E marte, 03.02.2026, 11:46 PM (GMT)

Kulturë

Nikos Dhimos: Më kujtohet nëna ime

E marte, 03.02.2026, 06:53 PM


Tregim nga filozofi arvanitas Nikos Dhimos

Përktheu nga greqishtja Pilo Zyba

MË KUJTOHET NËNA IME

- tregim -

I jam borxh për shumë gjëra – pozitive dhe negative. Sensibilitetin tim, por edhe frikërat e mia. Të gjithë adoleshencën time e kalova duke u mbrojtur – kundër dashurisë së zjarrtë të saj.

Dhe i jam borxh një fëmijërie plot butësi dhe tmerr. Kështu e përshkruaj te “Rrugët”:

Më kujtohen netët kur nëna ime po vdiste. Ecnim mbi majat e gishta. Heshtje dhe errësirë në shtëpi. Ajo, ulur në shtrat, duke mbajtur një liseuse rozë të thurur, me shikim bosh, priste me durim mjekun ose vdekjen.

E para vinte, por sillet si e dyta. “I Hanki” hynte duke tërhequr keq këmbën e tij të kërrusur, e kapte nga qafa dhe e shtypte. Nëna bëhej blu, sytë i dilnin jashtë – deri në momentin e fundit që i jepte frymë përsëri. Ishte trajtimi i njohur atëherë për “për rrahjet e çrregullta, paroksizmuar”. Pamje tmerruese për një fëmijë pesëvjeçar që shikonte fshehur nga çarja e derës dhe po e shihte nënën të mbytet.

Megjithatë, tani që mendoj, kuptoj se për nënën, kriza e paroksizmit ishte diçka si momenti i saj i madh. E kujtoj duke u parfumuar dhe duke u veshur, duke vënë liseusen e shtrenjtë dhe të punuar hollësisht, ndërsa zemra i rrihte me dyqind e pesëdhjetë goditje. Dhe as që e dinim atëherë – askush, as mjekët – se këto kriza ishin relativisht të padëmshme.

Ajo u stolis për të pritur fatin e saj, me një guxim që askush nuk do ta priste nga një njeri kaq i ndjeshëm dhe i dobët.

Nuk ishte saktësisht hipokondrike. Nuk imagjinonte sëmundje të padukshme – por i jepte rëndësi sëmundjeve reale dhe i përforconte ato. Ajo trupëzonte çdo gjendje shpirtërore, në mënyrë që, në fund, të bëhej një problem organik.

Fëmija i përkëdhelur, pasardhës i fundit i një familjeje të vjetër fisnike, vuante nga diçka që unë do ta quaja: “sindroma e bizeleve”. (Si princesha në përrallën e Andersen-it, që ndjente bizelet përmes njëzet shtresave dhe njëzet mbulesash). Shumë e ndjeshme, kishte prirjen të interpretonte dhe të zgjaste çdo simptomë dhe të imagjinonte pasojat dhe ndikimet.

Jo vetëm për veten – edhe për të tjerët. (P.sh. për mua. Këtu bëhej një hipokondri tjetër! Djali i vetëm i saj, i vetmi fëmijë i saj, duhet të kishte diçka! Përveç amebave, më torturonte për vite me një “frymëmarrje” të zemrës që asnjë mjek nuk mund ta dëgjonte).

Por sëmundjet e saj ekzistonin. Përveç aventurës me zemrën – ku me këshillën e kardiologëve më të mirë qëndroi shtrirë për shtatë vite të tëra – kishte edhe shumë sëmundje të tjera të caktuara. Disa prej tyre çuan në operacione: gurë në tëmth dhe veshka, apendisit, kancer i gjirit.

Megjithatë, përtej gjithçkaje tjetër, nga një moment e tutje, sëmundja ishte bërë për nënën mënyra e jetës. Ishte mundësia e vetme që gjeti për të ekzistuar, për të angazhuar veten, për të komunikuar.

Kërkonte një butësi dhe ngrohtësi që asnjëherë nuk i ishte dhënë (ndoshta vetëm në fëmijërinë e saj). U përpoq t’i zëvendësonte me interesin dhe mëshirën që lind nga sëmundja. Punë si e Sisifit: në fillim arrin qëllimin – por pastaj mjedisi lodhet dhe të detyron të përdorësh forma gjithnjë më dramatike për të kërkuar vëmendje. Martesa e saj e pafat forcoi tendencën që i ishte mbjellë që në fëmijëri për të kërkuar vëmendje me ankesë.

Martesë e pafat – për të dy. Ku u takuan këta njerëz dhe si vendosën të bashkëjetojnë? Jo të ndryshëm, as të kundërt – më keq: kontradiktorë, kundërshtues njëri për tjetrin. Jetuan mbi tridhjetë vjet bashkë pa kuptuar asgjë për partnerin – as motivet, as qëllimet, as reagimet e përditshme.

Si adoleshent kuptova me tmerr se secili prej tyre në brendësi besonte se tjetri nuk ishte njeri normal, se kishte lidhur me dikë që nuk ishte në rregull.

Megjithatë të dy ishin plotësisht të drejtë në mënyrën e tyre. Përfaqësonin hapësira të ndryshme, tradita të tjera, lloje njerëzish të ndryshëm. Trashëgimtarja e ndjeshme dhe e kultivuar e një tradite italiano-chioto-siriote (fillimisht fisnike, më pas e madhe-borgjeze) 600-vjeçare – dhe maliak i zgjuar dhe energjik (epiriot nga babai, moraës nga nëna) ishin secili një njeri i plotë, i thellë dhe i rëndësishëm. Vetëm që njëra ishte e gjitha intuitë, delikatesë dhe butësi – tjetri vrull, ambicie dhe logjikë. Çfarë dallimesh konvencionale dhe të zakonshme mund të bëjë njeriu, vlejnë këtu: zemër – mendje, ndjenjë – instinkt, brendësim – jashtësim, më pak – më shumë, dhe (pse jo?) ishull – mal.

Shpesh ndjej se ende luftojnë brenda meje.

Nëna vdiq në 1983 (fotoja e fundit e vitit ’79). Dy vitet e fundit jetonte në një botë tjetër. E vetmja gjë që e mbanin gjallë ishte kur i ushqeja ëmbëlsirat e saj të preferuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx