E enjte, 05.02.2026, 12:04 AM (GMT)

Kulturë

Albert Habazaj: Emi Krosi – palombarja e flotës poetike të Ali Asllanit

E merkure, 04.02.2026, 06:54 PM


EMI KROSI - PALOMBARJA E FLOTËS POETIKE TË ALI ASLLANIT

Dy fjalë të vogla për një vepër të madhe

NGA ALBERT HABAZAJ

Rilevim

Së pari, ndihem shumë i lumtur e krenar për besimin që studiuesja Emi Krosi tregoi ndaj meje për të shkruar disa mendime kushtuar librit të saj kaq të bukur kushtuar veprës së plotë të poetit Ali Asllani.

Emi Krosi është një autore e njohur tashmë në disa rrafshe të letërsisë, mësimdhënies dhe kulturës, e cila, falë fuqisë artistike të fjalës së shkruar, guximit për ta shikuar në sy botën letrare me sytë e saj, jashtë çdo kompleksiteti dhe çështjesh joletrare, spikat sot si një zë origjinal, me identitet dinjitoz në kritikën letrare, duke i dhënë, me emrin e përveçëm të saj, gjallërinë e munguar tash sa dekada, frymën e re, pamjen e shikimit të plotë të tematikave studimore, jashtë klisheve të lodhura, jashtë çdo vështrimi shabllon, kufizuar bezdisshëm kornizash të ngurta.

Ndërkaq, ajo shquhet si poete moderne dhe shkrimtare shqiptare me vlerë.

Ajo është mësuese letërsie në profesion, që ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi.

Emri i Emi Krosit profilizohet denjësisht si një studiuese e plotësuar me dije nga fusha e letërsisë, po aq edhe nga fusha të tjera, që kanë lidhje të gjithmonshme me letërsinë e vërtetë, siç janë antropologjia kulturore, sociale e juridike, etnokultura, etnografia, folklori, filozofia, psikologjia, sociologjia me variantet e saj disiplinore të fushës apo nëndisiplinat përkatëse në ndërthurje në funksion të objektit shkrimor. Vështrimet origjinale, shkrimet kritike, opinionet, refleksionet, esetë, hulumtimet, analizat dhe vlerësimet letrare, përfshi analizat krahasuese, analizat teorike mbi poetikën femërore, letërsinë minore, reflektimet mbi kritikën letrare dhe qasjet e reja në historiografinë letrare, postmodernizmin dhe analizat poetike janë një ndihmesë e çmuar që e bëjnë Krosin personalitet të përfshirë thellë në artin e fjalës dhe letërsinë bashkëkohore shqipe.

Ajo nuk e trumbeton diturinë e saj, por me thjeshtësi të bardhë, falë mirësisë fisnike të trashëguar, nga thesari i saj leksikor, përzgjedh ato fjalë që lexuesit të sotëm i venë në shpirt, sikur të ishin një krikëll birre me valë deti nga Vlora.

Kam bindjen se përfshirja aktive në çështje të rëndësishme dhe delikate si qasjet kritike, vështrimet e thelluara, roli i kritikës në letërsi (i cili, tronditshëm, ka vite e vite që është fishkur e vyshkur ndër ne) apo edhe tema si interpretimi letrar, struktura e veprës dhe qasjet analitike ndaj veprave letrare, sidomos të disa autorëve të mëdhenj por me dritëhije siç është ky rast fatlum me Ali Asllanin që kemi në dorë, e bëjnë Emi Krosin një figurë të dukshme, serioze dhe të besueshme të kritikës letrare. Shpreh jo vetëm dëshirën, por patjetër besimin, se me emra të rinj dhe pa komplekse ideo-politike si kjo penë e rëndësishme, kritika letrare do të zgjohet nga amullia, do të dalë nga kriza dhe do të vijojë udhëtimin dinjitoz në përditësim.

Në kujtesën e përditësuar, më vjen një vajzë gege me imazhin e një shqiponje të paepur shkrimore, sikur fluturon me krahë profetikë drejt viseve jugore, për të qëndruar mbi një bredh të bardhë si bora në Vajzë të Labërisë, duke shqyer kafazet e mbyllur kraninore, duke shpërfillur pozita të ngushta krahinoriste për të dëftuar kulturë qytetare.

Nuk mban syze të errëta shqiponja, në fakt ajo nuk përdor fare syze. Emi Krosi, kjo shqiponjë e vetëdijshme nuk na paraqitet vetëm si një studiuese e klasit, por si një misionare shembullore e studimit të mirëfilltë të letërsisë, që e shikon me sy objektiv veprën e poetit. Emi Krosi nuk po na shet akademizëm, edhe pse vepra e saj është e nivelit akademik; ajo na dhuron dije, na fal njohuri letrare, sepse është një intelektuale fisnike me begati shkrimtarie.

Me këtë vepër, ajo bëhet natyrshëm MËSUESE për të tjerët: e qartë, e ditur, e thjeshtë, e plotë, e realizuar në lëndën që trajton, në standardet dhe kriteret që kërkohet të plotësojnë punime të tilla, si ky studim për Ali Asllanin, vepra që lënë gjurmë në kohë. Ajo vjen, si përherë, por këtë rast gati unikale - për të shpërndarë vërtetësi letrare të bukur të një arti aristokrat, për të shijuar mjaltin e gurrës popullore, për të ndjerë kënaqësinë e poezisë elegante, ndërkohë po aq gjithëpërfshirëse në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe, po aq fshikullues për politikës, që polli ky vend, për të rrezatuar mirësi njerëzore…

Duke lexuar dhe studiuar këtë punim të mirëfilltë dhe të plotë shkencor të Emi Krosit për lirikun e madh shqiptar Ali Asllani nga Vajza e Vlorës, mund të them se studiuesja është futur në lëkurën e autorit si askush tjetër deri më sot, ndoshta dhe më mirë se çdokush tjetër i mundshëm.

Gjatë leximit, më saktë gjatë studimit të veprës që kemi në dorë, do të vërejmë se sa bukur e natyrshëm kjo gocë matjane është vlonjatizuar!...

Harta e relievit

Ndërtesa shkrimore përbëhet nga lënda ndërtuar me dy kre. Ky studim monografik, herë - herë, më vjen si imazh i një vile, apo më mirë i një vilete dy katëshe, i një shtëpie të bukur, si kartolinë mbushur me motive dashurie atdhetare e sociale, ku feksin relievet sa romantike aq realiste. Po aq punimi i studiueses shembullore Emi Krosi më ngjan me një kopsht magjik, ku shquajnë që përtej dy pemë me trup të shëndetshëm, me rrënjë të thella dhe degë gjithmonshmërisht të gjelbra.

Kreu i parë është një panoramë substanciale e autorit, të cilin studiuesja ka marrë në shqyrtim, si dhe dukurive letrare që ai shfaq, natyrisht ndërthurur me dukuritë sociale, politike e atdhetare, që mbart e pa të cilat nuk mund të kuptohet Ali Asllani. Ky kre përbëhet nga tri pjesë, ku pjesa I Përtejhyrje, mbushet me 4 sytha shpërthyes që rriten e rriten: 1. Mbi/përtej censurës, 2. Koha dhe leximi, 3. Tejkalimi i realizimit përmes receptimit të hapur, 4. Letërsia politike si angazhim apo mision? Pjesa II: Poezia politike, 1. Poezia atdhetare, 2. Simbolika e Vlorës në poezinë e lirisë asllaniane, 3. Metafora e qytetit si liri dhe qëndresë, 4. Simbolika... dhe 5. Funksioni i figuracioneve poetike në poezinë atdhetare; Pjesa III: Poezia socio - shoqërore, 1. Poezia satirike, 2. Pamfleti politiko/ socio - shoqëror “Hakërrimi” dhe 3. Ironia dhe sarkazma, elemente postmoderne në poemën “Hakërrimi”.

Kreu i dytë, si një ndërtesë elegante e studimit serioz të autores Krosi, po ashtu, ka një strukturë të konsoliduar me 3 kate, ku pjesa I - Lirika familjare vjen si një mëmëzonjë letrare tradicionale me huqet e nazet e saj, që, me ngjyrat e kontrastit i japin një hije të rëndë, por nuk të shkakton bezdisje, veçse të fut në një situatë çlodhëse, dëfryese, të gëzueshme, të ëmbël, si melodramë aristokratike. Sikurse autorit për ta thurur lirikën, edhe studiueses për të realizuar një vështrim të thukët mbi tekstin poetik me analiza gjuhe e stili, u është dashur kohë për të qenë secili ballëhapët përpara shoqërisë letrare dhe kulturore. Këtë kre mund ta quaj një ndërtesë madhështore me shumë zbukurime, sepse lirika familjare e Ali Asllanit është vërtetë një saraj i këndshëm për t’u pasur zili (dhe jam i bindur që e kanë pasur zili apo janë motivuar e frymëzuar boll poetë nga ky lloj vjershërimi i poetit, jo vetëm në formë). E ky saraj ka 8 oda lirike të studimit që ka ndërtuar (në kuptimin e vërtetë të fjalës) ustallesha Emi Krosi, kjo mjeshtre e kritikës letrare të veprës së plotë të Ali Asllanit. Secila odë ka emërtimin e saj: 1. Poema satiriko-familjare “Hanko- Halla”, 2. “Lufta” mes vjehrrave dhe nuseve dhe anasjelltas, 3. Konflikti “gruaja e re”/ “gruaja e vjetër”/ “gruaja moderne”, 4. Marrëdhënia mes brezave, gjyshe/nënë/vajzë/mbesë përmes linjës së tamblit, 5. Elemente etnokulturore/etnofolklorike/ etnografike, 6. Hanko - Halla si interteks dhe palimpsest, 7. Imazhe dhe simbolika përmes lirikës së vendlindjes, 8. Marrëdhënia e lirikës me poezinë popullore. “Hanko Halla” është shkruar në një kohë të caktuar dhe hapësirë konkrete dhe, veç vlerave të klasifikueshme letrare, ka vlera njohëse të domosdoshme. Studiuesja ka përveshur llërët, jo thjesht në kuptim figurativ të fjalës, por e kalon në skaner Ali Asllanin, për artin e të shkruarit, mesazhet që përcjell “Hankoja...”, aftësinë depërtuese të autorit në filozofinë popullore dhe psikologjinë e njerëzve që angazhon në poemë dhe ndoshta jo vetëm aq, është e gjithëkohshme, mbarëhapësinore, universale. Pjesa II - Lirika erotike, aq delikate dhe e mahnitshme sa është në vjershërimin e aristokratit të fjalës poetike, po aq me kompetencë dhe mendje të hapur shqurtohet nga studiuesja jonë e njohur. Ali Asllani këndon aq lirshëm e ndihet i gjithpushtetshëm si pakkush në lirikën erotike, po ashtu Emi Krosi është zotëruese e tekstit të shkruar dhe shpërfaq vlera të shqueshme si kërkuese e thellë dhe e guximshme e “heroit” të saj. Në pjesën Lirika erotike autorja trajton këto pika: 1. Erosi dhe letërsia shqipe, 2. Dekodimi i simbolit të vajzës/çupës/gruas, 3. Koncepti i erosit si dashuri dhe dashuria përmes erosit. Ndërsa pjesa III vjen si një antropologji letrare për lirikun e madh shqiptar, ku vështrimi kritik i Krosit rrok këto katër fusha: 1. Përmasa e relievit stilistikor asllanian, 2. Etnopsikologjia/sociolekti dhe etnografia e Labërisë si pjesë e lirikës asllaniane, 3. Receptimi dhe kritika moderne/postmoderne e lirikës së Asllanit, 4. Frazeologjia e gjuhës poetike asllaniane.

Është një tekst që prek qasjen analitike mbi perceptimin, dëgjimin dhe këndimin e veprës poetike të Ali Asllanit dhe vendin e saj sipërsor ende të mohuar apo të dhënë si copa të shqyera nga e tëra në letërsinë shqipe.

Kaq e quajta të nevojshme për lexuesin, që të bëj një paraqitje të vogël, pa u futur në imtësi argumentuese, po ashtu, nuk është në natyrën time që të zbërthej librin, se ç’kuptim ka pastaj leximi e këndimi nga ata që do ta marrin në dorë këtë libër me vlera të shumta qytetarie dhe letërsie autentike. Do të mundohem të kap ndonjë element shprehës a simbolik të veprës së autores.

Dhe dy fjalë për palombaren dhe lirikun

Do të më falni, ta flak tej modestinë për pak çaste, por duke qenë një njohës i Ali Asllanit dhe krenar me lirikun tonë të madh e unikal, ndihem i lumturuar që një studiuese e re, zonjushe e fjalës së shkruar, vrojtuese e hollë, këmbëngulëse dhe e vullnetshme në misionin e saj, serioze, me synime të larta, me këtë punim na tregoi se si mund të arrish të korrësh frytet e punës në fushën që mbjell vetë me punë e mund, pa u lodhur, pa u tërhequr, me ndershmëri profesionale të shkallës së lartë.

Ali Asllani, ose xha Aliu, siç i flasim ne, shoqëria poetike në Vlorë, është një poet i pakrahasueshëm me të tjerët, por të tjetët më pas kanë marrë nga ai. Ai është emblemë kulturore atdhetare. Nuk ka nevojë ta zbërthej këtë shprehje. Njihet që veprimtaria e Ali Asllanit në vendin tonë, ishte shumë e gjerë, dhe në shumë fusha të jetës politike, diplomatike e shoqërore, kulturore - artistike dhe letrare.

Ali Asllani dha një ndihmesë të shquar dhe të pazëvendësueshme, si intelektual dhe patriot, si pushtetar dhe diplomat, e në të gjitha këto fusha ku punoi la gjurmët dhe shembullin e tij, si drejtues me nivel të lartë e me ndërgjegje të pastër.

Lidhja e madhe e krijimtarisë se Ali Asllanit me këngën popullore të Labërisë, gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij. Ai ka pirë ujë të kulluar në gurrën e pashtershme popullore të folklorit të Labërisë, por vlera e tij merr përmasa më të larta, se veç krijimtarisë së tij brilante, shumë poetë popullorë të mëpasëm, me emër të dëgjuar në këngën labe, kanë pirë ujë letrar në gurrën e kthjellët e të pasur me vitamina shpirtërore të xha Aliut. Ndërkohë, janë shumë poezi të tij që janë këngëzuar sipas stileve muzikore të grupeve të ndryshme të Labërisë, jo vetëm në Lumin e Vlorës, por edhe më gjerë, duke e zgjeruar atlasin poetik të Lirikut të madh lab hapësirave të larta të këngës popullore shqiptare, përditësuar edhe në muzikën tonë të lehtë.

Emi Krosi me këtë libër na thotë: Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. E mënjanuat, e fshehët, e harruat, e sakatuat, e… Boll më!

Sakaq, Emi Krosi na ka dhënë Ali Asllanin e vërtetë me poezinë e tij të shndritshme lirike, me të gjitha llojet e luleve poetike që mund të ketë një kopsht lirik, na ka dhënë poezinë e vërtetë të xha Aliut, e cila nuk është poezi akariumi, por është poezi e frymëmarrjes së lirë, e thurur me sqimë, me dëshirë e dashuri, me dëlirësi dhe elegancë, me atdhetari të gjithëkohshme dhe inteligjencë emocionale. Ç’i bukur art!

Ai Ali Asllan i madh, aq i njohur e i ditur, aq fisnik e i shndritshëm, sa lirik i shquar, aq diplomat i zoti (në të gjitha pikëshikimet e mundshme) qyshkur i kishte tejkaluar përmasat e Atdheut. Sa shumë i dha historisë së Shqipërisë, kulturës dhe poezisë shqiptare dhe sa pak e vlerësuan! Ç’vlerësim?! E lanë në hije, e harruan, qëllimisht e harruan, se i eklipsonte drita e tij. Dhe harresa është vdekje me frymë. Disa libërtha edhe ia botuan.

Unë, ndër vite, aq sa kam mundur, kam bërë disa përpjekje shkrimore apo disa sprova për të dhënë Ali Asllanin - dashnor të poezisë së vesuar, spektrin historiko-letrar të një kohe të trazuar, të çuditshme dhe të pakthyeshme, si dhe dritëhijet dhe veprën e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh. Asnjë autor tjetër nuk është marrë me këtë vepër. Emi Krosit i ra në sy kjo përpjekje e thjeshtë, por e vërtetë imja, e tërhoqi për synimin e saj të madh dhe i kushtoi vëmendjen e nevojshme.

Mbas ardhjes së demokracisë, Ali Asllanit iu botuan disa libra me nëntitullin poezi të zgjedhura, botime e ribotime, madje përgatitur nga firma me peshë në letërsinë shqipe, por çuditërisht apo... Ky poemth nuk u botua që nuk u botua... Përse?  Klasifikohet letërsi politike? Edhe... Poeti nuk jetoka këtu?! Është jashtëtokësor?! Jo, mor jo! Është njeri si gjithë të tjerët, me të mirat e të këqijat e tij, me virtytet dhe veset, veçse është njeri me shpirt të ndjeshëm, që priret nga e bukura, që frymëzohet dhe frymëzon të tjerët me magjinë mrekullore të fjalës së bukurshkruar në vargje.

Dhe ja sot, vjen dita të shprehemi të kënaqur se autorja Emi Krosi është meritëplotë për këtë dhuratë të madhe kulturore (jo vetëm kritikë letrare) që na fal kaq bujarisht, pas një pune të mundimshme shumë vjeçare, duke u përballur edhe me pengesa nga më absurdet, që na zënë ende rrugën ca mendjepakët.

Dhe një fjalëz për Ali Asllanin

Për lirikun e madh të Vlorës, të Labërisë, Ali Asllani (28.11.1984-20.12.1966), i cili është një lartësi kombëtare jo vetëm e poezisë shqipe, por mbarë kulturës kombëtare, shumë është folur, por pak është thënë. I lindur në Vajzë të Lumit të Vlorës, i rritur në dajorit e tij në Meminaj të Trevllazrit - Vlorë, i arsimuar në Janinë e Stamboll, ai, sa qe një lirik i shquar, ishte një diplomat i zoti. Si duket, qe dërguar në Tokë për t’u bërë një Tempull i Marrëdhënieve Vertikale me ato Horizontale të Shqipërisë së kohës kur jetoi e bëri emër të lartë. U tregua një mjeshtër i madh i komunikimit njerëzor, sa me botën e brendshme, po aq në marrëdhëniet me botën e jashtme. Sa e kemi shijuar ëmbëlsinë mjaltore të lirikave të tij me “Gugu- gugu, guguftu”, “Vidi-vidi pëllumbeshë”, me zonjën Lu, apo fshikujt ironikë të satirave me Hanko Hallën, po aq e kemi ndjerë zemërimin e tij të rëndë, dhimbjen e thellë të revoltës shpirtërore dhe protestës hidhërake ndaj padrejtësive sociale që pillnin ata, që “të pabrekë i gjeti dreka/ milionerë i gjeti darka”, nëpërmjet vargjeve pelin të “Hakërrimit”. Xha Aliu sivjet (2026) mbush 60 vjet që ka ikur tek yjet të na bëjë dritë andej, por ai më duket sikur është sipër nesh e na shikon, na fshikullon e na ndëshkon me hidhërimin e shpirtit të tij që është Akuza e Drejtësisë shqiptare në Vargje ndaj botës së maskarenjve në kohën e çakejve me aksione, monopole ... “Hakërrimi” i xha Aliut është Droni i shpirtit sa poetik, aq njerëzor i Mirësisë ndaj Ligësisë, i Virtytit ndaj Vesit, i cili kontrollon dhe qëllon nëpërmjet vargjeve bërthamore, do të thoja, jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej realitetit ballkanik nga Greqia në Bullgari, nga Maqedonia e Veriut në Mal të Zi, nga Kroacia në Serbi, nga Bosnjë -Hercegovina e Kosova jonë, edhe ato “hisetë” europiane të Turqisë dhe Rumanisë, ndonjëherë dhe Sllovenisë, Hungarisë a Moldavisë, pa harruar vende të tjera, që nga Italia deri në Francën e Volterit (autorit të tij më të dashur). Po në Nepal vallë është lexuar Ali Asllani?! Po në Shqipëri kur do të lexohet me këmbë në tokë e pa syze?!...

Ali Asllani më kujton autorët e Antikitetit, që ishin të plotësuar me dije nga shumë fusha, si letërsia, artet, matematika, fizika, astronomia, drejtësia, diplomacia, lufta etj.

Gjykoj se, fakti që në vitet 1930, ai përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë, si konsull në Trieste, apo si ambasador në Sofje e Athinë, e ka ndihmuar poetin atdhetar e diplomat, që, pasi e ka vëzhguar e njohur mirë botën e atjeshme, ndoshta deri në imtësitë e jetës së përditshme, po aq sa vendin e tij dhe pasi ka hequr paralele midis mikrobotëve të shteteve ku shërbente me shtetin e tij, i ka krahasuar këto marrëdhënie në laboratorin autorial deri sa na dha Veprën Humane Universale “Hakërrimi” shpatë e mprehtë sa të ketë padrejtësi mbi këtë dhë. Se ai ishte poliglot, erudit, që zotëronte frëngjishten, italishten, greqishten dhe turqishten, po aq sa shqipen, se qe lartësi intelektuale, qytetare dhe atdhetare, se qe mik i të gjithë lartësorëve, që nga Gjergj Fishta e Lasgushi, që e donte aq shumë, deri tek novelisti indian Rabindanat Tagora apo klasiku i poezisë greke Kostis Pallamas i Himnit olimpik. Na duket mbushmendës se pikërisht vizioni i tij tutje, si një diplomat klasi i kthjellët, është një pikë kyçe që “Hakërrimi” ka sa vlera kombëtare, aq ndërkombëtare në luftën e përjetshme dhe të përbotshme të Drejtësisë me Padrejtësinë, të vesit me virtytin, të së mirës me të keqen.

Jo vetëm për faktin se qe i ditur e poet, shtetar e pushtetar, atdhetar, sa romantik e iluminist, aq realist, luftëtar e diplomat, (arkitekt e quajnë në Vlorë, se ideoi Kullën e Sahatit përballë Postës Qendrore dhe Kullën e Flamurit te Sheshi i Flamurit), në kujtesën sociale ai do të jetë imazh i Dishepullit të Aristokracisë së Lirikës shqiptare dhe diplomacisë sonë të çdokohëshme. Ky është për ne Ali Asllani, poet aristokrat dhe diplomat klasi.

Për mendimin tim, si tek askush poet tjetër shqiptar, Ali Asllani me poemthin “Hakërrim”, që i ka vënë nëntitullin “Hani, pini e rrëmbeni!”, shkruar në vitin 1942, ka realizuar detyrën ndaj “Atdheut të shqiptarëve” dhe misionin historik ndaj kombit me një fuqi artistike të pashoqe dhe me një ndjenjë atdhetare të zjarrtë si prej rilindësi të shndritshëm.

Operacioni letrar i kirurges kritike Emi Krosi doli me sukses dhe, falë profesionalizmit të saj human, ne tashmë kemi të plotë këtë Ali Asllan, i cili qëllon fort e pa mëshirë mbi veset e ulëta dhe mbi fenomenet negative, prandaj shprehemi që “Hakërrimi” nuk është vetëm një pamflet satirik që rrok një temë të mprehtë, e cila dhemb keq e thellë, fatkeqësisht ende aktuale në hapësirën dhe kohën që jetojmë. “Hakërrimi” nuk është vetëm një qëndrim poetik qytetar në vargje që godet ashpër shfaqjet e shëmtuara të jetës socio-politike. Hakërrimi” është shpata e Demokleut “përmbi krye të zuzarëve”.

Krosi ka nxjerrë në pah dhe ka zbërthyer jo thjesht jetën hedoniste aq të shfrenuar të atyre që “të pa brekë i gjeti dreka e milionerë i gjeti darka” edhe më tej rrafshit të konceptit letrar - filozofik, por na ka gdhendur, si një skulpturë shkrimore mjedisin njerëzor, që vetëm fasadën kishin perëndimore, stigmatizuar e damkosur si ai nga poeti i “Hakërrimit”. Qasjet kritike, vështrimet krahasimtare që bën bën autorja na vijnë si shëmbëlltyra të habitatit kafkian me absurditetin, ankthin, frikën, pafuqinë dehumanizimin, mjedisin ku njeriu shtypet nga sistemi absurd, i ftohtë dhe i pakuptueshëm, që e bën të ndihet i pafuqishëm dhe i huaj.

Me këtë monografi shkencore, Emi Krosi, shpërfaq njohuri të gjera dhe përgatitje të shumanshme, domosdo shije të lartë estetike dhe mjeshtëri në paraqitjen e tezave letrare dhe ideve të përpikta, kështu që, ajo, jo vetëm na ndihmon si lexues të kuptojmë drejt dhe të vlerësojmë veprën e Ali Asllanit, por na e sjell në kohë veprën e tij, duke e analizuar më thellë dhe në mënyrë të gjithanshme si fenomen letrar që e bën shoqërinë më të mirë, më të bukur, më të dobishme. Ajo gjykon se në këtë sistem moral të deformuar, të krijuar nga pusht-etarët për të kontrolluar njeriun dhe gjithçka që përbën situatën e realitetit shqiptar mjerisht të derisotëm, që si koncept letrar-etik quhet morali orwellian, “Hakërrimi” është, si të thuash, SPAKU poetik i shpirtit qytetar të shqiptarëve të ndershëm. të zot, të denjë për të përparuar duke u përmirësuar, jo duke vjedhur barbarisht, duke u majmur si derra të neverishtëshm lluce.

Është e vërtetë që “Hakërrimi” është vlerësuar si një poezi kritike kundër korrupsionit dhe asaj që ai e quante “koha e çakenjve” në shoqëri. Emi Krosi, me arsyetimin logjik dhe kulturën e teorisë së letërsisë që zotëron, e tejkalon këtë konstatim të drejtë, por ende jo qartësisht dhënë pamja e poemës nga kritika e derisotme, si një pamlet politik socio/shoqëror, ardhur në vargje të fuqishme, tronditëse, maskëçjerrëse

Emi Krosi është e vetëdijshme se ndonjëherë ndodh që për njerëz të artit të shkruhet postmortun. Por ajo është e shqetësuar se pse ende ndodh që e vërteta të "të mbulohet". Dhe ndan të vërtetën me ne se kjo ka ndodhur me veprën e lirikut vlonjat Ali Asllani. Vërtetë diktaturat kanë censurur çdo vepër që bien në kundër ne ideologjinë e tyre, përmes ndalimit të botimit dhe censurës. Por censura, akoma po ndodh dhe në post/modernitet. Dhe vë pikën mbi i. A është censuruar, vepra e Ali Asllanit? Po! Bëhet fjalë për mosbotimin kurrë të poemës “Mbreti i ynë” (Asllani: 1936) përse vallë? I censuruar në demokraci dhe postmortun? Akoma etiketohet si "zogist". Po ata/ato sot që shkruajmë nën të ashquaturat epoka "enveriste /socialiste /komuniste /neokomuniste /populiste /progresiste etj., si duhen të quhen? Por shtrohet pyetja: a është Ali Asllani një disident? Pse censura kundër tij? Por çfarë kuptojmë me fjalën censurë: [censúr/ë,-a emër i gjinisë femërore; kontrolli i veprave para se të botohen a të shfaqen; kontrolli i letrave, i telegrameve etj. para se t’u dorëzohen marrësve; organ që merret me këtë detyrë: censurë ushtarake (shtetërore); kaloi pa censurë (edhe fig.) kaloi pa kontroll, lirisht].

Dhe natyrshëm vështrimi krahimtar i kritikes rrok përmasa ndëkombëtare, jo thjesht për të hequr paralele ndër poetët e botës, por të vënë në funksion forcën e logjikës. Pa e parë të nevojshme të bëjë një retrospektivë tek gjeniu Gëte i kohës së stuhisë dhe vrullit (tek poetët para kohës së tij apo më pas), asaj i mjafton shekulli XX për të shprehur se ka shumë poetë botërorë që kanë shkrura për mbretër dhe udhëheqës të kohës së tyre. Por, nuk janë censuruar as “hakërryer” kundër shkrimeve të tyre, sidomos letrare. Poeti amerikan i shek. XX Allen Ginsberg, ka shkruar poemën “America” në vitin 1956, ndërsa ai ishte në Berkeley, Kaliforni. Ajo është pjesë e përmbledhjes së tij [“Ulërima”], dhe poezi të tjera të botuara në nëntor 1956 (Ginsberg: 1956), ku vepra e tij u dënua dhe poeti u burgos, për “diskretim” të Amerikës, sepse ai e shihte atë si si "model" krimi/ dhune/kontrabande/ racizmi etj. Por ngjashmëria apo analogji me realitetin e kohës “donkishoteske” të polikës së dallavere/të plaçkitësve/të hajdutëve/ të korruptuarve, përngjasmon me ulërimën klithmuese të poetit rebel demokrat, vlonjat të një shekulli më parë (shekullit XX). Kohët ndrydhojnë. Vitet. Shekujt. Popujt dhe kombet. Demokracitë kanë forma të ndryshme, që nga demokraci sociale moderne, deri tek ato liberalet dhe “demokracitë hibride”, por mendësitë e popujve nuk ndryshokan. Lirika është kategori themelore poetiko-letare, si një sistem që kalon nga e përgjithshmja drejt personales, nga retorikja drejt emocionale (Selimi: 2022:51). Receptimi i lirikës asllaniane të post/modernizmit në çdo gjë, art, letërsi, kulturë, politikë, mendësi është akoma një rebelim, ashtu si poeti anglez Roger McGoug është ndër poetët e njohur bashkëkohës anglezë. Ndryshe nga përfytyrimi që kanë shumë shqiptarë për letërsinë dhe poezinë moderne, McGoug nuk e ka për gjë të shkruajë poezi politike dhe tepër sociale. Drejton në «Radio 4», në njërën ndër mediumet më elitare të massmedias britanike, një emision të orëve të vona, të quajtur “Pak poezi, ju lutem”. Vargjet: “Politikanët/ Të cilët po blejnë vetura të mëdha/ Me rrota sa karuselet/ Kanë sajuar një plan të ri,/ Duan të na vënë gurë/ kalldrëmesh,/ Në gropat e syve,/ Pastaj zhavorr/ Nëpër kërthiza;/ Mbi ne/ Duan të shtrojnë asfalt/ Dhe të na shtrijnë/ Bri njëri - tjetrit;/ Kështu që ne/ Të mund të marrim pjesë më aktive/ Në rrugën e shkatërrimit” [marrë nga poezia “Politikanët”.   Por censurimi i botimeve, para ’90-ës, me heqje dhe vënie shënimesh nga redaktorët dhe pas viteve ’90-të, përsëri nuk u botuar kurrë poema, por vetëm si libërth i vogël më vete, që nga vitet 1935-`36. Unë në një shkrim të gjatë, botur tek gazeta “Nacional” (Habazaj: 2022), kam dhënë disa argumente, sesi u censurua vazhdimisht poezia e Asllanit, vetëm e vetëm se ai ka shkruar poemën për ish-Mbretin në 10 faqe. Më vjen mirë që studiuesja Emi Krosi, ato arsyetime që kam përdorur, i quan argumente shteruese.

Hakërrimi sipas Emi Krosit

Kam bindjen se ky punim shkencor i autores do të lerë gjurmë në ndërgjegjen morale dhe estetike të shoqërisë sonë në rrafshin e emancipimit shpirtëror dhe zgjimit qytetar dhe politik. Këtë vlerësim të plotë të poezisë lirike të poetit, i cili, për mendimin tim, është monumenti shkrimor më i ndritshëm, pati mundësinë dhe mirësinë ta realizojë Emi Krosi. Sidomos poema “Hakërrimi” e Ali Asllanit dhe analiza e thukët për të arritur tek sinteza e re që i bën veprës Emi Krosi janë në lartësi, në majë, dhe, se cila në fushën e vetë, me fizionominë morale dhe artistike të pasqyrimit kohor, qëndrojnë në një nivel, si paralele të larta.

Është i dukshëm ndimimi i fjalës së shkruar të Krosit në edukimin letrar dhe qytetar ende keq të shkalafitur. Nëpërmjet këtij punimi, e shikoj autoren si një penë të ditur, të kthjellët e të qartë, që vjen si një firmë gjurmëlënëse në kritikën letrare dhe nismëtare e frymës së re që futet çlirimtarisht në këtë nënfushë shkencore të vështirë, por aq të domosdoshme të teorisë së letërsisë dhe kritikës letrare.

Me këtë trajtesë, edhe si vështrim krahasimtar tej rrafshit lokal, ndërkombëtarisht, siç e kemi shprehur, Krosi e shikon “Hakërrimin” si një poemë pamfletiste, (po citoj) “ku ndodh fenomeni simulakrun, duke e vënë lexuesin në dilemë si bashkautor, duke kuptuar se çfarë fsheh “realiteti” dhe si mund ta njohim atë dhe përtej fiksionit të historiografisë, dallimi mes realiteteve të shkruara dhe fakteve reale (kuptimësia përmes alegorisë së shoqërisë shqiptare dhe korrupsioni shtetëror prej mëse 30 - vitesh), na afron njohjen e ironisë në dy forma: si ironi e fjalës dhe si ironi e situatës (Apolloni: 2016:137), sepse ironia është dhe proces ligjërimi, ku gjuha ligjëruese dallohet qartë:

a) përmes ironisë: ironia dhe superrealja janë parime post/moderniste, ku stimulimet zëvendësojnë të vërtetën, ku kuptimi mbi të vërtetën ndërmjetësohet nga stimulimet e së vërtetës (Dado: 2020:129), pra realiteti shqiptar i sotëm stimolohet përmes ironisë;

b) përmes satirës dhe sarkazmës: situatat e romanit të bëjnë të qeshin dhe ironia e

sarkazma e bëjnë akoma më groteske, teksa mpleksen aty fantazia, rrëfimi, përshkrimi, humori, ironia, metafora dhe alegoria, satira dhe sarkazma, duke sendërtuar një realitet të djeshëm dhe të sotëm të Shqipërisë, deri dhe në nota burlesku.

c) përmes parodisë: parodia postmoderniste e lejon shkrimtarin të vendosë një marrëdhënie

dialogjike, në formë të fjalorit të dyfishtë, që mbart dhe gjuhë post/moderniste të receptimit, kemi një përmbysje të realitet dhe shtrembërimim të tekstit (Gross: 2011:146). Teksti i Asllanit, ka plot situata parodike, me plot humor por sidomos me doza të mëdha sarkazme;

d) përmes paradoksit; si elemente dhe të menduarit, në raportet e romanit me realitetin,

sidomos në ndërtimin e personazheve dhe marrëdhëniet e tyre me shoqërinë që i referohet, ku dhe perceptimi haspinor dhe kohor në romanin post/modern, ndryshon konceptin e kohës dhe hapsirës, duke e shkatërruar këtë dallim të dimensioneve kohore dhe hapsinore të çuditshme, përmes trasformimeve artistike, që të krijon ndjesinë e një koncepti tjetër hapsinor:

e) përmes alegorisë me “Fermën e kafshëve” (Orwell: 2006), ku shkelet dhe “kushtetuta e kafshëve”. Një kombinim perfekt për të kuptuar forcën, kumtin përçues tek lexuesit e këtij romani, jo vetëm si stukturë individuale por dhe si stukturë psikologjike (Holton: 1973), sepse artistët postmodernë e përçmojnë ose janë thjesht indiferentë ndaj teorizmit në art.

Pra, satira politike shpesh synon të bëjë më shumë dëme, të shkatërrojë; kjo ndoshta shpjegon egërsinë e saj. Por, satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën (Laux: 2023). Loja e autorit në poemë, pasqyron gjithë arenalin e politikës shqiptare, që nuk ndryshon nga koha asllaniane, dhe pse jemi në vitin 2026, në messhekullin 21.

Dhe pse ironia dhe sarkazma, janë elemente të post/modernizmit: si pjesë e elementeve të postmodernizmit, në shumë teksteve poetiko-romanore, është dhe ironia dhe sarkazma, ku njeriu bëhet sa qesharak aq dhe groteks, në një botë të madhe globale, ku shoqëria dhe njeriu, po bëhet më shumë antisocialë.  Duke qenë se elementet posmoderniste, kanë karaktere si: dehumanizmi, ironia, sarkazma, që herë-herë, radikalizohet deri në humor të zi, grotesk etj., në të gjitha format e saj, kjo lloj gjinia (proza/poezia) duke stimuluar: absurdin, humorin, farsën etj., fragmenton në forma të përmbysura, realitetin e jetës njerëzore. Pranimi i kaosit në prozë, në formën e double code (kodi i dyfishtë) i alegorisë, në të gjitha shtresat kuptimore, e bën satirën/alegorinë një mjet shprehës, për të dhënë një kuptim më të gjerë për çështjet dhe ngjarjet e jetës reale:

- zhgënjimeve të thella për dukuritë shoqërore dhe sociale,

- fasadë kozmopolite me maska hipokritësh qeveritarë dhe partiakësh në shoqërinë

shqiptare. Forca dhe fuqia transmentuese e vargjeve të tilla si:  Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,/dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi/që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!/ Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,/dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…/kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, /nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!/ Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera/kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…/Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,/koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve”.

Ato duket se vijnë si pjesë të ndara të mendimit të poetit. Një poet i dyzuar mes rebelimit dhe vetmisë këlthitëse. Kjo ngjeshje figurash stilistikore, na sugjeron:

-         kuptimi i poezisë në formën klasike,

-         leximi i disahershëm përme vetëdijes së përmbysur,

-         si kuptimësi krahsimeve vargore dhe strofore,

-         kodi i përdorimit të fjalës në konteksti poetik,

-         kodi i përdoromit të fjalës nga gjuha e përditësisë,

-         ngjyresa shtresore kuptimore.

Poezia (poemthi) lidhet me emocionin dhe me idenë që përçon, sepse ngjyresat dhe asociasionet e fjalëve nuk janë vetëm në funksion të edukimit artistik, por jo më pak japin mesazhe të qarta në shërbim të vetëdijes qytetare për të ngritur zërin, për të protestuar, për t’u bërë bashkë e në këmbë si një lumë i mbytshëm të neveritshmit që kanë bërë zullume e duan të bëhen mbretër në republikë.

Ali Asllani me dy monumente

Pa drojë mund të themi se “Hakërrimi” është arketipi i poezisë së kushtrimit socio-politik, ndërsa tër vepra letrare e Ali Asllanit është ndër më të bukurat në poezinë lirike shqiptare, duke e vendosur Ali Asllanin në krahë të Lasgush Poradecit, por me profilin e tij. Shqiptaria e di që Artisti i Popullit Muntaz Dhrami i ka gdhendur bustin në bronz Ali Asllanit, vendosur atje ku peshon më shumë burri, në vendlindjen e tij - në Labëri, në Vajzë të Vlorës. Nga historia dimë se, sikurse edhe trevat e tjera shqiptare, Labëria ka nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë. Por rrallë ndodh që në një njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre. Kjo do të thotë se Ali Asllani i kalon vlerat e Vajzës dhe Vlorës. Është i gjithë Shqipërisë. Ai është dekoruar edhe “Nder i Kombit”.

Nëse Mumtaz Dhrami i gdhendi Ali Asllanit një përmendore bronzi me daltën e skulptorit, Emi Krosi i shkroi një statujë shkonjore me penën e artë

Ajo, si vrojtuese deri në imtësi e letërsisë artistike, që prodhohet e jeton sot me ritmin e pranuar nga shijet estetike të një lexuesi më të shpejtinformuar dhe në forma të reja, që nuk ta gufosin frymëmarrjen në lexim, aq më pak në studim, shprehet: “Për mua moderniteti dhe post/moderniteti janë transformuar në një performatizëm që përmbledh çdo gjë. Për një studiues, dhe një fije bari e thatë, një letër, një gjethe, një model shkrimi apo dhe një komunikim/marrëdhënie/dashuri etj., lidhen dhe stilin e autorit apo me çfarë syri e sheh studiuesi/kritiku etj.”

Emi Krosi, Aristokratja e shkrimit kritik na dha këtë dhuratë të çmuar - Ali Asllanin Aristokratin e Lirikës shqiptare.

Vlorë, e mërkurë, 04 Shkurt 2026, ora 02:05`



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx