Mendime
Don Fran Sopi: Epifania apo Shfaqja e Zotit dhe misteri i Pagëzimit
E marte, 06.01.2026, 06:55 PM
Epifania apo Shfaqja e Zotit dhe misteri i Pagëzimit
Shkruan:
Don Fran Sopi
Sot,
më 6 janar, Kisha Katolike në mbarë Kosovën, Shqipërinë ashtu si edhe Kishat e
tjera në botë, kremton dhe përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në
Shpellën e Betlehemit dhe momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore,
nga ana e tyre. Me këtë kremte, Kisha na
bën të ditur se Jezu Krishti nuk ka ardhur vetëm për izraelitët, por për mbarë
botën, pra edhe për ne shqiptarët. Pas lindjes së Krishtit, Atë e vizitojnë
barinjtë, njerëz të thjeshtë. Sot, megjithatë, Atë e vizitojnë Tre Dijetarët apo
Tre Mbretërit, të cilët i sjellin jo vetëm dhurata të çmueshme, por edhe e
nderojnë Jezusin si Mbret. Sipas traditës së Kishës së Krishterë këta Tre
Mbretër ishin Gaspri, Melhiori dhe Baltazari. Rrugën për në Betlehem ua tregoi
Ylli. Besimi ynë në Krishtin duhet të jetë sikurse ky Yll ndriçues në
përditshmërinë tonë, që na udhëheq drejt së vërtetës dhe të mirës së
përgjithshme.
Gjatë
këtij solemniteti bëhet gjithashtu bekimi i ujit, me të cilin meshtari i Kishës
e bekon familjet dhe pasurinë tonë. Prandaj, jemi të ftuar të përgatitemi
shpirtërisht për ta pranuar bekimin e Zotit, me të cilin do të vazhdojmë
rrugëtimin tonë gjatë vitit kalendarik të sapofilluar ditë më par?. Në përvojën
e krishterë, bekimi nuk është thjesht një zakon i trashëguar apo një gjest
simbolik, por një akt i thellë besimi. Përmes bekimit, njeriu i drejtohet Zotit
me falënderim dhe lutje, duke ia besuar jetën, familjen dhe të ardhmen e vet
hirit hyjnor. Bekimi është njëkohësisht lavdërim i Hyjit dhe hapje e zemrës
ndaj veprimit të Tij.
Këtë
e shpreh bukur Shën Pali, kur thotë: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë
Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell, në Krishtin”
(Ef 1,3). Në këtë fjalë apostolike shohim lidhjen e pandashme ndërmjet
lavdërimit që i bëjmë Zotit dhe bekimit që Ai derdh mbi ne. Që nga shekujt e
parë, Kisha ka zhvilluar rite dhe formula bekimesh, si në liturgji ashtu edhe
në jetën e përditshme të besimtarëve. Këto bekime shoqërohen me lutje, me lexim
të Fjalës së Zotit dhe me gjeste shenjëruese, si shenja e Kryqit, shtrirja e
duarve dhe spërkatja me ujë të bekuar.
Edhe
në traditën e popullit tonë shqiptarë, bekimi i familjeve dhe i shtëpive lidhet
veçanërisht me festën e Dëftimit të Zotit, e njohur gjerësisht si Dita e Ujit
të Bekuar. Megjithatë, pavarësisht kohës kur kryhet, thelbi mbetet i njëjtë:
Jezusi, përmes Kishës së vet, hyn në shtëpitë tona për të sjellë paqe dhe
gëzim. Vetë Krishti na porosit në Ungjillin sipas Lukës: “Në cilëndo
shtëpi që të hyni, më parë thoni: ‘Paqja qoftë mbi këtë shtëpi!’” (Lk 10,5). Pra,
festa e Epifanisë na ndihmon ta kuptojmë më thellë këtë realitet. Fjala Epifani
do të thotë Shfaqje që do të thotë se Zoti nuk mbetet i fshehur, por shfaqet
dhe flet. Ai u tregon njerëzve kush është dhe sa shumë i do. Epifania lidhet me
ardhjen e Dijetarëve nga Lindja, por shkon edhe më thellë, sepse na zbulon
Jezusin si Dritën e botës dhe si Birin e dashur të Atit, të shpallur në
Pagëzimin e Tij në lumin Jordan. Pas Pagëzimit të Jezusit, qielli hapet,
Shpirti Shenjt zbret mbi Të dhe dëgjohet zëri i Atit: “Ti je Biri im i
dashur; në Ty kam pëlqimin tim” (Mk 1,11).
Kjo
është zemra e Epifanisë-Shfaqjes dhe Zoti flet, qielli hapet dhe njeriu e
kupton se nuk është i braktisur. Dhe kjo është një Lajm i Madh edhe për ne,
sepse ajo që ndodhi me Krishtin ndodh edhe me ne në Pagëzim. Pra, edhe mbi ne
hapet qielli, edhe ne bëhemi bij e bija të Zotit, të thirrur të jetojmë në
bashkësi, ku askush nuk është i huaj dhe askush nuk është vetëm. Pikërisht kjo
ditë na shpie edhe te rrënjët tona si popull. Dokumenti më i vjetër i shkrimit
shqip veç tjerash lidhet edhe me Pagëzimin. Në letrën e arqipeshkvit të
Durrësit, imzot Pal Engjëlli i cili ishte bashkëpunëtor i Gjergj Kastriotit –
Skënderbeut, ruhet formula e shenjtë e Pagëzimit. Kjo dëshmon se për shqiptarët
feja, gjuha dhe jeta kanë qenë gjithmonë të ndërthurura ngusht me njëra
tjetrën.
Në
këtë Ditë të Ujit të Bekuar, thirrja e Kishës është e qartë, veçanërisht për të
rinjtë: të kthehemi te Pagëzimi ynë, të mos e shohim fenë si diçka të largët
apo të vjetruar, por si burim jete dhe shprese. Në një botë që shpesh na huton
dhe na largon nga vetvetja, uji i bekuar na kujton se Zoti na dëshiron të
pastër, të gjallë dhe plot guxim. Të bekojmë shtëpitë tona, por mbi të gjitha
të bekojmë jetën tonë duke jetuar si të pagëzuar: me dashuri, ndershmëri dhe
përgjegjësi. Qielli që u hap mbi Jordan vazhdon të qëndrojë i hapur mbi çdo
njeri që zgjedh të jetojë si bir apo bijë e Zotit, i rrënjosur në fe, në
Pagëzim dhe në shpresën që nuk zhgënjen.
Në
këtë event solemniteti të shenjtë të Epifanisë – Shfaqjes së Zotit, le ta
lejojmë dritën e Krishtit të hyjë thellë në zemrat, familjet dhe në rrugët tona
jetësore. Ashtu si Ylli i Betlehemit, që i udhëhoqi Dijetarët drejt
Shpëtimtarit, edhe feja jonë le të bëhet dritë që ndriçon errësirat, forcon
shpresën dhe na udhëzon drejt së mirës së përgjithshme.
Prandaj,
edhe ne shqiptarët, le të rikthehemi me vetëdije te rrënjët tona të para dhe te
Pagëzimi ynë, burimi i identitetit tonë të krishterë, dhe ta jetojmë atë çdo
ditë me dashuri, paqe dhe përgjegjësi. Zoti që u shfaq në Krishtin nuk është
larg nesh, që do të thotë se Ai ecën me ne, bekon jetën tonë dhe na fton të
jemi dëshmitarë të dritës së Tij në botë.
Paqja
e Krishtit qoftë mbi shtëpitë tona dhe mbi mbarë popullin tonë Shqiptarë!
Pejë, më 6 janar 2026









