Përjetësi » Kadare
Albert Vataj: Sot në datëlindjen e Ismail Kadaresë
E merkure, 28.01.2026, 06:59 PM

Sot në datëlindjen e Ismail Kadaresë
Nga
Albert Vataj
Më
28 janar të vitit 1936 u lind në Gjirokastër, Ismail Kadare.
Sot, ai nuk është thjesht një shkrimtar, nga më të shquarit ndër shquesit e shqipshkrimit në letrat që i kumtojnë shqiptarët botës. Ai është shtylla vertebrore e identitetit tonë kombëtar dhe shprehja më autentike e integritetit tonë europian.
I
ikur qysh prej 1 korrikut 2024, ai këputi të frymshmen kësobote, për të mbetur
vepër, për të dëshmuar dritën, në nevojën tonë të ngutshme për dalë nga terri,
ku zezonat e fatit, historisë dhe vetvetes na mbanin ngujue.
Sot,
90 vite, prekur ju gjegj ligjësisë së jetës, Ismail Kadare, erdhi për të
dritëlindur në çdo datëlindje. Sepse ardhur kish si një premtim. Si një
përmbushje amaneti i'a behu ai. Të zgjonte nga përjetësia një identitet;
mitesh, eposi, legjendarësh dhe legjionarësh për t'ia faqur njohjes.
Me
penën shgjetare e fjalën parmendë, shpirtjen ngulmëtare e shqipen farkëtuar në
dritë, erdh, për të nxjerrë nga thellësia e kohës dhe harrimit, zërin dhe zotat
e kësaj fare, mbirë zjarresh e harbuar shendit të hirit.
E
mbrujti ai bukën e kësaj bujarie, me duart që i nxori nga rrënjë rrepesh e
shkrepa kryelartësuar mbi re. E shtroi këtë sofër begatimi njohje e
shenjtërimi, ndër botë e qytetërime, kultura e kanune, jo vetëm për të kthyer
shqiptarët në vendin e merituar, por për t'u krenuar me çfarë në kohje dhe
histori ky komb ish.
E
megjithatë kaq ndoshta nuk mjaftoi. Po, duhej shumë më shumë, edhe pse ai bëri
aq sa i'a pamundëson çdo përkushtimi dhe obligimi tjetër, ta mbërrijë atë.
Sepse
ai gaboi se erdhi në këtë përmbushje hyjnore si njeri, ndoshta në kohën e
gabuar, edhe pse ishte koha e duhur për të bërë atë që ai bëri, më mirë se
askush.
Edhe
pse ndaj tij nuk kanë reshtur një armatë e tërë baltëhedhësish, sërish ai ofroi
veprën si provë e devocionit atdhetar dhe e pafajësisë, si dëshmi e një nevoje
për kthjellim dhe krenim.
Ky
korife vazhdoi të mbetej qëndrestar nën një mal akuzash dhe sharjesh nga më të
flligtat, çlirimesh të mbartura zehri dhe helmi që ndërsehen mbi të pareshtur
si një lukuni natash kobzeza.
Ai
edhe sot pas 90 viteve prej kur u lind, mban mbi supe peshën e ikjes (1 korrik
2024) dhe përballjes me ata që shamatojnë e çuçurisin, kërcëllijnë dhëmbët e
zgurdullojnë sytë, ngjyjnë gjuhën në zehër dhe ndërsejnë keqdashje e keqkuptim.
Më
gurin e rëndë të inateve, që i marrin me vete kudo ku shkojnë, ata mprehin
thonjtë e rreken të çjerrin taftin shndritës të famës që e fillëron si një
breror mbi krye atë.
Dukej
se hera-herës, ai, Ismail Kadare sa ish në jetë nuk i dëgjonte, por piskama e
tyre ishte frymë, gjendje, ajër, krrakamë korbash e kujë ankimtarësh, që iu vu
nga pas duke ia përshkuar me trazim gjithkund udhën që ai bëri në të
lartësuarit e misionit që shndërroi në vepët.
Një
luftë e "viktimave" të komunizmit apo një makth ziliqarësh e
zullumqarësh, ende nuk dihet se çfarë e përbën në të vërtetë këtë masë të
sëmurë sëmbimesh, që i ishte ngjitur shtatores së gjallë të këtij shqiptari
dalzotës, të këtij kalorësi fushëbetejash ngadhënjimtare.
Asnjë
përfaqësues i botës shpirtërore shqiptare nuk ishte dhe është sulmuar më shumë
se ai. As vetë e keqja nuk ka gjetur zelltarë më të përkushtuar. Të gjithë, të
gjithë ata që kishin zgjedhur të mos e adhurojnë, e urrejnë për vdekje. Aq
mllef dhe inat, aq helm dhe neveri, sa ç'është ndërsyer ndaj tij, nuk mund të
ishte privilegj i asnjë demoni, ironikisht as edhe ndaj vetë Enver Hoxhës.
Me
ose pa arsye, mes tyre ka gjithnjë një ndasi vrastare, një hendek të thellë që
përpin gjithçka.
Ç'nuk
kanë thënë për të dhe gjithë ky gojim ligan ka përzier të vërtetat që e bëjnë
atë më faj, me gënjeshtrat dhe xhelozitë, me trillimet dhe legjendat urbane, me
keqkuptimet dhe keqinterpretimet, aq sa edhe sot do ta ketë të pamundur dikush
të ndaj tek ai mëkatarin me të devotshmin, demonin nga shenjtori.
E
donin të vdekur, sepse vetëm ashtu ai mund të lante gjynahet, ligësitë që e
lidhin me Kadrenë njeri dhe Kadarenë shkrimtar, me Kadarenë, të përkëdhelurin e
diktatorit me Kadarenë, Kadarenë si përfaqësues i Realizmit Socialist dhe
Kadarenë si pena më përfaqësuese të lëtrave shqipe në botën e madhe.
Ai
nuk ka pretenduar asnjëherë shenjtorin, por vepra e tij e ka shenjtëruar
shqiptarinë dhe historinë tonë në gjithë doktrinat e mendimit letrat dhe
kanonet evropiane përmes shqipshkrimit e shqiptarisë shumëgjuhëshe.
Gabimet
dhe fajet që e penalizojnë, nuk mund ta dlirin për ta bërë atë të përkorë, por
do të ishte asgjësuese dhe mjerane nëse vijojmë ende të zgjedhim linçimin dhe
anatemimin e tij si heretik, pa mbajtur më parë atë çfarë i përket vlerave në
të, sepse, si për dëshirimtarët, ashtu edhe për zezontuesit, ai është një prej
atyre kreshtave ku lartësohet në vepër dhe ne rrokaqiellemi në përkatësi dhe
krenim.
Ismail
Kadare nuk ishte i pari e as fundit njeri, me të mirat dhe të këqijat
rrethanore, që ka ardhur në historinë e letërsisë botërore, për të qenë edhe
njeri edhe shkrimtar, për të qenë ana e ndritshme dhe e errët e një identiteti.
Gjithashtu edhe kritikët, sulmuesit, refuzuesit, kundërshtuesit, urryesit,
nemtarët, puritanët, ndoshta duke i parë gjërat më qartë, duke u përpjekur për
të ndërtuar një marrëdhënie më të modertuar të mospranimit të Ismail Kadaresë
njeri dhe Ismail Kadaresë shkrimtar, do ta kishin të mundur të çliroheshin nga
ky makth, ti shpëtonin përndjekjes së amokut. Sot që ai nuk është, do ta kenë
më të lehtë, për ta bërë çfarë është për ta, shumë më shumë se për të.
Ndoshta
do të ishte më në interes të vetvetes dhe thirrjes së thellë të ndërgjegjes, të
shikonim anën e ndritshem të këtij personazhi, atë kahje, prej së cilës të
marrim çfarë na intereson, çfarë është e jona, e pse jo dhe të drejtën e
mburrjes nacionale, sepse jo për "fajin" tonë, tre janë emrat që na
lidhin me njohjen si shqiptarë në botë, Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail
Kadare.
Sot
në ditëlindjen e tij, dritëlind sekush në atë që Kadare mëkoi me diellin e
fjalës dhe mendimit, narrativës dhe alegorisë.









