| E diele, 08.02.2026, 06:56 PM |

LIBRI I REXHEP SHAHUT
'LUFTA IME PËR KOSOVËN' DUHET LEXUAR NGA ÇDO SHQIPTAR
(Fjala
në promovimin e këtij libri në Tiranë me 17 shkurt 2024)
NGA
MEHMET ELEZI
Është
shumë kënaqësi për mua vërtetë që më jepet rasti me folë për këtë liber, dy-tri
përshtypje. S'po them impresione, po them përshtypje. Për më tepër, pas një
problemi që kaloi Rexhepi dhe që ne e kemi përjetuar të gjithë miqtë dhe shokët
e tij jashtëzakonisht shumë. Kështu që është ngjarje edhe në këtë kuptim.
Libri
i Rexhepit bën pjesë në atë zhanër, ose ta flasim shqip, në gjininë e letërsisë
dokumentare. Letërsia dokumentare është e tillë që citohet edhe nga historianët
dhe në këtë kuptim ajo merr një vlerë të veçantë.
Është
një mendje e ndritur që ka bërë një pyetje, po e them por nuk po e citoj atë
mendje të ndritur sepse ia veshin disa autorëve dhe nuk dihet saktësisht se
kush e ka thënë, por e pyetën: kush e ka shtrëmbëruar më shumë historinë, kush
e ka ndryshuar më shumë historinë, Çezari apo Napoleoni? Dhe ai u përgjigj me
qetësi: historinë e kanë ndryshuar vetëm historianët. Pra kishte parasysh
deformimet dhe shtrëmbërimet që ndodhin.
E
kam lexuar edhe me këtë sy librin e Rexhepit dhe unë them se është një nga
librat më të besueshëm që kam lexuar për historinë tonë kombëtare, pjesë e
historisë sonë kombëtare të Kosovës, por edhe më gjerë se kaq.
Një
arsye është sepse Rexhepi nuk ka konflikt interesi në këtë luftë, në luftën e
Kosovës. Rexhepi nuk shkoi atje dhe nuk luftoi më vonë për të marrë një post,
për të marrë ndonjë dekoratë, siç u tha këtu, nuk ishte anëtar i një partie
politike në Kosovë, nuk ishte dajë a xhaxha i dikujt atje në Kosovë, kishte vetëm
shqiptarë që i donte, ishte vetëm patriot që luftonte për vendin e tij dhe kjo
na ka bërë që ai të jetë i saktë, i sinqertë.
Dihet
që në kujtimet me letërsinë dokumentare edhe De Golit dhe Çurçillit botimet e
tyre kanë pasur probleme madhore, por nuk besoj se edhe sikur të ishte dikush
jo dashamirës që ta hulumtonte me skrupulozitet këtë libër të Rexhepit, do të
gjente të pavërteta në të. E kam bindje ketë.
E
dyta, libri është i besueshëm sepse kur e ka shkruar, nuk është ulur të
shkruajë një libër që të thonë Rexhepi e bëri këtë, ka qenë dëshmitar. Këto
janë gjëra të shkruara në valët e luftës, janë si ato bukët e nxehta që dalin
prej furre për njerëz të uritur, pa menduar asgjë më tutje, ashtu janë, janë
reportazhe, kryesisht reportazhe, pastaj ndonjë intervistë dhe ndonjë shënim
tjetër i tij, të gjitha janë të bëra, të shkruara aty për aty, të shkruara me
shpirt, të shkruara siç i ka parë, siç i ka përjetuar, pa menduar asgjë më tej
dhe kjo i bën jashtëzakonisht të besueshme.
Libri
i Rexhepit është shkruar edhe si gjithë proza e tij. Unë jam lexues dhe duke
pasur parasysh se në këtë kohë është shumë e vështirë të zësh shumë libra sepse
të mbysin me libra, jo të gjithë njerëzit, por unë miqve ua lexoj gjithë librat
që më japin dhe nuk jam penduar që i kam lexuar librat e Rexhepit, kështu që
gjithë prozën e tij e kam lexuar, poezinë po ashtu. Dhe prozën në këtë libër ai
e derdh njësoj si poezi, jo me metafora, nuk i ka aty, por e derdh spontanisht.
Poezia e Rexhepit është nga më spontanët që ka poezia shqiptare, ka poetë që
kanë emër zyrtarisht më shumë se Rexhepi, por ia kam thënë njëherë me siguri, i
kam thënë: ti je poet shumë më i mirë se dikush tjetër që sipas protokollit
zyrtar është poet më i njohur.
Po
ta shikosh, nuk ka një strukturë kompozicionale të saktë as libri i tij, as
libri për Havzi Nelen, as libri për Doktor Alushanin, as libri për Udhën e
kombit. Janë të derdhura, por pikërisht këto të derdhura si kroi, si lumi, si
uji që vjen, i bëjnë jashtëzakonisht të besueshme, jashtëzakonisht të kthjellta
dhe libra të dashur.
Ky
libër ka vlerë edhe për hulumtuesit e ngjarjeve. Po ju marr vetëm një shembull,
aty njeriu lexon një kronikë të një vrasjeje të paralajmëruar, një vrasje shumë
të rëndë, fatkeqësisht, një vrasje shumë të dëmshme dhe që na turpëron, është
vrasja e Ahmet Krasniqit. Dihet që deri sot nuk është zbuluar autori dhe nuk
pritej të zbulohej. Nuk është e para dhe as e fundit vrasje politike që mbetet
e mbuluar në terr, por aty i jep një sinjal të jashtëzakonshëm dhe nuk e jep me
koment, e jep sepse i del gjërat siç i ka parë, siç i ka përjetuar. Tregon se
si një javë përpara Krasniqin e ndalojnë, e arrestojnë, e çarmatosin e të
tjera, gjithë historia tash nuk ka nevojë të përshkruhet. Një javë më mbrapa,
ky burrë, i çarmatosur sepse ia kishin hequr armën, vritet në Tiranë dhe nuk
merret vesh kurrë vrasësi. Pra është një kronikë e një vrasjeje të
paralajmëruar. Të bën përshtypje se Rexhepi është i paanshëm.
Po
i kthehem përsëri besueshmërisë së tij. Ka një personazh aty, një ushtarak i lartë
që duket se Rexhepi e ka respektuar dhe përgjithësisht ka një vlerësim të mirë
për të. Në një vend, ky person tregohet mosmirënjohës me dikë tjetër, janë emra
me peshë në historinë tonë dhe në jetën politike shqiptare, dhe ai thotë një
gjë që nuk e nderon atë, por Rexhepi nuk e komenton fare, vetëm e shkruan dhe e
lë të flasë. Një tjetër nuk do ta shkruante këtë për të mos hedhur hije mbi
mikun apo mbi dashamirësin e tij.
Ka
një mori të madhe personazhesh, si numra, por sidomos si individualitete. Njëri
nuk i ngjan tjetrit. Në jetë një njeri nuk i ngjan tjetrit, por shpesh në libra
janë të përafërt, janë futur në kallëpe, jo këtu. Njëri nuk i ngjan tjetrit, e
përsëris, njëri ka natyrë, ka karakter epik, njëri bën humor. Rexhepi tregon
edhe raste që herë të mbushen sytë me lot nga ajo që lexon, herë të bën me
qeshë, për shembull kur një trim i rrallë pas luftës vishet me rrobat e UÇK-së
në shtëpi dhe i thotë gruas: moj grua, a po më sheh, a jam burrë për të qenë?
Dhe ajo i thotë: ik se po të sheh kush, se na more fytyrën, se gjatë luftës je
fshehë në dimiat e mia.
Ka
detaje të tilla dhe pastaj në pjesën më të mirë të shkrimeve të tij ai është
shumë i kursyer, nuk dua të them konciz, është shumë shumë i kursyer.
Është
edhe vdekja e gazetarit Kurt Shork, gazetarit të famshëm të Rojterit, që për
fat të keq u vra në Afrikë. Portreti i tij është nga më interesantët që kemi
lexuar për këto figura gjithë këto kohë. E lexon dhe mbetesh i etur, i uritur,
sepse erdhi, hyri, pa, nuk e realizoi takimin që pritej nga të tjerët dhe iku,
por pikërisht kjo e bën portret të jashtëzakonshëm, sepse duke të lënë të
uritur, të pa ngimë, të fut në mendime dhe duke u futur në mendime, e kupton se
ç'burrë i madh ka qenë Kurti apo Kurtët e tjerë në këtë rast.
Kështu
që unë, për ta mbyllur shkurt, po them se ky nuk është titull publicistik i
bukur, por sipas mendimit tim, një libër si ky duhet lexuar nga çdo shqiptar.
Urime
Rexhep dhe faleminderit.