Kerko: a
Frank Shkreli: Fjala me rastin e vlerësimit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
E diele, 14.12.2025, 06:57 PM
FJALA ME RASTIN E VLERSIMIT NGA UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË
(Për
herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau vlersime për disa nga
gazetarët më të njohur pët kontributet e tyre në pesë dekadat e fundit)
Nga
Frank Shkreli
Të nderuar përfaqësues të Unionit të
Gazetarëve Shqiptarë, Unioni i Gazetareve Shqiptare |
Facebook. I nderuarDritan
Haxhia, dega USA, të nderuar kolegë, zonja dhe zotërinj.
Me mirënjohje të thellë dhe me përulësi
e pranoj këtë vlerësim. Të nderohesh nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë -- një
institucion që ndodhet në zemër të profesionit tonë--është privilegj dhe, njëkohsisht,
një vërtetim domethënës i vlerave tona të përbashkëta në mbrojtje të lirisë
së fjalës – që botërisht konsiderohet si baza e të gjitha lirive dhe të
drejtave të tjera universale bazë të njeriut.
Ky vlerësim nuk është thjesht një nderim
personal, vetëm për mua. Ai është edhe një
kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon: të mbrojmë të Vërtetën,
të informojmë publikun me integritet dhe t’i shërbejmë shoqërisë ku jetojmë e
punojmë, me guxim dhe përgjegjësi qytetare, atdhetare, por edhe njerëzore.
Me besimin se, “Me armë kemi ruajtur ekzistencën
tonë. Me pendë do t’ia sjellin të mbarën dhe të mirën Atdheut”, citohet të ketë
shkruar At Gjergj Fishta për rolin e gazetarëve. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta
për rolin e shtypit të lirë. Në përvjetorin e kalimit të tij në amshim | Gazeta
Telegraf
Gazetaria e lirë nuk është vetëm
profesion; është edhe mision, një shfaqje besimi publik, në mbështetje, pa
kompromis, të kësaj lirie themelore të njeriut. Ky parim bazë ndaj lirisë së
vërtetë të fjalës, detyron gazetarin e lirë të jetë gjithmonë vigjilent, etik,
me moral personal dhe përgjegjësi të lartë shoqërore, në mbrojtje edhe të
interesave kombëtare, në ushtrimin e gazetarisë së lirë.
Duke u qëndruar edhe besnik parimeve që
i japin gazetarisë së lirë, qëllimin e saj maksimal fisnik në mbrojtje të së VËRTETËS
– me objektivitet, paanshmëri dhe saktësi, në informimin e lexuesve dhe
audiencave të tjera mediatike moderne.
Për më tepër, gazetarët e lirë, “lypset
të jenë mbrojtësit e së vërtetës dhe farkuesat e atij karakteri kombëtar fisnik
e të shëndosh, të pathyeshëm e guximtar, por edhe njiherit të rysun, të disiplinuem,
të ndieshëm, e të zellshëm për dije e për punë”. (Një citim që i akordohet At
Gjergj Fishtës, mbi rolin e gazetarit të lirë).
Në rrugëtimin tim prej një gjysëm
shekulli në këtë fushë tepër fisnike të jetës dhe veprimtarisë time, shpeshherë
jam frymëzuar edhe nga përkushtimi i shumë kolegëve -- të djeshëm dhe të sotëm –
të cilët kanë mbajtur lartë flamurin e gazetarisë së lirë dhe të përgjegjshme,
shpesh në rrethana shumë të vështira.
Përkushtimi i tyre ndaj lirisë së
fjalës ka forcuar edhe përkushtimin tim ndaj lirisë së shtypit. Ky vlerësim sot nga Unioni i Gazetarëve
Shqiptarë e rinovon atë përkushtim dhe më kujton disa prej gazetarëve dhe
atdhetarëve shqiptarë dhe amerikanë të shekullit të kaluar, me disa prej të
cilëve, kam patur nderin dhe privilegjin të punojë në Zërin e Amerikës, por jo
vetëm, e të cilët një mënyrë ose tjetër, kanë influencuar pozitivisht karrierën
time të gjatë në këtë fushë.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të
sinqertë për Unionin e Gazetarëve Shqiptarë për punën e pandërprerë në
mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe pavarësisë së gazetarëve shqiptarë, në
kushte shumë të vështira pune. Jam i vetdijshëm i sfidave serioze me të cilat është
përballur gazetaria shqiptare gjatë tranzicionit të stërgjatur politik të
35-viteve të kaluara. Por, përpjekjet tuaja dhe përkushtimi ndaj lirisë së
fjalës – si ent mbarë-kombëtar në mbrojtje të lirisë së shtypit -- sigurojnë që
liria e gazetarit të mbetet jo vetëm e rëndësishme për vet gazetarët, por që të
luaj edhe rolin thelbësor për zhvillimin demokratik dhe lirive bazë të shqiptarëve
në trojet e tyre shekullore në Ballkanin Perëndimor.
E pranoj këtë nderim gjithashtu me
mirënjohje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë--që të vazhdoj të kontribuoj,
megjith moshën e shtyrë, në çdo mënyrë që mundem, në përparimin e vazhdueshëm
të lirisë së shtypit, në promovimin e standardeve etike dhe në forcimin e
besimit të publikut në punën që gazetarët shqiptarë bëjnë kudo dhe pa ndërhyrje
politike.
Falënderoj edhe një herë, sinqerisht,
Unionin e Gazetarëve Shqiptarë për këtë vlerësim kaq domethënës. Është
thellësisht i çmuar nga ana ime, si një vërtetim, jo vetëm i përkushtimit tim
ndaj integritetit profesional, dhe vlerave të objektivitetit të etikës gazetareske,
por edhe i punës së gjatë të shumë ish-kolegëve të mi, bashkpuntorë në Zërin e
Amerikës. Të cilët për fat të keq nuk arritën të shihnin shembjen e komunizmit
ndërkombëtar në Evropë 35-vjet më parë dhe as fundin e regjimit enverist në
Shqipërinë e tyre të dashur.
Duke falënderuar Unionin e Gazetarëve Shqiptarë
për këtë vlersim, me këtë rast, të gjithë ata i kujtoj me mall, respekt e
mirënjohje: të gjithë ata gazetarë
shqiptaro-amerikanë të cilët me punën e tyre të palodhur dhe me besim në
misionin e tyre jetësor të gazetarisë së lirë dhe me vet-mohim në shpërblim, kontribuan
shumë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve, ndërkohë që shërbyen edhe si
urë për forcimin e marrëdhënieve historike midis Kombit Shqiptar dhe Shteteve
të Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, me këtë rast, pa dashur të përmendi
emra se janë shumë -- Ju dhe atyre, me respekt dhe mirënjohje të thellë, u
shkojnë falënderimet e mia më të përzemërta për vlersimin!










