Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
E hene, 23.03.2026, 06:56 PM

POROFIL I PAAUTORIZUAR
Vasil
Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e
përjetësisë
Nga
Albert Vataj
Çdo
prekje e tij mbi shkëmb nuk ishte thjesht një akt pune, por një çast zgjimi,
një frymëmarrje e thellë që çlirohej nga mijëra vite ngjizje magmash, nga një
heshtje e lashtë që priste dorën e njeriut për t’u kthyer në formë. Në çdo
masiv metali, ai zgjonte një jetë të fshehur, një tension të brendshëm që
kërkonte të shpërfaqej, të merrte trajtë, të bëhej dëshmi. Në çdo trung peme,
ai ndiente pulsin e një statuje që kërkonte liri, një trup të burgosur në lëndë
që priste çlirimin përmes mjeshtërisë.
Kudo
që Vasil Rakaj hodhi vështrimin dhe kredhi duart e tij prej krijuesi, ai dëgjoi
thirrjen e thellë të kohës, një jehonë që vinte nga thellësitë e historisë dhe
nga brendësia e vetë qenies njerëzore. Ai nuk krijonte thjesht forma; ai lindte
përjetësinë e atyre që, përmes jetës dhe veprës së tyre, kishin prekur vetë
përjetësinë. Në këtë akt, arti i tij bëhej një urë midis asaj që ka qenë dhe
asaj që mbetet.
Dhe
ndërsa bota e tij popullohej me figura, me simbole, me shpërthime ndjesish të
kristalizuara në materie, ai vetë ngrihej në një qetësi sovrane, jo si sundues
i jashtëm, por si një mjeshtër që kishte fituar të drejtën të sodiste veprën e
vet si një univers të përmbushur. Ishte një fron i heshtur, ku madhështia nuk
imponohej, por përulej në adhurim përpara aktit krijues.
Ai,
djali nga Boga e Malësisë së Madhe, kishte ardhur deri këtu me hapat e ndrojtur
të ëndërrtarit, duke bartur brenda vetes peshën e një bote të tërë, kujtesën,
dhembjen, krenarinë, historinë. Dhe këtë barrë nuk e mbajti për ta fshehur, por
për ta kumtuar. E shndërroi në një mesazh që i flet së tashmes me zërin e
përjetësisë, si një lajm që zbret nga një qiell i brendshëm, i pasur me dritë
dhe me përkushtim.
Për
të, arti nuk ishte vetëm shprehje, por origjinë: “Në botë, gjuha e parë e
komunikimit ka lindur përmes artit dhe kush e ruan të pastër këtë lloj
komunikimi quhet artist.” Dhe ai e ruajti këtë gjuhë të pastër, të paprekur nga
zhurma, duke e bërë çdo vepër të tij një fjalë të gdhendur në kohë, një fjalë
që nuk shuhet.
Jetëshkrim dhe dritëlëshim
për artistin
Vasil
Rakaj u lind më 27 mars 1954, në një kohë kur jeta rridhte e thjeshtë, por e
mbushur me vlera të trashëguara brez pas brezi. Ai erdhi në një familje që më
pas do të begatohej me edhe katër fëmijë të tjerë, duke ndërtuar një trung të
fortë njerëzor, ku ndarja e bukës dhe e shpirtit ishte ligj i pashkruar.
Rrënjët
e hershme të familjes së madhe Rakaj gjenden në fshatin Bogë të Malësisë së
Madhe, një trevë e njohur për qëndresën, dinjitetin dhe pasurinë e saj
shpirtërore. Aty, në atë hapësirë ku mali dhe qielli duken sikur flasin me
njëri-tjetrin, u ngjiz edhe fryma e parë e ndjeshmërisë artistike të Vasilit.
Tradita, peizazhi i egër dhe njëherësh madhështor, si dhe kultura e trashëguar
e kësaj ane, do të bëheshin më vonë pjesë e pandashme e botës së tij krijuese.
Fëmijëria
e tij u ushqye nga rrëfimet e të parëve, nga legjendat që mbartnin gurët dhe
nga një ndjeshmëri e hershme për formën dhe përjetësinë që ajo mund të mbajë
brenda vetes. Ishte pikërisht kjo lidhje organike me vendlindjen dhe me rrënjët
që e shtyu drejt artit, drejt kërkimit për të gdhendur jo vetëm materien, por
edhe kujtesën.
Në
rrugëtimin e tij, arti nuk është thjesht profesion, por një mënyrë për të
sfiduar harresën. Çdo vepër e tij mbartte një përpjekje për të kapur të
pakapshmen, për të bërë të prekshme atë që koha përpiqet ta fshijë. Në këtë
kuptim, krijimtaria e Vasil Rakajt mund të lexohet si një dialog i pandërprerë
mes njeriut dhe përjetësisë.
Ai
nuk është vetëm një artist që punonte me formën; është një dëshmitar i kohës së
tij, një ruajtës i kujtesës dhe një zë që përpiqej të fliste përtej kufijve të
së përkohshmes. Dhe pikërisht në këtë përpjekje, ai arriti të skalisë në veprën
e tij atë që shumëkush vetëm e ëndërron: një gjurmë që i reziston kohës.
Mjeshtri Rakaj, nga
çapitka filluese e hapave në Shqipërisë, te lavdia amerikane
Artisti
Vasil Rakaj është një nga figurat më përfaqësuese të krijimtarisë shqiptare në
diasporë, një emër që mbart në vetvete përkushtimin ndaj artit dhe dinjitetin e
një identiteti që nuk tretet, por përkundrazi, zgjerohet në hapësira të reja.
Emigrimi i tij së bashku me familjen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës
nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një kapërcim i madh jetësor,
ku sfida dhe mundësia u ndërthurën në një rrugëtim të ri krijues.
Sot,
ai jeton dhe krijon në Connecticut, në një mjedis që i ofroi jo vetëm kushte,
por edhe horizont për të zhvilluar më tej potencialin e tij artistik. Në këtë
tokë të mundësive të shumta, Vasil Rakaj arriti të ndërtojë një hapësirë të
vetën krijuese, një studio ku arti nuk është vetëm punë, por frymëmarrje,
reflektim dhe dialog i vazhdueshëm me kohën dhe kujtesën.
Veprat
e tij janë shprehje të një bote të pasur emocionale, ku ndërthuren ndjesitë
patriotike, lirizmi i brendshëm dhe përjetimet personale. Ato marrin frymëzim
njëkohësisht nga vendlindja dhe nga realiteti amerikan, duke krijuar një urë të
ndjeshme mes dy botëve. Kjo dualitet krijues nuk është përplasje, por
bashkëjetesë harmonike, ku identiteti shqiptar mbetet boshti, ndërsa përvoja
amerikane i jep dimensione të reja shprehjes artistike.
Procesi
i tij krijues, që zhvillohet në studion pranë familjes në Connecticut, është
një akt i përditshëm i lidhjes me rrënjët dhe i përditësimit të tyre në një
kontekst të ri. Përmes skulpturës dhe formave të tjera të shprehjes, ai i jep
jetë kujtesës, historisë dhe ndjenjave, duke i bërë ato të prekshme dhe të
komunikueshme për publikun.
Veprat
e Vasil Rakajt nuk janë vetëm objekte artistike, ato janë bartëse emocionesh,
dëshmi kulture dhe reflektime historike që pasurojnë jetën e komunitetit ku ai
jeton. Ato i japin qytetit një dimension estetik dhe shpirtëror, ndërsa
publikut i ofrojnë përvoja të thella dhe të veçanta artistike.
Falë
përkushtimit, seriozitetit dhe integritetit qytetar të tij dhe familjes, Vasil
Rakaj ka fituar respekt dhe vlerësim në komunitetin ku jeton. Përmes
pjesëmarrjes në ekspozita dhe aktivitete artistike, ai ka krijuar lidhje të
qëndrueshme me shoqata artistësh dhe me krijues të ndryshëm në të gjithë Shtetet
e Bashkuara, duke u bërë pjesë aktive e jetës artistike dhe duke kontribuar në
pasurimin e saj.
Në
këtë mënyrë, rrugëtimi i tij nga Shqipëria drejt Amerikës nuk është thjesht një
histori emigrimi, por një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë,
për të ruajtur identitetin dhe për të ndërtuar një përkatësi të re, pa humbur
asnjëherë thelbin e origjinës.
Hapat e formimit të
mjeshtrit
Në
artet figurative dhe në formimin akademik të një artisti, themeli ndërtohet mbi
disiplinën e rreptë të njohjes dhe zbatimit të ligjeve të përfaqësimit:
proporcioni, perspektiva, trajtimi i dritë-hijes dhe ndjeshmëria ndaj teksturës
së modelit. Këto nuk ishin thjesht kërkesa teknike, por një kod themelor i
edukimit estetik, i mishëruar në programet dhe kurrikulat e shkollave artistike
të kohës. Në këtë mjedis rigoroz, u formësua edhe Vasil Rakaj, duke ndërtuar
një bazë të qëndrueshme që do të mbështeste më pas gjithë rrugëtimin e tij
krijues.
Në
Liceun Artistik, ai u përgatit si një artist figurativ-realist, duke dëshmuar
që herët një ndjeshmëri të spikatur ndaj formës dhe karakterit njerëzor. Një
nga dëshmitë më domethënëse të kësaj periudhe është portreti i liceistit
Bashkim Zahaj, një punim që flet për një aftësi të rrallë në kapjen e
ngjashmërisë, por mbi të gjitha të psikologjisë së modelit. Në këtë portret,
Rakaj nuk ndalet vetëm në riprodhimin e tipareve fizike; ai depërton në
gjendjen e brendshme, në emocionin që lëviz nën sipërfaqe, duke e kthyer
skulpturën në një akt të gjallë komunikimi mes artistit dhe subjektit.
Në
vitin 1973, gjatë vitit të fundit në lice, ai u njoh edhe me një dimension
tjetër të rëndësishëm të skulpturës: gdhendjen në gur. Kjo lëndë drejtohej nga
Vladimir Kaçaku, një artist i ri për kohën, me prirje moderne dhe me një qasje
që prekte elementë të minimalizmit dhe kubizmit. Nën drejtimin e tij, studentët
u njohën me disiplinën e materialit, me rezistencën e gurit dhe me kërkesën për
përqendrim maksimal që kërkon procesi i gdhendjes. Kjo përvojë do të ndikonte
ndjeshëm në ndërtimin e raportit të Rakajt me materien dhe me formën.
Studimet
e tij vijuan në Instituti i Lartë i Arteve gjatë viteve 1973–1977, një periudhë
formuese intensive, ku ai u dallua si një ndër studentët më të talentuar dhe më
këmbëngulës. Rakaj shfaqi një përkushtim të veçantë në njohjen e teknologjive
të qeramikës, si dhe një disiplinë të admirueshme në përmbushjen e detyrave
kompozicionale deri në përfundimin e tyre të plotë. Në këtë fazë, ai konsolidoi
aftësitë e tij në pasqyrimin realist, duke rritur kontrollin mbi formën dhe
strukturën, në përputhje me kërkesat estetike të kohës.
Kjo
periudhë përkoi me një klimë të ashpër ideologjike, ku Lidhja e Shkrimtarëve
dhe Artistëve e Shqipërisë ushtronte kontroll të fortë mbi krijimtarinë
artistike. Kritikat dhe dënimet ndaj çdo devijimi nga kanonet e realizmit
socialist ishin të shpeshta, duke imponuar një vetëkontroll të vazhdueshëm te
studentët dhe pedagogët. Megjithatë, brenda këtyre kufizimeve, artistët e rinj
të talentuar, mes tyre edhe Vasil Rakaj, arritën të ruajnë një nivel të lartë
profesionalizmi, duke shmangur rënien në amatorizëm dhe duke gjetur hapësira të
vogla, por domethënëse, për interpretime personale dhe zgjidhje krijuese me
integritet.
Në
Akademinë e Arteve, programi i studimit në degën e skulpturës ishte i ngjeshur
dhe gjithëpërfshirës: punë me model të gjallë, kompozim, vizatim, procese të
qeramikës, si dhe gdhendje në gur e dru. Këto ushtrime nuk ishin vetëm detyra
akademike, por një laborator i vërtetë formimi, ku studenti përballej çdo ditë
me sfidën e përkthimit të realitetit në formë artistike.
Një
rol të rëndësishëm në këtë proces luajtën edhe praktikat mësimore pranë vendeve
arkeologjike dhe historike. Aty, studentët viheshin përballë trashëgimisë së
skulpturës antike: shtatoreve, portreteve, kokave klasike, si dhe objekteve të
kulturave të hershme. Këto modele përbënin një burim të pashtershëm frymëzimi
dhe një shkollë të heshtur, ku çdo detaj i skalitur mbante brenda përvojën e
shekujve. Pikërisht në këtë kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin, Rakaj dhe
bashkëkohësit e tij gjetën jo vetëm teknikën, por edhe filozofinë e formës, atë
lidhje të thellë mes trupit, shpirtit dhe përjetësisë, që më pas do të bëhej
thelb i krijimtarisë së tij.
Nga arsimimi formësues
në jetën e dinamizmit krijues
Pas
përfundimit të studimeve në vitin 1977, Vasil Rakaj hyri në një fazë të re të
jetës së tij, ku formimi akademik do të përkthehej në përvojë konkrete dhe në
përballje të drejtpërdrejtë me materien dhe realitetin. Një vit pune në
mjediset e poçerisë pranë Ndërmarrjes Artistike në Krujë i shërbeu si një laborator
i rëndësishëm praktik, ku ai thelloi njohjen mbi proceset e formësimit, mbi
disiplinën e materialit dhe mbi raportin mes dorës së mjeshtrit dhe rezistencës
së lëndës.
Në
vitin 1978, ai u emërua mësues i artit në shkollën “Dan Bajrami” në fshatin Gjorm
të rrethit të Kurbinit. Ky rol nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por
një mision edukues, ku arti shndërrohej në mjet formimi për brezat e rinj.
Paralelisht me mësimdhënien, Rakaj zhvilloi një veprimtari intensive krijuese
në skulpturë, pikturë dhe vizatim, duke marrë pjesë në ekspozita lokale dhe
kombëtare, ku prezantonte frytet e një pune të vazhdueshme dhe të përkushtuar.
Në
vitet 1978–1990, ai, së bashku me mikun e tij të ngushtë, mësuesin e historisë
Dalip Karameti, u përfshi në një nismë me rëndësi kulturore: ngritjen e muzeve
historikë lokalë në dhjetëra fshatra. Ky angazhim ishte më shumë se një detyrë
institucionale; ishte një akt i vetëdijshëm për të ruajtur kujtesën historike
dhe për ta materializuar atë përmes objekteve, figurave dhe narrativave që i
jepnin komunitetit një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie.
Krahas
punës si mësues dhe aktivitetit shoqëror, në studion e tij personale, Rakaj
krijoi dhjetëra punime të gdhendura në gur dhe dru. Ai realizoi porosi për
muzetë e fshatrave, kryesisht portrete heronjsh të luftës nga zonat e Krujës
dhe Kurbinit, duke i dhënë formë fizike figurave që jetonin në kujtesën
kolektive. Njëkohësisht, ai kultivoi krijime me tema të lira, duke trajtuar
motive nga jeta e përditshme, lojërat popullore dhe botën shpirtërore të
njeriut.
Figura
njerëzore që ai modeloi në këtë periudhë shfaqet në shumë dimensione: si hero,
si patriot, si punëtor, si malësor, si nxënëse apo si figurë simbolike e
përballjes dhe sakrificës. Në secilën prej tyre, Rakaj përpiqej të kapte jo
vetëm tiparet e jashtme, por edhe thelbin psikologjik dhe individualitetin e
modelit. Edhe pse i detyruar të respektonte parimet e realizmit figurativ dhe
normat e realizmit socialist, ai kërkonte vazhdimisht të përmirësonte mjetet e
tij shprehëse, duke synuar një thellim të ndjeshmërisë dhe një pasurim të
simbolikës, të lidhur ngushtë me zakonet dhe traditat e krahinës.
Në
këtë etapë të rëndësishme, fillon të marrë formë edhe stili i tij vetjak
artistik. Si çdo krijues i vërtetë, Rakaj nuk mbeti i ngurtë brenda një
formule; përkundrazi, stili i tij evoluoi bashkë me përvojën, me reflektimin
dhe me ndryshimet që ai përjetoi si artist dhe si njeri. Brenda kësaj dinamike,
krijimtaria e tij mbetet një dëshmi e përpjekjes së vazhdueshme për të gjetur ekuilibrin
mes kërkesave të kohës dhe zërit të brendshëm krijues, një ekuilibër që vetëm
mjeshtrit arrijnë ta mbajnë gjallë.
Stilistika krijuese e
skulptorit Rakaj
Në
panoramën e sotme të artit skulpturor, krijimtaria e Vasil Rakajt shfaqet si
një ndërthurje e qëndrueshme midis traditës figurative realiste dhe impulseve
të një kërkimi të brendshëm estetik, që nuk i nënshtrohet skemave të ngurta.
Pamja vizuale e veprës së tij mbetet thelbësisht figurative dhe e lexueshme,
por ajo nuk kufizohet në një realizëm imitues; përkundrazi, është një realizëm
i përpunuar, i filtruar përmes përvojës, ndjeshmërisë dhe reflektimit të
artistit mbi kohën dhe subjektin.
Stili
i Rakajt është i lidhur ngushtë me mënyrën se si ai ndërton kompozimin dhe si i
qaset materialit. Ai nuk është një konstrukt i rastësishëm, por një sistem i
ndërgjegjshëm zgjedhjesh: nga niveli i realizmit dhe i abstraksionit, te
trajtimi i teksturës, dinamika e volumeve, ritmi i masave dhe tensioni
emocional që përcjell vepra. Në këtë kuptim, çdo skulpturë e tij është një
ekuilibër i menduar midis formës dhe ndjesisë, midis strukturës dhe shpirtit.
Në
thelbin e vetëdijshëm, stilistika e tij buron nga impulsi fillestar krijues, ai
moment frymëzimi që e vë në lëvizje procesin artistik dhe që lidhet me përmbajtjen
filozofike të veprës. Ndërsa në planin e nënvetëdijshëm, stili shfaqet përmes
mënyrës se si ai e trajton lëndën, si e modelon sipërfaqen dhe si e
materializon vizionin e tij. Këto dy shtresa, ajo e menduar dhe ajo intuitave,
bashkëveprojnë për të ndërtuar një gjuhë plastike të veçantë, të dallueshme dhe
koherente.
Në
përgjithësi, Vasil Rakaj mbetet një skulptor figurativ, i rrënjosur në traditën
e shekullit XX, por me një individualitet të qartë. Ai nuk i përket një rryme
të emërtuar bashkëkohore, por qëndron në një territor të vetin, që mund të
përkufizohet si një vazhdimësi e përditësuar e realizmit figurativ. Ky
realizëm, ndonëse i lidhur me trashëgiminë e shekullit XIX, nuk është imitues
historik; ai është i riformuluar përmes përvojës shqiptare, shkollës ku u
formua dhe kohës në të cilën krijon.
Një
nga tiparet më të qëndrueshme të stilit të tij është lexueshmëria figurative.
Skulpturat e Rakajt nuk e humbasin kurrë lidhjen me realitetin e njohshëm; ato
ruajnë ngjashmërinë, psikologjinë dhe simbolikën e figurës njerëzore, duke i
bërë veprat të komunikueshme dhe të qarta për shikuesin. Kjo besnikëri ndaj
thelbit të pasqyrimit natyror nuk është dobësi, por një zgjedhje estetike e
vetëdijshme, që ai e ka ruajtur me konsekuencë përgjatë gjithë krijimtarisë.
Një
dimension tjetër i rëndësishëm është trajtimi ekspresiv i sipërfaqeve. Në shumë
prej veprave të tij, sidomos në ato me ngarkesë emocionale më të theksuar,
forma duket sikur gjallërohet nga brenda. Modelimi bëhet më i lirë, më i
tensionuar, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të artistit dhe marrëdhënien e
tij intime me subjektin. Në këto raste, skulptura shndërrohet në një akt
shpërthyes ndjenje, ku materia mbart gjurmën e emocionit.
Paralelisht
me këtë prirje, në disa punime të veçanta, Rakaj eksperimenton me një trajtim
më të reduktuar, me ndikime gjeometriko-kubiste. Këtu, ai thjeshton formën,
thekson masën dhe raportet volumore, duke i dhënë rëndësi strukturës së
përgjithshme dhe duke e çuar figurën drejt një abstragimi të kontrolluar. Edhe pse
këto janë më të rralla, ato dëshmojnë për një elasticitet krijues dhe për një
gatishmëri për të eksploruar përtej kufijve të realizmit klasik.
Një
tjetër veti e spikatur është pastërtia e trajtave skulpturore, e lidhur me një
ndjeshmëri të qartë ndaj traditës klasike dhe neoklasike. Në veprat me karakter
monumental apo në portretet e figurave historike, ai i qëndron besnik
disiplinës akademike, duke ruajtur qartësinë e formës dhe dinjitetin e figurës.
Ndërkohë, në temat e jetës së përditshme, kjo pastërti ndërthuret me një
thjeshtësi më të afërt me minimalizmin, duke krijuar një gjuhë më të
përmbajtur, por po aq shprehëse.
Në
thelb, Rakaj është një skulptor me ndjeshmëri estetike të rafinuar. Ai nuk e
sheh veprën si një objekt të izoluar, por si pjesë të një hapësire më të gjerë,
arkitektonike dhe shpirtërore. Për këtë arsye, ai i kushton rëndësi jo vetëm
detajeve të brendshme të skulpturës, por edhe mënyrës se si ajo komunikon me
ambientin përreth. Harmonia mes veprës dhe hapësirës është pjesë integrale e mendimit
të tij krijues.
tilistika
e Vasil Rakajt nuk është një formulë e ngurtë, por një organizëm i gjallë që
evoluon. Ajo përbëhet nga një shumësi vetish, figurativiteti, ekspresiviteti,
pastërtia formale, kërkimi strukturor, që nuk qëndrojnë të ndara, por
ndërthuren në mënyrë organike në çdo vepër. Pikërisht kjo ndërthurje i jep
artit të tij një identitet të qëndrueshëm dhe një zë të veçantë në skulpturën
shqiptare dhe më gjerë.
Subjektet, gurët e
mozaikut gjigand të panoramës krijuese të Vasil Rakaj
Nga
Gjergj Kastrioti Skënderbeu te Nënë Tereza, nga figura të njohura të traditës
veriore si Gjeto dhe Ded Coku, deri te universali Martin Luther King Jr.; nga
nusja me duvak te figura e lakuriqtë me kapele; nga medaljonet, monumentet dhe
studimet e duarve, te projektet me frymë të thellë simbolike si “Shqypnia”,
“Kryqi i Shna Ndout” apo “Pavarësia 2012”, e gjithë kjo larmi përbën një mozaik
të gjerë tematik që shpalos dimensionet e një bote krijuese të pasur dhe të
shumëplanëshme.
Subjektet
e Vasil Rakajt nuk janë të rastësishme; ato ndërtojnë një hartë të vetëdijshme
identitare dhe shpirtërore. Në njërën anë qëndrojnë figurat historike dhe
kombëtare, që mbartin peshën e kujtesës dhe të përkatësisë, ndërsa në anën
tjetër shfaqen tema intime, njerëzore, të përditshme, ku artisti eksploron
trupin, gjestin dhe ndjesinë. Kjo lëvizje nga monumentalja te individualja, nga
heroikja te e përditshmja, krijon një tension krijues që e pasuron dhe e bën më
të thellë universin e tij artistik.
Në
këtë panoramë, vend të veçantë zënë edhe figurat e mitizuara dhe historike
shqiptare, si Nora e Kelmendit, ku artisti ndërthur imagjinatën me traditën,
duke krijuar forma që nuk janë thjesht rikrijim, por interpretim i gjallë i një
trashëgimie kulturore. Po kështu, kalimi nga skulptura figurative në reliev,
nga forma e plotë në sipërfaqe të strukturuara, dëshmon për një kërkim të
vazhdueshëm mbi mënyrat e shprehjes dhe mbi raportin mes figurës dhe hapësirës.
Projektet
si “Shqypnia”, “Kryqi i Shna Ndout” dhe “Pavarësia 2012” nuk janë vetëm
realizime artistike, por platforma konceptuale ku ndërthuren historia, besimi,
identiteti dhe simbolika. Në to, Rakaj nuk është thjesht një formësues i
materies, por një mendimtar vizual që përpiqet të artikulojë përmes formës ide
të mëdha kolektive.
Kjo
shumësi temash dhe trajtimesh nuk e shpërndan artistin; përkundrazi, e
përkufizon atë. Ajo krijon një “yjësi” të veçantë brenda galaksisë së tij
krijuese, ku çdo vepër është një pikë drite që lidhet me të tjerat përmes një
logjike të brendshme: kërkimit për njeriun, për historinë dhe për kuptimin.
Në
këtë kuptim, subjektet e Vasil Rakajt janë më shumë se tema, ato janë gurët
themeltarë të një universi artistik që ndërton ura midis kohëve, kulturave dhe
ndjesive, duke e bërë krijimtarinë e tij një dëshmi të gjallë të identitetit në
lëvizje dhe të artit si formë e përjetësimit.
Piktura si hobi i
mjeshtrit të skulpturës
Si
çdo artist i arteve pamore që nuk e kufizon veten brenda një mediumi të vetëm,
edhe Vasil Rakaj, i formuar fillimisht në modelimin tredimensional të
skulpturës dhe të qeramikës, e zgjeroi horizontin e tij krijues drejt
vizatimit, pikturës dhe grafikës. Në këtë kalim, vizatimi mbetet themeli i
patjetërsueshëm, “ABC-ja” e çdo gjuhe vizuale, një disiplinë që i jep artistit
kontrollin mbi formën, strukturën dhe raportet, pavarësisht mediumit ku ai
shprehet.
Edhe
pse Rakaj kishte ushtruar vizatimin dhe pikturën në mënyrë të vazhdueshme gjatë
viteve, momenti i një shpërthimi më të vetëdijshëm në këtë fushë lidhet me
vitin 1993. Autoportreti i realizuar në këtë periudhë përbën një nga dëshmitë
më domethënëse të kësaj kthese. Në të shquhet një ndërthurje e ndjeshme midis
trajtimit klasik të formës dhe një lirshmërie që afrohet me impresionizmin
modern. Nuk është thjesht një paraqitje fizike e vetes, por një reflektim
introspektiv, ku artisti vendos përballë vetes jo vetëm fytyrën, por edhe
përvojën, kohën dhe gjendjen shpirtërore.
Seria
e autoportreteve që ai realizoi në vite dëshmon për një dialog të vazhdueshëm
me vetveten. Ndryshojnë fizionomitë, ndryshon mosha, ndryshon ngarkesa
emocionale, por mbetet konstante mënyra e trajtimit: një kërkim për thelbin,
për atë që nuk është menjëherë e dukshme. Edhe kur teknikat dhe materialet
variojnë, qëndrimi estetik mbetet i njëjtë, një përpjekje për të kapur përtej
sipërfaqes.
Në
aspektin teknik, Vasil Rakaj ka treguar një ndjeshmëri të veçantë ndaj
pastelit, një medium që kërkon finesë dhe kontroll të madh në ndërtimin e
tonaliteteve dhe të dritës. Nëpërmjet tij, ai arrin të krijojë sipërfaqe të
buta, të mbushura me një ndriçim të brendshëm, ku figura duket sikur merr
frymë. Ndërkohë, piktura në vaj i ofron një tjetër dimension shprehës: një
hapësirë më të gjerë për ndërtimin e shtresave, për intensitetin e ngjyrës dhe
për zhvillimin e një gjuhe më ekspresive.
Në
pikturën e Rakajt, ngjyra nuk është thjesht element përshkrues; ajo merr një
rol të theksuar psikologjik. Pavarësisht temës apo konkretizimit figurativ,
ngjyrat shpesh funksionojnë si bartëse emocionesh, si impulse të brendshme që e
tejkalojnë përfaqësimin literal. Kjo e çon veprën drejt një dimensioni ku
figurativja bashkëjeton me një abstraksion të ndjeshëm, duke i dhënë pikturës
një thellësi më të madhe shpirtërore.
Në
këtë mënyrë, piktura për Vasil Rakajn nuk është një devijim nga skulptura, por
një zgjatim i saj në një plan tjetër. Nëse në skulpturë ai modelon formën në
hapësirë, në pikturë ai modelon dritën, ngjyrën dhe ndjesinë në sipërfaqe. Të
dyja bashkë përbëjnë një univers të vetëm krijues, ku artisti eksploron të
njëjtin qëllim: të japë formë të dukshme asaj që lind në thellësi të përjetimit
njerëzor.
Vasil Rakaj, ai që e ka
skalitur emrin në vepër
Në
fund të këtij udhëtimi krijues, Vasil Rakaj nuk mbetet thjesht një emër në
radhën e artistëve, por një dëshmi e gjallë se si njeriu mund ta tejkalojë
kohën përmes veprës. Ai nuk e ka parë kurrë materien si një kufi, por si një
mundësi: shkëmbin për ta bërë kujtesë, metalin për ta kthyer në qëndresë,
drurin në ngrohtësi, baltën në jetë dhe shpirtin në formë të dukshme.
Në
duart e tij, materia ka marrë frymë. Ajo është zbutur, është përkulur, është
ngritur në lartësinë e simbolit, duke u bërë një gjuhë që flet përtej fjalëve.
Çdo vepër e tij është një dëshmi se arti nuk është vetëm krijim, por edhe akt
besimi, besim në njeriun, në historinë dhe në aftësinë për të lënë gjurmë që
nuk shlyhen.
Si
një malësor që e ka rrënjën në gur dhe horizontin në qiell, ai ka ditur të
mbajë brenda vetes ashpërsinë dhe butësinë, qëndresën dhe ndjeshmërinë,
traditën dhe kërkimin. Në këtë përkim të rrallë, ai ka ndërtuar një univers ku
figura njerëzore nuk është thjesht formë, por kujtesë, emocion dhe përjetësi.
Dhe
kështu, Vasil Rakaj mbetet, jo vetëm si krijues veprash, por si ndërtues i një altari
ku koha përkulet përpara artit. Një altar i ngritur me shkëmb, metal, dru,
baltë dhe shpirt, një altar ku përjetësia nuk është ide, por prani.









