Përjetësi » Kadare
Ndue Ukaj: Kujtoj Ismail Kadarenë, njeriun që i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit
E merkure, 28.01.2026, 06:57 PM
Ndue Ukaj:
Sot,
në 90 - vjetorin e lindjes, e kujtoj Ismail Kadarenë, njeriun që i ka dhënë
nder e dinjitet të përbotshëm artit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
E
kujtoj veprën e tij të madhe letrare, e cila, që në rini, më ka mrekulluar,
duke u bërë bashkudhëtare në jetën time. Më ka magjepsë e më ka mësuar si
ta kuptosh se nuk mund ta kuptosh ç’do
të thotë vend i lirë, kur rritesh në robëri. Dhe teksa e kujtoj sot përmasën e
saj, e ndiej gëzimin që më ka dhënë ndër vite. Pastaj, i kujtoj me gëzim ato
takime e momente fantastike, me të, në Prishtinë dhe Tiranë.
E
kam thënë shpesh se në ato rrathët e ferrit, nëpër të cilët kam kaluar unë dhe
brezi im, përgjatë viteve të rënda të 90-tave, Ismail Kadare ishte si prijësi
në “Ferrin” e Dantes, kurse vepra e tij, një dritë në atë terr të madh.
Mbasi
e fituam lirinë fizike, për çka Kadareja është shumë meritor, kam pasë rastin
të bëja edhe disa hapa me të, dhe ata hapa, kanë vulosë diçka të pashlyeshme në
zemrën time, për çka e kujtoj me shumë dashuri.
Po,
i frymëzuar prej veprës së tij, kam bërë hapa që më kanë shpie në botën
magjepse të artit, duke fituar që herët, një atdhe paralel e një mrekulli që të
jep letërsia. Një atdhe që me kënaq përditë, më jep gëzim, forcë e lumturi,
lumturinë e leximi e të krijimit, për çka i jam mirënjohës Ismail Kadaresë dhe
veprës së tij madhështore.
Dhe
sot, përditë e më shumë e shoh se vepra e tij, ka forcë që ta shpie lexuesin
matanë territ, matanë ligështisë morale dhe mund të shërbej si ilaç për
shëndetin tonë kombëtar, prandaj, me shumë të drejtë Át Zef Pllumi pohonte, se
“historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje
të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail
Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.”
Gëzuar,
mjeshtër, atje lart, në ato lartësi qiellore të artit, ku jetove përherë.









