E premte, 30.01.2026, 11:46 PM (GMT)

Kulturë

Ftesë nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës

E premte, 30.01.2026, 06:54 PM


SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS

F  T  E   S  Ë

PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE QË DO TË ZHVILLOHET MË 23, 24 e 25 TETOR TË VITIT 2026 NË PRESHEVË

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës tashmë ka një përvojë të caktuar për organizimin e konferencave shkencore nga fusha të ndryshme të shkencës dhe të kulturës. Në këtë vazhdë, Bordi i Konferencës vendosi që tema boshte e Konferencës Shkencore që do të zhvillohet sivjet, të jetë si vijon:

“STUDIUESIT E HUAJ PËR SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS DHE VISEVE TJERA SHQIPTARE”

QËLLIMI DHE RËNDËSIA E KËSAJ VEPRIMTARIE SHKENCORE:

Qëllimi i organizimit të kësaj Konference Shkencore është nxjerrja në pah e ndihmesës dhe kontributit që kanë dhënë studiuesit e huaj për shqiptarët në Luginën e Preshëvës dhe më gjerë në hapësirat shqiptare duke luajtur një rol me rëndësi me veprimtaritë e tyre shkencore dhe kulturore.

Interesimi i studiuesve të huaj dedikuar shqiptarëve në përgjithësi paraqet një fushë të rëndësishme dhe shumëdimensionale të dijes në të cilën pleksen disiplina të ndryshme si historia, filologjia, folkloristika, etnologjia, arkeologjia, antropologjia kulturore, studimet politike e kështu me radhë. Që nga shekujt paraprakë dhe në veçanti gjatë shekullit XVIII, XIX dhe në fillim të shekullit XX, por edhe sot e kësaj dite, shqiptarët janë bërë objekt venerimi dhe hulumtimi nga ana e diplomatëve, misionarëve dhe albanologëve të huaj, të cilët të motivuar apo të nxitur nga kureshtja orientalistike, interesat gjeopolitike, por edhe kërkimi shkencor, kanë prodhuar një korpus të gjerë tekstesh të ndryshme për gjuhën, zakonet, strukturën shoqërore apo në përgjithësi për identitetin kulturor shqiptar.

Padyshim se të gjitha këto studime dhe hulumtime paraqesin një burim të çmuar për njohjen e shoqërisë tradicionale shqiptare, veçmas në periudhat kohore kur burimet vendore ishin të kufizuara apo tejet fragmentare. Studiuesit tanimë të njohur gjerësisht si Hahni, Majeri, Jokli, Nopça, Lamberci, Durhami e shumë të tjerë kanë kontribuar dukshëm në dokumentimin e gjuhës shqipe, folklorit, të drejtës zakonore dhe organizimit shoqëror të shqiptarëve e kështu me radhë duke ndikuar në formësimin dhe profilizimin e albanologjisë si disiplinë shkencore.

Megjithatë, në raste të caktuara, disa nga studimet apo vështrimet e huaja nuk janë neutrale. Ato shpesh janë të kushtëzuara nga konteksti ideologjik, diskursi orientalistik, pozicioni kolonial apo interesat politike të kohës. Për këtë arsye, studimet e huaja dedikuar shqiptarëve kërkojnë një lexim kritik, i cili duhet të marr parasysh jo vetëm vlerën dokumentuese të tyre, por edhe mekanizmat e përfaqësimit, stereotipizimit dhe ndërtimit të “tjetrit” ballkanik.    Në këto korniza, analiza e kontributit të stiudiuesve të huaj për shqiptarët nuk synon vetëm përmbledhjen e vlerësimeve historike dhe kulturore, por edhe shqyrtimin e mënyrës së artikulimit, interpretimit të identitetit shqiptar, ndonjëherë edhe instrumentalizimit të tij në suaza të ligjërimeve apo diskurseve akademike dhe jashtëakademike. Një qasje e kësaj natyre mundëson shpalosjen e një kuptimi më të thellë të marrëdhënies midis dijes shkencore, pushtetit simbolik dhe ndërtimit të identiteteve kombëtare në kontekstin ballkanik.

Nënkuptohet se orientimi teorik i studimit të vështrimeve të huaja mbi shqiptarët kërkon një qasje ndërdisiplinore dhe kritike, e cila nuk kufizohet vetëm në vlerësimin pozitiv apo negativ të autorëve të huaj, por synon të analizojë mekanizmat e përfaqësimit, prodhimit të dijes dhe ndërtimit të identitetit. Vetëm përmes një leximi të tillë refleksiv është e mundur të kuptohet roli kompleks i studimeve të huaja në formësimin e imazhit të shqiptarëve në diskursin europian dhe ballkanik.

Pra, qëllimi kryesor i Konferencës Shkencore në fjalë është analiza dhe vlerësimi i kontributit të studiuesve të huaj në formësimin e diskursit shkencor mbi shqiptarët, përkatësisht vënia në pah e mënyrës së trajtimit të çështjeve të ndryshme si origjina, gjuha, historia dhe kultura shqiptare në përgjithësi, si dhe ndikimi i këtyre studimeve në zhvillimin e albanologjisë.

Studimet e huaja kanë një rëndësi të veçantë për shqiptarët, pasi ato ofrojnë një perspektivë më të gjerë dhe më të veçantë mbi historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Përmes këtyre studimeve, shqiptarët venerohen jo vetëm nga brenda, por edhe në raport me kontekste më të gjera ballkanike, evropiane dhe botërore, çka ndihmon në shmangien e një qasjeje të mbyllur apo vetëreferuese. Tanimë dihet se autorët e huaj shpesh sjellin metoda kërkimore dhe kritere shkencore të ndryshme duke kontribuar në pasurimin dhe thellimin e debatit akademik dhe në rritjen e besueshmërisë së studimeve albanologjike në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, studimet e huaja shërbejnë si një urë ndërlidhëse midis kulturës shqiptare dhe botës, duke ndihmuar në afirmimin dhe kuptimin më të thellë të saj.

Të gjitha këto ndihmesa e prurje shkencore e kulturore, të zgjeruara si punime të mirëfillta shkencore pas kumtimeve në këtë Konferencë Shkencore, do të përfshihen në një botim të veçantë, nënkuptohet nën përkujdesjen e Shoqatës sonë.

TEZA THEMELORE E KONFERENCËS SHKENCORE:

Teza qendrore e Konferencës Shkencore i referohet kontributi dhe ndihmesës së studiuesve të huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare, nga fusha të tilla, si: arkeologjia, historiografia, gjuhësia, etnologjia, folkloristika, letërsia, si dhe nga veprimtari tjera shkencore dhe kulturore. Në kuadër të Konferencës Shkencore në fjalë, shtrohen këto pyetje kërkimore: si është trajtuar çështja shqiptare nga studiuesit e huaj në periudha të ndryshme historike, cilat kanë qenë qasjet metodologjike dominuese në studimet e tyre, në çfarë mase këto studime kanë ndikuar në zhvillimin e albanologjisë, cilat janë kufizimet dhe paragjykimet apo stereotipet e mundshme të këtyre studimeve kundrejt shqiptarëve e kështu me radhë.

IDENTIFIKIMI I PROBLEMIT DHE RËNDËSIA E ZGJIDHJES SË TIJ:

E sotmja e veprimtarisë shkencore në fushat e Albanologjisë dhe të Kulturës nuk mund të jetë e plotë dhe e qartë pa njohur dhe vlerësuar edhe punën e studiuesve të huaj ndër vite. Janë pikërisht ata që kanë hedhur themelet e shkencës dhe kulturës shqiptare, mbi bazën e së cilës, edhe duke plotësuar apo duke mbajtur një qëndrim rishikues, duhet të zhvillohen dhe të pasurohen më tej shkencat Albanologjike dhe ato të kulturës. Deri më sot është realizuar përgjithësisht një punë e mirë për nxjerrjen në pah të kontributit të studiuesve të huaj nga këto fusha, nga institucione shkencore (kryesisht institutet gjegjëse në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup), në hapësira të tjera shqiptare dhe në diasporë, si edhe nga individë të ndryshëm. Megjithatë, një pranëvënie e tyre do të sillte më të plotë dhe do të ishte më bindëse për atë çka kanë sjellë si pasuri të vlerësueshme, për të nxitur brezat e sotëm të studiesve në fushat përkatëse që ta njohin nga afër këtë trashëgimi.

KOHËZGJATJA e paraqitjes së çdo pjesëmarrësi në këtë veprimtari do të jetë 10 minuta, kurse për botimin e plotë të të gjitha punimeve që do të prezentohen, numri i faqeve duhet të jetë nga 10 deri në 20.

Ju lutemi të gjithë studiuesve nga Lugina e Preshevës, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe të Malit të Zi, si dhe nga shqiptarët në diasporë,  që deri më 30 gusht 2026 të dërgojnë abstraktet e punimeve të tyre në këtë adresë: shtkpresheve@yahoo.com, apo xhemaledin47@gmail.com.

Hartimi, publikimi dhe njoftimi i pjesëmarrësve me Programin e Konferencës Shkencore do të bëhet më 4 tetor 2026;

Kontakti: Xhemaledin Salihu, cel.+381 63 8771 423

Duke shpresuar në një bashkëpunim të frytshëm, i falënderojmë paraprakisht të gjithë ata që do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës sonë.

Ju mirëpresim!!!

Bordi për organizimin e Konferencës:

Prof. dr. Drita Halimi-Statovci, etnologe

Prof. dr. Agron Xhagolli, kulturë popullore /folklorist/

Prof. dr. Izaim Murtezani, folklor dhe etnologji

Prof. dr. Isak Shema, letërsi

Akademik Adem Bunguri, arkeologji

Dr.sc. Shpëtim Memishi, ekonomi

Xhemaledin Salihu, profesor, studiues

P. S.

Çdo studiues që kërkon të parashtrojë ndonjë pyetje apo të ofrojë ndonjë sugjerim, mund të drejtohet lirshëm në adresën e mësipërme.

Preshevë, më 29 janar 2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx