E shtune, 13.12.2025, 11:55 PM (GMT)

Kulturë

Hasan Hasanramaj: Për poeten Drita Kasumi Syla, lirika është kënga e zemrës dhe e shpirtit të saj

E shtune, 13.12.2025, 06:53 PM


Për poeten Drita Kasumi Syla, lirika është kënga e zemrës dhe e shpirtit të saj

Në vëllimet e librave të botuara, si këto, të jepet me kuptuar dhe shpresuar për një poete siç është Drita Kasumi, e cila jo rastësisht, por qëllimisht dhe me vetëdije të plotë, po bën përpjekje të mëdha dhe të suksesshme për ta begatuar sa më shumë dhe sa më parë misionin e saj prej një krijueseje të mirëfilltë.

Nga Hasan Hasanramaj

Në tekstin e recensionit kushtuar dy librave të botuar këto ditë, njërën me përmbledhje poezish të botuar në gjuhën frënge, tjetrën në gjuhën shqipe, të cilat janë finalizuar me përmbledhjen e poezive të poetes Drita Kosumi, recensionisti Sabit Jaha, me thëniet e tij, na dëshmoi se sensin poetik të Dritës si krijuese, me poezitë e saj, jo vetëm që e shkruan, por njëkohësisht edhe e ndien thellësisht dhe e përdor përmbajtësisht. Vëllimi i poezive me titullin “Shpirti i fjalëve” i poetes Drita K. Syla ngërthen më vete një varg e vistër temash e motivesh të larmishme që dalin vrullshëm nga shpirti dhe që shpirtëzohen përmes fjalës poetike. Kjo jep të kuptohet se poezitë e kësaj përmbledhjeje janë një gërshet frymëzimesh motivesh të ndryshme, ku poetja di t’i harmonizojë shprehjet e saj, duke i përshkuar një ind koherent i shpirtit, ku fjala shpërfaq gjithçka çka ndien shpirti. Poetja Drita K. Syla, me këtë vëllim poezish, para lexuesve dëshmon përkushtimin e saj prej krijueseje të mirëfilltë, se vargjet që i mbarështon kanë një rrjedhë të natyrshme, ashtu sikur rrjedhat e pareshtura të lumit malor, që gjatë shtegëtimit ka krijuar ujëvara mahnitëse, të cilat joshin shpirtin me fjalët më të përzgjedhura të poetes.

Lirika në poezitë e poetes Drita janë intime, që u këndojnë emocioneve të dashurisë

Këtë di ta shprehë më së miri dhe për së mbari vetëm shpirti i poetes, e cila fjalët i mbarështon me përkushtim, duke i gërshetuar me ndjenjat e saj. E gjithë përmbledhja prej tetëdhjetë e gjashtë poezive, që ka një kryetitull të përbashkët “Shpirti i fjalëve”, ka për lajtmotiv fill e mbarim temën e dashurisë, e cila degëzohet që nga fëmijëria, ku poetja paraqet tablo nga mosha e saj fëmijërore, duke shprehur ndjenjat më sublime për vendlindjen, lumin, fushat e Llapit me rrethinë; dashurinë për shkollën shqipe; dashurinë e sinqertë dhe të çiltër (për bashkëshortin Nezirin); dashurinë për dy djemtë e vet, Rinonin dhe Ardin; dashurinë për atdheun, posaçërisht për luftën e lavdishme të UÇK-së, që na solli lirinë e shumëpritur shekuj me radhë. Ky vëllim poetik ngërthen më vete vargje që vërtet dalin nga vorbulli i shpirtit, që mbruhen në mendje dhe, si një gurrë e pashtershme, sipërfaqen me fjalët më të përzgjedhura. Autorja, Drita Kosumi-Syla, këtë gjerdan poetik na e ofron për ta njohur më për së afërmi, ashtu tërësor, pa e strukturuar në cikle, gjë që mund ta kishte bërë pa ndonjë vështirësi, por e la krejtësisht ashtu siç i kishte shkruar e mbarështuar poezitë veç e veç. Fjalët poetike që i mbarështon Drita K. Syla në këtë vëllim jo vetëm që kanë një rrjedhë tejet të natyrshme, ku autorja me mjaft mjeshtëri i thadron vargjet me figura të qëlluara artistike, por bie në sy në plan të parë përmbajtja e secilës poezi, pa iu përkushtuar shumë formës. Një vëllim si ky jep për të kuptuar dhe për të shpresuar për një poete e cila, jo rastësisht, por qëllimisht dhe me vetëdije të plotë, po bën përpjekje për ta begatuar sa më shumë dhe sa më parë misionin e saj prej një krijueseje të mirëfilltë.

Poetja Drita Kasumi para lexuesve të saj njihet si autore e shumë veprave me poezi për fëmijë dhe për të rritur

Në recensionin me titull “Trojet që flasin” të redaktorit Abdullah Troshupa, ndër të tjera shkruhet se është i privilegjuar që iu dha rasti të jetë redaktor i librit me poezi me titullin “Trojet që flasin” të autores Drita Kosumi Syla, libër i sapobotuar, e cila e ka kuptuar drejt jetesën dhe atdhedashurinë shqiptare dikur dhe sot. Prandaj, me një angazhim të madh, ajo ia ka arritur qëllimit që këto poezi t’i mbledhë dhe t’i përfshijë në një përmbledhje me titull mjaft simbolik “Trojet që flasin”. Para se të flasim për brendinë e librit dhe të hyjmë në anën e brendshme të shkrimit, le të flasim për çështje të përgjithshme. Drita Kosumi Syla tashmë nuk është emër i panjohur; ajo ka një përvojë krijuese të vlefshme. Me shkrime ka filluar të merrej qysh në bankat shkollore. Poezitë i ka botuar në revistat e kohës. Para lexuesve njihet si autore me disa vepra letrare me poezi për fëmijë dhe për të rritur, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, përkatësisht në gjuhën frënge. Libri “Trojet që flasin” është më shumë se një përmbledhje poetike – është një dëshmi e dashurisë së thellë për vendin, një thirrje për të mos harruar asnjëherë dhe një përqafim i ngrohtë për të gjithë ata që i ka marrë malli për trojet e tyre. Flitet edhe për jetën e vështirë të popullit shqiptar, i cili ka kaluar dekada të tëra pa u dorëzuar dhe pa u dorëzuar as sot. Për ta dëshmuar sa më në origjinalitet, autorja, siç shkruan recensionisti Abdullah Troshupa, në veprën e saj na jep argumente të gjalla se vërtet ne jemi shembull për të mirë, por jep edhe këshilla dhe herë-herë mesazhe për ta ruajtur dhe dashur atdheun. Pra, mesazhi i përgjithshëm i librit është i qartë: pa rrënjë nuk ka identitet, pa kujtesë nuk ka ardhmëri. Motivet që përshkojnë poezitë janë të zakonshme në letërsinë shqiptare, por këtu vijnë me një ndjeshmëri të veçantë: rrënjët, gjuha, kënga, natyra dhe dashuria. Poetja Drita i jep rëndësi çdo elementi që lidhet me atdheun, duke i kthyer ato në simbole të një identiteti të patundshëm. “Trojet që flasin” na fton të dëgjojmë zërin e heshtur të vendlindjes, të ruajmë lidhjen me origjinën dhe të mos harrojmë se kush jemi, edhe kur jeta na çon larg. Përmes aktiviteteve kulturore dhe atdhetare, me një angazhim të pashoq, ajo ka ruajtur dhe ruan vlerat e kulturës dhe traditave shqiptare në shumë vende evropiane. Në librin “Trojet që flasin”, autorja i ka mbledhur gjithsej gjashtëdhjetë e shtatë poezi, të ndara në katër cikle, të botuara në Shtëpinë Botuese “Lenagraphic” në Prishtinë.

Drita Kasumi në librat e saj të botuar nuk e ka harruar atdheun, trojet që flasin, të cilat për të janë rrënjë shpirtërore

Drita Kasumi Syla, me librat e saj, ka dëshmuar se poezia ende mund të shërojë dhe të ngrejë shpirtin njerëzor mbi zhurmën e botës. Në vargjet e saj, fjala është prekje, kujtesa është dritë e trojeve tona stërgjyshore; ato që kanë folé dhe flasin gjithmonë janë vetë njerëzit që dinë të dashurojnë e të flasin.

Përmbledhja poetike kushtuar librit “Trojet që flasin” nga redaktori Veli Kajtazi është një rrugëtim shpirtëror që kalon nëpër kujtesë, ndjenjë dhe dashuri. Këto vargje të autores janë të ngrohta dhe plot jetë. Ato rrjedhin me qetësi, si një lum i kthjellët që bart aromën e dheut, zërin e njerëzve dhe frymën e kohës. Këto poezi flasin me zemër dhe për zemrën, pa maskë, por me ndershmërinë e një zëri që e di mirë se nga vjen dhe ku synon të shkojë. Në themel të këtyre poezive qëndron dashuria — për njeriun, për atdheun, për natyrën, për jetën dhe për Zotin. Dashuria në këtë vepër nuk është thjesht ndjenjë njerëzore, por forca që i jep kuptim çdo gjëje. Ajo është dritë që shuan errësirën, zë që ngroh shpirtin dhe urë që bashkon botët e ndara. Në çdo varg ndihet butësia e një zemre që di të falë, të falënderojë, të kujtojë dhe të besojë.

Në fund, “Trojet që flasin” është më shumë se një libër poetik — është një dëshmi dashurie për jetën dhe për vendin. Është një zë që fton për kthim tek vetja, tek rrënjët, tek drita që buron nga brenda.

Poetja Drita Kosumi Syla, me këtë vepër, siç dëshmon redaktori Veli Kajtazi, na bind se poezia ende mund të shërojë, të bashkojë dhe të ngrejë shpirtin njerëzor mbi zhurmën e botës. Në vargjet e saj, fjala është prekje, kujtesa është dritë, ndërsa trojet – ato që flasin – janë vetë zemra e njeriut që di të dashurojë e të falë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Përparim Hysi: "Parfumi i shtrenjtë" ruhet në shishe të vogla Hazir Mehmeti: Aktivitet nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Llesh Ndoj: Të udhëtosh i dashuruar me ëndrrën Bashkim Saliasi: Teodor Drajzer - 'Viktima e dashurisë së gabuar' Albert Vataj: Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit, njerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores Ramadan Mehmeti: Një roman që prek shpirtin me ndjeshmëri dhe thellësi të rrallë Edison Ypi: Vali dhe Tekiu Albert Zholi: Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria, denoncon me forcë emërtimin Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-Polifonisë Vladimir Shyti: Ndeza qiri në zemrën time Ndue Dedaj: Pisha e Marie Tucit, si pisha e Shën Françeskut Albert Vataj: Mendimet tona janë përcaktueset e pandryshueshëm të fatit tonë Meti Rexhepi: Kërkimi për një realitet të ri Cikël poezish nga Eduard M. Dilo Albert Vataj: Lahuta në UNESCO – fitorja shqiptare përballë pretendimeve serbe Faik Shkodra: Portretizimi i idealistëve kombëtarë Paulin Z. Zefi: Lahuta në UNESCO Albert Zholi: Xheni Krypi, nga auditorët tek skenat ndërkombëtare, një shpirt që këndon dhe shkruan Albert Vataj: Ata që na mëkuan dashurinë e vërtetë, dhe mbeten përjetshmëri në qielloren e ndjenjës që na bëri me krahë Albert Zholi: Luftar Paja - Sot humori me politikanët është më i bukuri, për gafat e tyre, gënjeshtrat dhe deformimin e shqipes Përparim Hysi: Shoku Leka dhe mysafiri

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx