E merkure, 07.01.2026, 04:32 PM (GMT)

Mendime

Gjon Keka: Njohja e historisë, e vetes dhe patriotizmi i vërtetë

E hene, 05.01.2026, 06:57 PM


Njohja e historisë, e vetes dhe patriotizmi i vërtetë

Nga Gjon Keka

''Historia është një prezantim i renditur i shumës totale të fakteve dhe ngjarjeve më të pamohueshme, që duke rrjedhur nga ide më të larta e të gjalla kanë shërbyer nën udhëheqjen hyjnore për zhvillimin dhe edukimin e njerëzimit" në përgjithësi. Me këto fjalë të nxjerrë nga një vepër e vitit 1856 e fillova këtë shkrim për të treguar se historia mbështetet në fakte dhe është dëshmi për ne sot që të mësojmë prej saj dhe t'i edukojmë brezat për një të ardhme më të mirë, në paqe dhe më të sigurt.

Sidomos ne si popull kemi shumë nevojë të mësojmë nga historia jonë e cila është e bazuar në fakte dhe që brenda saj ka figura që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm brenda kombit tonë dhe rajonit, por edhe në historinë europiane dhe botërore apo universale.

Si të mos mësojmë nga Historia jonë, kur shumë autor, studiues e historian europian e botëror e kanë patur interes të studimit të tyre pikërisht historinë tonë ,madje disa kanë shkuar aq larg bazuar në gërmime arkeologjike dhe mbledhje të të dhënave e fakteve ku kanë dal në përfundim se arbërorët(shqiptarët) janë pasardhës të Ilirëve dhe se gjuha jonë është e vjetër dhe qëndron brenda pemës së gjuhëve indoeuropiane, pastaj janë marrë edhe me traditat, zakonet, kanunet, kostumet etj etj. A do të thotë kjo pak që të tjerët të merren me historinë tonë, e ne që jemi pasardhës dhe pjesë të kësaj historie nuk merremi dhe nuk e njohim historinë tonë, veten tonë, figurat tona që janë shtylla të pashkatërrueshme të identitetit tonë kombëtar arbëror e dardan europian. A mos ndoshta nuk jemi pasardhës të denjë apo ndoshta edhe nuk jemi por mendojm se jemi apo bëhemi sikur jemi, apo ndoshta e dimë se jemi, por e mohojmë me qëllim ose jemi mashtruar e na janë bërë opium ideologjitë fetare të huaja të pushtuesve që na skllavëruan shpirtin, i verbuan sytë për të mos e parë veten e njohur veten, të ardhmen tonë si komb dhe si familje brenda kontinentit dhe civilizimit të përbashkët europian.

Ne si popull duhet ta mësojmë historinë tonë, të vërtetën tonë, pa u krenuar në mënyrë egoist, pa thënë se ne jemi më të vjetrit, pa e urryer asnjë popull tjetër, asnjë komb tjetër, sepse bota është një kopsht i përbashkët dhe një shtëpi e përbashkët që duhet ose të jetojmë krah njëri-tjetrit ose në luftë të përhershme me njëri tjetrin. Prandaj ne si popull duhet ta zgjedhim gjithmonë paqen, gjithmonë lirinë, gjithmonë të drejtën dhe të vërtetën ashtu që të jetojm në të vërtetë dhe në dritë, rrugët e errësirës, egoizmit dhe krenarisë së tepëruar apo të rrejshme janë si dëmi kanceroz për veten,për tërë kombin tonë, por edhe për tërë kontinentin europian.

Si për të tjerët ashtu edhe për ne si popull, komb e shtet vlenë kjo se „momenti më fisnik në historinë botërore është dhe mbetet lufta për të vërtetën, triumfi i së vërtetës dhe perceptimi i bekimit që përhapet mbi njerëzimin tonë pas kësaj fitoreje." shkruante historiani gjerman H. Boehmer. Poashtu „kudo ka vetëm një të vërtetë dhe kjo e vërtetë kudo ka vetëm një formë, e cila është e vetmja, më e mira në atë vend."

Janë faktet, janë veprat, janë dëshmitë,janë paraardhësit, gjurmët arkeologjike,etnologjike etj, dhe jo fjalët, sepse me fjalë askush nuk e ka fituar asnjëherë ndonjë betejë, por me vepra me të vërtetën dhe dritën.

Kështu që me të drejtë shkruante në një nga veprat e tij shkrimtari tjetër poashtu gjerman J. Reuper: „Fjalët janë thjesht tinguj; pa mendim, ato ndonjëherë i bëjnë përshtypje vetes me forcë të madhe, veçanërisht në rini; por pa mendim, njeriu i mëson ato vetëm si një papagall: sepse siç dihet mirë korbi, edhe papagalli i mësojnë tingujt e fjalëve dhe i përsëritin ato në kohën e duhur dhe të gabuar. Të mësuarit e fjalëve pa mendim është një opium i dëmshëm për shpirtin njerëzor, i cili në fillim jep një ëndërr të ëmbël, një valle rrokjesh dhe imazhesh, para të cilave ndihet gjysmë i zgjuar dhe gjysmë i përgjumur, sikur para një vizioni magjik; por shpejt si me opiumin, njeriu ndjen pasojat e këqija të këtyre ëndrrave me fjalë. Ato e lodhin shpirtin dhe e mbajnë atë të fiksuar në një pasivitet të rehatshëm. Në këtë mënyrë ato e mësojnë mendjen me një gjumë mendimi dhe e bëjnë shpirtin të mësohet me shtrembërime të ëmbla të cilat më pas shfaqen në jetë dhe në gjuhë. Lexohen, siç thotë Hamleti: fjalë, ,vetëm fjalë, ngatërresa fjalësh, vetëm ngatërresa fjalësh, në të cilat për fat të keq vetëm flasin dhe përsërisin.

Thjeshtë një makinë fjalësh të bukura dhe me tinguj. Çfarë bëjmë kur mësojmë të ecim, të flasim, të vizatojmë ose të kërcejmë? Ne praktikojmë dhe kryejmë një detyrë; e imitojmë atë derisa të mund ta bëjmë. Derisa të kemi sukses me forcën tonë, me gjymtyrët tona. Kështu është me artet që janë të dukshme; me ato të padukshmet dhe me më të padukshmet nga të gjitha,prandaj edhe të menduarit e të mësuarit nuk zhvillohet në asnjë mënyrë tjetër. Fjalët janë thjesht instrumenti që unë duhet t'i mësoj këto me forcën time, në mënyrën time ose nuk kam mësuar fare. Testi më i mirë, pra nëse dikush ka kapur diçka është që ata mund ta imitojnë atë, që ata mund ta paraqesin vetë në mënyrën e tyre, me fjalët e tyre. Është çmenduri të nxjerrësh ose të mpish sytë për të mësuar të shohësh përmes syve të dikujt tjetër. Përkundrazi, ushtroni dhe zhvilloni të gjitha aftësitë tuaja mendore dhe fizike dhe bëjeni këtë në ekuilibër të mirë, në përpjesëtim të duhur."

Zgjohuni të rinj arbëroro-dardan dhe mësoni për jetën për historinë e kombit tuaj! Mosha për të cilën po rriteni dhe po përgatiteni sigurisht që ka nevojë për burra të mësuar në jetë, domethënë, burra që kanë mësuar për jetën,për historinë, burra me shqisa të shëndosha, me gjykim të shëndoshë, me një vesh të shëndoshë për të dëgjuar dhe kuptuar atë që thuhet dhe për t'u përgjigjur në mënyrë të përshtatshme dhe të shëndoshë, njohje me gjërat e natyrës, me gjendjen e botës, me nevojat dhe punët e saj, përmes të cilave formohet një kuptim i shëndoshë dhe një arsyetim i pastër dhe efikas. Le të zgjojë ky cikël i ri kohor një zell të ri dhe një zell të ri në seriozitet dhe reflektim! Ju të rinjt e kombit arbëroro-dardan po hyni në një shekull të ri, në të cilin edhe pleqtë e fëmijët e sapolindur, poashtu edhe ne po hyjmë gjithashtu më të vjetër; mësojeni shekullin e ri si të jetojë brenda tij, bëjeni këtë shekull si shekullin e njohjes së vetes suaj, historisë suaj, rrënjëve tuaja, të rikthimit të kombit tonë në familjen europiane.

Së fundmi, meqenëse jeta kërkon jo vetëm njohuri dhe mendime të reja, por edhe vullnet, impulse dhe veprim, dhe veçanërisht për kultivimin e zemrës dhe karakterit. Të njohësh të kaluarën, figurat kombëtare respektivisht historinë e popullit tënd do të thotë ta njohësh veten , të njohësh rrugën e vjetër, të njohësh rrënjët e tua.

Në lidhje me këtë duhet nënvizuar se një nga detyrat më fisnike të edukimit të nënës, babait,e mësuesit ndaj fëmijëve ,brezave tanë është kultivimi i patriotizmit,por ama një patriotizëm i shëndetshëm pozitiv dhe i vërtetë që mëson se si ta duash atdheun tënd deri në frymën e fundit dhe jo një patriotizëm të rremë që mëson të urresh popuj apo kombet e tjera, Kemi mjaft shembuj nga patriotizmi i rremë negativ i pashëndetshëm, madje ka popuj e kombe që ende nuk janë çliruaar nga kjo sëmundje verbuese. Dhe duke parë se si vlonë urrejtja në brendësi të popullit tonë, duke i dhënë rëndësi më tepër ideologjive fetare të huaja ,në vend të rëndësisë ndaj kombit tonë, historisë dhe figurave mbikohore të kombit tonë.

Nga ky kurth i kapjes pas ideologjive fetare të huaja që nuk burojnë nga rrënja e kombit tonë dhe historisë sonë, atëherë vetëm një patriotizëm i fortë, i vërtetë ,i shëndetshëm e pozitiv, një ndjenjë e fuqishme për atdheun, do të na ngrinte mbi ndarjet fetare dhe do të na nxirrte nga një kurth i tillë.

Patriotizmi i vërtetë nuk konsiston në konsiderimin e vendit në të cilin dikush ka lindur si më të madhin në botë dhe banorët e tij si më të mëdhenjtë midis të gjitha kombeve, sepse ky do të ishte patriotizëm i verbër dhe i paragjykuar. As patriotizmi i vërtetë nuk konsiston në deklarata boshe rreth avantazheve të vendit të vet mbi vendet e huaja dhe në përçmimin e të tjerëve, sepse ky vetëm diskrediton veten dhe atdheun e vet. Gjithashtu nuk konsiston në dëshirën për të fituar padrejtësisht avantazhe për atdheun e vet në kurriz të vendeve të tjera, sepse kjo do të ishte imorale, ndërsa patriotizmi është i moralshëm në kuptimin e saktë të tij dhe jo negativ e i pashëndetshëm. Patriotizmi i vërtetë konsiston në vlerësimin e asaj që dikush i detyrohet atdheut të vet; pastaj përpjekja për t'u shërbyer bashkatdhetarëve dhe kështu vetë atdheut përmes fjalës dhe veprës, përmes mësimdhënies dhe shembullit, pa mohuar të drejtat e vendeve të tjera dhe kombësive të huaja; poashtu edhe interesimi i sinqertë për mirëqenien dhe mjerimin e atdheut, përpjekja për të rritur lavdinë e tij dhe rrezikimi i jetës dhe gjymtyrëve për të në kohë rreziku; së fundmi, shfaqja e devotshmërisë dhe dashurisë ndaj historisë, institucioneve shtetërore dhe ndaj figuave kombëtare si shtylla të identitetit dhe si themele të vetë kombit e shtetit.

Kurrë zemra e një patrioti nuk ka rrahur më ngrohtë për tokën dhe popullin e vetë sesa zemra e Gjergj Kastriotit për Arbërinë.

Me patriotizmin e tij të zjarrtë, ai kombinoi ato cilësi që zakonisht quhen mençuri e trimëri e rrallë. Ai ishte i zellshëm në gjithçka që lidhej me detyrat dhe punën e jetës së tij. Së pari, ai fitoi një kuptim të plotë të nevojave dhe interesave të popullit të tij arbëror, për të cilat kishte mundësinë më të mirë, pasiqë fiset e kryefisnorët arbëror jo vetëm që u mbloddhën rreth tij sikur ishte Kuvendi i Lezhës i 2 marist 1444, por edhe vinin tek ai për t'u këshilluar dhe për të marrë mendimin e gjykimin e tij për shumë çështje, në fakt ai ishte koka dhe krahu i Arbërisë, i shtetit dhe mbretërisë arbërore në atë kohë. Ai i gjeti arbërorët e tij në një gjendje ku ishte e pamundur për ta të arrinin dhe të ruanin lirinë dhe pavarësinë e tyre. Prandaj, ai përdori rolin e tij të dyfishtë për t'i përgatitur ata për këtë. Si arbëror njëri prej tyre, ai me autoritetin dhe famën që kishte urdhëroi, ndërmjetësoi dhe bashkoi të gjitha interesat e tyre. Ndërsa si komandant apo gjeneral, ai shpalli planet strategjike të tij për liri, pavarësi dhe për bashkimin e arbërorëve të tij , ku më pas në krye të tyre ai i udhëzoi dhe i frymëzoi deri në fund të jetës së tij mbi tokë. Ai i bëri të gjitha këto me aq takt, maturi, trimëri dhe dinjitet sa besimi ,dashuria dhe respekti i popullit arbëror për të u rritën vazhdimisht, saqë edhe sot tek arbërorët e tij të vërtetë e besnik si pasardhës të tij kjo dashuri është përjetësuar në gjakun e tyre, në zemrat e tyre.

Gjergj Kastrioti nuk i nxiti njerëzit para kohe drejt vetëçlirimit, por i mbajti të heshtur derisa koha dhe rrethanat ishin të përshtatshme për t'ia rikthyer atdheut të tij arbëror frymën e lirisë. Dhe kur çlirimi dhe liria ndodhi, ai gjithashtu zotëronte vendosmërinë dhe këmbënguljen e nevojshme për të kapërcyer të gjitha pengesat që i dilnin në rrugë dhe e udhëhoqi Arbërinë e tij deri në fund duke e ruajtur e mbrojtur atë sikur sytë e tij, madje ai e ruajti dhe e mbrojti edhe civilizimin e përbashkët europian. Natyrisht se kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti e vendosi mbi të gjitha atdheun e tij, Arbërinë e tij të cilën e deshi dhe e mbrojti deri në frymën e fundit të jetës së tij. Ta bëjmë edhe ne këtë moto të tij tonën në fjalë dhe vepra: Arbëria e Dardania mbi të gjitha.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx