pasur e do të ketë përherë
kontradikta, pengje dhe mungesa të më të rinjve, që nuk mundën t'u ngjasin
baballarëve (prindërve) në mbarësinë e jetës! Kjo shpjegon jo rrallë edhe
përcjelljen me lot të hidhur ditën e ndarjes së përjetshme...! Është një poezi
prekëse për të gjitha kohët, kur lexon, të shkruara me gjakftohtësi, vargje të
tilla nga një 60-vjeçar...!
"...Zotit mos
i bëj lutje,
Mos ngri meshë në
një vend të shenjtë (kishë)...
Mos sill lule e
kurora ndër varre...!" (f. 33)
Dhe të jepet të
pyesësh: mos vallë poeti Gj. Marku është njeriu i ri, i formatuar nga koha e
ateizmit? Dhe përpiqet t'ua kalojë fëmijëve të tij veten, ashtu siç dëshiron?!
Jo, nuk është fjala këtu, por në këto vargje ravijëzohet ideja se autori kërkon
që, mbi çdo gjë, mbi çdo atribut të njeriut, të vërë Njeriun e Kiplingut –
njeriun, vetëm njeri...!
Por, pa pritur
vdekjen, iu larguan fëmijët edhe poetit... dhe atij iu rëndua gjithçka: dera e
kullës, ra heshtje nate pa hënë e pa yje... nuk ka më prind, as fëmijë...
ballit i shtohen rrudhat, sepse "Në udhëkryq shoh jetën e vdekjen"
dhe "vatra mbytet në zi!": ka mbetur vetëm kulla dhe një kuti duhani
për miqtë, që nuk do të trokasin më kurrë... Dëshpërimi vjen në shkallë të
lartë, para dhomës bosh:
"I ngjis
shkallët për në kullë,
Para meje prin një
hije,
Që e shoh të ecë
nëpër gurë
E ndalet te dhoma
ime!"
Nuk i janë larguar
Shqipërisë vetëm djem e vajza nga male e fusha, por edhe bij inxhinierësh e
ekonomistësh, mësuesish dhe profesorësh, edhe fëmijë shkrimtarësh; për të
gjithë poeti ndjen dhe i sheh si fëmijët e tij...! Në momente dëshpërimi dhe
mërzitjeje të thellë, autori ynë zë e mendon për ikjen nga kjo jetë, sikur bën
një bilanc për sjelljen dhe veprimet e tij në shoqëri: sa ka lënduar, si vdiq,
por kërkon të njoftohet si ka jetuar! U ka qëndruar sulmeve dhe egërsisë, duke
ruajtur nderin dhe punën, pa i lënë njollë askujt! Edhe dy fëmijëve u kërkon të
bëhen dëshmitarë: sa herë e kanë plagosur, e kanë vrarë shpirtërisht! Ata duhet
të shohin e të ndihen krenarë, duke vështruar majat ku është ngritur në
jetë! (f. 36)
Te sythi Pendesa ka
11 vjersha: në varg të lirë dhe strofa në katrenë, me rimë me skemë të caktuar
apo rima të largëta, si dhe strofa monokolonë me 7, 8, 24, 7 vargje, si dhe 4
vjersha me nga një strofë të rimuar me skemat: AABB, ABAB; në vargjet kolonë,
bie fjala: Njeriu, Ata dhe unë, Jeta, Pendesa, Lutem, Sërish
do të vijë, Vetëdije, Fjala, Mbeta ai që
isha, Vret fjala, Ndryshimi. Ka në këto vargje
tablo të jetës në antitezë: me dritë dhe hije, me ngritje e zbritje, ditë
bardhë e zi, me diell e sterrë, me ndjesi lumturie e trishtimi, por nuk mungon
shpresa:
"Sado e ashpër
të jetë furtuna,
Dielli prap do të
ndriçojë,
Sado e gjatë të
jetë nata,
Dita sërish do të
vijë."(2)
Poeti ka vetëdijën
se nuk pajtohet me inferioritetin; qëndron kundër autoritetit, padijes dhe
ndërgjegjes së rënduar; hedh poshtë heshtjen kur duhet të flasë. Ai nuk e do
shkëlqimin dhe verbërinë, dhe gjithmonë i mbështetet gjykimit të drejtë. Ai
urren fjalën që vret si plumb dhe, mbi të gjitha, shpall se ka synim të mbetet
ai që ka qenë, pa mundur të kapërdijë trishtimin që duan t'ia mbjellin në
zemër!
Ai i kthehet
sentencës popullore: "Fjalët s'bëjnë mort!" dhe
shpreh habi të thellë: "Sot vret fjala e padrejtë që mbjell
zi!" dhe na kujton me zë të lartë:
"Ku shkoi
fjala e mirë, e ëmbël e dlirë?
Ç'po ndodh: thyhet
buka pa u ndarë ara,
Zot mëshirë
pasosurit, lutem për mëshirë,
Dikur vriste
plumbi, sot vret fjala."(22)
Poeti është një
qenie si gjithë njerëzit e tjerë, por shkon përtej të gjithëve kur vjen puna
tek ndjesitë e shpirtit, qoftë edhe kur vështron i vrenjtur se kanë prerë
rrafsh me tokën një pyll të ri. Ai ka shpallur edhe për vete fjalën e urtë
latine "Homo sum!"(23) dhe ngre zërin për
ta dëgjuar.
Janë dy sythe
(grupime) poetike që vijojnë pas atyre më lart: njëri me dy folje në antitezë, "ndez" e "fik", si
dhe fjala, si vrastare, në ditët e sotme për vendin e tij:
Vetmi
Emigranti - me vajin e qyqes që e
shoqëron; Një fshat i bukur grek,(24) që vret bukurinë për emigrimin - plagë pa
shërim;Një fundvit me emigrantë - me qyqet, që poeti ua njeh vajin.
Janë fjalë aq të kursyera, me të cilat poeti ndërton një
oksimoron të goditur në dy vargjet e para, në karakterizimin që i bën jetës së
sotme për familjet e migrantëve:
Qyqet
Këndojnë,
apo qajnë!
Unë s'ua njoha
dot këngën,
po veç vajin...(25)
Tek Vetmia,
me 9 vjersha: kolonë dhe me strofa katërshe me klauzola rime ABAB (me metër të
ndryshëm), numërohen atributet e kësaj lekseme kaq të rëndë për shqiptarët:
"Vetmi-a"
- këngë që s'këndohet,
Ështw lot në
sy,
Wshtw djerr i
pafund,
Wshtw tmerr mbytës,
që tret shpirtin,
Wshtw fjalë e
fundit të ferrit!
Në këtë vetmi dhe
dëshpërim, autori gjen ngushëllim tek kujtimi për Skënderbeun, Gjergjin me
shpatë, si e quan populli:
"Në shekuj
rendin mbi bedena,
Shpatë e mprehtë,
mbi turq pa da...
Me flamurin që mban
në dorë
Si bekim që vjen
prej Zotit
E ban Krujën të
shungullojë
Legjendari
Kastrioti!"(26)
Mbyllet kjo tubë
poetike me dy strofë – shkaku i vetmisë është "Ikja",(27) ku
dy pleq kuvendojnë për ditët e fundit, kulla e gurtë hesht... dhe po luhet
drama e Shqipërisë, me shpopullimin e saj të dhimbshëm!
Tuba që ndjek
vëllimin Gjer në zenit(28) (f. 69), me 10 vjersha, ndër të cilat,
për të nxjerrë veten nga vetmia dhe molisja, rreshton vjershën Puthja e
parë,(29) ku strehë e saj është një shkëmb në brigjet e detit Jon; më pas,
tek autori zbret rrezja e dritës si zanë ledhatuese, që i kërkon të fshehtën e
asaj molisjeje.
Duket se e fshehta
është...
Një përjetim i
dashurisë së pare(30) është ndër poezitë më të gjata të përmbledhjes, me vargje
të rimuara, me skemë të rregullt ABAB (pa përjashtuar ndonjë asonancë). Është
një vjershë e lirë në përmbajtje, që ngre lart dashurinë trup më trup, me epsh
të ëmbëlsuar ëngjëllor, me puthje të pafund dhe melhem hyjnor, deri edhe në
ekstazë qiellore:
Froni i ndjenjës
sonë është në qiell
Është koha të
jetojmë lakuriq një moment të rrallë,
Yjet që bien brenda
një loti djegin sa një diell,
Malli shkrin lotin
e ne jetojmë dashurinë e parë.
Gjendjen e
halucinacionit - përçartje, ndijim a përfytyrim i rremë - poetët, jo rrallë, e
çojnë deri në zenit(31):
"Brenda meje
vërshon dalldisja e ndjenjave, tërbuar
E unë s'mund të
fsheh, miliona dëshira gjer në zenit!
Kërkojnë ata çastin
që drithëron, epshin e fshehur
dhe mëkatin e ëmbël
që rrjedh rrëke!"
Këto çaste magjike,
nën pushtetin e pasioneve, mbajnë pranë një djep që pret të përkundë
madhështinë Njeri!
Jo rrallë poetë të
ndryshëm, edhe të afirmuar në fushën e poezisë, devijojnë nga krijimet e
mirëfillta dhe anojnë nga folklori - jo si plagjiat, por duke u përafruar me
strukturat gjuhësore të muzës popullore. Në rastin e autorit tonë, me
vjershën E te kroi prap më prit(32) duket qartë influenca e Lazgush
Poradecit, i cili ka sjellë në artin tonë të vjershërimit perla të këtij lloji,
të cilat kanë përfunduar edhe në pentagrame kompozitorësh.
Është një
tetërrokësh idilik në katrenë, me rimë të puthur, shpesh me klauzola foljore,
si dhe fjalë një- dhe dy-rrokëshe me theks oksiton. Krojet janë simbole të
vendtakimeve të dashurisë (edhe tek eposi ynë, Muja e njeh vashën e grabitur
nga Zanat tek kroi; atje lë edhe takimet për ta çliruar atë). Gjuha e autorit
përdor idiomën gegëveriore, e përzier me disa trajta fonetike dhe
leksikore: ëmbël, krua, të dua, mua, rrëzon, thuaj.
Gjithë poezia
përshkohet nga folje lëvizjeje, që japin përshtypjen e një tabloje filmike: del
drita, ty të pres, gjithnjë ruj, u përule, u ule, më mbush, bie mbi buzë, po
shndrit, bie ballit, u jep, do të ndriçojë, do të vij, po digjet, më lidhet, po
digjem, s'di, t'ia bëj hallit; ndale hapin, kam një fjalë, them, ruj, ta dinë,
ta dijë, ta shoh, të them; po flet, rrëzon, ma thuej, the, të dua, më do, u
zunë, mos ik, më prit.
Gjithë kjo tablo
përshkohet nga drita e mëngjesit, kroi, muzë, rreze dielli, borë mali, freskia,
lulja me hijeshi, hana, flladi, zana, ora e zanave, dielli e hana, t'bukurin
sy, burim uji, dielli, zogjtë, bilbilat, bahçet, trëndafila, yjet, retë, bora,
mbramja kroi.
Janë prirje
leksikore të gjetura rrallë, edhe paqë autori nuk konsiderohet një parnasian i
veçantë gjatë krijimtarisë së tij të hershme. Dashuria kërkon mjedis për të
shpërthyer, hijeshinë për t'u zbukuruar, këngët e zogjve për ta përcjellë,
hënën për ta ndriçuar, yjet për ta vështruar nga lart, dhe bashkimin dorë për
dorë! Studiesit vërejnë se këto përfytyrime japin ndjesinë e një lëvizjeje
magjike, madhështore, harmonike, hyjnore e sugjestive.
E gjithë kjo
krijohet prej endjes së tekstit - "Texte veut dire Tissu"(33) - siç e
quan Roland Barthes(34):
Kur del drita në
mëngjes
Unë te kroi, moj ty
të pres
E buzmbrëmje
gjithnjë ruj
Kur ti vjen për me
mush ujë...
E u zunë bashkë
dorë për dorë
Por si ujë n'majën
me bore
Dhe në mbramje ti
mos ik
E te kroi prap më
prit.
Në një prej
strofave më poshtë (f. 79), poeti ndërton një ndërrim të vetës foljore, duke
kaluar veprimin nga e para në të dytën, pastaj menjëherë tek e para, sikur
druhet të mos i rrëshqasë lumturia e atij çasti sublim.
Folja pres (të
pres dhe më prit) në strofën e parë dhe atë të fundit krijon një kornizë
stilistike në gjuhën e poezisë, edhe pse nuk ndodhet në të njëjtën strofë.(35)
Edhe vjersha
tjetër Unë të dua e s'dua kënd tjetër(36), që mbyll ciklin e veçuar
te autori Gjer në zenit, trajton të njëjtin motiv dhe është e
ngjashme në përmbajtje dhe formë me poezinë paraardhëse. Idioma gjuhësore del
në gegërisht, me përzierje të lehta fonetike. Janë gjashtë strofë katërshe në
8-rrokësh "të sforcuar", me rimë të puthur; mbizotërojnë foljet, të
cilat, në ndonjë strofë, krijojnë klauzola vargjesh, si për shembull në strofën
e dytë: më pruj/më ruj/m'u druj/mos luj.
Ka vargje "të
ndezura", me krahasime, epitete, frazema dhe fjalë të poetizuara.
Porsi zanë e porsi
flutur
Vjen e bukura belkëputur,
Dhe kur nata m'merr
në gji,
Unë i lumtur s'jam
pa ty.(37)
Studiuesit pohojnë
se poezitë me frymëzime folklorike shpesh janë më të dobëta, më të
varfra në ide dhe me mungesë të shkëndijës krijuese që shfaqet tek poezitë e
tjera.(38) Disa prej tyre mbartin naivitetin e vargjeve popullore dhe
cektësi, duke munguar thellësia krahasuar me korpusin poetik të autorit tonë.
Megjithatë, kjo nuk
ndodh në krijimtarinë e Gjon Markut, pasi kërkimi poetik i fjalës dhe i
grupfjalëve e çon atë në rivlerësimin e shprehjes dhe realizimin e idesë deri
në përndëritje dhe në krijimin e figurës së Zanës shtojzovalle.
Poeti Gjon Marku të
befason me variacione trajtash formale në strukturat e strofave: herë me vargje
kolonë, të ndjekura nga thurje njëpasnjë - tri apo katër vargje të tilla, siç
ndodh në sythin Jemi një, me tetë poezi që mbeten në motivet intime
të dashurisë. Poezinë e parë me të njëjtin titull(39) e sjell me varg të lirë
dhe rimë ABAB, tre vargje të bardha dhe mbylljen me skemë të puthitur; ky është
një stil shprehjeje i kohëve të sotme në letërsinë tonë, të cilin e lëvrojnë
shumë letrarë.
Kështu alternon më
tej autori edhe tek vjershat Në sytë e tu, Aty, Dua
që pritja shpejt të vdesë(40).
Vjersha e parë
përmban vetëm një fjali, me një folje:
Në sytë e tu të
thellë
Oh ç'vështrim i
rrallë
A thua brenda
s'mbajnë lotë
Por margaritarë.
E dyta vjen si
epanaforë, me përsëritjen e fjalës Aty pesë herë në tetë
vargje, duke krijuar një skemë strukturore:
Aty ku shelgu
lotues... duket...
Aty të kam pritur
në ditët me...
Aty ku sot era po luan
Aty kam ndjerë
puthjen...
Aty do të më gjesh,
sa herë...
Tek vjersha e tretë
ngrihen dy shtylla njësish predikative, që i prijnë fjalive drejtuese; e dyta -
njësi kallëzuesore kohe - i del para disa njësive fjali, duke krijuar një
ndërtim interesant:
Kur s'jam aty
Ti zvogëlohesh
shumë
ndër deje vrapon
një mall, si një
lumë
Kur s'jam aty
si dita diellin
pres
heshtjen shtrydh
mes ëndrrash të
gjej
Gjithsesi dua
Që pritja shpejt të
vdesë
Vjersha Gjithnjë
të pres është një vegim ëndrre, ku simboli i shelgut lotues shpreh
pritjen e gjatë dhe të pashpresë. Puthja nuk ka ardhur ende, prandaj pika të
panumërta shiu përzihen me lotët e shelgut, ndërsa djali e sheh veten nën degët
e shelgut, që krijojnë një ombrellë për dashurinë. Por ëndrra e lë në vetmi:
errësirë pa hënë e yje, sytë përloten dhe ëndrra tretet si vesë mëngjesi,
ndërsa era luan me degët, duke i rikthyer pritjen pafundësisht.
Nën degët e
shelgut, oh syri ç'm'u përlot
Ëndrrat e mia u
tretën si vesë,
Aty ku era me degët
e shelgut po loz
Bashkë me shelgun,
ty gjithnjë të pres.(41)
Bashkëtingëllorja
grykore g, e përsëritur në vargjet 1, 3 dhe 4, krijon fonetikisht
idenë e ngurtësisë dhe mohimit: një sentencë arbëreshe thotë, "Ai që ngë
di, është si ai që ngë sheh!"
Vjersha me ritëm të
shpejtuar Zinete(42), tri strofa me vargje 5/6 dhe ndonjë
7-rrokëshe, prezanton një variant të veçantë; heroi (poeti/autor a personazh
tjetër) shfaqet trimëruar në emër të dashurisë, me folje urdhërore që i
drejtohen vetes dhe partneres, për të mos lejuar që të dëgjohen fjalët e botës.
Foljet mbartin kuptime leksikore të ndryshme: të pari, të ndieri (verba
participiendi), të ndjenjës (locutions affectae), të zotuari (verba
promittendi), të kumtuari (verba communicandi), si: lëri, s'prajnë,
mbahu, thotë, braktis, gjete, u shua, mbahu, harro, dua etj.
Grupimi i
emërtuar Eja përbëhet nga gjashtë vjersha kushtuar dashurisë,
që është vegim, hije, ëndërr dhe kujtim - herë pranë, herë larg. Kujtimi i
dashurisë së parë shfaqet si imazh që flet me hënën dhe yjet, duke u shfaqur e
zhdukur para syve, shpesh i ngrirë nëpër terr dhe shi, dhe shkakton pagjumësi
(f. 92).
Në vjershën Malli(43)
ëndrra sjell mallin që i përzë gjumin; nuk është bimë si trëndelina apo
erëmirë, por një figurë përrallore, e përfytyruar si njeri që vjen kur flemë
dhe na zë frymën:
Shoh, po rreth meje
s'kam askënd
Veç mallë e dhimbje
këtu me mua,
Vuaj plagën e një
ndjenje pa vend
E brengën e një
ëndrre që u shua!(44)
Pa dalë nga gjumi,
dhimbja dhe dashuria takohen në ëndërr. Këto gjashtë poezi lidhen mes tyre,
sepse i dashuruari e pohon vetes "Të kërkoj" (f. 94), ndërsa gjendja
shpirtërore, dëshpërimi i heroit, shfaqet edhe në ëndrrat që ikin pa kthim.
Poezi pa metër korrekt, me rima dhe asonanca ABAB, sjellin leksema dhe sintagma
që pikturojnë shpirtin e autorit brenda dhimbjes që nuk i ndahet: ëndrrat
e ikura, nuk kthehen, nuk gjej.
Mes lotëve, dhimbja
hedh rrënjë; ditë e vrenjtur prish ëndrrat. Dhimbje e mekur, nëpër muzg, ra shi
- shi i prajshëm që ndalet - zymtësi, shpresa larg; shpirti i qetë, por
trishtimi më kaplon, dhe vetmia merr jetë:
Dhimbjen mundohem
ta largoj
Që shpirti im të
jetë i qetë,
Po trishtimi shpejt
më kapëloi
Dhe vetmia brenda
meje merr jetë.(45)
Nëse në këtë poezi
vajza del si objekt kërkimi dhe pritjeje, në vjershën pasuese autori ndërron
regjistër: vasha shndërrohet në subjekt me "Ti" (f.
95). Titulli përemëror shërben si kryefjalë e fjalive të të gjitha vargjeve,
dhe vjersha, me 9–10 rrokje, dy strofa dhe rimë të alternuar ABAB, merr pamjen
e mëposhtme:
Eh, ëndrrat nëpër
gjumë m'i vret
Më djeg e ndez si
zjarr në shpuzë
Brenda shpirtit
diçka sikur më tret
Kur puthjen e ëmbël
e ndal mbi buzë.
Me lajka plot nur
në dritën e hënës
Me trupin lastar,
spërkatur me vesë,
Me magjinë e bukur,
hijeshinë e zanës
Në krahët e mi
zgjohesh në mëngjes.
Pas këtij gëzimi të
mëngjesit të ëndërruar, heroi shpërthen në vargje të lira, monokolonë, në
poezinë Eja, sepse pritja ende nuk ka marrë fund. Ai ndjek një
ëndërr dhe kuvendon me hënën dhe yjet, të cilëve u kërkon shpresën.
Në përbërje të
përmbledhjes, autori rrallë sjell vjersha me ëndrra të pamundura që nuk mund të
bëhen realitet (f. 100–101), për t'u lidhur më pas me tuba më të mëdha në numër,
si cikli Në fytyrën e hirtë(46), ku rikthehen poezitë
erotike: Pa dashuri, Ke zënë vend në ëndrrat e ikura,
ku heroi ndjehet pa dashuri, sepse dhimbja dhe trishtimi po i vidhet:
Ti s'je më në
zemrën time kurrësesi...
Ai çast, tek shelgu
lotues, le të mbesë. Ndërsa tek poezia me varg të lirë dhe pa metër, por me
rima dhe asonanca të rastit, "Liqeni mërdhih... mërdhih!" (f.
107), në zemrën e poetit bie shi dhe askush nuk dëshiron ta presë pranë liqenit
të dridhur nga i ftohti. Pritja e ka gërryer, dhe i ka lënë vetëm vetmi dhe
shkretim.(47)
Në vjershën e
lirë Dashuri, një gjendje pa dashurinë e ëndërruar, heroi
bashkëflen me trupin, vetminë dhe natën idhnake; emri i së ëndërruarës, për një
kohë të gjatë, i ngjall trishtim, pasi ditët ia kaloi pa mirësi.(48)
Në këtë cikël të
gjatë, nis ftohja nga partnerja, largimi dhe njëfarë mjerimi; zjarri shuhet,
ëndrra thyhet, lind dëshira për ta harruar; nis venitja dhe pamundësia për t'u
kthyer tek ai. Dashuria e saj shndërrohet në hijen e tij, ndjenja bëhet gur,
dashuria bëhet dhembje, trishtim e lot. Ka ndodhur ikja në kopshtin e harrimit,
sepse ajo do të quhet "grua e lëshuar e trishtimit të tij në ikje",
pa të drejtë të kthehet më, pasi dashuria nuk rilind më; ai ia lë Zotit të
gjykojë. Në poezinë e fundit të sythit, nuk vjen mallkimi, por një karakterizim
i rëndë në trajtë dënimi, me mbyllje cikli që tingëllon si krrokama
korbash:
Fjalët e tua si re
të zeza në çdo anë
Në zemër paske
pasur helm nepërke,
Ndryshe flisje kur
të kisha pranë
Pas shpine më
ngrije veç kurthe!(49)
Në vjershat për
dashurinë tek autori, dallohen lidhje të vogla me krijimtarinë popullore, siç
vëren studiuesi L. Topçiu për L. Poradecin: këto poezi janë të hapura në
strukturë, stilema dhe frymë autoktone, me procedura që gjenden në poezinë popullore,
imazhe thelbësore për folklorin me notë autoktonizmi.(50)
Këto vjersha i
kushtohen dashurisë tokësore, reale, të provuar (ndonëse humbur), me pak tone
onirike, ndryshe nga krijues të tjerë me të njëjtën temë. Heroi lirik, pas
humbjes së ndjenjës së dashurisë, kthehet tek vendi i tij (f. 135) me dy
vjersha simbol, Përgjysmë(51), ku e sheh Shqipërinë si gotën e
ujit:
Gjysma plot apo
gjysma bosh...
Në poezinë 50 me 50, autori shfaq raportin
midis së Keqes dhe së Mirës, që e kaplojnë protagonistin; ndërsa në Shqiponjës,
katër vargje i blatojnë nderimin hyjnor. Gjon Marku shfaqet në vjershërim me të
papritura dhe befasi tematike. Në këtë cikël, na vjen edhe një rapsodi, ndoshta
një tekst kënge, si Bashkë me zogjtë do fluturojë(52), një krijim i
lëvruar, veçanërisht pas viteve 1990, kur nis mërgimi masiv i të rinjve, dukuri
që po shkreton Shqipërinë. Teksti paraqet nënat shqiptare që, me lot syve,
përcjellin djemtë e tyre, ndoshta për të mos i parë më:
Oh, jo nanë, ti
mirë ta dish
Se atdheu s'mund të
lëngojë;
Sa herë, nanë, të
thërrasish,
Bashkë me zogjtë do
t'fluturoj.(53)
Po kështu, atdheut
i kushtohet edhe një tjetër vjershë ku djali mërgimtar ndjen plagë në gjoks;
kur pyetet se çfarë është ajo, përgjigjet se të gjithë duhet të shohin plagët
që therin Shqipërinë, sepse ato sjellin dhimbje dhe vuajtje për shqiptarët e
mërguar.
Poeti vijon me
grupimin Mirditë (f. 141–152), ku shfaq vargje me
esklamacione, të shtrira në tercina me rimë interesante: ABC (me asonancë),
AAA, AAA, AAA, AAA, AAA (me asonancë), dhe AAA (me një asonancë). Kjo trevë
paraqet hapësirën historike dhe qëndresën shekullore të Mirditës, me krenari
për banorët dhe pasurinë nën dhe mbi tokë, heronj të rrallë, doke dhe zakone,
virtyte dhe vlera morale të pakrahasueshme. Karakterizimi i hapësirës bën të
dukshme palcën e dhimbjes, lavdinë arbërore dhe përjetësinë morale të saj:
Mirdita shfaqet
sulmuar nga rrebeshe, me thikë pas shpine, e papërulur, me barut ngjeshur, me
ëndërr lirie, me qëndresë ndaj osmanëve, me heronj që lëshuan gjamë dhe kulla
me themele gjaku. Vargjet e tij ngrenë një imazh të fuqishëm:
Pse Mirditë kurrë
burrnia s'të vyshket
Ani se magjia mund
të të myket,
Por pushka kurrë
nuk të ndryshket!
Autori nuk kënaqet
vetëm me tercinat; ndërron regjistër dhe kalon në katrenë me rimë të rregull,
duke provuar metafora kozmogonike dhe duke iu drejtuar malit për ta krahasuar
me rrufetë që e përshkojnë relievin:
Bukuria jote
Munellë, verboi dhe rrufetë.(54)
I dashuruar me
krahinën e vet, poeti përdor metafora dhe epitete të goditura: nuse e lazdruar,
hije kapsallitëse, përqafohet me erën, mantel të argjendtë, shijoj buzë të
ngrohta, shkëlqime të ftohta, sy të krijuar nga meteorë, vetmia ritmon, erë e
çmendur, lot i rëndë, verboi rrufetë. Ai këndon Mirditën e tij me krenari të
ngritur sipër reve; pa iu përulur rrufeve dhe duke e mbrojtur truallin nga
pushtuesit. Kullat hijerënda, toka e ushqyer, e tërheqin poetin; ai është i
tronditur se e ardhmja e tij atje i ka ikur, por mbahet në vetvete, sepse
kullat e gurta nuk kanë harruar të ruajnë historinë. Fundi i plakut të vetëm në
atë kullë e trondit autorin, si të dëgjonte gugatjen e zezë të korbave dhe
ngrihet me të madhe:
Mos e kopjoni atë
krrokamë!
Vjersha O
Mirditë(55), e pasur me mjete gjuhësore të veçanta për këtë krahinë, duket
se është hartuar si tekst kënge me çifteli ose në grupe koncertale me ndërrime
zërash. Është një tetërrokësh, duke ndjekur traditën e gjatë të krenarisë,
heroizmit dhe trimërisë, siç bënin edhe Gjokë Beci, Dedë Ndue Lazri dhe rapsodë
të tjerë. Vjersha e gjatë me 15 strofë duhet vlerësuar për leksikun e zgjedhur
dhe sintagmat e lidhura natyrshëm, si: mal mbi male, rreze dielli plot nur,
gdhend fjalën, lëshojnë rrufe, princa kapidana.(54)
Rrezja e artë e
dritës, lëmon fjalën dhe figurat e tjera poetike, por kjo duhet parë edhe në
kontekstin e një periudhe të gjatë historike, duke theksuar në mënyrë të
veçantë kontributin e djemve dhe intelektualëve mirditorë që nga Kuvendi i
Arbërit (1703), kur u përmend e u shkrua për herë të parë emri Shqiptar i
kombit tonë. Autori përmend Lekë Dukagjinin dhe fjalët e tij të urta të
gdhendura në gur përgjatë Kanunit, Gjergjin me shpatë dhe vëllezërit humanistë
Gazullorë – njëra anë e emrave të shquar; ndërsa në anën tjetër vijnë Abat
Doçi, pararilindës dhe kryetar i Shoqërisë "Bashkimi", Gjergj Fishta,
që ndriti Shqipërinë me shkronjat e gjuhës shqipe; Pashko Vasa, valiu i
Libanit; Ndre Mjeda, poet i madh; dom Nikollë Kaçorri i Lurës, pranë Mirditës,
nënkryetar i qeverisë së Vlorës, përkrah Ismail Qemalit. Për këta burra të
mendjes dhe të pushkës, Mirdita krenohet dhe i quan bij të saj.
E kur meshën ngre
Gjergj Fishta
Abat Doçi ban kryq
në lter
N'kamë ish ngritë e
tan Mirdita
Me lavdi, me turr,
me nder...
Kur i lirë flamuri
u valvitte
E u mblodhën burrat
n' Vlorë,
Dom Nikolli prej
Mirdite
Nënkryetari
mendjehollë.
Për Fishtën dhe të
tjerë, që autori i sjell në poezi, ngulmohet prejardhja nga Mirdita, siç është
familja e Poetit të Lahutës, por kjo nuk duhet kuptuar si ndarje me
flamur; figura të tilla si Abati Doçi, Fishta dhe Imzot N. Kaçorri janë bij që
i kanë shërbyer Atdheut me mendje dhe zemër. Autori bën një paralelizëm me
Greqinë e Lashtë, ku shtatë qytet-shtete grindeshin për origjinën legjendare të
Homerit, i cili konsiderohet baba i gjithë poetëve të botës; në sofrën e tij u
ushqyen tragjiktë grekë dhe figurat kryesore të letërsisë europiane.
Një tjetër tekst
kënge, Ndale hapin, mos u turr(56), paraqet një popull që mbron
Shqipërinë dhe flamurin; fëmijët shkrijnë barut nga frika, sepse varret e të
parëve tronditen kur sulmohet vendi. Në qiell nuk kanë vend korbat, por
shqiponjat; kur lëndohet atdheu, rrufe shkrepen dhe gjaku ngjyros retë dhe
tokën si vullkan që shpërthen. Herë pas here, poeti kujton me mall
vendlindjen(57), duke përjetuar ëndrra dhe dhimbje për atë që sheh: uji që
gurgullon, kënga e bilbilave, rrezet e arta që lëmojnë faqet e maleve e
magjepsin autorin.
Katër këngë për
Kosovën – palcën e dhimbjes pa cak – i kushtohen ngjarjeve të përgjakshme andej
kufirit, pas tragjedisë historike, kur çelin lulet si gjak(58). Simbolit të
këtyre ngjarjeve, Adem Jasharit(59), heroi i paharruar i Kosovës martire, i
drejtohet autori me "Ti", sikur ta kishte para syve dhe pranë vetes –
foljet në vetën e dytë: dëgjove, jepeshe, kishe lindur, s'të mposhtën, u
ngrite, i fale, (ti) mblodhe, këndon, ke fluturuar. Poezia e sjell heroizmin e
Jasharit:
Ti mblodhe shikimet
si rrezet e diellit
Larg nga lotët e
brengës si e truer,
Këndon këngën e
krenarisë të zgjimit
Me shqiponjën në
flamur, ke fluturuar!
Në dy poezitë e
fundit të këtij cikli, Kosovës dhe Fluturon në flamur (f.
156-157), krijohet tabloja e zjarrit çlirimtar pas tragjedisë së Prekazit:
Bjeshkët e Namuna
qiejsh kuvendojnë.
Mbytur në grahma
dhimbjesh gjer në zgrip...
Sepse kudo, në
tokën e përgjakur,
Janë bijtë e
shqipes që shkulen nga dheu;
Në disa vende të
përmbledhjes, si segmenti Nderim kësaj bote(60), vargjet e tij
flasin për heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bonjakun (1955–2923), dëshmor i
Banjskës së Leposaviçit, rreshter i Policisë së Kosovës, vrarë në përballje me
forcat serbe. Poeti i kushton vargje edhe Nënës Botërore të Bamirësisë - Nënë Terezës:
Nanë Terezë,
shpresë sjell ndër ne
Siç sjell dielli
n'ditë të re;
Kudo janë në botën
mbarë,
Ban krenar ti çdo
shqiptar.(61)
Pa bërë dallim e
rend mes tyre, Gjon Marku nuk lë pa i thur një ditiramb të veçantë heroit më të
ri të Kosovës, ushtarakut Afrim Bunjak[62], i cili ra përballë plumbave të një
bande që tentoi të shkelë një tokë të përgjakur në Banjskë. Për bijtë e çmuar
të një vendi, krahas të rënëve në fushëbetejë, duhen nderuar edhe ata që u
njohën në lëmë të artit dhe skenës, si Leze Spaçi[63], për hapësirën e Kosovës,
dhe këngëtari i shquar popullor, Artisti i Popullit Bik Ndoja[64]; edhe këta
kanë marrë vjersha nga pena e Gjon Markut.
Me dhjetë poezi të
përfshira në sythin Marrëzi (f. 165–177) mbyllet kjo
përmbledhje poetike e shkrimtarit Gjon Marku. Nisur nga vjersha me dy strofë e
me të njëjtin titull, poeti ngrihet me zë të lartë, duke vënë në dukje se
demokracia, e sjellë prej studentëve dhe intelektualëve, u shfytyrua keqas nga
koha e pasurimit në kurriz të shoqërisë. Ai e paraqet këtë me një ton të
ashpër:
I sheh tek
kapërdisen hijerëndë zyrtarët
Vampirë, që nuk
ngopen e me shpirtin e zi,
Medet nga mbinë
këta, të pa soj, të marrët
Mjerë ata, kur ditë
e ndëshkimit do të vijë!(65)
Midis atyre që
solli demokracia, shumë kaluan në pellgun e "Vulgut":
Ju që dini të bëni
veç elozhe
E dini ta hidhni
vallen sipas avazit
Përdridheni si të
jeni loze
Pas çdo fjale të
shefit ia jepni gazit.
Vijojnë radhazi
poezi satirike dhe sarkastike, në stil të Fishtës, si vjersha Cigarja:
Ti që nuk mësohesh
dot me heshtjen
Më lan e më lyen si
askush
Asgjë s'ta shuan
dot kureshtjen
Pabesi dhe djallëzi
i keni brenda jush.(66)
Zëri nën zë thekson një individ të tillë, të cilit i
drejtohet autori:
Dikur lutesh e
shtiresh marrëzisht
Po me ty djajtë
bënë pajtesë
E ndër sy lot
kristali e i brishtë
S'e fsheh dot
tradhtinë e pabesë!
I tillë është
edhe Gjyqtari, ku toga e zezë (pelerina) e bën gjykatësin
hijerëndë-gjykatës korb që duhet të japë drejtësi. Ndër këto vjersha dallon
poezia e gjatë me 16 strofa katërshe dhe një distik,
O medet, çfarë mban
kjo tokë!, ku ndihet ndikimi i Fishtës dhe i
krijuesve të mëvonshëm, ndoshta edhe i humoristit Bik Pepa i Estradës së
Shkodrës.
Poeti përshkruan
ministra e drejtorë injorantë, zyrtarë të padenjë, duke shfaqur skena zyrash
plot me mediokërsi; deputetë që luftojnë me bërryla për poste kryetarësh;
ministra që ai i quan "rruspi", të cilët kërkojnë të hapin akademi
barinjësh për dhen e për dhi, dhe zyrtarë që kthejnë institucionet në motele,
nga ministri deri tek patronazhisti - njeriu i ri i djeshëm - zuzar në vend të
tij. Ai shqetësohet se "prijësit tanë" i përulen Europës dhe se
shqiptarët po ikin:
Prap ka djem e ka
rini
E nga fjala nuk
kanë frikë
E në këmbë ngrihen
një ditë
E atëherë prit e
shif...
E këta bala e
zagarë,
Këta hajdutë e të
marrë
Prostitutë e të
përdalë
Krejt për hundësh
do t'u dalë.(67)
Në pjesën mbyllëse
të kësaj tube letrare, zemërimi i poetit përzihet me urrejtjen ndaj pabesisë,
rënies së drejtësisë dhe institucionet e korruptuara. Punonjësit shtetërorë
shfaqen hipokritë, me lajka në karrierë, puthadorë ndaj eprorëve dhe shpesh të
shndërruar në figura pa etikë, sidomos para ngjarjeve të hapura si 21 janari.
Gjon Markut, i cili
merr dhe na thotë: Luftova fort për të mbetur njeri, çka tregon se
ka lindur dhe ka arritur deri sot si Njeri.
R e f l e k s i o n
E habitshme ka qenë
dhe mbetet bota e krijuesve në letërsi, jo vetëm për shkrimtarët shqiptarë, por
kudo që janë dhe jetojnë, krijojnë dhe publikojnë. Arti poetik përmban të
papriturën: figurën, magjinë, hermetikën, simbolin, historinë, flamurtarët,
duelet, krenarinë dhe nënshtrimin, humbjen dhe fitoren, gazin dhe lotët,
kujtimin dhe harresën, vetëmburrjen dhe përuljen, dashurinë dhe urrejtjen,
ëndrrën dhe realitetin... pa fund mund të rreshtojmë terma si këta.
Veç duhet të dijë
lexuesi se në vjershërinë e Gjon Markut ka mimoza e lot, errësirë e dritë; ka
vegime dhe dhimbje, sfida dhe dehje (jo nga pija, por nga dashuria), natyrë
liqeni dhe zana shtojzovalle, enigma dhe mbretëri të Alpeve; skena dhe tablo
dashurie me nuse-hënë dhe djalë-dhëndërr; ka shumë Shqipëri dhe jo më pak
mërgim; ka sirena dhe vajtim qyqeje, shi dhe ngricë, heshtje dhe djallëzi, vulg
dhe deputetë, burracakë dhe dinjitarë morali; kohë e Gjergjit dhe e shqiponjës
lart; tokë dardane dhe zemra nëne kosovarësh; ka zeninë e të varfër... dhe,
diku-diku, edhe Konstandinë, që ngre rrasa varri, për të mbajtur besën.
Shkurt, pa shkelur
në blasfemi, mund të themi se këto pesë tuba me grupime poetike të autorit
ngjajnë si pesë sheshpushime apostolike të Udhës së Kryqit. Në të parin,
kryesorin, autori synon të mos dalë nga natyra e kësaj qenieje që quhet NJERI,
për të cilën ka luftuar me shpirt dhe zemër! Ai ka provuar vetminë, me të
cilën, bashkë me mallin, ka flirtuar, qoftë edhe duke derdhur lot; ka pritur
stinën e mimozave, që e mbushnin me shpresë, pa marrë parasysh se jo rrallë
mbushej edhe me trishtimin e pagjumësisë.(69)
Poeti është i
ndërgjegjshëm se Njeriut i duhet një "Ti" për të fituar në
jetë; prandaj i drejtohet përsëri të birit, që ai të mos jetë vetëm një shelg i
vetmuar:
"Jeta është e
egër, ka Zot dhe dreq,
Ka një fjalë të
vjetër që nuk thuhet keq:
Mos u tut, o birë,
ruaju në çdo shteg.
Nuk mjafton, o
birë, të jesh veç shelg."(f. 15)
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Literaturë e
përdorur
[5] Gjon Marku, Drita e syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 184.
[6] Po ai, f. 16.
[7] Po ai, f. 14.
[8] Viktor Hugo, William
Shakespeare, Onufri, Tiranë,
2022, f. 292.
[9] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 21.
[10] Po ai, f. 30.
[11] Ky fragment lutjeje mund të jetë hartuar (përkthim ose përshtatje) nga
Imzot Lazër Mjeda, qysh në fund të shekullit XIX, siç thuhet se është edhe
lutja tjetër, me titull: "Unë prej Zotit jam i kështenë / E kështu dua
gjithmonë të jem...".
[12] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 23.
[13] A.Z. Çajupi, Vepra
letrare, Uegen, Tiranë, 2001, f. 33–34.
[14] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 26.
[15] Po ai, f. 27.
[16] A.Z. Çajupi, Vepra
letrare, Uegen, Tiranë, 2001, f. 35.
[17] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 32.
[18] Po ai, f. 33.
[19] Rudyard Kipling, If –
Poezi, shqipëroi Ukzenel Buçpapaj, Arbëri,
Tiranë, 1996, f. 130.
[20] Gjon
Marku, Drita e syve të mi – poezi, EMAL, Tiranë, 2024
[21] Po ai, f. 43.
[22] Po ai, f. 48.
[23] Homo sum (lat.) – Jam njeri, f. 49.
[24] Foqja – fshat turistik grek, f. 54.
[25] Po ai, f. 57.
[26] Po ai, f. 65.
[27] Po ai, f. 68.
[28] Zenit (arab. samt – qiell), term astronomik; fig. kulmi i zhvillimit, f.
69.
[29] Po ai, f. 70.
[30] Po ai, f. 72.
[31] Po ai, f. 73.
[32] Po ai, f. 78–79.
[33] Roland Barthes, Texte
veut dire Tissu.
[34] Luan Topçiu, Poeti i
vështirë Lazgush Poradeci,
Onufri, Tiranë, 2024, f. 66–67.
[35] Xhevat Lloshi, Stilistika
e gjuhës shqipe dhe pragmatika,
Albas, Tiranë, 2012, f. 86.
[36] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 80.
[37] Po ai, f. 80.
[38] Luan Topçiu, Poeti i
vështirë Lazgush Poradeci,
Onufri, Tiranë, 2024, f. 70.
[39] Gjon Marku, Drita e syve
të mi – poezi, EMAL, Tiranë,
2024, f. 82.
[40] Po ai, f. 84, 86, 88.
[41] Po ai, f. 85.
[42] Po ai, f. 87.
[43] Po ai, f. 93.
[44] Po ai, f. 93.
[45] Po ai, f. 94.
[46] Po ai, f. 103–133.
[47] Po ai, f. 108.
[48] Po ai, f. 109.
[49] Po ai, f. 132.
[50] Luan Topçiu, Poeti i
vështirë Lazgush Poradeci,
Onufri, Tiranë, f. 68–69.
[51] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 136.
[52] Po ai, f. 138.
[53] Po ai, f. 138.
[54] Po ai, f. 143.
[55] Po ai, f. 147–149.
[56] Po ai, f. 151.
[57] Po ai, f. 152.
[58] Po ai, f. 154.
[59] Po ai, f. 155. Adem Jashari (1955–1998), Prekaz, Kosovë.
[60] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 159–164.
[61] Po ai, f. 163.
[62] Afrim Bunjaku (1973–2023), dëshmor i Banjskës së Leposaviçit, rreshter
policie i Kosovës, vrarë në krye të detyrës kundër forcave serbe.
[63] Leze Spaçi (1935–2013), artiste nga Prizreni, aktore e njohur teatrore dhe
ekranike.
[64] Bik Ndoja (Ludovik Ndoj Gjergji, 1925–2015), këngëtar popullor i Shkodrës.
[65] Gjon Marku, Drita e
syve të mi – poezi,
EMAL, Tiranë, 2024, f. 166.
[66] Po ai, f. 169.
[67] Po ai, f. 174.
[68] Gjon
Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi, Emal, Tiranë, 2025
[69]
Gjon Marku, Ëndrrat e shpirtit – Poezi, Emal, Tiranë, 2025, f. 13.









