| E premte, 30.01.2026, 06:54 PM |
SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS
F T E S Ë
PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE QË DO TË
ZHVILLOHET MË 23, 24 e 25 TETOR TË VITIT 2026 NË
PRESHEVË
Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës tashmë ka një
përvojë të caktuar për organizimin e konferencave shkencore nga fusha të
ndryshme të shkencës dhe të kulturës. Në këtë vazhdë, Bordi i Konferencës
vendosi që tema boshte e Konferencës Shkencore që do të zhvillohet sivjet, të
jetë si vijon:
“STUDIUESIT E HUAJ PËR SHQIPTARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS
DHE VISEVE TJERA SHQIPTARE”
QËLLIMI DHE
RËNDËSIA E KËSAJ VEPRIMTARIE SHKENCORE:
Qëllimi i organizimit të kësaj
Konference Shkencore është nxjerrja në pah e ndihmesës dhe kontributit që kanë
dhënë studiuesit e huaj për shqiptarët në Luginën e Preshëvës dhe më gjerë në
hapësirat shqiptare duke luajtur një rol me rëndësi me veprimtaritë e tyre
shkencore dhe kulturore.
Interesimi i studiuesve të huaj
dedikuar shqiptarëve në përgjithësi paraqet një fushë të rëndësishme dhe
shumëdimensionale të dijes në të cilën pleksen disiplina të ndryshme si
historia, filologjia, folkloristika, etnologjia, arkeologjia, antropologjia
kulturore, studimet politike e kështu me radhë. Që nga shekujt paraprakë dhe në
veçanti gjatë shekullit XVIII, XIX dhe në fillim të shekullit XX, por edhe sot
e kësaj dite, shqiptarët janë bërë objekt venerimi dhe hulumtimi nga ana e
diplomatëve, misionarëve dhe albanologëve të huaj, të cilët të motivuar apo të
nxitur nga kureshtja orientalistike, interesat gjeopolitike, por edhe kërkimi
shkencor, kanë prodhuar një korpus të gjerë tekstesh të ndryshme për gjuhën,
zakonet, strukturën shoqërore apo në përgjithësi për identitetin kulturor
shqiptar.
Padyshim se të gjitha këto studime dhe
hulumtime paraqesin një burim të çmuar për njohjen e shoqërisë tradicionale
shqiptare, veçmas në periudhat kohore kur burimet vendore ishin të kufizuara
apo tejet fragmentare. Studiuesit tanimë të njohur gjerësisht si Hahni, Majeri,
Jokli, Nopça, Lamberci, Durhami e shumë të tjerë kanë kontribuar dukshëm në
dokumentimin e gjuhës shqipe, folklorit, të drejtës zakonore dhe organizimit
shoqëror të shqiptarëve e kështu me radhë duke ndikuar në formësimin dhe
profilizimin e albanologjisë si disiplinë shkencore.
Megjithatë, në raste të caktuara, disa
nga studimet apo vështrimet e huaja nuk janë neutrale. Ato shpesh janë të
kushtëzuara nga konteksti ideologjik, diskursi orientalistik, pozicioni
kolonial apo interesat politike të kohës. Për këtë arsye, studimet e huaja
dedikuar shqiptarëve kërkojnë një lexim kritik, i cili duhet të marr parasysh
jo vetëm vlerën dokumentuese të tyre, por edhe mekanizmat e përfaqësimit,
stereotipizimit dhe ndërtimit të “tjetrit” ballkanik. Në këto korniza, analiza e kontributit të stiudiuesve të huaj për
shqiptarët nuk synon vetëm përmbledhjen e vlerësimeve historike dhe kulturore,
por edhe shqyrtimin e mënyrës së artikulimit, interpretimit të identitetit
shqiptar, ndonjëherë edhe instrumentalizimit të tij në suaza të ligjërimeve apo
diskurseve akademike dhe jashtëakademike. Një qasje e kësaj natyre mundëson shpalosjen
e një kuptimi më të thellë të marrëdhënies midis dijes shkencore, pushtetit
simbolik dhe ndërtimit të identiteteve kombëtare në kontekstin ballkanik.
Nënkuptohet se orientimi teorik i
studimit të vështrimeve të huaja mbi shqiptarët kërkon një qasje
ndërdisiplinore dhe kritike, e cila nuk kufizohet vetëm në vlerësimin pozitiv
apo negativ të autorëve të huaj, por synon të analizojë mekanizmat e përfaqësimit,
prodhimit të dijes dhe ndërtimit të identitetit. Vetëm përmes një leximi të
tillë refleksiv është e mundur të kuptohet roli kompleks i studimeve të huaja
në formësimin e imazhit të shqiptarëve në diskursin europian dhe ballkanik.
Pra, qëllimi kryesor i Konferencës
Shkencore në fjalë është analiza dhe vlerësimi i kontributit të studiuesve të
huaj në formësimin e diskursit shkencor mbi shqiptarët, përkatësisht vënia në
pah e mënyrës së trajtimit të çështjeve të ndryshme si origjina, gjuha, historia
dhe kultura shqiptare në përgjithësi, si dhe ndikimi i këtyre studimeve në
zhvillimin e albanologjisë.
Studimet e huaja kanë një rëndësi të veçantë për
shqiptarët, pasi ato ofrojnë një perspektivë më të gjerë dhe më të veçantë mbi
historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar. Përmes këtyre studimeve,
shqiptarët venerohen jo vetëm nga brenda, por edhe në raport me kontekste më të
gjera ballkanike, evropiane dhe botërore, çka ndihmon në shmangien e një
qasjeje të mbyllur apo vetëreferuese. Tanimë dihet se autorët e huaj shpesh
sjellin metoda kërkimore dhe kritere shkencore të ndryshme duke kontribuar në
pasurimin dhe thellimin e debatit akademik dhe në rritjen e besueshmërisë së
studimeve albanologjike në arenën ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, studimet e
huaja shërbejnë si një urë ndërlidhëse midis kulturës shqiptare dhe botës, duke
ndihmuar në afirmimin dhe kuptimin më të thellë të saj.
Të gjitha këto ndihmesa e prurje
shkencore e kulturore, të zgjeruara si punime të mirëfillta shkencore pas
kumtimeve në këtë Konferencë Shkencore, do të përfshihen në një botim të
veçantë, nënkuptohet nën përkujdesjen e Shoqatës sonë.
TEZA THEMELORE E KONFERENCËS SHKENCORE:
Teza qendrore e Konferencës Shkencore i
referohet kontributi dhe ndihmesës së studiuesve të huaj për shqiptarët e
Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare, nga fusha të tilla, si:
arkeologjia, historiografia, gjuhësia, etnologjia, folkloristika, letërsia, si
dhe nga veprimtari tjera shkencore dhe kulturore. Në kuadër të Konferencës Shkencore në
fjalë, shtrohen këto pyetje kërkimore: si është trajtuar çështja shqiptare nga
studiuesit e huaj në periudha të ndryshme historike, cilat kanë qenë qasjet
metodologjike dominuese në studimet e tyre, në çfarë mase këto studime kanë
ndikuar në zhvillimin e albanologjisë, cilat janë kufizimet dhe paragjykimet
apo stereotipet e mundshme të këtyre studimeve kundrejt shqiptarëve e kështu me
radhë.
IDENTIFIKIMI I PROBLEMIT DHE RËNDËSIA E ZGJIDHJES SË TIJ:
E sotmja e veprimtarisë shkencore në
fushat e Albanologjisë dhe të Kulturës nuk mund të jetë e plotë dhe e qartë pa
njohur dhe vlerësuar edhe punën e studiuesve të huaj ndër vite. Janë pikërisht
ata që kanë hedhur themelet e shkencës dhe kulturës shqiptare, mbi bazën e së cilës,
edhe duke plotësuar apo duke mbajtur një qëndrim rishikues, duhet të zhvillohen
dhe të pasurohen më tej shkencat Albanologjike dhe ato të kulturës. Deri më sot
është realizuar përgjithësisht një punë e mirë për nxjerrjen në pah të
kontributit të studiuesve të huaj nga këto fusha, nga institucione shkencore
(kryesisht institutet gjegjëse në kuadër të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë në Tiranë, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Instituti i
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup), në hapësira të
tjera shqiptare dhe në diasporë, si edhe nga individë të ndryshëm. Megjithatë,
një pranëvënie e tyre do të sillte më të plotë dhe do të ishte më bindëse për
atë çka kanë sjellë si pasuri të vlerësueshme, për të nxitur brezat e sotëm të
studiesve në fushat përkatëse që ta njohin nga afër këtë trashëgimi.
KOHËZGJATJA e paraqitjes së çdo
pjesëmarrësi në këtë veprimtari do të jetë 10 minuta,
kurse për botimin e plotë të të gjitha punimeve që do të prezentohen, numri i
faqeve duhet të jetë nga 10 deri në 20.
Ju lutemi të gjithë studiuesve nga
Lugina e Preshevës, Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, nga shqiptarët
në Maqedoninë e Veriut dhe të Malit të Zi, si dhe nga shqiptarët në diasporë, që deri më 30 gusht
2026 të dërgojnë abstraktet e punimeve të tyre në këtë adresë: shtkpresheve@yahoo.com, apo xhemaledin47@gmail.com.
Hartimi, publikimi dhe njoftimi i pjesëmarrësve
me Programin e Konferencës Shkencore do të bëhet më 4
tetor 2026;
Kontakti: Xhemaledin Salihu, cel.+381
63 8771 423
Duke shpresuar në një bashkëpunim të
frytshëm, i falënderojmë paraprakisht të gjithë ata që do t’i përgjigjen
pozitivisht ftesës sonë.
Ju mirëpresim!!!
Bordi për organizimin e Konferencës:
Prof. dr. Drita Halimi-Statovci, etnologe
Prof. dr. Agron Xhagolli, kulturë popullore /folklorist/
Prof. dr. Izaim Murtezani, folklor dhe etnologji
Prof. dr. Isak Shema, letërsi
Akademik Adem Bunguri, arkeologji
Dr.sc. Shpëtim Memishi, ekonomi
Xhemaledin Salihu, profesor, studiues
P.
S.
Çdo studiues që kërkon të parashtrojë
ndonjë pyetje apo të ofrojë ndonjë sugjerim, mund të drejtohet lirshëm në
adresën e mësipërme.
Preshevë, më 29
janar 2026