E premte, 09.01.2026, 04:52 PM (GMT)

Mendime

Rudolf Marku: A vdesin diktatorët?

E merkure, 07.01.2026, 06:57 PM


A  VDESIN DIKTATORËT?

-Esse -

Nga Rudolf Marku

1.

Në një episod apokrif, kur po vizitonte Pekinin komunist të vitit 1972, në rolin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të administratës së Niksonit, Henry Kissinger e pyet Çu En Lain, kryeministër i Kinës, se si e mendon ai rëndësinë e Revolucionit Francez të vitit 1789. Është herët, tepër herët, që të mund të shprehësh një mendim për një ngjarje që ka ndodhur veç disa shekuj më parë- qe përgjigjja enigmatike e kryeministrit më enigmatik të asaj kohe.

M’u kujtua vetvetiu ky episod tek lexoja këto ditë jetën e Perandorëve romakë. Jetën e 10 Perandorëve më të famshëm të Perandorisë Romake që kanë lënë më gjurmë në historinë e Romës së Lashtë. Dhe jo vetëm në atë të Romës së Lashtë. A është herët që të mund të gjykojmë historinë e Romës së Lashtë? Jo që ta gjykojmë, sepse kjo është jashtë mundësive të njeriut modern, por që të paktën të mund të nxirrnim ndonjë ngjashmëri me historinë e kohërave tona? Nuk besoj se është herët. Ashtu siç më jepet të besoj se kurrë nuk është dhe vonë.

Ajo që vihet re si një ngjashmëri e të gjithë perandorëve është joshja e parezistueshme e tyre për të qenë autorë, krijues; është kompleksi i madh i Autoro-manisë, kompleks që e kanë të gjithë politikanët dhe njerëzit që e vuajnë humnerën ndarëse të ambicies me mediokritetin anonim ose dhe humnerën mes pushtetit të përkohshëm dhe përjetësisë. Të gjithë perandorët romakë shkruanin, disa prej tyre madje shkruanin mirë. Shkruanin kujtimet e tyre, shkruanin për fushatat ushtarake, shkruanin udhëzime për qytetarët e vet, shkruanin traktatet për historinë, për gjuhësinë, për filozofinë, shkruanin kundër kundërshtarëve të vet. Perandorët e Romës së Lashtë natyrisht, jo për fajin e tyre, nuk ishin aq me fat sa të shkruanin në Internet, në Facebook, në Twitter, në WhatsApp...Vihet re joshja e tyre ndaj krijimtarisë artistike. Jul Çezari, veç librit të famshëm të përshkrimeve të Fushatës në Gjermaninë e Sotme, shkroi, po ashtu si dhe tragjedianët e vjetër të Greqisë, një “Edip”. Natyrisht, ku e ku larg gjenisë së grekëve të lashtë. Por sidoqoftë, me ambicien për të shkruar të njëjtin subjekt. Augusti shkruan një “Ajax” - ç’është e vërteta me vështirësi të madhe, aq sa e kishte zakon të thosh, me një sinqeritet mahnitës, se këtë radhë Ajaxi po vuan shumë herë më tepër nga stili i vetë Augustit, sesa nga plagët e vërteta që pat marrë. Tiberuis pat shkruar një “Elegji për vdekjen e Jul Çezarit”. Klaudius, një sundimtar sa i zymtë, aq edhe tërheqës në zymtësinë e vet, do mbahet mend si një sundimtar pedant që u përpoq ta reformonte Alfabetin Latin. Ai qe gjithashtu njëri ndër të parët që u mor seriozisht me një Histori Etruske. Neroni qe i fiksuar me famën e Poezisë dhe me krijimtarinë artistike. Donte me çdo kusht që të pranohej si Artist. Si Autor. Jul Çezari dhe Augusti qenë shkrimtarë prozatorë, dhe ata të obsesionuar me famën artistike; secili prej tyre shkruan në Latinishten Klasike, në Latinishten e Vjetër, në Latinishten e drejtpërdrejtë. Augusti veçanërisht përçmon atë çfarë ai quan “Stil aziatik”-stilin e të shprehurit në mënyrë jo të qartë, të shkapërdarë, me fraza qëllimisht të ngatërruara për t’u dukur në mënyrën më spekulative sa më i ditur…

E përbashkëta e perandorëve romakë është dhe Frika ndaj Thikës, Kamës,Vrasjes së papritur. E përbashkëta e tyre është pasiguria që u jep Pushteti. Të gjithë pa përjashtim mbajnë në oborret e tyre, krahas bodigardëve, dhe këshilltarë dhe ministra që dinë të deshifrojnë Horoskopin, që dinë të lexojnë Shenjat paralajmëruese, që dinë të deshifrojnë ëndrrat (Frojdi është tepër i vonuar në Teorinë e vet të Ëndrrave)…Të gjithë dëshmojnë se vuajnë nga pagjumësia (shekuj më vonë, një shkrimtar anglez i quajtur William Shakespear do të thotë për një sundimtar se vrasjet ia kanë vrarë një herë e përgjithmonë gjumin)…Dhe të gjithë bashkohen në çrregullsitë psikike. Kaligula qe i marrë. Neroni, i cili në fillimet e veta të qeverisjes së Perandorisë shfaqet si një Perandor premtues, i suksesshëm, bëhet progresivisht irracional. Tacitus, historiani romak vë re se si Tiberiusi kthehet shumë shpejt në një gërmadhë njerëzore, i shkatërruar dhe i transformuar nga ndikimi violent i pushtetit absolut.

Lajtmotivi bashkues i perandorëve romakë qe dhe adhurimi i tyre ziliqar për Aleksandrin . Jul Çezari i ri ofshan mbi varrin e Maqedonasit të Madh. Augusti urdhëron që t’i hapet varri, që të mund të shohë të paktën kafkën e udhëheqësit Botë-Pushtues. Neroni e quante gardën e vet “Falanga e Aleksandrit të Madh”.  ...

Tek ne duket se të gjithë kryeministrat e postkomunizmit, në një mënyrë a në një tjetër,  kanë shfaqur, dhe vazhdojnë të shfaqin, direkt a indirekt, adhurimin e tyre për Enver Hoxhën… Ndërsa vetë Enver Hoxha adhuronte Stalinin dhe ...barbarin Ali Pashë Tepelenen...Është adhurimi i Pushtetit për Pushtet, aq i lakmueshëm në kohërat tona moderne. Në kohërat tona të qeverisur nga Çezarët e Pushtetit, ku njerëzit trajtohen as më shumë e as më pak  si gjëra, sende, madje sende të pavlerë...

2.

Në romanin e njohur “Vjeshta e Patriarkut”, Gabriel Garcìa Màrquez na rrëfen për një tiran që zotëroi në pushtet me qindra vite, në mos përjetësisht. Ndoshta që nga kohërat romake. Vetë vdekja e diktatorit dhe shkatërrimi i regjimit të tij nuk ndodhin ngase ka ardhur koha që ai të vdesë, dhe bashkë me të, dhe regjimi i tij të shkatërrohet. Vdekja e diktatorit ndodh ngase vetë koha vdes. Historia e diktatorit të Vjeshtës së Patriarkut është si një udhëtim në një Vrimë të Zezë (Black Hole) në hapësirën kozmike. E shkuara kthehet jo vetëm në atë që ka qenë, por dhe në atë çfarë është dhe çfarë do të jetë. Duket se Diktatori i romanit të Gabriel Garcìa Màrquez ka shumë jetë brenda një jete. E tanishmja është njëkohësisht e ardhme dhe e shkuar. Diktatori i Vjeshtës së Patriarkut është njëri nga perandorët romakë a njëri nga diktatorët komunistë ose dhe paskomunist (duke qënë se këto dy terma nuk kanë dhe ndonjë dallim shumë të madh mes tyre). A njëri nga udhëheqësit modernë. Diktatori jeton dhe vdes dhe prapë jeton; ai është njëkohësisht i vdekur dhe i gjallë në çdo çast. Ai përsëritet gjatë një procesi riproduktiv në pamje të ndryshme dhe me mosha të ndryshme, sepse nuk duhet të harrojmë se ai është i pavdekshëm. Ndoshta këtë kishte parasysh kryeministri kinez në përgjigjen e vet enigmatike në atë vit të largët 1972...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx