E premte, 02.01.2026, 10:12 PM (GMT)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Kur flet shkenca, politika hesht

E premte, 02.01.2026, 06:53 PM


Kur flet shkenca, politika hesht

Nga Fahri XHARRA

Historia e Ballkanit sot trajtohet më shumë si instrument politik sesa si fushë e kërkimit shkencor. Për prejardhjen e popujve flitet shpesh me tone të larta, por rrallë dëgjohet ajo që shkenca ka thënë shumë përpara se identitetet të shndërroheshin në mjete përplasjeje. Rasti i shqiptarëve është ndër më domethënësit.

Ndërkohë që debatet bashkëkohore shpesh ndërtohen mbi supozime dhe interesa të momentit, filozofë, historianë dhe gjuhëtarë gjermanë që nga shekulli XVII kanë lënë dëshmi të dokumentuara mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Në një kohë kur studimet shqiptare pothuajse mungonin, ishte shkenca evropiane ajo që fliste.

Nga Gotfrid Vilhelm Lajbnici, i cili i konsideronte shqiptarët pasardhës të ilirëve, te Johan Gotfrid fon Herderi dhe Johan Erih Tunmani, e deri te gjuhëtarë të njohur si Franc Bopi dhe Jozef Riter fon Ksilanderi, përvijohet një tezë e përbashkët: shqipja është një gjuhë e lashtë, e pavarur dhe thellësisht e rrënjosur në trashëgiminë ilire të Ballkanit. Këta nuk janë emra periferikë, por figura themelore të mendimit evropian.

Një vend të veçantë zë albanologu Johan Georg fon Hani, i cili Shqipërinë nuk e njohu vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe nga terreni. Përfundimet e tij mbi autoktoninë e shqiptarëve dhe vazhdimësinë kulturore të tyre sfidojnë drejtpërdrejt narrativat që i paraqesin shqiptarët si ardhacakë të vonë në Ballkan. Në të njëjtën linjë qëndrojnë edhe Teodor Mommseni, Jakob Filip Falmerajeri dhe Paul Kreçmeri, studimet e të cilëve mbështeten në gjuhësi, histori dhe arkeologji, e jo në nevoja politike.

Pyetja që lind natyrshëm është: pse këta autorë sot shpesh anashkalohen? Ndoshta sepse përfundimet e tyre nuk përputhen me mitet e ndërtuara rishtazi. Është më e lehtë të riformatosh historinë sipas agjendës së ditës sesa të pranosh se Ballkani nuk ofron histori të thjeshta dhe vija të pastra prejardhjeje.

Në këtë kontekst, libri „Autoktonia e shqiptarëve në studimet gjermane" nuk është thjesht një vepër akademike, por një thirrje për kthim te burimet serioze. Ai na kujton se e vërteta historike nuk prodhohet në konferenca shtypi, por në arkiva, biblioteka dhe kërkime të qëndrueshme shkencore. Ribotimi i veprave të tilla do të ishte një shërbim i çmuar për studentët, studiuesit dhe publikun e gjerë.

Nëse vendosim të debatojmë për të kaluarën, atëherë minimumi i përgjegjësisë publike është të dëgjojmë atë që ka thënë shkenca – edhe kur kjo nuk i përshtatet narrativave politike të radhës.

Koment ne shkrimin e qelluar per te mire të Fatmir Sylejmanit :

"SHQIPTARET E PARE NGA STUDJUESIT GJERMAN"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx