Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Serbia – dimensionet e një ideologjie kombëtare anakronike
E premte, 27.02.2026, 06:55 PM
SERBIA - DIMENSIONET E NJË IDEOLOGJIE KOMBËTARE ANAKRONIKE
Nga
Prof.
Xhelal Zejneli
Në fillim të viteve ’90 të shekullit
XX, Serbia shkaktoi katër luftëra në ish-Jugosllavi: kundër Sllovenisë,
Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Në Bosnjë dhe Hercegovinë arritën
të krijojnë entitetin serb (Republika Serbe), që funksionon si shtet. Duke
tentuar të shkëpusin një pjesë të Kosovës, edhe këtu synojnë të arrijnë të
njëjtën si në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjatë agresionit serb në Slloveni dhe
në Kroaci, Perëndimi reagoi shpejt dhe parandaloi një gjakderdhje përmasash të
mëdha. Ndërkaq, gjatë luftës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, evropianët u
treguan mjaft indiferentë. Si rrjedhojë ndodhi tragjedia më e madhe në
kontinent, pas Luftës së Dytë Botërore. Në rastin e parë, kemi të bëjmë me dy
popujt të krishterë – sllovenët dhe kroatët, ndërkaq në rastin e dytë, me një
popull mysliman - boshnjakët.
Serbia, për luftërat agresive dhe tragjedinë e shkaktuar, në vend që të dënohet
nga bashkësia ndërkombëtare, duket sikur shpërblehet.
Kaluan mbi dhjetë vjet qëkur forcat
kolonialiste serbe u shkulën nga Kosova. Megjithëkëtë, veriun e Kosovës,
Prishtina ende nuk e ka nën kontroll të mirëfilltë. Lidhur me mbrojtjen e
tërësisë së tokave të Kosovës, vendet e Bashkimit Evropian, deri më sot nuk
kanë treguar ndonjë qëndrim më të prerë.
Ka që thonë se evropianët i bren
ndërgjegjja për sulmet e NATO-s mbi Serbinë. Por, çështja është më komplekse.
Segmente të caktuara të vendeve - anëtare të BE-së shohin te serbët:
- një popull me një shkallë të caktuar
të kulturës; dhe
- një popull të krishterë;
*
* *
Politika serbe sot, si dikur, bazohet
në forcë, në arrogancë, në dredhi, në mashtrim dhe në propagandë. Propagandës,
dredhive, mashtrimeve dhe gënjeshtrave serbe, do t’ua kishte lakmi edhe
ministri nazist gjerman i propagandës gjatë Luftës së Dytë Botërore, politikani
dhe filologu Jozef Gebels. (Paul Joseph Goebbels, 29.10.1897 – 01.05.1945).
Arroganca serbe - Serbët rrahin gjoks
për dy arsye:
- E para: Jemi popull luftarak dhe në
momente historike të caktuara, kemi luajtur rol të rëndësishëm;
- E dyta: Jemi popull me aleatë: rusët
- mbi bazën e përkatësisë sllavo-ortodokse dhe francezët – mbi bazën e Luftës
së Parë Botërore, kur kemi luftuar në të njëjtën anë.
Serbët janë vetëshpallur popull hyjnor,
qiellor dhe astral. E konsiderojnë veten popull historik dhe popull politik.
Para Evropës paraqiten si popull i krishterë që në Bosnjë e Hercegovinë dhe në
Kosovë është përplasur me islamin. Propaganda serbe thotë: Jemi digë e
Ballkanit ortodoks dhe e Evropës së krishterë përballë islamizmit shqiptar dhe
boshnjak – përçues potencialë të interesave turke, arabe dhe persiane në rajon
dhe në kontinent.
Serbët janë popull me dy lloj
kompleksesh: kompleks inferioriteti dhe kompleks superioriteti.
Që nga pavarësia e tyre (1878) e deri
në ditët tona, energjitë kombëtare i kanë përqendruar kryesisht:
- në forcimin e ushtrisë dhe të
policisë;
- në ndërtimin e një diplomacie aktive;
- në ndërtimin e një makinerie
propaganduese të përkryer
- në aktivizimin e shërbimeve sekrete.
Duke e marrë veten për popull politik
dhe historik, në aspektin politik, ushtarak dhe shtetëror, serbët e ndjejnë
veten superiorë në shkallë rajoni.
Serbët janë të vetëdijshëm se sllovenët
dhe kroatët kanë qenë nën sundimin e një perandorie të zhvilluar –
Austro-Hungarisë, ndërkaq vetë ata – nën sundimin e një perandorie
aziatike-osmane, e cila gjatë sundimit pesëshekullor në Ballkan dhe gjetkë,
ngeci në pikëpamje tekniko-shkencore dhe teknologjike.
Si në Mbretërinë Jugosllave, ashtu edhe
në Jugosllavinë e Titos, në aspektin politik, ushtarak dhe shtetformues, serbët
e kanë ndjerë veten superiorë ndaj të gjithë popujve të tjerë të amalgamës
jugosllave. Ndërkaq, në pikëpamje kulturore dhe ekonomiko-shoqërore, ndaj
kroatëve dhe ndaj sllovenëve, serbët kanë qenë inferiorë. Sllovenët dhe
kroatët, duke qenë më të zhvilluar se serbët, kanë krijuar shtresa shoqërore
elitare, aristokrate dhe borgjeze. Serbët ndërkaq, kanë funksionuar si shoqëri
e pallankave, d.m.th. provinciale. Duhet shtuar se serbët nuk janë punëtorë të
mëdhenj. Ndërmjet serbëve dhe kroatëve gjithmonë ka ekzistuar një rivalitet
armiqësor. Ky rivalitet vazhdon edhe sot.
Serbëve, më parë se zhvillimi ekonomik,
u ka interesuar faktorizimi ushtarak, për të vendosur dominimin dhe hegjemoninë
në një pjesë të rajonit. Prandaj dhe ekonomikisht kanë mbetur poshtë kroatëve
dhe sllovenëve.
Ndaj sllavo-maqedonasve, ndaj
malazezëve si dhe ndaj myslimanëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, serbët kanë
qëndrim shpërfillës. Sipas serbëve, këta tre popuj nuk kanë identitet kombëtar.
Ata s’janë veçse serbë.
Serbët për shqiptarët flasin me paragjykime
dhe me stereotipa. Në momente historike të caktuara, nëpër kancelaritë e fuqive
historike të Evropës, serbët kanë përhapur propagandë sistematike kundër
shqiptarëve, duke i quajtur mbetje turke në Ballkan. Si të tillë, ata
(shqiptarët) nuk meritojnë të kenë shtet. Nëpërmjet propagandës antishqiptare,
serbët janë përpjekur të parandalojnë krijimin e shtetit shqiptar, të
justifikojnë pushtimin e trojeve shqiptare dhe të sigurojnë dalje në det në
brigjet shqiptare.
Serbët, në historinë politike të kohës
së re e deri në ditët tona, kanë një vragë të madhe në shpirt – nuk kanë det,
përkatësisht dalje në det. Pjesë thelbësore e politikës ekspansioniste serbe ka
qenë pushtimi i atyre territoreve që do ta nxirrnin Serbinë në det. Pretendimin
e vet për të dalë në det (në vitet 1912-1913), Serbia synonte ta realizojë
vetëm nëpërmjet bregdetit shqiptar, ndaj planet e saj lidhur me Shqipërinë
veriore, përjashtonin krijimin e shtetit shqiptar.
*
* *
Nacionalistët e Beogradit thonë:
“Serbët janë popull me tri fe:
- Serbë të fesë ortodokse, ku bëjnë pjesë serbët e Serbisë
dhe serbët jashtë saj;
- Serbë të fesë katolike, ku bëjnë pjesë kroatët e Kroacisë
dhe të Bosnjës e Hercegovinës; dhe
- Serbë të fesë myslimane, ku bëjnë pjesë myslimanët e
Bosnjës e Hercegogvinës dhe të Sanxhakut (krahinë në Serbi dhe në Mal të Zi, e
banuar nga popullsi me fe islame).
Armiqtë historikë të serbëve – Vatikani, Berlini, Vjena dhe
agjenti i tyre – Tito, prej një populli (serb) kanë krijuar tre kombe: kombin
serb, kombin kroat dhe kombin mysliman. Prej një shteti serb, kanë krijuar tre
shtete: Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Që të tre popujt flasin një
gjuhë të vetme – serbisht.
Natyrisht, serbë janë edhe malazeztë. Sllavo-maqedonasit
ndërkaq, janë përzierje serbo-bullgare, në çdo çast të gatshëm për t’u
serbizuar. Vetëm sllovenët nuk janë serbë. Mirëpo, s’kanë ku ikin nga
Serbosllavia, ngase do t’i i gëlltiste faktori gjerman. Hungarezët e
Vojvodinës, duke qenë të kulturuar, lehtë do asimilohen. Shqiptarët ndërkaq,
janë trup i huaj dhe të egër. Zgjidhje për ta është – deportimi përtej
Bjeshkëve të Nemuna, drejt Anatolisë.
Të njëjtin problem e kanë edhe shqiptarët. Ndahen në tri fe: myslimane,
ortodokse dhe katolike. Mirëpo, askujt nuk i shkoi ndërmend që prej tyre të
krijojë tre kombe, përkatësisht tre shtete. Në saje të miqve të tyre -
Vatikanit dhe faktorit gjerman, shqiptarët sot janë një komb unik dhe kanë një
shtet kombëtar – Shqipërinë.”
*
* *
Serbët janë mashtrues të mëdhenj,
ndërsa politika serbe është djallëzore. Në Evropën e krishterë hiqen si njëfarë
mburoje e kryqit nga rreziku islam që vjen prej boshnjakëve dhe prej
shqiptarëve, ndërkaq në botën arabe dhe islamike hiqen si miq të mëdhenj të
arabëve, përkatësisht të myslimanëve.
Para vendeve arabe, përkatësisht
islamike serbët hiqen si trashëgues të Jugosllavisë së Titos, duke e paraqitur
Serbinë si një ndër vendet më të rëndësishme të Lëvizjes së të painkuadruara. Në vendet arabe që shquhen për
politikë antiamerikane, diplomacia serbe e paraqitet Serbinë si një viktimë të
aspiratave imperialiste amerikane, e gatshme për t’i bërë ballë Uashingtonit,
në synimet e tij dominuese. Aktualisht, eksponent i kësaj politike dhelparake
dhe mashtruese është ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë – Vuk Jeremiq (1975-). Ky ministër që
hiqet serb i madh, nga vija e nënës është mysliman. Poeti malazez Petar Petroviq Njegosh (1812-1851)
thotë: “Më i keq është i turqizuari
(turkoshaku) sesa turku vetë”.
Me fjalë të tjera, lidhur me islamizmin
serbët luajnë lojë të dyfishtë: Nëpër kancelaritë evropiane thonë se janë
mburojë e kryqit në rajon dhe në kontinent nga islamizmi boshnjak dhe shqiptar.
Ndërkaq, në qendrat myslimane hiqen si miq të mëdhenj të botës arabe dhe
islamike.
Diktatorët e mëdhenj të vendeve arabe, përkatësisht islamike të cilët, në
shtetet-familje kanë sunduar me dekada, si p.sh. udhëheqësi revolucionar i
Libisë Muamer el Gadafi (Muamer Muhamed Ebu Minjar el-Gadafi,
1942-2011), i njohur si Kolonel Gadafi; politikani dhe oficeri ushtarak i Sirisë Hafez al-Asad (Hafez al-Assad, 1930-2000); politikani dhe oficeri
ushtarak, kryetar i Egjiptit Hosni Mubarak (Muhammad
Hosni El Sayed Mubarak, 1928-2020) etj., kanë qenë miq të mëdhenj të Serbisë.
Një ndër miqtë më të mëdhenj të Serbisë sot është edhe Irani i politikanit Ahmadi Nexhad (Mahmoud Ahmadinejad, 1956- ), i cili në vitet 2005-2013
ishte kryetar i atij vendi.
Serbët luajnë edhe me letrën e ortodoksizmit. Me deklaratën e shkrimtarit
dhe akademikut serbomadh Dobrica Qosiq
(1921-2014): “Në Ballkan kemi të bëjmë me
komplotin e Vatikanit dhe të protestantëve kundër ortodoksizmit, serbët
pretendojnë të zgjojnë nga gjumi edhe ariun e veriut – Rusinë e Putinit dhe të
Medved-evit.”
*
* *
Serbët dhe faktori
gjerman - Sipas serbëve, kundërshtari historik
kryesor i ideologjisë kombëtare serbe është faktori gjerman.
Pas luftës ruso-turke (1877-1878) u
nënshkrua në Shën-Stefan (lagje e jashtme e Stambollit) Traktati i Shën-Stefanit
(1878), famëkeq për kombin shqiptar. Sipas këtij traktati, vendet sllave si
Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi zgjeroheshin në dëm të tokave shqiptare.
Mirëpo, krijimi i shtetit të madh sllav në Ballkan ishte në kundërshti të plotë
me interesat e faktorit gjerman. Austro-Hungaria dhe Anglia e kundërshtuan këtë
marrëveshje, ndaj më pas u mblodh Kongresi i Berlinit (1878).
Në Luftën e Parë Botërore faktori
gjerman humbi. Më 1918 lindi krijesa artificiale Jugosllavia e Versajës.
Sistemi i Versajës i ngritur nga Franca pas Luftës së Parë Botërore, me të
filluar Lufta e Dytë Botërore (nga nazistët gjermanë) - u shemb. Bashkë me të,
u shpërbë edhe Mbretëria Serbosllave
Më 1943, komunistët e Josip Broz Titos (1892-1980),
në Mbledhjen II të AVNOJ-it (KAÇKJ) të mbajtur në Jajce të BH-së në vitin 1943,
i vunë themelet e Jugosllavisë avnoj-iste. Më 1991 edhe kjo kreaturë
kominterniste mori tatëpjetën. Gjermania - tanimë e bashkuar - pa nguruar fare,
e mbështeti shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Serbosllavia u tret si
flluskë sapuni.
Sipas nacionalistëve serbë, shkaktarët
kryesorë dhe të përhershëm të tragjedisë serbe na qenkan Vatikani, Berlini,
Vjena, CIA si dhe agjenti i Vatikani dhe i Vjenës – Tito.
*
* *
Rivalitetet e fuqive
të mëdha ndaj rajonit – Në rajonin e
Ballkanit, në një moment të caktuar, mund të ndeshen interesat: e BE-së, të Uashingtonit, të Moskës,
deri edhe të Kinës së largët. Jashtë
kësaj loje, me miratimin e SHBA-së, nuk do të mbetej as Turqia, si fuqi rajonale ambicioze.
Serbët janë ngatërrestarë të mëdhenj.
Koketojnë me të gjitha fuqitë mëdha: Synojnë të bëhen anëtarë të BE-së; kanë
kontakte me Uashingtonin; rusët i konsiderojnë aleatë të natyrshëm; vendosin
lidhje të ngushta me Kinën Nga kjo del se politika e Beogradit është joparimore,
shantazhuese, destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse. Beogradi synon të
përfitojë nga rivalitetet fuqive të mëdha ndaj rajonit. Sipas Beogradit, Serbia
ka pozitë gjeografike strategjike, ndaj ajo fuqi që e shtie në dorë Serbinë, e
vë nën kontroll tërë rajonin. Midis BE-së,
SHBA-së, Rusisë dhe Kinës serbët
do të përcaktoheshin për atë fuqi e cila:
- Do ta njihte rolin dominues të Serbisë
në një pjesë të rajonit; dhe
- Do t’i realizonte interesat kombëtare
të Serbisë.
Synimet kombëtare të Serbisë,
historikisht kanë qenë në kundërshti të plotë me interesat e Berlinit. Sot janë
në kundërshti totale edhe me interesat e Uashingtonit. Faktikisht, Serbia nuk
mund të mbështetet në këto dy qendra politike të vendosjes. Rusia ndërkaq, nuk
ka kapacitet të mjaftueshëm t’i përmbushë ambiciet joreale të serbëve. Kina, me
ekonominë në rritje, pritet të bëhet fuqi globale. Ndonëse larg Ballkanit, ajo
mund të shfrytëzojë kontradiktat e Serbisë me Perëndimin, por edhe qëndrimin jo
mjaft aktiv të Moskës ndaj zhvillimeve në rajon. Kjo fuqi imperiale potenciale,
nëpërmjet Serbisë grindavece, në një të ardhme jo fort të largët, mund të aspirojë
praninë e vet në rajon.
Megjithëkëtë, ëndrra e Serbisë për ta
shndërruar gadishullin në fuçi baruti nuk do të realizohet kurrë.
Sipas politikanit serb, i cili shërbeu
si kryetar i Serbisë në vitet 2004-2012, Boris
Tadiq (1958- ) dhe
kryeministrit ultranacionalist sllavo-maqedonas, Nikola Gruevski (1970- )
integrimi në strukturat euro-atlantike, sa është interes i Serbisë dhe i
Maqedonisë, po aq është edhe interes i BE-së dhe i Uashingtonit. Po qe se nuk
do të na pranoni në BE (apo në NATO) pa kusht, do të hidhemi në gjirin e mëmë
Rusisë, po edhe të Kinës. “Vdekjen do
t’ua sjelli në skenë” – kishte babai i tragjedisë moderne Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616).
Serbëve nuk u është bërë vonë, që për
shkakun e tyre, të jenë ndeshur ushtarakisht, edhe fuqitë e mëdha. Por ata
duhet ta dinë se asnjëherë në histori fuqitë e mëdha nuk e kanë filluar luftën
kundër njëra-tjetrës, për shkak të interesave të popujve të vegjël. Të vegjlit
mund të kenë qenë pretekst për konflikt, por jo edhe shkak i mirëfilltë lufte.
Synimet serbe për t’ia vënë zjarrin rajonit dhe për ta parë në flakë Ilirinë
s’kanë për t’u sendërtuar.
Shqiptarët kanë rastin historik të
papërsëritshëm të faktorizohen dhe të luajnë një rol më të rëndësishëm në
rajonin e Evropës Juglindore. Për t’u faktorizuar, shqiptarët duhet të plotësojnë
disa kushte themelore:
- Të shkëputen përgjithmonë nga ndikimi
i vendeve të Orientit;
- Të pushojnë së funksionuari me
mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme;
- T’i rikthehen familjes perëndimore,
së cilës i takojnë natyrshëm, që nga historiani dhe prifti katolik nga Shkodra, Marin Barleti (1450-1460
– 1512-1513) dhe autori i parë i letrave shqipe, përkatësisht
shqipëruesi i një libri kishtar që u quajt “Meshari”
(1555), Gjon Buzuku (shekulli
XVI) e deri në ditët tona.
*
* *
Gjatë agresionit serb në Slloveni dhe
në Kroaci, Perëndimi reagoi shpejt dhe parandaloi një gjakderdhje përmasash të
mëdha. Ndërkaq, gjatë luftës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, evropianët u
treguan mjaft indiferentë. Si rrjedhojë ndodhi tragjedia më e madhe në
kontinent, pas Luftës së Dytë Botërore.
Në rastin e parë, kemi të bëjmë me dy
popujt të krishterë – sllovenët dhe kroatët, ndërkaq në rastin e dytë, me një
popull mysliman - boshnjakët.
Më 12.09.2011









