Kulturë
Kadri Tarelli: Hysen Dizdari në libër me vlera të larta atdhetarie
E premte, 28.11.2025, 06:56 PM

Kadri Tarelli shkruan:
“Jam nisur të mbetem vërtet një kambanë,
Aspak s’ tingëlloj
e s’gjëmoj po s’më ranë.
Më
bini, ju lutem, përherë e ngaherë,
Në
doni prej meje gjëmim e poterë.”
Dritero Agolli. Poezia
“Lutja e kambanës”.
HYSEN DIZDARI NË LIBËR ME VLERA TË LARTA
ATDHETARIE
“Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 –
2023”.
Është e para herë që
ndeshem me një libër të tillë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare
1913 – 2023”. Më saktë, me krijimtarinë e studiuesit Hysen Dizdari,
koleksionist i pasionuar i pullave, njëkohësisht edhe autor i disa librave
studimor, ku si lëndë e parë shërbejnë pullat postare.
Një
formë dhe gjetje interesante si studim dhe krijimtari, aq sa mrekullohemi për
talentin dhe guximin e këtij autori, i cili është vlerësuar këtu dhe në botë.
Më duhet të them se
koleksionistët janë një “racë” e veçantë dhe e çuditshme. Kam njohur
koleksionistë pullash, pikturash, monedhash, flamujsh, etj, etj. Por Hysen Dizdari nuk mbetet deri këtu, fanatik
dhe i mbyllur në vetvete me “Thesarin” e tij, për t’u kënaqur vet dhe një grup
miqsh e shokësh të dashuruar me koleksionet. Ai merr mundimin, studion e boton,
duke e bërë frymën dhe punën e tij, pronë të gjithë shoqërisë shqiptare. Ndaj
meriton adhurim e mirënjohje.......!
I thjeshtë titulli i
këtij shkrimi kushtuar librit, apo albumit në shqip dhe anglisht, “Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”, siç janë të gjithë shkrimet
që i kushtohet veprave shkencore. Është një libër i veçantë, si nga paraqitja ashtu
edhe nga përmbajtja: - “Ta studioj dhe njoh historinë e Shtetit Shqiptar nëpërmjet
historisë të pullave postare, jo pak por rreth 150 pamje”, kumton Thimi Nika,
autori i librit “Historia e Filatelisë Shqiptare”. Pse ta mohoj, studimi i
këtij libri është befasi, diçka krejt e re për mua, mbase edhe për shumë të
tjerë.
Ky libër shfletohet si
një album, por në brendësi të faqeve gjejmë që në krye poezi të Naim Frashërit,
“Porosi e Skënderbeut për Shqiptarët”, shkëputur nga “Historia e Skënderbeut”. Ide
mjaft e bukur, sepse përcillet kumti i bashkimit, si shqetësim i përhershëm i
intelektualëve shqiptar. Më tej hasim, jo vetëm praktikën e shtypjes, kohën e
përdorimit, çmimin, ngjyrat dhe sasinë e pullave në ecurinë e shtetit Shqiptar,
por edhe sa kohë janë përdorur, duke vënë vula zyrtare, diku-diku edhe të
postave lokale.
Dikush mund të mendojë
dhe të pyesë: - Pullat janë thjesht formë legale e kontrollit dhe taksës që
vendos shteti mbi qarkullimin e letrave dhe mallrave, apo më shumë se
kaq......? – Po....! Më shumë se kaq. Pullat janë dokument historik i pastër, pasi
ka vulën e shtetit dhe vulën e kohës, duke fiksuar historinë e shtetit në një formë
tjetër, një copë histori e njohur, e prekur dhe përkëdhelur nga publiku.
Lexuesi mund të
mrekullohet ashtu si unë, kur shikon në faqet e para portretin e Skënderbeut,
nga pulla e vitit 1913, në sixhade, punuar mjeshtërisht nga artizanët e
Kukësit, më 2017. Nëse dikush është vërtet i kujdesshëm, do të hasë edhe historinë
e këtij portreti, që në përgjithësi ka mbizotëruar pullat shqiptare për një kohë
mjaft të gjatë. Të gjitha veprimet, vulat apo mbishtypjet e pullave, janë fare normale
për kohën e trazirave të mëdha të luftës së Parë botërore (1914–1918), përfshi
edhe lëvizjet dhe kryengritjet, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, që luftonte
kundër “Mëvetësisë”.
Kqyrni me kujdes:
gjashtë pulla, ku vlera e tyre shkruhet turqisht, “Grosh” dhe “Para”. E gjitha
pasojë e lajthitjes së lëvizjes antishqiptare, për të mos u shkëputur nga
perandoria osmane. Dëshmi që vulos historinë, pa lënë shteg për mëdyshje. Natyrisht
në rrjedhën e kohës dhe qeveritë ndër vite, bënë ndryshime në paraqitjen e
pullave, pa prekur thelbin dhe karakterin atdhetar. Diku u vendosën armët e Skënderbeut,
shpata dhe përkrenarja, diku vetëm shqiponja apo koka e kalit, diku kështjellat
që mbronin dheun e shqiptarëve, etj.
Edhe gjatë periudhës së
sistemit komunist, u përdorën disa variante pullash: portret, foto e Monumentit
të Skënderbeut në Krujë, (Unë e vlerësoj si vepra më e arrirë artistikisht), më
pas monumenti në qendër të Tiranës, pikturat në muzeun e Krujës, madje edhe
piktura të autorëve të huaj, (E. Delakrua), mes tyre edhe piktorë anonim.
Interesant pasi nuk
mungojnë edhe krijime artistike, portrete vajzash shqiptare me veshje
kombëtare, vegla muzikore, si lahuta, etj, të cilat bukurmirë i bëjnë jehonë
historisë së lavdishme të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe historisë sonë
kombëtare.
Në këtë udhëtim mendimi,
po më pëlqen pulla e prodhuar në vitin 2014, e titulluar “Papa Françesku në
Shqipëri”, ku në plan të parë është portreti i Papa Françeskut, ndërsa në sfond
paraqitet monumenti i Skënderbeut, vendosur në sheshin qendror të Tiranës.
Në vitin 2017, u vunë në
qarkullim disa pulla me vlera të ndryshme, të titulluara “Arti
Shqiptar-Vizatimi”. Në këtë rast është për t’u lavdëruar puna e studimore e
autorit, ku herë pas here shënon jo vetëm datën dhe vlerën e pullave, por edhe
cilësinë grafike të tyre, si një lloj jehone të artit shqiptar, kushtuar
periudhës së luftës për liri, udhëhequr nga Skënderbeu.
Bindemi lehtë po të
vërejmë me kujdes shkrimin ku shënohet shkurtimisht: “Veçoria e këtij
emisioni është se të gjitha pullat e bashkuara së bashku, japin pamjen e plotë
të pikturës së quajtur “Përballimi”, e cila sot ndodhet e ekspozuar në Muzeun e
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në qytetin e Krujës”. Punë e piktorit Naxhi
Bakalli. Faqe 68.
Në fund, dua të veçoj
dhe të vlerësoj katër faqe, ku përmblidhen dy kapituj që i japin librit vlera
dhe besueshmëri shkencore:
1. Literatura
filatelike. 2. Literatura shkencore.
Vetëm studimi i këtyre
botimeve, në kohë dhe autorë të ndryshëm, ështëlodhje, mundim e durim skllavi
dhe vullnet shkencëtari, për autorin Hysen Dizdari, i cili për hir të së vërtetës
ia ka kushtuar të gjithë veprimtarinë jetësore, kërkimit dhe grumbullimit të
botimeve kushtuar heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndaj nuk
kursehet të na japë edhe një porosi: “Historia e heroit tonë kombëtar Gjergj
Kastrioti-Skënderbeut, duhet të studiohet e të njihet mirë nga brezi i ri,
historia e të cilit duhet të shërbejë si burim frymëzimi për çdo shqiptar, për
të ruajtur të pastra idealet tona atdhetare”.
Ashtu si autori, edhe
unë mbetem me shpresë se, kjo porosi e shenjtëruar, do të dëgjohet nga
institucionet shkencore, Akademia Shqiptare e Shkencave, drejtuesit e shtetit
dhe mësuesit, si “Misionarë të dijes dhe edukimit” në shkollë.
Urime dhe suksese në udhën e mundimshme të studimit dhe botimit të librave të tillë. Janë vlera kombëtare.
Miqësisht e mirënjohje!
Kadri Tarelli
Durrës, më, 27, të
vjeshtës së tretë, 2025.









