E hene, 09.02.2026, 12:21 AM (GMT)

Kulturë

Mehmet Elezi: Libri i Rexhep Shahut 'Lufta ime për Kosovën' duhet lexuar nga çdo shqiptar

E diele, 08.02.2026, 06:56 PM


LIBRI I REXHEP SHAHUT 'LUFTA IME PËR KOSOVËN' DUHET LEXUAR NGA ÇDO SHQIPTAR

(Fjala në promovimin e këtij libri në Tiranë me 17 shkurt 2024)

NGA MEHMET ELEZI

Është shumë kënaqësi për mua vërtetë që më jepet rasti me folë për këtë liber, dy-tri përshtypje. S'po them impresione, po them përshtypje. Për më tepër, pas një problemi që kaloi Rexhepi dhe që ne e kemi përjetuar të gjithë miqtë dhe shokët e tij jashtëzakonisht shumë. Kështu që është ngjarje edhe në këtë kuptim.

Libri i Rexhepit bën pjesë në atë zhanër, ose ta flasim shqip, në gjininë e letërsisë dokumentare. Letërsia dokumentare është e tillë që citohet edhe nga historianët dhe në këtë kuptim ajo merr një vlerë të veçantë.

Është një mendje e ndritur që ka bërë një pyetje, po e them por nuk po e citoj atë mendje të ndritur sepse ia veshin disa autorëve dhe nuk dihet saktësisht se kush e ka thënë, por e pyetën: kush e ka shtrëmbëruar më shumë historinë, kush e ka ndryshuar më shumë historinë, Çezari apo Napoleoni? Dhe ai u përgjigj me qetësi: historinë e kanë ndryshuar vetëm historianët. Pra kishte parasysh deformimet dhe shtrëmbërimet që ndodhin.

E kam lexuar edhe me këtë sy librin e Rexhepit dhe unë them se është një nga librat më të besueshëm që kam lexuar për historinë tonë kombëtare, pjesë e historisë sonë kombëtare të Kosovës, por edhe më gjerë se kaq.

Një arsye është sepse Rexhepi nuk ka konflikt interesi në këtë luftë, në luftën e Kosovës. Rexhepi nuk shkoi atje dhe nuk luftoi më vonë për të marrë një post, për të marrë ndonjë dekoratë, siç u tha këtu, nuk ishte anëtar i një partie politike në Kosovë, nuk ishte dajë a xhaxha i dikujt atje në Kosovë, kishte vetëm shqiptarë që i donte, ishte vetëm patriot që luftonte për vendin e tij dhe kjo na ka bërë që ai të jetë i saktë, i sinqertë.

Dihet që në kujtimet me letërsinë dokumentare edhe De Golit dhe Çurçillit botimet e tyre kanë pasur probleme madhore, por nuk besoj se edhe sikur të ishte dikush jo dashamirës që ta hulumtonte me skrupulozitet këtë libër të Rexhepit, do të gjente të pavërteta në të. E kam bindje ketë.

E dyta, libri është i besueshëm sepse kur e ka shkruar, nuk është ulur të shkruajë një libër që të thonë Rexhepi e bëri këtë, ka qenë dëshmitar. Këto janë gjëra të shkruara në valët e luftës, janë si ato bukët e nxehta që dalin prej furre për njerëz të uritur, pa menduar asgjë më tutje, ashtu janë, janë reportazhe, kryesisht reportazhe, pastaj ndonjë intervistë dhe ndonjë shënim tjetër i tij, të gjitha janë të bëra, të shkruara aty për aty, të shkruara me shpirt, të shkruara siç i ka parë, siç i ka përjetuar, pa menduar asgjë më tej dhe kjo i bën jashtëzakonisht të besueshme.

Libri i Rexhepit është shkruar edhe si gjithë proza e tij. Unë jam lexues dhe duke pasur parasysh se në këtë kohë është shumë e vështirë të zësh shumë libra sepse të mbysin me libra, jo të gjithë njerëzit, por unë miqve ua lexoj gjithë librat që më japin dhe nuk jam penduar që i kam lexuar librat e Rexhepit, kështu që gjithë prozën e tij e kam lexuar, poezinë po ashtu. Dhe prozën në këtë libër ai e derdh njësoj si poezi, jo me metafora, nuk i ka aty, por e derdh spontanisht. Poezia e Rexhepit është nga më spontanët që ka poezia shqiptare, ka poetë që kanë emër zyrtarisht më shumë se Rexhepi, por ia kam thënë njëherë me siguri, i kam thënë: ti je poet shumë më i mirë se dikush tjetër që sipas protokollit zyrtar është poet më i njohur.

Po ta shikosh, nuk ka një strukturë kompozicionale të saktë as libri i tij, as libri për Havzi Nelen, as libri për Doktor Alushanin, as libri për Udhën e kombit. Janë të derdhura, por pikërisht këto të derdhura si kroi, si lumi, si uji që vjen, i bëjnë jashtëzakonisht të besueshme, jashtëzakonisht të kthjellta dhe libra të dashur.

Ky libër ka vlerë edhe për hulumtuesit e ngjarjeve. Po ju marr vetëm një shembull, aty njeriu lexon një kronikë të një vrasjeje të paralajmëruar, një vrasje shumë të rëndë, fatkeqësisht, një vrasje shumë të dëmshme dhe që na turpëron, është vrasja e Ahmet Krasniqit. Dihet që deri sot nuk është zbuluar autori dhe nuk pritej të zbulohej. Nuk është e para dhe as e fundit vrasje politike që mbetet e mbuluar në terr, por aty i jep një sinjal të jashtëzakonshëm dhe nuk e jep me koment, e jep sepse i del gjërat siç i ka parë, siç i ka përjetuar. Tregon se si një javë përpara Krasniqin e ndalojnë, e arrestojnë, e çarmatosin e të tjera, gjithë historia tash nuk ka nevojë të përshkruhet. Një javë më mbrapa, ky burrë, i çarmatosur sepse ia kishin hequr armën, vritet në Tiranë dhe nuk merret vesh kurrë vrasësi. Pra është një kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Të bën përshtypje se Rexhepi është i paanshëm.

Po i kthehem përsëri besueshmërisë së tij. Ka një personazh aty, një ushtarak i lartë që duket se Rexhepi e ka respektuar dhe përgjithësisht ka një vlerësim të mirë për të. Në një vend, ky person tregohet mosmirënjohës me dikë tjetër, janë emra me peshë në historinë tonë dhe në jetën politike shqiptare, dhe ai thotë një gjë që nuk e nderon atë, por Rexhepi nuk e komenton fare, vetëm e shkruan dhe e lë të flasë. Një tjetër nuk do ta shkruante këtë për të mos hedhur hije mbi mikun apo mbi dashamirësin e tij.

Ka një mori të madhe personazhesh, si numra, por sidomos si individualitete. Njëri nuk i ngjan tjetrit. Në jetë një njeri nuk i ngjan tjetrit, por shpesh në libra janë të përafërt, janë futur në kallëpe, jo këtu. Njëri nuk i ngjan tjetrit, e përsëris, njëri ka natyrë, ka karakter epik, njëri bën humor. Rexhepi tregon edhe raste që herë të mbushen sytë me lot nga ajo që lexon, herë të bën me qeshë, për shembull kur një trim i rrallë pas luftës vishet me rrobat e UÇK-së në shtëpi dhe i thotë gruas: moj grua, a po më sheh, a jam burrë për të qenë? Dhe ajo i thotë: ik se po të sheh kush, se na more fytyrën, se gjatë luftës je fshehë në dimiat e mia.

Ka detaje të tilla dhe pastaj në pjesën më të mirë të shkrimeve të tij ai është shumë i kursyer, nuk dua të them konciz, është shumë shumë i kursyer.

Është edhe vdekja e gazetarit Kurt Shork, gazetarit të famshëm të Rojterit, që për fat të keq u vra në Afrikë. Portreti i tij është nga më interesantët që kemi lexuar për këto figura gjithë këto kohë. E lexon dhe mbetesh i etur, i uritur, sepse erdhi, hyri, pa, nuk e realizoi takimin që pritej nga të tjerët dhe iku, por pikërisht kjo e bën portret të jashtëzakonshëm, sepse duke të lënë të uritur, të pa ngimë, të fut në mendime dhe duke u futur në mendime, e kupton se ç'burrë i madh ka qenë Kurti apo Kurtët e tjerë në këtë rast.

Kështu që unë, për ta mbyllur shkurt, po them se ky nuk është titull publicistik i bukur, por sipas mendimit tim, një libër si ky duhet lexuar nga çdo shqiptar.

Urime Rexhep dhe faleminderit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx