E diele, 22.03.2026, 09:42 PM (GMT)

Kulturë

Nikoll Toma – Gjon Marku: “Mirdita në vizionin filatelik”

E diele, 22.03.2026, 06:52 PM


Rreth librit "Mirdita në vizionin filatelik"

të autorit Gjon Marku

NGA DR. NIKOLL TOMA

Në një analizë të shkurtër do të ndalem në disa ide rreth librit "Mirdita në vizionin filatelik", i cili u botua në vitin 2004. Duke shtjelluar mendimet e mia rreth këtij libri, nuk pretendoj se po bëj një analizë të gjithanshme për të, sepse një gjë e tillë do të kërkonte një mendim të specializuar e të plotë në fushën e filatelisë.

Gjon Marku, që nga viti 1990, ka bashkëpunuar rregullisht me shtypin periodik, si: "Alternativa SD", "Koha Jonë", "Shekulli", gazeta "Sot" dhe, në veçanti, me revistat kulturore të Shkodrës: "Mbas teje", "Kumbona e së dielës", "Rrezja jonë" dhe përmbledhjen kulturore-shkencore "Shkodra në shekuj".

Është koleksionist dhe studiues i filatelisë.

Autor i librave:

·Njeriu që vinte dhe ikte natën, 1999

· Ndërfana (monografi), 2001

·"Mirdita" (intervista) I, 2000 (publicistikë)

· "Mirdita" (intervista) II, 2002 (publicistikë)

· "Mirdita" (intervista) III, 2004 (publicistikë)

Por le të ndalemi te libri i fundit i autorit, "Mirdita në vizionin filatelik", të cilit, që në hyrje, autori i kushton me të drejtë një vëmendje të veçantë vështrimit rreth filatelisë, zanafillave të saj, si lindi nevoja e shërbimit postar dhe fillimet e tij, duke filluar nga viti 1818 në Mbretërinë e Sardenjës, për të vijuar më vonë, duke na paraqitur një monografi me shumë vlerë në këtë fushë. Monografi të tilla, sigurisht, kanë qenë dhe janë të pakta.

Të dhënat për filatelinë botërore krijojnë bazën e njohjes në këtë fushë dhe lexuesi ndjen kënaqësinë e leximit të tyre, edhe për faktin se ato jepen të shkruara në mënyrë letrare dhe me një gjuhë të zgjedhur.

"Trokitja ose rënia e ziles së postierit është një nga tingujt më mikpritës" (f. 5). Dhe, me të vërtetë, ajo zile e postierit ndodh që herë të gëzon e, jo në pak raste, të hidhëron, fenomen ky i theksuar në këto vitet e fundit të tranzicionit shqiptar të tejzgjatur.

Ajo letër e thjeshtë që të vjen, përveç lajmeve që ka brenda, në surprizën e zarfit mban edhe një pullë, e cila, ndonëse në pamje është e vogël, por, po ta analizosh me vëmendje, ka plot ide dhe pasqyron aspekte nga më të ndryshmet të jetës shoqërore, ekonomike, politike të një treve të caktuar, të një shteti apo më gjerë.

Autori në libër argumenton shkencërisht historinë e pullës së parë të botës, të emetuar në vitin 1840, e deri te koleksioni i stampave. Flitet për hovin e madh që mori shërbimi postar pas daljes së pullës së parë, e më pas ndalet te lindja e termit "filateli" në vitin 1864 dhe krijimi i Shoqatës së Filatelistëve londinezë, e finalizuar edhe me hapjen e ekspozitës së parë filatelike në botë në vitin 1912. Po ashtu përmendet edhe dalja e manualit "Bazat e koleksionimit të pullave", i cili cilësohet si fillimi i literaturës filatelike në botë.

Në një nënkapitull të librit, Gjon Marku ka analizuar gjendjen e shërbimit postar shqiptar, si dhe emetimin e pullës së parë shqiptare më 1913. Po ky shërbim, pohon autori, në Shqipëri ekzistonte edhe më parë, që në kohën e Perandorisë Osmane, në disa qytete kryesore të vendit, si: Shkodër, Gjirokastër, Korçë e Vlorë, derisa më 1902 u shtyp nga zyra postare italiane pulla me emrin "Albania".

Autori Gjon Marku bën një analizë të thellë të koleksionit filatelik shqiptar, të temës së gjerë të sferave që ai ka përfshirë dhe trajtuar. Këto janë fusha të rëndësishme si historia, trashëgimia, arkeologjia, etnologjia, monumentet e kulturës, flora, fauna e deri te personalitetet e shquara nga Shqipëria dhe bota. Për rrjedhojë, këto kanë bërë që pullat shqiptare të jenë mjaft të kërkuara në vendet e botës perëndimore, pikërisht sepse ato kanë pasqyruar jetën shqiptare në mënyrë të gjithanshme. Në këtë kapitull, në një farë mënyre, është bërë një histori e filatelisë shqiptare, ku njihemi me jetën dhe punën e bërë nga filatelistët shqiptarë dhe ata të huaj, të cilët kanë kontribuar për kulturën shqiptare, duke na dhënë një thesar të madh njohurish në këtë fushë relativisht të re dhe jo shumë të njohur.

Në kapitullin "Filatelistët mirditorë ndër më të hershmit në plejadën e filatelistëve shqiptarë", autori ka meritën që na zgjeron kureshtjen në këtë drejtim, njëkohësisht duke thelluar studimet e tij në këtë fushë. Mirdita është një trevë tepër e rëndësishme në trungun shqiptar edhe në aspektin filatelik, duke na njohur pikërisht me filatelistët e parë mirditorë: Ndoc Xhuxha, Preng Bib Doda, Pashko Vasa, Jak Dika, Gjon Muzhani etj.

Preng Bib Doda, princi i Mirditës, personalitet i shquar gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, që më 1883 kishte shtypur pullën e parë shqiptare lokale dhe pati dërguar në Vatikan koleksionin e monedhave shqiptare po në vitin 1883. Ai, për realizimin e idesë së tij, pati shfrytëzuar autonominë e krahinës së Mirditës. Kështu, autori Gjon Marku jep një argument tjetër rreth këtij personaliteti politik dhe ushtarak të asaj periudhe, pra se Preng Bib Doda ishte edhe një filatelist i mirëfilltë.

Një vend të veçantë në libër zënë analizat që autori u bën pullave "Posta Vetëqeverria e Mirditës". Analiza e tyre bëhet bazuar në fokusin e një ngjarjeje historike, me një përshkrim të gjithanshëm të saj si formë, madhësi, ngjyrë, e cila mendohet të jetë realizuar në një tipografi private në Beograd.

Seria e plotë e pullave "Posta Vetëqeverria e Mirditës" korrespondon – thotë autori – me lëvizjet separatiste të Mirditës në vitin 1921, kur më 17 korrik të atij viti u shpall e ashtuquajtura "Republika e Mirditës". Autori thotë se kjo ngjarje është pak e studiuar, si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë lokal. Gjon Marku, me të drejtë, pohon se "pullat Posta Vetëqeverria e Mirditës, pavarësisht se kanë dalë në vitin 1921, janë ideuar shumë kohë më parë nga princi i Mirditës, Preng Bib Doda".

Për hir të së vërtetës, dy kapidanët, Marka Gjoni dhe Preng Bib Doda, kanë pasur diferenca të mëdha kulturore. Ky i fundit ka pasur vizione shumë më të gjera në shumë drejtime. Por është edhe një fakt tjetër domethënës se pulla është më e hershme se viti 1921. Gjonmarkajt kanë mbajtur idenë e indipendentizmit, por, për fat të keq, Marka Gjoni nuk arriti të kuptonte se kjo vijë politike ishte e gabuar në periudhën pasi ishte krijuar shteti shqiptar; për rrjedhojë, ideja e tij në vitin 1921 ishte krejt e gabuar.

Ideja e hedhur në këtë libër se "Posta Vetëqeverisëse e Mirditës" ishte krijuar për të përmbushur më tepër një qëllim politik sesa filatelik është e drejtë. Në atë periudhë, qeveria e vetëshpallur e Mirditës ishte cilësuar si antikombëtare dhe, për këtë arsye, qenë marrë të gjitha masat për të bërë asgjësimin e të gjithë dokumentacionit të saj; pra ishte rrezikuar edhe pulla e saj. Por, fatmirësisht, ajo i ka shpëtuar asgjësimit dhe ka arritur të botohet edhe në katalogët më të mëdhenj të Perëndimit, si në Gjermani, Austri, Kanada, Amerikë etj.

Libri mbyllet me kapitullin "Motivi mirditor në pullat postare shqiptare". Pullat janë panorama e një vendi. Ato, përmes një kuadrati të vogël, pasqyrojnë në mënyrë të gjithanshme vendin dhe shtetin, duke prezantuar kështu visaret më të rëndësishme të kulturës së një populli.

Filatelia shqiptare ka pasur një zhvillim të madh pas vitit 1960, kur dolën në qarkullim një mori pullash postare që paraqesin më së miri Mirditën: me kostumet e bukura të saj, mjediset tipike mirditase, punimet e mrekullueshme të artizanatit, si gdhendjet në dru, në baltë, në metal, me pamje nga folklori i pasur i Mirditës dhe ato me origjinë nga kjo trevë.

Një nga pullat me vlerë tepër të madhe arkeologjike dhe historike është ajo e botuar në vitin 1974, "Përkrenarja Ilire e Perlatit", e cila është e vetmja në Ballkan që pasqyron më së miri dy aspekte tepër të rëndësishme: është e vjetër në kohë, pra i përket shekujve VII–VI para Krishtit, dhe, për faktin tjetër, përkrenare kanë pasur vetëm luftëtarë të mëkëmbur ekonomikisht.

Libri ka në përgjithësi një kompozim të shkëlqyer grafik. Përmbajtja e këtij studimi është me vlerë jo vetëm për filatelinë në Mirditë, por edhe atë kombëtare, pasi monografi të tilla janë të rralla. Monografia është një këndvështrim i ri për të studiuar Mirditën edhe në këtë aspekt dhe i shërben thellimit të mëtejshëm të studimeve në këtë fushë.

Libri është përkthyer edhe në gjuhën angleze, dhe kjo i shton më tepër rëndësinë, pasi krijohet mundësia e përhapjes së tij jashtë kufijve të Shqipërisë, për t'u njohur me vlerat e filatelisë shqiptare e botërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx