Kulturë
Ajete Zogaj: Një thesar i vogël vargjesh
E shtune, 21.03.2026, 06:52 PM
NJË THESAR I VOGËL VARGJESH
Shefqet
Dibrani “Qershia e pikëlluar” Botoi Ndërmarrja Botuese “Pionieri” Prishtinë,
1997
Libri me poezi “Qershia e pikëlluar”, i cili
edhe pse i botuar vite më parë, ruan freskinë dhe mrekullinë magjike të vargut
për botën e padjallëzuar të fëmijëve.
Shkruan:
Ajete ZOGAJ
Letërsia
për fëmijë, është një pasuri kulturore e cila hap para fëmijëve një botë sa
imagjinative aq edhe të dashur, për të gjithë lexuesit e vegjël. Autorët e
letërsisë për fëmijë, përmes krijimeve të tyre letrare e artisitke, ju ofrojnë
mundësi fëmijëve ‘të udhëtojnë’ me imagjinatën e tyre krijuese në vende
të ndryshme të botës, gjithnjë përmes artit të fjalës. Rëndësia e letërsisë për
fëmijë, dhe e shkrimarit i cili krijon për të vegjlit, është i jashtëzakonshëm.
Libri i mirë për fëmijë është një mjet që i ndihmon ata të zhvillojnë aftësi
kritike, dhe analitike që mund t’u shërbejnë në të ardhmen, duke zgjeruar
horizotin e tyre intelektual. Prandaj me të drejtë mund të konstatojmë se të
hartosh një libër të çfardo zhanri qoftë për fëmijë, nuk është punë e lehtë,
ngase, autori duhet ta njohë mirë botën e fëmijëve, të njësohet me ta, me
ëndrrat dhe preokupimet e tyre. Mbase, këtë mision të shenjtë të fjalës së
shkruar artistike për fëmijë, Shefqet Dibrani arrinë ta kristalizoj bukur në
librin e tij “Qershia e pikëlluar” e cila edhe pse e botuar vite më
parë, ruan freskinë dhe mrekullinë magjike të vargut për botën e padjallëzuar
të fëmijëve.
I
strukturuar në tre kapituj, “Shpata e Skënderbeut” , “Tëbana ime” dhe “Treni
i fundit”, libri poetik “Qershia e pikëlluar” i autorit Shefqet
Dibrani, dëshmon përkushtimin e tij ndaj letërsisë në përgjithësi si dhe
pasionin e tij të jashtëzakonshëm për poezinë, duke krijuar vargje të bukura
për fëmijët të cilat shpërfaqin një botë plotë ndjenja dhe imazhe të bukura, me
mesazhe mbresëlënëse dhe tejet të rëndësihme për lexuesit e vegjël. Në këtë
përmbledhje poetike, autori Shefqet Dibrani përdorë figura stitlistike duke
sjellë tablo të pasura, ndërsa me thjeshtësinë e vargut ato janë edhe më të
këndshme dhe më të dashura për lexuesit, jo vetëm për fëmijët por edhe për më
të rriturit.
Në pjesën e parë “Shpata e Skënderbeut” Dibrani u kushton poezi figurave të rëndësishme të historisë shqiptare, duke ngjallë nëpërmjet tyre atdhedashurinë dhe nderimin pë ata që u sakrifikuan për atdhe, por edhe dashurinë për vendin. Libri hapet me poezinë “Flamurit” së cilit autori ia bën dhuratë poezinë:
“Ty që shpalove
Ëndërrën për liri
ty o Flamur
dhuratë - këtë poezi.”(1)
Gjithashtu, edhe në poezitë kushtuar Skënderbeut, autori e ‘shpije’ lexuesin në bëmat e Skënderbeut dhe në luftën e tij me shpatë në dorë. Autori është mjaft i guximshëm edhe kur i thurë vargje Shqipërisë, vendit të tij të dashur, në kohën kur shqiptarët e Kosovës, vriteshin e burgoseshin pse e duanin atdheun e tyre të mohuar Shqipërinë. Ngjallja e artdhedashurisë përmes vargjesh të bukura për të vegjlit, është një vlerë e pamatë e autorit Dibrani. Ja se si shprehet në vargjet:
“Nënë Shqipëri - vendi im,
më bën djalë që s’plaket kurrë,
më jep zemër, më bën trim
forcë më jep, më bën burrë.”(2)
Autori
është optimist se për ‘Kosovën, këtë bukuroshe, do të çelin lule me lirinë,
bashkë me brezat që do të vijnë’. Për poetin Shefqet Dibrani, Nëna Tereze
është ‘Pëllumbesha e paqes’, e cila u shfaq në trojet arbërore pas një pritje
të gjatë që t’i heqej çelësi i derës, pra deri sa iu lejua që ajo të vizitonte
vendin e saj. Autori për vogëlushët, sjellë vargje në të cilat spikasin
heroizmat e figurave kombëtare, si: Shotë Galicës, Gjergj Elez Alisë, Jakup
Ferrit, Isa Boletinit, Theodor Haxhifilipit, Shaqir Grishtës, Rrahman Penusë -
Dedës, Fazli Beranit, Azem Bejtës, Vëllezërve Bajçinovci e Dervish Shaqës.
Në kapitullin e dytë, autori përdorë figura poetike me të cilat sjellë mjaft emcoine për lexuesit e vegjël. Motivet nga vendlindja, kujtimet nga fshati janë stolisur bukur me fjalën poetike, duke shprehë mallëngjim mërgimtari i cili sa herë kthehet në fshatin e lindjes i ringjallen kujtimet e fëmijërisë dhe lojërat që i luante dikur, përroi, kodra, thinjat e babait dhe fjalët e ngrohta, “për Sazanën dhe Orëmirën dhe gugulimat e Doruntinës”. Mallëngjimi dhe dashuria për vendlindjen e tij, është një mallëngjim mërgimtari i cili jeton me ëndrrat për atdheun:
“Pesë minuta gjumë n’vendindje
sa një vit i tërë n’kurbet,
atje ndjen joshje jete
ndaj nata është si askund tjetër.”(3)
Tëbana së cilës i thur vargje autori, është e vogël fare dhe s’ka shumë bukuri, ‘po n’derë, oxhak, n’dritare / ka shumë dashuri’. Figurat stilistike si krahasimet e bukura të cilat i përdor autori në poezinë e tij, janë një begati e këtij libri:
“Lulja n’kopsht ka hapur petalet
Si rapsod këndon bilblili
Mëngjës - fillim i jetës
Plot me hov e gjallëri”(4)
Mjaft e realizuar është poezia “Qershia e pikëlluar” e cila është zgjedhur jo rastëshit edhe titull i këtij libri. Në mënyrë figurative, qershori është muaji i qershive, muaji i dashur për fëmijët, sepse përfundon viti shkollor dhe piqen qershitë. Por qershia e poezisë së autorit, Shefqet Dibrani, është e pikëlluar, sepse degët e saj të njoma i kishte përkulur një burrë. Qershia e pikëlluar nga dëmtimi i degëve, nuk kishte lulëzuar në asnjë pranverë. Përmes këtyre vargjeve, autori në mënyrë metaforike thumbon ata që nuk e ruajnë natyrën, si dhe porositë që të ruhet natyra, dhe pemët e qershitë. Autorin e frymëzon lumi e qyteti i tij, liqeni, binaret e trenit e molla laçe, dielli, hëna, flutura, xixëllonja e trumcaku. Portretizimin e mësuesit të tij, autori Dibrani e ka realizuar bukur në vargje:
“Mësuesi im flokëthinjur
Si me një tufë resh,
Vjen pas tingujve të zilës
I buzëqeshur para nesh.”(5)
Në
vargjet e Dibranit, gjejmë të skalitur bukur me fjalën artistike të varfërin,
të verbërin e memecin, kurse stinët e vitit janë një panoramë e bukur artistike
e derdhur me vargun poetik.
Kapitulli i fundit, “Treni i fundit” është mjaft emocional, ku autori shpreh mallin e mërgimtarit dhe rrugën e hidhur të kurbetit. Mbase, këto vargje të shkruara e të përjetuara nga një mërgimtar (autori), janë aktuale edhe sot, kohë kur shumë të rinjë po ia kthjenë shpinën Kosovës, atdheut të tyre! Është e dhimbshme kjo!!!
“U ndamë me nënën duke qarë
Dhe me babanë u ndamë,
Me vëllezër e me motra
Me dhembje Kosovën lamë...
............................................
Jam shërbëtor i udhëve të largëta
Ku helm i mërzisë shijohet,
Ku ditët janë tepër të gjata
E kënga shqipe s’dëgjohet!”(6)
Treni i fundit, ai i cili niset nga Fushë Kosova bartë peshën e hidhur të atyre viteve kur u shkrua kjo poezi, siç do të shprehej autori:
“Nisi biseda e heshtur mes meje dhe vetmisë
Mes acarit të ikjes dhe territ të natës,
Që Kosovës vatrat po i zbrazen.”(7)
Kosova i do bijtë e saj dhe nuk i harron, ajo ju uron mirëseardhje. Këtë mirëseardhje e stolis bukur poeti Shefqet Dibrani në vargjet e tij:
“Mirë se vini mërgimtarë
Mall e brengë mos t’iu shkallmojnë
Se Kosova i ka të vetat
Mbase edhe i teprojnë...
Mirë se vini, mërgimtarë
me ato t’hershmet kujtime,
ju përkdhel treva si më parë
me të rejat pikëllime...”(8)
Autori
Shefqet Dibrani, përdor një gjuhë të pastër e të pasur me figura stilistike,
gjithnjë duke ruajtur thjeshtësinë, që të jetë sa më i afërt me boten dhe
psikologjinë e fëmijëve. Në vargjet e tij përdorë në të shumtën e rasteve
vargun e rimuar. Vargjet e tij kanë ritëm dhe janë mjaft melodike për botën e
fëmijëve, njëkohësisht te secila poezi shprehet një porosi për lexuesin.
Libri “Qershia e pikëlluar” e autorit Shefqet Dibrani, është një thesar i vogël vargjesh të këndëshme për lexuesit e vegjël, që shkëlqen me gjuhën poetike dhe figuracionin stlistik, kurse ilustrimet e Demush R. Avdimetajt i japin freski librit dhe e bëjnë edhe më tërheqës për lexim.
Prishtinë,
17 mars 2026
Ajete ZOGAJ
* Të interesuarit këtë
libër mund ta gjejnë në rrjetin librar "Altera", në Prizren, Prishtinë dhe Fushë
Kosovë, me një çmim simbolik, 2.50 €
_______________________
1.
Shefqet Dibrani, “QERSHIA E PIKËLLUAR”, botoi NB ”Pionieri”, Prishtinë, 1997,
fq.7
2.
Po aty, fq.10
3.
Po aty, fq.38
4.
Po aty, fq.40
5.
Po aty, fq.50
6.
Po aty, fq.71
7.
Po aty, fq.73
8. Po aty, fq.76









