| E shtune, 31.01.2026, 03:58 PM |

GJENIU I ADHURUAR DHE I KEQKUPTUAR QË FOLI ME GJUHËN E NJERËZIMIT…
Nga Ilir Çumani
Ka shkrimtarë që i përkasin një gjuhe prej nga vijnë, por
janë shumë të rrallë ata që, duke u nisur nga një gjuhë e vogël, arrijnë të
flasin me gjuhën e mbarë njerëzimit.
Padyshim, Ismail Kadare bën pjesë në këtë kategori të
rrallë, ku individualja shndërrohet në universale dhe ku fati i një kombi të
vogël merr përmasat e një drame njerëzore të kuptueshme kudo.
Vepra e tij nuk është vetëm letërsi, por një akt i gjatë
mendimi, një përballje e pandërprerë me historinë, pushtetin, frikën dhe
dinjitetin njerëzor.
I përkthyer në mbi 45 gjuhë, i lexuar dhe i interpretuar në
kontinente të ndryshme, Kadare është bërë një pikë referimi për kritikën
mbarëbotërore si një nga shkrimtarët më përfaqësues jo vetëm të Europës
Lindore, por edhe të asaj botërore.
Ky fakt nuk është thjesht statistikë kulturore, por në radhë
të parë dëshmon qartazi se letërsia e tij prej dekadash i ka kapërcyer kufijtë
e kontekstit shqiptar për të prekur thelbin e përvojës njerëzore.
Në sytë e botës, Kadare është një autor që fuqishëm i dha zë
një historie të mbyllur, një shoqërie të izoluar, një populli që fliste pak,
por vuante shumë.
Megjithatë, marrëdhënia e tij me vendin e vet mbetet paksa e
ndërlikuar, shpesh e keqkuptuar dhe e dhimbshme.
Shqipëria e Kadaresë është një atdhe i dashur dhe i rëndë
njëkohësisht — një truall që lind rrallë gjeni, por nuk di gjithmonë si t’i
mbajë dhe si t’i çmojë.
Këtu, figura e tij është parë herë si ikonë, herë si objekt
dyshimi, herë si shkrimtar kombëtar dhe herë si figurë e kontestuar.
Kjo luhatje me nuanca të paqarta dualiteti të vetëdijes dhe
ndërgjegjes sonë kombëtare nuk flet për paqartësinë e Kadaresë, por për
pasigurinë e shoqërisë që e vështron.
Në planin akademik, Kadare përfaqëson një rast sui generis
të letërsisë së rezistencës së koduar.
Ai nuk shkroi kundër pushtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë,
por ndërtoi sisteme simbolike ku pushteti shfaqej si absurditet, si ritual, si
mekanizëm paranojak.
Alegoria, metafora, miti, historia dhe legjenda u bënë
mjetet e tij më efektive për të thënë atë që nuk mund të thuhej. Kjo zgjedhje
estetike dhe inteligjente kadareane nuk ishte shmangie, por mirëfilli një
strategji e mençur dhe morale në kushtet e pamundësive reale për të bërë
letërsi duke qenë krejtësisht i lirë.
Emocionalisht, Kadare mbetet shkrimtari i vetmisë së
mendimit. Ai shkroi nga brenda një realiteti që e survejonte, duke ruajtur një
distancë të brendshme që i lejonte të mos shkrihej me të.
Kjo distancë shpesh është interpretuar gabimisht si
kompromis, por në thelb ajo ishte kusht mbijetese për letërsinë dhe për vetë
shkrimtarin.
Të kërkosh heroizëm të zëshëm nga një mendje që punon në
heshtje është të mos kuptosh natyrën e intelektit në kushte represioni.
Filozofia që e përshkon veprën e Kadaresë është një filozofi
e frikës si strukturë shoqërore dhe e kujtesës si akt rebelimi.
Ai e kuptoi se diktaturat nuk jetojnë vetëm nga dhuna
fizike, por nga mitet, ritualet, legjitimimi simbolik dhe frika e trashëguar.
Duke i çmontuar këto mekanizma në letërsi, Kadare bëri atë që filozofia
politike shpesh nuk arrin: i dha fytyrë konkrete të keqes abstrakte.
Por përse një figurë kaq e madhe nuk u vlerësua pa mëdyshje
nga vendi i vet? Kjo pyetje nuk ka një përgjigje të vetme, ngase lidhet me
kulturën e dyshimit ndaj elitave, me plagët e pashëruara të së shkuarës, me
tendencën për ta gjykuar artin përmes biografisë dhe jo përmes veprës.
Lidhet gjithashtu edhe me një fenomen të njohur në historinë
e kulturës: shoqëritë e pasigurta shpesh ndihen të kërcënuara nga ata që i
tejkalojnë.
Në këtë kuptim, Kadare u bë jo vetëm shkrimtar i kombit, por
edhe një provë sfiduese e pjekurisë së tij kulturore.
Mënyra se si një shoqëri i trajton gjenitë e vet është
gjithmonë tregues i raportit të saj me dijen, lirinë dhe vetëbesimin. Nëse
vlerësimi vonon, faji nuk është i figurave që janë në avangardë me kohën, por i
vetë kohës që nuk di ende të lexojë madhështinë pa frikë.
Ismail Kadare i dha Shqipërisë një pasaportë kulturore të
pakontestueshme. Ai e bëri historinë, mitin dhe dramën shqiptare pjesë të
dialogut botëror. Edhe nëse vendi i tij nuk e deshi gjithmonë siç duhet, vepra
e tij mbetet një akt i pakthyeshëm dinjiteti kombëtar.
Në fund, Kadare na mëson një të vërtetë të hidhur, por të
domosdoshme: gjenitë shpesh janë më të kuptuar nga njerëz që nuk flasin gjuhën
e tyre sesa nga ata që jetojnë pranë tyre.
Por koha, ndryshe nga zilia dhe keqdashja, ka një virtyt të
rrallë — ajo vendos gjithçka në vendin e vet.
Tiranë, e mërkurë, 28 janar 2026
