E shtune, 31.01.2026, 08:47 PM (GMT)

Përjetësi » Kadare

Ilir Çumani: Gjeniu i adhuruar dhe i keqkuptuar që foli me gjuhën e njerëzimit…

E shtune, 31.01.2026, 03:58 PM


GJENIU I ADHURUAR DHE I KEQKUPTUAR QË FOLI ME GJUHËN E NJERËZIMIT…

Nga Ilir Çumani

Ka shkrimtarë që i përkasin një gjuhe prej nga vijnë, por janë shumë të rrallë ata që, duke u nisur nga një gjuhë e vogël, arrijnë të flasin me gjuhën e mbarë njerëzimit.

Padyshim, Ismail Kadare bën pjesë në këtë kategori të rrallë, ku individualja shndërrohet në universale dhe ku fati i një kombi të vogël merr përmasat e një drame njerëzore të kuptueshme kudo.

Vepra e tij nuk është vetëm letërsi, por një akt i gjatë mendimi, një përballje e pandërprerë me historinë, pushtetin, frikën dhe dinjitetin njerëzor.

I përkthyer në mbi 45 gjuhë, i lexuar dhe i interpretuar në kontinente të ndryshme, Kadare është bërë një pikë referimi për kritikën mbarëbotërore si një nga shkrimtarët më përfaqësues jo vetëm të Europës Lindore, por edhe të asaj botërore.

Ky fakt nuk është thjesht statistikë kulturore, por në radhë të parë dëshmon qartazi se letërsia e tij prej dekadash i ka kapërcyer kufijtë e kontekstit shqiptar për të prekur thelbin e përvojës njerëzore.

Në sytë e botës, Kadare është një autor që fuqishëm i dha zë një historie të mbyllur, një shoqërie të izoluar, një populli që fliste pak, por vuante shumë.

Megjithatë, marrëdhënia e tij me vendin e vet mbetet paksa e ndërlikuar, shpesh e keqkuptuar dhe e dhimbshme.

Shqipëria e Kadaresë është një atdhe i dashur dhe i rëndë njëkohësisht — një truall që lind rrallë gjeni, por nuk di gjithmonë si t’i mbajë dhe si t’i çmojë.

Këtu, figura e tij është parë herë si ikonë, herë si objekt dyshimi, herë si shkrimtar kombëtar dhe herë si figurë e kontestuar.

Kjo luhatje me nuanca të paqarta dualiteti të vetëdijes dhe ndërgjegjes sonë kombëtare nuk flet për paqartësinë e Kadaresë, por për pasigurinë e shoqërisë që e vështron.

Në planin akademik, Kadare përfaqëson një rast sui generis të letërsisë së rezistencës së koduar.

Ai nuk shkroi kundër pushtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtoi sisteme simbolike ku pushteti shfaqej si absurditet, si ritual, si mekanizëm paranojak.

Alegoria, metafora, miti, historia dhe legjenda u bënë mjetet e tij më efektive për të thënë atë që nuk mund të thuhej. Kjo zgjedhje estetike dhe inteligjente kadareane nuk ishte shmangie, por mirëfilli një strategji e mençur dhe morale në kushtet e pamundësive reale për të bërë letërsi duke qenë krejtësisht i lirë.

Emocionalisht, Kadare mbetet shkrimtari i vetmisë së mendimit. Ai shkroi nga brenda një realiteti që e survejonte, duke ruajtur një distancë të brendshme që i lejonte të mos shkrihej me të.

Kjo distancë shpesh është interpretuar gabimisht si kompromis, por në thelb ajo ishte kusht mbijetese për letërsinë dhe për vetë shkrimtarin.

Të kërkosh heroizëm të zëshëm nga një mendje që punon në heshtje është të mos kuptosh natyrën e intelektit në kushte represioni.

Filozofia që e përshkon veprën e Kadaresë është një filozofi e frikës si strukturë shoqërore dhe e kujtesës si akt rebelimi.

Ai e kuptoi se diktaturat nuk jetojnë vetëm nga dhuna fizike, por nga mitet, ritualet, legjitimimi simbolik dhe frika e trashëguar. Duke i çmontuar këto mekanizma në letërsi, Kadare bëri atë që filozofia politike shpesh nuk arrin: i dha fytyrë konkrete të keqes abstrakte.

Por përse një figurë kaq e madhe nuk u vlerësua pa mëdyshje nga vendi i vet? Kjo pyetje nuk ka një përgjigje të vetme, ngase lidhet me kulturën e dyshimit ndaj elitave, me plagët e pashëruara të së shkuarës, me tendencën për ta gjykuar artin përmes biografisë dhe jo përmes veprës.

Lidhet gjithashtu edhe me një fenomen të njohur në historinë e kulturës: shoqëritë e pasigurta shpesh ndihen të kërcënuara nga ata që i tejkalojnë.

Në këtë kuptim, Kadare u bë jo vetëm shkrimtar i kombit, por edhe një provë sfiduese e pjekurisë së tij kulturore.

Mënyra se si një shoqëri i trajton gjenitë e vet është gjithmonë tregues i raportit të saj me dijen, lirinë dhe vetëbesimin. Nëse vlerësimi vonon, faji nuk është i figurave që janë në avangardë me kohën, por i vetë kohës që nuk di ende të lexojë madhështinë pa frikë.

Ismail Kadare i dha Shqipërisë një pasaportë kulturore të pakontestueshme. Ai e bëri historinë, mitin dhe dramën shqiptare pjesë të dialogut botëror. Edhe nëse vendi i tij nuk e deshi gjithmonë siç duhet, vepra e tij mbetet një akt i pakthyeshëm dinjiteti kombëtar.

Në fund, Kadare na mëson një të vërtetë të hidhur, por të domosdoshme: gjenitë shpesh janë më të kuptuar nga njerëz që nuk flasin gjuhën e tyre sesa nga ata që jetojnë pranë tyre.

Por koha, ndryshe nga zilia dhe keqdashja, ka një virtyt të rrallë — ajo vendos gjithçka në vendin e vet.

Tiranë, e mërkurë, 28 janar 2026



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx