E premte, 28.11.2025, 10:58 PM (GMT)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Ejona Bytyqi – Zëri i ri shqiptar nga Gjeneva që po pushton skenën e diasporës

E premte, 28.11.2025, 06:58 PM


Ejona Bytyqi – Zëri i ri shqiptar nga Gjeneva që po pushton skenën e diasporës

Nga Nexhmije Mehmetaj

Festa e 28 Nëntorit, e organizuar para pak ditësh në Gjenevë, ishte një mbrëmje plot dritë, emocion dhe gjallëri, ku komuniteti shqiptar u mblodh për të nderuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Atmosfera festive u gjallërua nga veprimtari të shumta kulturore e artistike, ku muzika, vallet dhe energjia e pjesëmarrësve bashkuan breza të tërë rreth një trashëgimie të përbashkët shpirtërore. Muzika që kumbonte në sallë, valltarët që ndiqnin ritmin e këngëve dhe mënyra se si gëzimi i tyre i lidhte njerëzit mes vete, do të mbeten përherë pjesë e identitetit tonë kulturor.

Në këtë mbrëmje të pasur artistike, një ndër zërat që dha një kontribut të veçantë ishte këngëtarja e re dhe e talentuar, Ejona Bytyqi. Ajo solli në skenë freski, spontanitet dhe emocion, duke e bërë publikun të përjetojë momente të bukura e të paharrueshme. Gjatë një prej pushimeve mes këngëve, patëm rastin të bisedonim shkurt me atë, një artiste e re me origjinë nga Deçani i Kosovës, por e lindur dhe rritur në Gjenevë të Zvicrës. Në këtë aktivitet ajo ishte e shoqëruar nga prindërit e saj, të cilët e përkrahin në çdo hap të rrugës së saj artistike.

– Mund të prezantohesh për komunitetin e shqiptarëve në Zvicër?
“Jam 13 vjeçe dhe kam lindur në Gjenevë, Zvicër. Jeta këtu është shumë e qetë dhe e bukur. Ka shumë kultura të ndryshme dhe ndihem me fat që jam rritur në një qytet kaq të hapur.
Unë jam rritur mes dy gjuhëve – shqipes dhe frëngjishtes. Është shumë e bukur të jetosh me dy gjuhë: shqip flasim në familje, ndërsa frëngjisht me shokët dhe shoqet në shkollë.
Kur flas shqip, ndjehem më afër familjes dhe prejardhjes time. Është një ndjenjë e ngrohtë që më kujton rrënjët e mia. Shqipen e kam mësuar nga prindërit dhe gjyshërit, të cilët gjithmonë kanë dashur që unë të mos e humbas gjuhën e tyre.”

Ejona me shumë emocion tregon për përjetimin e saj kur doli kënga e re:
“Kur doli kënga
‘Tregimet e gjyshit’, u ndjeva shumë e lumtur dhe pak e emocionuar. Ishte një moment i veçantë për mua, sepse ishte kënga ime e parë që e ndava me publikun. Kjo këngë më kujton tregimet që më kanë thënë gjyshi dhe gjyshja, sidomos për fëmijërinë e tyre dhe se si ka qenë jeta dikur në vendin tonë.”

Ajo shton më tej:
“Vendosa të këndoj shqip sepse dua ta ruaj gjuhën dhe kulturën tonë, edhe pse jam larg atdheut. Muzika është mënyra më e bukur për të treguar se kush jam. Ajo që më pëlqen më shumë nga gjyshërit e mi është dashuria, kujdesi dhe mënyra e veçantë se si më tregojnë histori që nuk i gjej askund tjetër. Unë dua të vazhdoj me muzikën edhe kur të rritem. Ajo më bën të lumtur dhe shpresoj që një ditë të bëhem edhe më e suksesshme.”

– Cilat këngë keni kënduar deri tani?
Deri tani, Ejona ka interpretuar disa këngë solo dhe në duet, të cilat tashmë janë pritur mjaft mirë nga publiku:

·        “Prindërit e mi”

·        “Shqipëri, sa shumë të dua”

·        “Në Kosovë më gëzohet zemra”

·        “Lulja e Dukagjinit”

·        “Dardania ime”

·        dhe së fundi, kënga që po pëlqehet mjaft nga publiku, “Tregimet e gjyshit”.

Të gjitha këngët janë krijuar nga producenti LMN, i cili po i jep mbështetje profesionale këtij talenti të ri që po rritet përkrah komunitetit shqiptar në diasporë.

Babai i saj, Përparim Bytyqi: “Çdo sukses i saj është krenaria jonë”

Shkëpusim edhe disa fjalë nga biseda me babain e saj, Përparim Bytyqi, i cili nuk e fsheh emocionin teksa flet për rrugëtimin artistik të vajzës.

“Unë në Zvicër kam ardhur nga Deçani i Kosovës në vitin 1998. Ejona që në fëmijëri ka treguar prirje të jashtëzakonshme për muzikë. Ajo këndonte me shpirt dhe pasion, si të ishte e lindur për skenën. Edhe dashurinë për vallëzimin e ka trashëguar prej meje, sepse edhe unë kam qenë pjesë e grupit të vallëzimit ‘Rinia Contact’ këtu në Gjenevë. Ndërsa Ejona, prej disa vitesh, është anëtare e ‘Ansamblit Gëzuar’, ku po e rrit talentin e saj me përkushtim.”

Me një buzëqeshje plot krenari, ai shton:
“Çdo sukses i saj është krenaria jonë më e madhe. Çdo dalje e saj në skenë për ne është një lumturi e madhe, sepse shohim që Ejona po i realizon ëndrrat e saj, me hapa të vegjël por të sigurt.”

Sa i përket së ardhmes, për prindërit mbështetja është e palëkundur:
“Dëshira jonë është që Ejona të ketë suksese në shkollë dhe, njëkohësisht, të vazhdojë të ndjekë ëndrrën e saj për muzikën shqipe, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ajo është e re, por ka shumë vullnet.”

Në fund, Përparimi jep një mesazh për të gjithë të rinjtë shqiptarë në diasporë:
“Mos hezitoni të ndiqni talentin dhe ëndrrat tuaja. Me besim në vetvete, punë të palodhshme dhe pasion, asgjë nuk është e pamundur. Dhe mbi të gjitha, mbani gjithmonë gjallë krenarinë për origjinën dhe rrënjët tuaja shqiptare.”

Një talent që premton shumë

Ejona Bytyqi është shembulli i bukur i një gjenerate të re shqiptare në diasporë, që rritet mes dy kulturave, por nuk e harron gjuhën, traditën dhe identitetin. Ajo ecën përpara me zërin e saj të pastër, me ëndrra të mëdha dhe me një mbështetje të fuqishme familjare.

Në mbrëmjen e 28 Nëntorit në Gjenevë, ndriçoi si një yll i vogël – dhe padyshim, është vetëm fillimi i rrugës së saj artistike

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 27.11.2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kadri Tarelli: Hysen Dizdari në libër me vlera të larta atdhetarie Ndue Dedaj: Ermonela Jaho në Gjakovë, si kthimi i “Doruntinës” Valentina Dafa: Refleksion mbi romanin “Lotët e një gruaje” të autores Blerina Pëllumbi Albert Habazaj: Pavarësia na flamurëron zemrat vlorërisht Jahja Drançolli: Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, simbolin më të çmuar të historisë sonë mijëravjeçare Visar Zhiti: Flamuri ynë, zjarr prometean dhe flatër engjëlli Albert Vataj: Lucia Pisapia Apicella, e shtuquajtura “Nëna e të Vdekurve”, e cila u dha prehje në paqen e përjetësisë 700 djemve Albert Zholi: Veprimtari mbresëlënëse në promovimin e dy librave të Meri Mezinit Milazim Zeqiraj: Flamuri që u zgju në Vlorë Mihal Gjergji: “Poetja” Vilhelme Vrana Haxhiraj: “Kush jam unë” Nexhmije Mehmetaj: Gjenevë - Festë madhështore për Ditën e Flamurit Gjekë Gjonaj: Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në Miçigen ,vlerë kombëtare për fëmijët shqiptarë në mërgim Kadri Tarelli: Jaho Margjeka në magjinë e ngjyrave të vargut poetik Ndërron jetë këngëtari i mirënjohur Shpat Kasapi Bashkim Saliasi: Një thesar me vlerë iu shtua bibliotekës time Lekë Mrijaj: Studimi im mbi dokumentin e rrallë të Luigj Gurakuqit dhe letrën e tij të datës 21 qershor 1917 Neki Lulaj: Amina Nuraj - 'Unë bija e Atdheut' Feti Tunuzliu: Pesë monografi dinjitoze të prof. Fazli Hajrizit kushtuar pesë shkollave të mesme të Mitrovicës Vlash Prendi: Kronikë e dhimbjes njerëzore

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx