Mendime
Rudolf Marku: A vdesin diktatorët?
E merkure, 07.01.2026, 06:57 PM
A VDESIN DIKTATORËT?
-Esse -
Nga
Rudolf Marku
1.
Në
një episod apokrif, kur po vizitonte Pekinin komunist të vitit 1972, në rolin e
Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të administratës së Niksonit, Henry
Kissinger e pyet Çu En Lain, kryeministër i Kinës, se si e mendon ai rëndësinë
e Revolucionit Francez të vitit 1789. Është herët, tepër herët, që të mund të
shprehësh një mendim për një ngjarje që ka ndodhur veç disa shekuj më parë- qe
përgjigjja enigmatike e kryeministrit më enigmatik të asaj kohe.
M’u
kujtua vetvetiu ky episod tek lexoja këto ditë jetën e Perandorëve romakë.
Jetën e 10 Perandorëve më të famshëm të Perandorisë Romake që kanë lënë më
gjurmë në historinë e Romës së Lashtë. Dhe jo vetëm në atë të Romës së Lashtë.
A është herët që të mund të gjykojmë historinë e Romës së Lashtë? Jo që ta gjykojmë,
sepse kjo është jashtë mundësive të njeriut modern, por që të paktën të mund të
nxirrnim ndonjë ngjashmëri me historinë e kohërave tona? Nuk besoj se është
herët. Ashtu siç më jepet të besoj se kurrë nuk është dhe vonë.
Ajo
që vihet re si një ngjashmëri e të gjithë perandorëve është joshja e
parezistueshme e tyre për të qenë autorë, krijues; është kompleksi i madh i
Autoro-manisë, kompleks që e kanë të gjithë politikanët dhe njerëzit që e
vuajnë humnerën ndarëse të ambicies me mediokritetin anonim ose dhe humnerën
mes pushtetit të përkohshëm dhe përjetësisë. Të gjithë perandorët romakë
shkruanin, disa prej tyre madje shkruanin mirë. Shkruanin kujtimet e tyre,
shkruanin për fushatat ushtarake, shkruanin udhëzime për qytetarët e vet,
shkruanin traktatet për historinë, për gjuhësinë, për filozofinë, shkruanin
kundër kundërshtarëve të vet. Perandorët e Romës së Lashtë natyrisht, jo për
fajin e tyre, nuk ishin aq me fat sa të shkruanin në Internet, në Facebook, në
Twitter, në WhatsApp...Vihet re joshja e tyre ndaj krijimtarisë artistike. Jul
Çezari, veç librit të famshëm të përshkrimeve të Fushatës në Gjermaninë e
Sotme, shkroi, po ashtu si dhe tragjedianët e vjetër të Greqisë, një “Edip”.
Natyrisht, ku e ku larg gjenisë së grekëve të lashtë. Por sidoqoftë, me
ambicien për të shkruar të njëjtin subjekt. Augusti shkruan një “Ajax” -
ç’është e vërteta me vështirësi të madhe, aq sa e kishte zakon të thosh, me një
sinqeritet mahnitës, se këtë radhë Ajaxi po vuan shumë herë më tepër nga stili
i vetë Augustit, sesa nga plagët e vërteta që pat marrë. Tiberuis pat shkruar
një “Elegji për vdekjen e Jul Çezarit”. Klaudius, një sundimtar sa i zymtë, aq
edhe tërheqës në zymtësinë e vet, do mbahet mend si një sundimtar pedant që u
përpoq ta reformonte Alfabetin Latin. Ai qe gjithashtu njëri ndër të parët që u
mor seriozisht me një Histori Etruske. Neroni qe i fiksuar me famën e Poezisë
dhe me krijimtarinë artistike. Donte me çdo kusht që të pranohej si Artist. Si
Autor. Jul Çezari dhe Augusti qenë shkrimtarë prozatorë, dhe ata të obsesionuar
me famën artistike; secili prej tyre shkruan në Latinishten Klasike, në
Latinishten e Vjetër, në Latinishten e drejtpërdrejtë. Augusti veçanërisht
përçmon atë çfarë ai quan “Stil aziatik”-stilin e të shprehurit në mënyrë jo të
qartë, të shkapërdarë, me fraza qëllimisht të ngatërruara për t’u dukur në
mënyrën më spekulative sa më i ditur…
E
përbashkëta e perandorëve romakë është dhe Frika ndaj Thikës, Kamës,Vrasjes së
papritur. E përbashkëta e tyre është pasiguria që u jep Pushteti. Të gjithë pa
përjashtim mbajnë në oborret e tyre, krahas bodigardëve, dhe këshilltarë dhe
ministra që dinë të deshifrojnë Horoskopin, që dinë të lexojnë Shenjat
paralajmëruese, që dinë të deshifrojnë ëndrrat (Frojdi është tepër i vonuar në
Teorinë e vet të Ëndrrave)…Të gjithë dëshmojnë se vuajnë nga pagjumësia (shekuj
më vonë, një shkrimtar anglez i quajtur William Shakespear do të thotë për një
sundimtar se vrasjet ia kanë vrarë një herë e përgjithmonë gjumin)…Dhe të
gjithë bashkohen në çrregullsitë psikike. Kaligula qe i marrë. Neroni, i cili
në fillimet e veta të qeverisjes së Perandorisë shfaqet si një Perandor
premtues, i suksesshëm, bëhet progresivisht irracional. Tacitus, historiani
romak vë re se si Tiberiusi kthehet shumë shpejt në një gërmadhë njerëzore, i
shkatërruar dhe i transformuar nga ndikimi violent i pushtetit absolut.
Lajtmotivi
bashkues i perandorëve romakë qe dhe adhurimi i tyre ziliqar për Aleksandrin .
Jul Çezari i ri ofshan mbi varrin e Maqedonasit të Madh. Augusti urdhëron që
t’i hapet varri, që të mund të shohë të paktën kafkën e udhëheqësit
Botë-Pushtues. Neroni e quante gardën e vet “Falanga e Aleksandrit të
Madh”. ...
Tek
ne duket se të gjithë kryeministrat e postkomunizmit, në një mënyrë a në një
tjetër, kanë shfaqur, dhe vazhdojnë të shfaqin,
direkt a indirekt, adhurimin e tyre për Enver Hoxhën… Ndërsa vetë Enver Hoxha
adhuronte Stalinin dhe ...barbarin Ali Pashë Tepelenen...Është adhurimi i
Pushtetit për Pushtet, aq i lakmueshëm në kohërat tona moderne. Në kohërat tona
të qeverisur nga Çezarët e Pushtetit, ku njerëzit trajtohen as më shumë e as më
pak si gjëra, sende, madje sende të
pavlerë...
2.
Në
romanin e njohur “Vjeshta e Patriarkut”, Gabriel Garcìa Màrquez na rrëfen për
një tiran që zotëroi në pushtet me qindra vite, në mos përjetësisht. Ndoshta që
nga kohërat romake. Vetë vdekja e diktatorit dhe shkatërrimi i regjimit të tij
nuk ndodhin ngase ka ardhur koha që ai të vdesë, dhe bashkë me të, dhe regjimi
i tij të shkatërrohet. Vdekja e diktatorit ndodh ngase vetë koha vdes. Historia
e diktatorit të Vjeshtës së Patriarkut është si një udhëtim në një Vrimë të
Zezë (Black Hole) në hapësirën kozmike. E shkuara kthehet jo vetëm në atë që ka
qenë, por dhe në atë çfarë është dhe çfarë do të jetë. Duket se Diktatori i
romanit të Gabriel Garcìa Màrquez ka shumë jetë brenda një jete. E tanishmja
është njëkohësisht e ardhme dhe e shkuar. Diktatori i Vjeshtës së Patriarkut
është njëri nga perandorët romakë a njëri nga diktatorët komunistë ose dhe
paskomunist (duke qënë se këto dy terma nuk kanë dhe ndonjë dallim shumë të
madh mes tyre). A njëri nga udhëheqësit modernë. Diktatori jeton dhe vdes dhe
prapë jeton; ai është njëkohësisht i vdekur dhe i gjallë në çdo çast. Ai
përsëritet gjatë një procesi riproduktiv në pamje të ndryshme dhe me mosha të ndryshme,
sepse nuk duhet të harrojmë se ai është i pavdekshëm. Ndoshta këtë kishte
parasysh kryeministri kinez në përgjigjen e vet enigmatike në atë vit të largët
1972...









