Mendime
Milazim Zeqiraj: Mërgata dhe polarizimi politik në Kosovë
E hene, 05.01.2026, 06:56 PM
Mërgata dhe polarizimi politik në Kosovë
Nga
Milazim Zeqiraj
Prej
vitesh në Kosovë, mërgata shpesh trajtohet me një gjuhë përjashtuese, herë në
formë etiketimesh e herë si ndarje artificiale mes saj dhe qytetarëve
rezidentë. Në fillim u quajt “schatza”, më pas “gërnaqa”, ndërsa së fundmi
është krijuar narrativi se mërgata qenka një trup i veçuar politikisht nga
shoqëria brenda vendit, që kur ka zgjedhje vjen dhe i prish rregullat e lojës
“si me shkop magjik”. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk i shërben as demokracisë,
as vendit.
Mërgata
është pjesë e Kosovës. Ajo ndihmon zhvillimin dhe ka qenë dhe mbetet një nga
shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Nuk
është e vërtetë se mërgata voton në mënyrë të njëanshme për një subjekt
politik, dalluar nga votuesi rezident. Dihet se në zgjedhjet e përgjithshme dhe
lokale, LVV ka fituar pa votat e mërgatës.
Mërgata
nuk voton për t’i shkaktuar vendit ose popullit moskënaqësi; ajo voton sepse ka
të drejtë vote, dhe në përqindje nuk dallohet nga votuesi rezident në Kosovë.
LVV nuk e ka krijuar mërgatën; ajo është formuar nga e majta, PDK dhe LPK, për
të sulmuar të djathtën, LDK. Kjo nuk ka asgjë të keqe; partitë janë dhe do të
jenë përherë në garë politike, dhe fiton ai që e bind sovranin.
Mërgata
në zgjedhjet e fundit votoi ngjashëm me votuesit rezidentë. Dihet se në
zgjedhjet e fundit kanë votuar më shumë për LVV si vendasit, ashtu edhe
mërgata. LVV ka fituar në të gjitha komunat e Kosovës. Partitë që udhëheqin
komunat duhet të bëjnë analizën e duhur dhe të mos akuzojnë pa baza.
Sot,
qytetarët në mërgatë janë banorë të respektuar në vendet ku jetojnë; ata
drejtojnë kompani dhe institucione shoqërore me peshë në të gjitha fushat, duke
ndikuar pozitivisht edhe për Kosovën.
Polarizimi
politik nga disa eksponentë të organizatës LVV ka kaluar kufijtë e debatit
publik dhe ka hyrë brenda familjeve. Ka raste kur lidhjet familjare janë
dëmtuar seriozisht për shkak të bindjeve partiake. Gjuha agresive e organizatës
LVV me përkrahësit e vet politik është e ngjashme me atë që shihet në debatet
televizive, ku 99% e debatit kalon jashtë arsyes, madje edhe me përplasjet
fizike si mjet komunikimi politik.
Një
problem serioz mbetet mungesa e vetëkritikës brenda subjekteve politike.
Përkrahësit e bindur shpesh refuzojnë të pranojnë arsyen dhe të vërtetën, duke
tentuar të shesin broçkullat si të vërteta, me armën e zhurmës. Njëri tjetrin e
akuzon për korrupsion, bashkëpunim me Serbinë, për marrëveshje të dëmshme për
Kosovën.
Më
e tmerrshme është kur fillojnë të mbrojnë korrupsionin ose gabimet e partisë së
tyre, duke arsyetuar edhe marrëveshje të dëmshme për shtetin. Në këto raste,
mbrojtja e individit apo e partisë kthehet në qëllim personal, ndërsa interesi
i Kosovës mbetet në plan të dytë.
Kosova
ka nevojë për debat politik të shëndoshë në nivel të përgjithshëm dhe brenda
partive, jo për ndarje të reja mes qytetarëve të saj, brenda apo jashtë vendit.
Partitë politike duhet të debatojnë fitoret dhe të analizojnë humbjet.
Mërgata
nuk duhet parë si kundërshtar politik, por si pjesë e pandashme e shoqërisë
kosovare. Polarizimi aktual është i madh dhe pasojat e tij janë të dukshme;
vazhdimi i kësaj rruge vetëm sa e thellon hendekun shoqëror dhe e dobëson
shtetin.
Përgjegjësia
për ta ndalur këtë polarizim politik i takon pushtetit.









