E diele, 01.03.2026, 11:26 PM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Ahmet Demaj i Fjalës me Peshë

E diele, 01.03.2026, 06:52 PM


AHMET DEMAJ I FJALËS ME PESHË

NGA ALBERT HABAZAJ

Tri fjalëzat e para

Mbaj mend, që i vogël se emrin e mësuesit Ahmet Demaj nga Velça e kisha dëgjuar për mirë nga imatë, i cili kishte qenë mësues në fshatrat e Shullërit (Matogjin, Ramicë- Lumë etj., qysh në vitin 1953.

Ndërkohë kujtoj se emrin e Ahmetit e kisha parë në faqet e gazetës sime të dashur “Zëri i Vlorës”, që nga vitet 1975-’80, kur edhe unë kisha nisur të botoja shkrimet e para, ndërkohë që kisha nisur në Tiranë Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe mbas saj Shkollën e Lartë të Aviacionit për pilot në Vlorë. Kryeredaktor ishte i miri babaxhan, Dasho Matodashaj, mësues në profesion, koleg e mik me babain tim. Patjetër dhe i Ahmetit. E kam dashur shumë gazetën, unë jo vetëm që e lexoja me ëndje, por shkrimet që më pëlqenin, i përpija. Ahmeti nuk shkruante çdo numër gazete, por ato ishin ca shkrime konkrete me ca fjalë të zgjedhura, të thjeshta, të mprehta, që më janë ngulitur në mend qysh atëherë. Dhe nuk shkruante gjatë, por gozhdë i kishte ato shkrime. Në historikun e gazetarëve dhe korrespodentëve vullnetarë të gazetës sonë, Ahmet Demaj është regjistruar në kujtesën time, patjetër dhe të kohës, si një zëvlorist i devotshëm (se gjenden botimet e lidhura të shtypit në arkivat e Bibliotekës së Vlorës apo të Bibliotekës Kombëtare). Nuk e di, por diskutohej e thuhej, kur na mblidhte kryeredaktori në kolegjiumin e redaksisë, që Ahmetit i peshonte fjala…

Në vitin 1987 jam takuar dhe jam njohur nga afër me Ahmetin. Në Lepenicë jemi njohur dhe kemi bashkëpunuar në mënyrë korrekte, pasi unë aty shërbeja në një sektor tjetër të rëndësishëm për kohën. Pra, kam rreth 40 vjet që njihem me Ahmet Demën, ndërkohë që, qysh nga viti 2011 idealet e larta, fati, dashamirësia, veprimtaritë shoqërore dhe atdhetare - kulturore na kanë mundësuar që të jemi në një bashkëpunim shembullor, në përgjegjësitë vullnetare që i ngarkojmë vetes, kur shoqëria na kërkon, na vlerëson, se na beson - Ahmetin në detyrën shoqërore të kryetarit të Shoqatës Atdhetare - Kulturore “Labëria” për Vlorën, mua në detyrën shoqërore të Sekretarit në Vlorë.

Shkrimtaria e autorit Ahmet Demaj

Një model i përkryer i mësuesit të nderuar, një shembull për t’u ndjekur si drejtues i arsimit, një gjurmues dhe kërkues shkencor serioz, një veprimtar shoqëror i përkushtuar, një zë i vërtetë, i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm i shqetësimit qytetar, një inteletual i angazhuar - Ahmet Demaj është edhe një publicist i njohur, pena e mprehtë e të cilit bën punë dhe punë të mira. Është nga penat më të spikatura që ka shkruar e ka botuar në shtypin qendror të kohës, sidomos në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Luftëtari”, “Mësuesi”, “Bashkimi”, “Zëri i popullit” e “Drita”. Mbas viteve ’90, edhe sot e kësaj dite, shkruan e boton me një fuqi më të madhe shprehëse dhe përfaqësim më dinjitoz të interesave të shoqërisë në gazetat më të rëndësishme që kemi, si: “Telegraf”, “Labëria”, “Dita, “Sot”, “Koha jonë”, “Komunitete” etj.

Shkrimet e tij janë të qarta, konkrete, që paraqesin ngjarje, data e personazhe historikë dhe socialë të njohur në rrafshin lokal e kombëtar, gdhendin figura të kulturës dhe artit, të arsimit e shkencës, të shëndetsisë dhe ekonomisë, të artit ushtarak dhe politikës. Ato japin informacion të bollshëm e transmentojnë njohuri, ide, mendime, përvojë, patjetër dhe ndjenja e emocion, të shkruara bukur, pastër, shëndetshëm dhe me nerv. Një rol të veçantë shkrimtaria e autorit Ahmet Demaj ka në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës, ku do të veçoja ndihmesën e tij të dobishme në lëmin e publicistikë letrare. Ai ka botuar shumë shkrime nëpër organe të ndryshme të shtypit, por libra pak. “Pak e saktë” - thotë populli. Vetëm katër: “Te burimi që fali” (2008), “Amanet kalin” (2016), “Ftesa” (2020), “Pesha e fjalës” (2026).

Nëpërmjet këtyre katër librave të botuara, ne njihemi me portretin e qytetarit të angazhuar dhe intelektualit popullor Ahmet Demaj si mësues ndër më të aftët, ndër më seriozët e korrek si ai, me përkushtim shembullor si veprimtar shoqëror historik, apo si atdhetar i palodhur për idealet e larta për të përçuar tek brezat edukimin atdhetar nëpërmjet fjalës dhe veprimit, patjetër vendin dhe rolin e tij si personalitet i shquar i Labërisë, veçanërisht si drejtues kryesor i shoqërisë labe të organizuar vullnetarisht në qytetin e Vlorës. Ahmet Demaj është një emër i përveçëm, bir i mirë i Velçës dhe Labërisë i vlerësuar me meritë për shërbime të shquara shoqërore dhe shetërore.

Në shkrimtarinë e tij, Ahmet Demaj është shembëlltyra e atij që shkruan profesori i Publicistikës letrare Hamit Boriçi: “Autori paraqitet si përfaqësues i opinionit shoqëror më të përparuar”.

Në të katër librat e tij, jo vetëm unë, që gjithsesi them se e njoh mirë autorin, por çdokush vëren dhe faqe pas faqeje e shkrim pas shkrimi njeh se kush është në fakt Ahmet Demaj, ndërkohë gjatë leximit zbulon vlerat humane që e karakterizojnë dhe mirësitë e tij që mishëron thjeshtësisht e padukshëm në jetën e përditshme. Njihemi dhe me gjithë ato veprimtari interesante, serioze, mbresëlënëse, simbolike, aq të bukura dhe kuptimplote me mesazhe plot dritë që zhvillohen në qytetin e Vlorës apo në 3 nga bashkitë që mbulon qarku i Vlorës, siç janë Selenica, Himara dhe Vlora. Me sa e sa takime malli, festa gëzimi, ceremoni nderimi e festivale vlerash etnografike dhe folklorike njihemi duke shfletuar shkrimtarinë e tij katërlibrore, ku vetë Ahmet Demaj ka qenë në vendin e nderit jo vetëm si kryetar i shoqëatës “Labëria” për degën e Vlorës apo si nënkryetar i shoqatës së madhe, por së pari si misionar dhe dashamirës për gjallërimin e jetesës së banorëve në rrafshin e kujtesës historike, të përmirësimit ekonomik dhe zbukururimit të botës së tyre shpirtërore, atdhetare e kulturore në fshatrat e Labërisë, në krahinëzat e Lumit të Vlorës, në Kurvelesh, Mesaplik, Drashovicë, Topallti, Gorisht e Kudhës, si dhe në Dukat, në Himarë apo në zonën e Myzeqesë së Vogël, ku banojnë po ashtu labë apo ku janë miq, dashamirës e bashkëveprues të shoqërive simotra, edhe matanë Vjosës, siç është shoqata Cakrani me kryetar veprimtarin epik dr. Asqeri Llanaj, deri në Tepelenë, Gjirokastër e Tiranë.

Gjatë leximit njihemi me jetën e labit, me veçoritë e tij përbashkuese apo përveçuese me të tjerët, me psikologjinë dhe karakterin e tij, me temperamentin e shfaqur, me virtytet e mira e të lavdërueshme që vlen të mbahen, pasurohen e përcillen brezave që ngrihen, por pa harruar edhe veset e liga e të dëmshme për t’i njohur e ditur patjetër, por sidomos për të mos i përsëritur. Njohim të parët tanë, bëmat e tyre, luftën për liri e pavarësi, trimat e kryengritjeve popullore e bijtë e shpatës shqiptare, që nga kordhëtari i shquar lab Selam Hasan Velça, që populli e përjetësoi në këngë “Seç u nxi gryk’ e Sazanit/ Një pamporr sa gjysm’ e malit, / Bie armët e Selamit, / Shyt, argjënd e pall’e Shamit” deri tek Xhovani Valencia, italiani që urrente fashizmin, si një qytetar i lirë dhe humanist i botës. Një këndvështrim të veçantë ka autori për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920 apo për Klubin Atdhetar “Labëria”, 1908, që Vlorës i ndezi dritën për arsim, i çeli manushaqen për gjuhën shqipe, i ngrohu vatrën për Pavarësinë që do të vinte edhe për shtigjet e horizontet për përparim, me kryetar nderi Plakun e Bardhë të Flamurit Kombëtar.

Paraqitet në shumë fusha të publicistikës shkrimtaria e autorit, që nga opinionet e shëndosha dhe komentet e spikatura sociale. Madje opinionet dhe komentet politike janë të hollësishme, të prera, shumë të guximshme, kritike, me vend, burrërore dhe trimërore, saqë mund të quhet një këshilltar i urtë jo vetëm për ne, horizontalët, por veçmas për vertikalët. “Lartësorët” do të kishin mirësinë ta dëgjonin me vëmendje dhe interes për të mirën e vendit, por na duket se drejuesit e vendit bëjnë sikur e dëgjojnë.

Publicistika e tij merr një dritë të bukur njerëzore nga reportazhet dhe portrete - personazhet që gdhend me dashuri e vërtetësi që nga njerëzit e thjeshtë si shoferi  Ilir Velo Mahmuti nga Matogjini me kulturën e punës së tij si shofer i asaj linje të thellë e aq të vështirë, apo brigadierët e Velçës: Neim Ilazi, Patriot Karçanaj e Neshet Robaj, deri tek akademik Androkli Kostallari, gjuhëtari e leksikologu i shquar, njëri nga studiuesit më të ndritur të gjuhësisë së sotme, që ia kushtoi gjithë jetën studimit të shtresave gjuhësore, madje erdhi edhe vetë në Velçën e largët, ku u mblodhën 3000 fjalë e shprehje popullore lokale. Ka qenë pikërisht pranvera e vitit 1985 kur u bë një sesion shkencor mjaft i dobishëm në shkollën 8 - vjeçare të Velçës. Nuk mund të jenë jashtë përqëndrimit të tij shkrimore nderimet e sidomos shqetësimet qytetare që trajton, me pensionet e ujin e pijshëm e deri dek një fëmijë analfabet sot.

Me interes janë shkrimet e Ahmetit në fushën e ekonomi - biznesit, ku ai ka një përvojë të gjatë dhe është kualifikuar brenda dhe jashtë vendit për problemet e mikrofinancës dhe zbutjen e varfërisë në zonat rurale, ka marrë pjesë në konferenca dhe kongrese kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shkrimet e tij publicistike të rubrikës faqe historie shfaqin jo vetëm penën e tij të kthjellët, por një qëndrim të palëkundur atdhetar në nderim të vlerave historike, të të gjitha kryengritjeve popullore, luftrave kundër pushtuesve dhe shfrytëzimit ndër shekuj, epopesë së Njëzetës, por pena e tij dallon sidomos për vlerësimin më të lartë që i bën LANÇ, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë, veteranëve dhe pasardhësve të luftës më të lavdishme të popullit shqiptar.

Përveç temave të kodit etik dhe shijeve estetike, edukatës morale dhe qytetare, shkrimeve mbi artin dhe kulturën kombëtare, mendimeve të tij për libra monografikë apo letërsi artistike, Demaj e zgjeron natyrshëm gamën e artikujve publicistikë kudo ku është, ndihet e gëlon gjaku i Shqipërisë së Parë, nga Kosova, në Çamëri e kudo nëpër botë, ku ka shqiptarì. Pena e tij ikën tutje deri në Francë, Itali e gjetkë.

Nuk është synimi i këtij shkrimi pëmendja dhe paraqitja e shkrimtarisë së autorit, sepse është e pamundur në një artikull gazete, madje mendoj se shkakton edhe bezdi tek lexuesi i sotëm i kulturuar që di ta mirëlexojë tekstin.

Si e lexoj unë publicistikën e Ahmet Demajt?

Në këto 40 vjet që e njoh shkrimtarinë e tij, sidomos këto 4 libra të Ahmetit, unë i lexoj kështu:

Ahmet Demaj e ka të shenjtë mikun, por po aq nderon shenjtërinë e fjalës, nuk e shpërdoron atë, nuk e shfrytëzon kurrë si armë kundër njerëzve që rrezikojnë të shkasin, por e përdor si elektrik dore për t’i nxjerrë nga nata e qorrsokakut, se natës pa orientim, larg qoftë, mund të të humbasë drejtpeshimi e mund të të shkasë këmba në greminë...

Në kuptimin më të mirë të shprehjes, Ahmet Demaj e ka fjalën shpatë. Vërtet që matet 7 herë kur flet, por kur qëllon, godet në shenjë jo për të “vrarë” gabimtarin apo fajtorin, por të shëruar lëndimin dhe që trupi i shoqërisë sonë, që nga qeliza - familja e deri tek shteti të jetë i shëndetshëm, në këmbë e me dinjitet, si pjesë e së tërës.

Njohës i zellshëm i traditave, dokeve, i së drejtës zakonore, i mënyrës së jetesës ndër kohra, nderimtar i virtyteve dhe përçues i tyre, po aq një luftërar i denjë dhe përparimtar, Ahmet Demaj ka ditur, që nëpërmjet rrëfimtarisë së tij shkrimore të thyejë edhe tabu, duke treguar një shkallë të lartë emancipimi e kulture qytetare, të cilën e mbart vetëm një shpirt i madh, e shkruan një penë e mprehtë, e zotëron një burrë zakoni i përditësuar. Dhe ky quhet Ahmet Hysen Ramadan Demaj, faqerreshkur nga erërat, trupdrejtë në furturë, bredh që s’e thau dot asnjë suferinë.

Ishte 40 vjeç kur e kam njohur Ahmetin, tani po shkon tek të tetëdhjetat. Sidomos 15 vitet e fundit, pata fatin, dëshirën dhe mundësinë, që të zhvillonim sa e sa veprimtari të shkëlqyera atdhetare - kulturore, letrare - artistike, historike e shkencore me intelektualin dhe veprimtarin shoqëror Ahmet Demaj. Si të thuash, ishim dy piketa të dukshme dhe të dobishme të shoqërinë civile, (ku Ahmeti ishte dhe është Kryetar i Shoqatës Atdhetare - Kulturore “Labëria” për Vlorën) me Universitetit “Ismail Qemali” (ku unë punova 25 vjet, deri sa dola në pension dhe isha drejtor i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, si dhe me detyrën shoqërore Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë). Shumë nga këto veprimtari të përbashkëta, që i kujtoj me mall, se sinqerisht ishin model, Ahmeti i ka shkruar e botuar në libër, me atë stilin e tij realist dhe publicistik meritor. Patëm një lidhje funksionale dhe harmonike me komunitetin vlonjat, me mjaft të mira reciproke, sepse dashamirësia dhe mirëkuptimi rektorial bënë të dilte nga akuariumi ky institucion i lartë arsimor i rëndësishëm, sepse kështu u vërejt dhe erdhi dobia sa akademike, po aq qytetare, sepse kështu fiton edhe universiteti, edhe qyteti, por tradita e krijuar duhet të vazhdojë më tej.

Ahmet Demaj e ka arritur standardin e njeriut që nderohet, e ka kapur standadin e fjalës që i dëgjohet, e ka zënë vendin e tij në letërsinë publkicistike e dokumentare, që lexohet.

Patjetër edhe tek “Pesha e fjalës” është korrekt me standardin, ndërkohë që mendoj se është libri më i plotë i autorit edhe për faktin se di të përdorë mjeshtrëisht figurat stilistike, që nga metafora dhe epiteti dhe tërë ato bukuri që të falin mjetet artistike, të cilat, kur i përdor me vend, kur dhe ku duhet, siç bën A. Demaj, janë vërtet qershia mbi tortë, kur thonë.  Tek “Pesha e fjalës”, autori e ka rritur stekën e vështron më tutje dhe ka pushtuar përmasa gjeohumane hapësirash të paana deri tek Gasparovi i madh rus, duke përcjellë dhe mesazhe dhe tërhequr vëmendjen për mbarëvjatjen e ca punëve këtu; po aq na njeh me inxhinierin lab që shkëlqeu në Lituani apo “Krojet e Velçës”, që feksën në Sllovaki. Autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e nuancat e piktorëve të Vlorës, shkruan për fizikanin me kultrurë të gjerë Vaso Pata, deri dhe për nobelistin vetëm i pashpallur gjeniun tonë Ismail Kadare.

Ndihem mirë që kam mik një inteletual të vërtetë, që aq shumë sakrifikon për të tjerët, por jo pak herë ka ngelur i zhgënjyer dhe është shqetësuar për punët e hallet e shoqërisë e të shtetit sikur të interesohej për punët e shtëpisë së tij, të vëllezërve, motrave apo fëmijve të tij. Pastaj Ahmeti ka një meritë e fat të madh, është si vëlla me hajmali me dr. Llukë Gjideden, Pier Foshardin e stomatolgjisë, nga më të mirë në Ballkan, profesorin e Mirënjohjes Qytetare dhe atdhetyarin e palëkundur nga Iliasi i Vunoit, një nga më të ndritshmit miq të Tërbaçit tim dhe historisë së tij. Populli thotë: “Më thuaj me cilin rri, të them se cili je”. Ahmet Demaj është mik i dr. Llukës dhe dr. Asqeriut dhe ka shkruar për ta, si gjithmonë me shpirt e vërtetësi. Mbi të gjitha, Ahmet Demaj është një emër i përveçëm, personalitet shoqëror me individualitetin e tij. Meriton vlerësim ai dhe vepra e tij, është krenari ta kesh mik e t’i lexosh librat e tij, që janë ndihmesë e mirë në publicistikën letrare, për letërsinë si dokument në rrafshin historik e socio - kulturor.

Ja kështu, me pak fjalë, bëra një vizatim të thjeshtë shkrimor dhe shpreha nja dy mendime të dëlira se përse Ahmet Demaj me veprimin, shkrimtarinë dhe peshën e fjalës së tij, duhet ndjekur si model nga të tjerët.

Urim për ditëlindjen

Ahmeti mbush 79 vjeç më 24 mars. Dhe e pret ditëlindjen e tij fisnikërisht bukur me “Peshën e fjalës”. Natyra ime ma deshi që t’i thur një tufëz me lule në vargje mikut tim të vjetër dhe të mirë. Vjershëza e ka titullin:

Udhëtim me dritë

O Ahmet Demaj nga zemra

Të uroj shumë të mira,

Me ideale dhe ëndrra,

Me mesazhet e dëlira.

Arsimi dhe Labëria,

Edhe familja patjetër,

Janë për ty dashuria,

Janë meraku për nesër.

Mbushe gotën dhe gëzuar,

Me drit’ duke udhëtuar!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Përparim Hysi: Lirika të shkruara në shkurt Sevdail Hyseni: Nastradini dhe qorrat Rrahman Rrahmani: 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës Dardane u shënua me një mbrëmje madhështore festive në Engelholm të Suedisë Don Fran Sopi: Përkujtimi dhe studimi — sot bashkohen në një pikë të vetme: në kërkimin e së vërtetës Fran Gjoka: Mesazh urimi mësuesit dhe drejtuesit, poetit dhe shkrimtarit Mevlud Buci në 75-vjetorin e lindjes Albert Vataj: Ermal Meta, me “Stella Stellina” solli në Sanremo një akt besimi në fuqinë e artit Sevdail Hyseni: S’ka punë..! Hazir Mehmeti: Filarmonia e Kosovës, koncert festiv në Vjenë Nexhmije Mehmetaj: Shënimi i Pavarësisë së Kosovës në Gjenevë Lekë Mrijaj: Struktura tripjesëshe e librit “Tragjiku i idealizmit shqiptar” si metodologji analitike në veprën e Prend Buzhalës Telegram ngushëllimi i Shoqatës "Trojet e Arbrit" me rastin e kalimit në amshim të Prof. Dr. Ramiz Abdylit Engjëllushe Sheme Koltraka: Po i bashkoj historitë e Kombit Asllan Dibrani – Luani: Kosova në udhëkryqe për president: Koha për një emër që bashkon kombin dhe tejkalon partitë Ndue Dedaj: Fundjavë në Kosovë mes miqsh Edison Ypi: Humba në Vlosh Albert Vataj: Shkodra... Shkodra asht kafshim malli Hysen Ibrahimi: Nejra Cej - 'Nejra e zgjuar' Kadri Tarelli: Shoqata “Durrësi Autokton”, pasuri e qytetarisë durrsake Albert Vataj: Hannah Arendt, një predikuese e kurajshme e besimit te e vërteta dhe të menduarit Sadbere Emshiu: 21 Shkurti – Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx