| E premte, 28.11.2025, 06:58 PM |

Ejona Bytyqi – Zëri i ri shqiptar nga Gjeneva që po pushton skenën e diasporës
Nga Nexhmije Mehmetaj
Festa e 28 Nëntorit, e organizuar para pak ditësh në
Gjenevë, ishte një mbrëmje plot dritë, emocion dhe gjallëri, ku komuniteti
shqiptar u mblodh për të nderuar një nga datat më të rëndësishme të historisë
sonë kombëtare. Atmosfera festive u gjallërua nga veprimtari të shumta
kulturore e artistike, ku muzika, vallet dhe energjia e pjesëmarrësve bashkuan
breza të tërë rreth një trashëgimie të përbashkët shpirtërore. Muzika që
kumbonte në sallë, valltarët që ndiqnin ritmin e këngëve dhe mënyra se si
gëzimi i tyre i lidhte njerëzit mes vete, do të mbeten përherë pjesë e
identitetit tonë kulturor.
Në këtë mbrëmje të pasur artistike, një ndër zërat që dha
një kontribut të veçantë ishte këngëtarja e re dhe e talentuar, Ejona Bytyqi.
Ajo solli në skenë freski, spontanitet dhe emocion, duke e bërë publikun të
përjetojë momente të bukura e të paharrueshme. Gjatë një prej pushimeve mes
këngëve, patëm rastin të bisedonim shkurt me atë, një artiste e re me origjinë
nga Deçani i Kosovës, por e lindur dhe rritur në Gjenevë të Zvicrës. Në këtë
aktivitet ajo ishte e shoqëruar nga prindërit e saj, të cilët e përkrahin në
çdo hap të rrugës së saj artistike.
– Mund të prezantohesh për komunitetin e shqiptarëve në
Zvicër?
“Jam 13 vjeçe dhe kam lindur në Gjenevë, Zvicër. Jeta këtu është shumë e qetë
dhe e bukur. Ka shumë kultura të ndryshme dhe ndihem me fat që jam rritur në
një qytet kaq të hapur.
Unë jam rritur mes dy gjuhëve – shqipes dhe frëngjishtes. Është shumë e bukur
të jetosh me dy gjuhë: shqip flasim në familje, ndërsa frëngjisht me shokët dhe
shoqet në shkollë.
Kur flas shqip, ndjehem më afër familjes dhe prejardhjes time. Është një
ndjenjë e ngrohtë që më kujton rrënjët e mia. Shqipen e kam mësuar nga
prindërit dhe gjyshërit, të cilët gjithmonë kanë dashur që unë të mos e humbas
gjuhën e tyre.”
Ejona me shumë emocion tregon për përjetimin e saj kur
doli kënga e re:
“Kur doli kënga ‘Tregimet e gjyshit’, u ndjeva shumë e lumtur dhe pak e emocionuar. Ishte një moment i veçantë
për mua, sepse ishte kënga ime e parë që e ndava me publikun. Kjo këngë më
kujton tregimet që më kanë thënë gjyshi dhe gjyshja, sidomos për fëmijërinë e
tyre dhe se si ka qenë jeta dikur në vendin tonë.”
Ajo shton më tej:
“Vendosa të këndoj shqip sepse dua ta ruaj gjuhën dhe kulturën tonë, edhe pse
jam larg atdheut. Muzika është mënyra më e bukur për të treguar se kush jam.
Ajo që më pëlqen më shumë nga gjyshërit e mi është dashuria, kujdesi dhe mënyra
e veçantë se si më tregojnë histori që nuk i gjej askund tjetër. Unë dua të
vazhdoj me muzikën edhe kur të rritem. Ajo më bën të lumtur dhe shpresoj që një
ditë të bëhem edhe më e suksesshme.”
– Cilat këngë keni kënduar deri tani?
Deri tani, Ejona ka interpretuar disa këngë solo dhe në duet, të cilat tashmë
janë pritur mjaft mirë nga publiku:
·
“Prindërit e mi”
·
“Shqipëri, sa shumë
të dua”
·
“Në Kosovë më
gëzohet zemra”
·
“Lulja e Dukagjinit”
·
“Dardania ime”
·
dhe së fundi, kënga që po
pëlqehet mjaft nga publiku, “Tregimet e gjyshit”.
Të gjitha këngët janë krijuar nga producenti LMN, i cili po i jep mbështetje profesionale këtij talenti të ri që po rritet
përkrah komunitetit shqiptar në diasporë.
Babai i saj,
Përparim Bytyqi: “Çdo sukses i saj është krenaria jonë”
Shkëpusim edhe disa fjalë nga biseda me babain e
saj, Përparim Bytyqi, i cili nuk e fsheh emocionin teksa flet për
rrugëtimin artistik të vajzës.
“Unë në Zvicër kam ardhur nga Deçani i Kosovës në
vitin 1998. Ejona që në fëmijëri ka treguar prirje të jashtëzakonshme për
muzikë. Ajo këndonte me shpirt dhe pasion, si të ishte e lindur për skenën.
Edhe dashurinë për vallëzimin e ka trashëguar prej meje, sepse edhe unë kam
qenë pjesë e grupit të vallëzimit ‘Rinia Contact’ këtu në Gjenevë.
Ndërsa Ejona, prej disa vitesh, është anëtare e ‘Ansamblit Gëzuar’, ku
po e rrit talentin e saj me përkushtim.”
Me një buzëqeshje plot krenari, ai shton:
“Çdo sukses i saj është krenaria jonë më e madhe. Çdo dalje e saj në skenë për
ne është një lumturi e madhe, sepse shohim që Ejona po i realizon ëndrrat e
saj, me hapa të vegjël por të sigurt.”
Sa i përket së ardhmes, për prindërit mbështetja
është e palëkundur:
“Dëshira jonë është që Ejona të ketë suksese në shkollë dhe, njëkohësisht, të
vazhdojë të ndjekë ëndrrën e saj për muzikën shqipe, kulturën dhe identitetin
tonë kombëtar. Ajo është e re, por ka shumë vullnet.”
Në fund, Përparimi jep një mesazh për të gjithë të
rinjtë shqiptarë në diasporë:
“Mos hezitoni të ndiqni talentin dhe ëndrrat tuaja. Me besim në vetvete, punë
të palodhshme dhe pasion, asgjë nuk është e pamundur. Dhe mbi të gjitha, mbani
gjithmonë gjallë krenarinë për origjinën dhe rrënjët tuaja shqiptare.”
Një talent
që premton shumë
Ejona Bytyqi është shembulli i bukur i një
gjenerate të re shqiptare në diasporë, që rritet mes dy kulturave, por nuk e
harron gjuhën, traditën dhe identitetin. Ajo ecën përpara me zërin e saj të
pastër, me ëndrra të mëdha dhe me një mbështetje të fuqishme familjare.
Në mbrëmjen e 28 Nëntorit në
Gjenevë, ndriçoi si një yll i vogël – dhe padyshim, është vetëm fillimi i
rrugës së saj artistike
Nexhmije
Mehmetaj
Gjenevë,
27.11.2025