| E diele, 01.03.2026, 06:52 PM |
AHMET DEMAJ I FJALËS ME PESHË
NGA
ALBERT HABAZAJ
Tri fjalëzat e para
Mbaj mend, që i vogël se emrin e mësuesit
Ahmet Demaj nga Velça e kisha dëgjuar për mirë nga imatë, i cili kishte qenë mësues
në fshatrat e Shullërit (Matogjin, Ramicë- Lumë etj., qysh në vitin 1953.
Ndërkohë kujtoj se emrin e Ahmetit e
kisha parë në faqet e gazetës sime të dashur “Zëri i Vlorës”, që nga vitet 1975-’80,
kur edhe unë kisha nisur të botoja shkrimet e para, ndërkohë që kisha nisur në
Tiranë Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe mbas saj
Shkollën e Lartë të Aviacionit për pilot në Vlorë. Kryeredaktor ishte i miri
babaxhan, Dasho Matodashaj, mësues në profesion, koleg e mik me babain tim. Patjetër
dhe i Ahmetit. E kam dashur shumë gazetën, unë jo vetëm që e lexoja me ëndje,
por shkrimet që më pëlqenin, i përpija. Ahmeti nuk shkruante çdo numër gazete,
por ato ishin ca shkrime konkrete me ca fjalë të zgjedhura, të thjeshta, të
mprehta, që më janë ngulitur në mend qysh atëherë. Dhe nuk shkruante gjatë, por
gozhdë i kishte ato shkrime. Në historikun e gazetarëve dhe korrespodentëve
vullnetarë të gazetës sonë, Ahmet Demaj është regjistruar në kujtesën time,
patjetër dhe të kohës, si një zëvlorist i devotshëm (se gjenden botimet e
lidhura të shtypit në arkivat e Bibliotekës së Vlorës apo të Bibliotekës Kombëtare).
Nuk e di, por diskutohej e thuhej, kur na mblidhte kryeredaktori në kolegjiumin
e redaksisë, që Ahmetit i peshonte fjala…
Në vitin 1987 jam takuar dhe jam njohur
nga afër me Ahmetin. Në Lepenicë jemi njohur dhe kemi bashkëpunuar në mënyrë
korrekte, pasi unë aty shërbeja në një sektor tjetër të rëndësishëm për kohën.
Pra, kam rreth 40 vjet që njihem me Ahmet Demën, ndërkohë që, qysh nga viti 2011
idealet e larta, fati, dashamirësia, veprimtaritë shoqërore dhe atdhetare -
kulturore na kanë mundësuar që të jemi në një bashkëpunim shembullor, në përgjegjësitë
vullnetare që i ngarkojmë vetes, kur shoqëria na kërkon, na vlerëson, se na
beson - Ahmetin në detyrën shoqërore të kryetarit të Shoqatës Atdhetare -
Kulturore “Labëria” për Vlorën, mua në detyrën shoqërore të Sekretarit në Vlorë.
Shkrimtaria e autorit Ahmet Demaj
Një model i përkryer i mësuesit të
nderuar, një shembull për t’u ndjekur si drejtues i arsimit, një gjurmues dhe kërkues
shkencor serioz, një veprimtar shoqëror i përkushtuar, një zë i vërtetë, i
drejtpërdrejtë dhe i guximshëm i shqetësimit qytetar, një inteletual i
angazhuar - Ahmet Demaj është edhe një publicist i njohur, pena e mprehtë e të
cilit bën punë dhe punë të mira. Është nga penat më të spikatura që ka shkruar
e ka botuar në shtypin qendror të kohës, sidomos në gazetat “Zëri i Rinisë”,
“Luftëtari”, “Mësuesi”, “Bashkimi”, “Zëri i popullit” e “Drita”. Mbas viteve
’90, edhe sot e kësaj dite, shkruan e boton me një fuqi më të madhe shprehëse
dhe përfaqësim më dinjitoz të interesave të shoqërisë në gazetat më të rëndësishme
që kemi, si: “Telegraf”, “Labëria”, “Dita, “Sot”, “Koha jonë”, “Komunitete” etj.
Shkrimet e tij janë të qarta, konkrete,
që paraqesin ngjarje, data e personazhe historikë dhe socialë të njohur në
rrafshin lokal e kombëtar, gdhendin figura të kulturës dhe artit, të arsimit e
shkencës, të shëndetsisë dhe ekonomisë, të artit ushtarak dhe politikës. Ato
japin informacion të bollshëm e transmentojnë njohuri, ide, mendime, përvojë,
patjetër dhe ndjenja e emocion, të shkruara bukur, pastër, shëndetshëm dhe me
nerv. Një rol të veçantë shkrimtaria e autorit Ahmet Demaj ka në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës, ku do të veçoja
ndihmesën e tij të dobishme në lëmin e publicistikë letrare. Ai ka botuar shumë
shkrime nëpër organe të ndryshme të shtypit, por libra pak. “Pak e saktë” -
thotë populli. Vetëm katër: “Te burimi që fali” (2008), “Amanet kalin” (2016),
“Ftesa” (2020), “Pesha e fjalës” (2026).
Nëpërmjet këtyre katër librave të botuara,
ne njihemi me portretin e qytetarit të angazhuar dhe intelektualit popullor Ahmet
Demaj si mësues ndër më të aftët, ndër më seriozët e korrek si ai, me përkushtim
shembullor si veprimtar shoqëror historik, apo si atdhetar i palodhur për
idealet e larta për të përçuar tek brezat edukimin atdhetar nëpërmjet fjalës
dhe veprimit, patjetër vendin dhe rolin e tij si personalitet i shquar i Labërisë,
veçanërisht si drejtues kryesor i shoqërisë labe të organizuar vullnetarisht në
qytetin e Vlorës. Ahmet Demaj është një emër i përveçëm, bir i mirë i Velçës
dhe Labërisë i vlerësuar me meritë për shërbime të shquara shoqërore dhe shetërore.
Në shkrimtarinë e tij, Ahmet Demaj është
shembëlltyra e atij që shkruan profesori i Publicistikës letrare Hamit Boriçi:
“Autori paraqitet si përfaqësues i opinionit shoqëror më të përparuar”.
Në të katër librat e tij, jo vetëm unë,
që gjithsesi them se e njoh mirë autorin, por çdokush vëren dhe faqe pas faqeje
e shkrim pas shkrimi njeh se kush është në fakt Ahmet Demaj, ndërkohë gjatë
leximit zbulon vlerat humane që e karakterizojnë dhe mirësitë e tij që mishëron
thjeshtësisht e padukshëm në jetën e përditshme. Njihemi dhe me gjithë ato
veprimtari interesante, serioze, mbresëlënëse, simbolike, aq të bukura dhe
kuptimplote me mesazhe plot dritë që zhvillohen në qytetin e Vlorës apo në 3
nga bashkitë që mbulon qarku i Vlorës, siç janë Selenica, Himara dhe Vlora. Me
sa e sa takime malli, festa gëzimi, ceremoni nderimi e festivale vlerash
etnografike dhe folklorike njihemi duke shfletuar shkrimtarinë e tij katërlibrore,
ku vetë Ahmet Demaj ka qenë në vendin e nderit jo vetëm si kryetar i shoqëatës
“Labëria” për degën e Vlorës apo si nënkryetar i shoqatës së madhe, por së pari
si misionar dhe dashamirës për gjallërimin e jetesës së banorëve në rrafshin e
kujtesës historike, të përmirësimit ekonomik dhe zbukururimit të botës së tyre
shpirtërore, atdhetare e kulturore në fshatrat e Labërisë, në krahinëzat e
Lumit të Vlorës, në Kurvelesh, Mesaplik, Drashovicë, Topallti, Gorisht e Kudhës,
si dhe në Dukat, në Himarë apo në zonën e Myzeqesë së Vogël, ku banojnë po
ashtu labë apo ku janë miq, dashamirës e bashkëveprues të shoqërive simotra,
edhe matanë Vjosës, siç është shoqata Cakrani me kryetar veprimtarin epik dr.
Asqeri Llanaj, deri në Tepelenë, Gjirokastër e Tiranë.
Gjatë leximit njihemi me jetën e labit,
me veçoritë e tij përbashkuese apo përveçuese me të tjerët, me psikologjinë dhe
karakterin e tij, me temperamentin e shfaqur, me virtytet e mira e të lavdërueshme
që vlen të mbahen, pasurohen e përcillen brezave që ngrihen, por pa harruar
edhe veset e liga e të dëmshme për t’i njohur e ditur patjetër, por sidomos për
të mos i përsëritur. Njohim të parët tanë, bëmat e tyre, luftën për liri e
pavarësi, trimat e kryengritjeve popullore e bijtë e shpatës shqiptare, që nga
kordhëtari i shquar lab Selam Hasan Velça, që populli e përjetësoi në këngë “Seç u nxi gryk’ e Sazanit/ Një pamporr sa
gjysm’ e malit, / Bie armët e Selamit, / Shyt, argjënd e pall’e Shamit” deri
tek Xhovani Valencia, italiani që urrente fashizmin, si një qytetar i lirë dhe
humanist i botës. Një këndvështrim të veçantë ka autori për Luftën Kombëtare të
Vlorës, 1920 apo për Klubin Atdhetar “Labëria”, 1908, që Vlorës i ndezi dritën
për arsim, i çeli manushaqen për gjuhën shqipe, i ngrohu vatrën për Pavarësinë
që do të vinte edhe për shtigjet e horizontet për përparim, me kryetar nderi
Plakun e Bardhë të Flamurit Kombëtar.
Paraqitet në shumë fusha të publicistikës
shkrimtaria e autorit, që nga opinionet e shëndosha dhe komentet e spikatura
sociale. Madje opinionet dhe komentet politike janë të hollësishme, të prera,
shumë të guximshme, kritike, me vend, burrërore dhe trimërore, saqë mund të
quhet një këshilltar i urtë jo vetëm për ne, horizontalët, por veçmas për vertikalët.
“Lartësorët” do të kishin mirësinë ta dëgjonin me vëmendje dhe interes për të
mirën e vendit, por na duket se drejuesit e vendit bëjnë sikur e dëgjojnë.
Publicistika e tij merr një dritë të
bukur njerëzore nga reportazhet dhe portrete - personazhet që gdhend me dashuri
e vërtetësi që nga njerëzit e thjeshtë si shoferi Ilir Velo Mahmuti nga Matogjini me kulturën e
punës së tij si shofer i asaj linje të thellë e aq të vështirë, apo brigadierët e Velçës: Neim Ilazi, Patriot
Karçanaj e Neshet Robaj, deri tek akademik Androkli Kostallari, gjuhëtari e
leksikologu i shquar, njëri nga studiuesit më të ndritur të gjuhësisë së sotme,
që ia kushtoi gjithë jetën studimit të shtresave gjuhësore, madje erdhi edhe vetë
në Velçën e largët, ku u mblodhën 3000 fjalë e shprehje popullore lokale. Ka
qenë pikërisht pranvera e vitit 1985 kur u bë një sesion shkencor mjaft i
dobishëm në shkollën 8 - vjeçare të Velçës. Nuk mund të jenë jashtë përqëndrimit
të tij shkrimore nderimet e sidomos shqetësimet qytetare që trajton, me
pensionet e ujin e pijshëm e deri dek një fëmijë analfabet sot.
Me interes janë shkrimet e Ahmetit në
fushën e ekonomi - biznesit, ku ai ka një përvojë të gjatë dhe është
kualifikuar brenda dhe jashtë vendit për problemet e mikrofinancës dhe zbutjen
e varfërisë në zonat rurale, ka marrë pjesë në konferenca dhe kongrese kombëtare
dhe ndërkombëtare.
Shkrimet e tij publicistike të rubrikës
faqe historie shfaqin jo vetëm penën
e tij të kthjellët, por një qëndrim të palëkundur atdhetar në nderim të vlerave
historike, të të gjitha kryengritjeve popullore, luftrave kundër pushtuesve dhe
shfrytëzimit ndër shekuj, epopesë së Njëzetës, por pena e tij dallon sidomos për
vlerësimin më të lartë që i bën LANÇ, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë,
veteranëve dhe pasardhësve të luftës më të lavdishme të popullit shqiptar.
Përveç temave të kodit etik dhe shijeve
estetike, edukatës morale dhe qytetare, shkrimeve mbi artin dhe kulturën kombëtare,
mendimeve të tij për libra monografikë apo letërsi artistike, Demaj e zgjeron
natyrshëm gamën e artikujve publicistikë kudo ku është, ndihet e gëlon gjaku i
Shqipërisë së Parë, nga Kosova, në Çamëri e kudo nëpër botë, ku ka shqiptarì.
Pena e tij ikën tutje deri në Francë, Itali e gjetkë.
Nuk është synimi i këtij shkrimi pëmendja
dhe paraqitja e shkrimtarisë së autorit, sepse është e pamundur në një artikull
gazete, madje mendoj se shkakton edhe bezdi tek lexuesi i sotëm i kulturuar që
di ta mirëlexojë tekstin.
Si e lexoj unë publicistikën e Ahmet Demajt?
Në këto 40 vjet që e njoh shkrimtarinë
e tij, sidomos këto 4 libra të Ahmetit, unë i lexoj kështu:
Ahmet Demaj e ka të shenjtë mikun, por
po aq nderon shenjtërinë e fjalës, nuk e shpërdoron atë, nuk e shfrytëzon kurrë
si armë kundër njerëzve që rrezikojnë të shkasin, por e përdor si elektrik dore
për t’i nxjerrë nga nata e qorrsokakut, se natës pa orientim, larg qoftë, mund
të të humbasë drejtpeshimi e mund të të shkasë këmba në greminë...
Në kuptimin më të mirë të shprehjes,
Ahmet Demaj e ka fjalën shpatë. Vërtet që matet 7 herë kur flet, por kur qëllon,
godet në shenjë jo për të “vrarë” gabimtarin apo fajtorin, por të shëruar lëndimin
dhe që trupi i shoqërisë sonë, që nga qeliza - familja e deri tek shteti të jetë
i shëndetshëm, në këmbë e me dinjitet, si pjesë e së tërës.
Njohës i zellshëm i traditave, dokeve,
i së drejtës zakonore, i mënyrës së jetesës ndër kohra, nderimtar i virtyteve
dhe përçues i tyre, po aq një luftërar i denjë dhe përparimtar, Ahmet Demaj ka
ditur, që nëpërmjet rrëfimtarisë së tij shkrimore të thyejë edhe tabu, duke
treguar një shkallë të lartë emancipimi e kulture qytetare, të cilën e mbart vetëm
një shpirt i madh, e shkruan një penë e mprehtë, e zotëron një burrë zakoni i përditësuar.
Dhe ky quhet Ahmet Hysen Ramadan Demaj, faqerreshkur nga erërat, trupdrejtë në
furturë, bredh që s’e thau dot asnjë suferinë.
Ishte 40 vjeç kur e kam njohur Ahmetin,
tani po shkon tek të tetëdhjetat. Sidomos 15 vitet e fundit, pata fatin, dëshirën
dhe mundësinë, që të zhvillonim sa e sa veprimtari të shkëlqyera atdhetare -
kulturore, letrare - artistike, historike e shkencore me intelektualin dhe
veprimtarin shoqëror Ahmet Demaj. Si të thuash, ishim dy piketa të dukshme dhe
të dobishme të shoqërinë civile, (ku Ahmeti ishte dhe është Kryetar i Shoqatës
Atdhetare - Kulturore “Labëria” për Vlorën) me Universitetit “Ismail Qemali”
(ku unë punova 25 vjet, deri sa dola në pension dhe isha drejtor i Bibliotekës
shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, si dhe me detyrën shoqërore Kryetar i Shoqatës
së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë). Shumë nga këto veprimtari
të përbashkëta, që i kujtoj me mall, se sinqerisht ishin model, Ahmeti i ka
shkruar e botuar në libër, me atë stilin e tij realist dhe publicistik meritor.
Patëm një lidhje funksionale dhe harmonike me komunitetin vlonjat, me mjaft të
mira reciproke, sepse dashamirësia dhe mirëkuptimi rektorial bënë të dilte nga
akuariumi ky institucion i lartë arsimor i rëndësishëm, sepse kështu u vërejt
dhe erdhi dobia sa akademike, po aq qytetare, sepse kështu fiton edhe universiteti,
edhe qyteti, por tradita e krijuar duhet të vazhdojë më tej.
Ahmet Demaj e ka arritur standardin e
njeriut që nderohet, e ka kapur standadin e fjalës që i dëgjohet, e ka zënë
vendin e tij në letërsinë publkicistike e dokumentare, që lexohet.
Patjetër edhe tek “Pesha e fjalës” është
korrekt me standardin, ndërkohë që mendoj se është libri më i plotë i autorit
edhe për faktin se di të përdorë mjeshtrëisht figurat stilistike, që nga
metafora dhe epiteti dhe tërë ato bukuri që të falin mjetet artistike, të
cilat, kur i përdor me vend, kur dhe ku duhet, siç bën A. Demaj, janë vërtet
qershia mbi tortë, kur thonë. Tek “Pesha
e fjalës”, autori e ka rritur stekën e vështron më tutje dhe ka pushtuar përmasa
gjeohumane hapësirash të paana deri tek Gasparovi i madh rus, duke përcjellë
dhe mesazhe dhe tërhequr vëmendjen për mbarëvjatjen e ca punëve këtu; po aq na
njeh me inxhinierin lab që shkëlqeu në Lituani apo “Krojet e Velçës”, që feksën
në Sllovaki. Autori ngjyen penën e tij në ngjyrat e nuancat e piktorëve të
Vlorës, shkruan për fizikanin me kultrurë të gjerë Vaso Pata, deri dhe për
nobelistin vetëm i pashpallur gjeniun tonë Ismail Kadare.
Ndihem mirë që kam mik një inteletual të
vërtetë, që aq shumë sakrifikon për të tjerët, por jo pak herë ka ngelur i zhgënjyer
dhe është shqetësuar për punët e hallet e shoqërisë e të shtetit sikur të
interesohej për punët e shtëpisë së tij, të vëllezërve, motrave apo fëmijve të
tij. Pastaj Ahmeti ka një meritë e fat të madh, është si vëlla me hajmali me
dr. Llukë Gjideden, Pier Foshardin e stomatolgjisë, nga më të mirë në Ballkan,
profesorin e Mirënjohjes Qytetare dhe atdhetyarin e palëkundur nga Iliasi i
Vunoit, një nga më të ndritshmit miq të Tërbaçit tim dhe historisë së tij.
Populli thotë: “Më thuaj me cilin rri, të them se cili je”. Ahmet Demaj është
mik i dr. Llukës dhe dr. Asqeriut dhe ka shkruar për ta, si gjithmonë me shpirt
e vërtetësi. Mbi të gjitha, Ahmet Demaj është një emër i përveçëm, personalitet
shoqëror me individualitetin e tij. Meriton vlerësim ai dhe vepra e tij, është
krenari ta kesh mik e t’i lexosh librat e tij, që janë ndihmesë e mirë në
publicistikën letrare, për letërsinë si dokument në rrafshin historik e socio -
kulturor.
Ja kështu, me pak fjalë, bëra një
vizatim të thjeshtë shkrimor dhe shpreha nja dy mendime të dëlira se përse
Ahmet Demaj me veprimin, shkrimtarinë dhe peshën e fjalës së tij, duhet ndjekur
si model nga të tjerët.
Urim për ditëlindjen
Ahmeti mbush 79 vjeç më
24 mars. Dhe e pret ditëlindjen e tij fisnikërisht bukur me “Peshën e fjalës”.
Natyra ime ma deshi që t’i thur një tufëz me lule në vargje
mikut tim të vjetër dhe të mirë. Vjershëza e ka titullin:
Udhëtim me dritë
Të uroj shumë të mira,
Me ideale dhe ëndrra,
Me mesazhet e dëlira.
Arsimi dhe Labëria,
Edhe familja patjetër,
Janë për ty dashuria,
Janë meraku për nesër.
Mbushe gotën dhe
gëzuar,
Me drit’ duke
udhëtuar!
