E shtune, 08.11.2025, 01:11 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Hose Ortega y Gaset, mbështetës i integrimeve evropiane

E premte, 07.11.2025, 06:58 PM


HOSE ORTEGA Y GASET, MBËSHTETËS I INTEGRIMEVE EVROPIANE

Evropa është vetëm një komb i përbërë nga disa prej tyre – Montesquieu

Evropa është një familje e madhe e kontinentit - Balzac

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Hose Ortega y Gaset (Jose Ortega y Gaset, Madrid, 1883 – Madrid, 1855) ka qenë eseist dhe filozof spanjoll. Jetoi dhe veproi në gjysmën e parë të shekullit XX kur Spanja luhatej midis monarkisë, republikanizmit dhe diktaturës. Pas edukimit jezuit studioi letërsinë. Në vitin 1904 promovon në universitetin e Madridit, i vazhdon studimet në Lajpcig dhe në Berlin. Gjashtë vjet ka qëndruar në Gjermani gjë që ka ndikuar në formimin intelektual të tij. Studion filozofin gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegelin (George Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831), filozofin dhe poetin gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, Rocken, 1844 – Weimar, 1900) dhe filozofin gjerman Vilhelm Diltaj (Wilhelm Dilthey, 1833-1911). Kontakton edhe me neokantistët. Prej vitit 1911, në universitetin e Madridit ligjëron metafizikën. Është individualist i bindur. Pikëpamjet e veta origjinale i mbron në shumë çështje filozofike dhe teorike, por edhe në problemet e përditshmërisë. Pas shpërthimit të luftës civile, emigron. Jeton në Paris, në Holandë dhe në Amerikën Jugore. Disa vjet para vdekjes kthehet në Spanjë. Vdes në Madrid. Është një prej personave më të veçantë të shekullit XX, stilist i jashtëzakonshëm dhe njohës i filozofisë i cili depërtonte me ide të thella dhe në mënyrë sovrane edhe në problemet aktuale të jetës. Në të njëjtën kohë, me një distancë aristokratike dhe me superioritetin e padyshimtë të shpirtit, refuzonte të identifikohet me cilëndo lëvizje shoqërore, duke shprehur shpeshherë edhe përbuzjen e vet ndaj “revoltës së masave”.

Ka qenë një prej udhëheqësve intelektualë kryesorë të letërsisë bashkëkohore spanjolle. Në esenë “Mendime për romanin” (Ideas sobre la novela, 1925) flet për dekadencën morale të romanit.

Në veprën “Revolta e masave” (La rebelión de las masas, 1930) përfaqëson shpirtërisht doktrinën aristokratike të njeriut dhe të shoqërisë që është afër ideve të filozofit dhe poetit gjerman, Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche; 1844-1900) dhe teorisë së elitës të studiuesit italian Vilfredo Pareto* (Paris, 1848 – Céligny, Zvicër, 1923). Analizon dukurinë e pakicës elite e cila “e ka krijuar qytetërimin perëndimor dhe vetëm ajo është e aftë ta udhëheqë masën duke qenë se në shoqërinë moderne është shfaqur stereotipizimi i individit, kështu që ajo nuk ka më shpirt kolektiv”. Në veprat e Ortegës është e pranishme brenga për kulturën perëndimore e cila në rënie. Po ashtu vërehet edhe zjarri aristokratik i përzgjedhjes dhe i urrejtjes së asaj që është popullore. Rimëkëmbi pasqyrën ideologjike të Spanjës dhe ia paraqiti asaj risitë më të rëndësishme të kulturës evropiane.

“Revolta e masave” (Madrid,1930) është libri spanjoll më i përkthyer i shekullit XX. Sapo doli nga shtypi, shkaktoi reagime të mëdha. Autori pohon se masa e ka humbur çdo aftësi për njohje, kështu që mund të pranojë vetëm një “politikë të marrë, të shfrenuar dhe të papërmbajtur, ngase ajo thotë se do të zëvendësojë njohjen, mençurinë dhe të gjitha gjërat që mund të tërheqin vëmendjen e shpirtit njerëzor. Politika e shkarkon njeriun prej vetmisë së tij dhe jetës intime të tij. Pikërisht për këtë arsye, të predikuarit e politicizmit integral është teknikë që përdoret për socializimin e njeriut.

Në anën tjetër, sot dijetari fillon ta konsiderojë virtyt faktin se nuk merret me atë që është jashtë lëmit të ngushtë që e hulumton vetë dhe e quan diletantizëm çdo interesim për dituri të përgjithshme. Prandaj edhe shkenca moderne e pranon në vete njeriun i cili në aspektin intelektual është mesatar dhe e lejon të veprojë me sukses.

Ortega ka qenë pluralist spiritual, kundërshtar i krishterimit dhe i çdo idealizmi, materializmi apo dogmatizmi, përfaqësues i filozofisë tipike të kulturës dhe antiracionalist. Ka qenë një esesit brilant i cili e konsideron detyrë thelbësore të botës sonë të shqyer dhe të çnjerëzuar, përplot brengash, trazirash dhe pasigurish, që mendjen t’ia nënshtrojë spontanes. Traditën, sipas të cilës jeta duhet t’i shërbej kulturës, Ortega e quan absurde për arsye se epoka e re është caktuar pikërisht për ta ndryshuar atë raport dhe për të treguar se kultura, etika, arti dhe mendja duhet t’i shërbejnë jetës. Si shprehje e ankthit të caktuar të epokës paraqitet teza se ideja për ne është e vërtetë po qe se i përgjigjet idesë që e posedojmë për realitetin. Por idetë tona për realitetin janë vetëm realitet yni. Prandaj rëndësi të veçantë ka fakti se po qe se duam të dalim nga ankthi i epokës, jetën intelektuale e cila duket qartë se nuk është jetë e mirëfilltë, ta ndajmë qartas nga jeta reale, nga ajo që vërtet jemi. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se mund të qëndrojnë në realitet dhe të heqim dorë nga çdo utopi. Në fund të fundit, çdo gjë që ndërmerr njeriu është utopike dhe nuk ka kurrfarë kuptimi të kërkohet ndonjë realizim i plotë, sikundër që s’ka kuptim të udhëtojmë neveri për të mbërrijmë në ndonjë veri të skajshëm që nuk ekziston fare.

Ortegën e kanë quajtur edhe “filozof të pesimizmit”. Mbase për shkak të papërcaktueshmërisë, të qenët jokonsekuent, herë-herë edhe mendimeve regresive të tij, idetë e tij kanë tentuar t’i keqpërdorin forcat shoqërisht reaksionare. Por mendimi lucid (i qartë) i këtij individualisti subtil nuk ka mundur t’u përkasë forcave reaksionare, as për nga habitusi i vet njerëzor, as për nga horizonti intelektual.

Shënim: Vilfredo Federico Damaso Pareto - polimat italian; u mor me sociologji, inxhinieri civile, ekonominë, shkencat politike.

*   *   *

Në fillim të viteve ’30 të shekullit XX Ortega ka qenë mbështetës i hapur i integrimeve evropiane. Para tij, shkrimtari dhe filozofi francez, i pari teoricien modern i shtetit Montesquieu (Charles-Louis de Secondat; oborri Brède, Bordo/Bordeaux, 1689 – Paris, 1755) ka thënë se “Evropa është vetëm një komb i përbërë nga disa prej tyre”, kurse romancieri francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac; Tours, 1799 – Paris, 1850) për Evropën thoshte se është “një familje e madhe e kontinentit”.

Karakterin unitar të pluralitetit të madh evropian Ortega e quan homogjenitet të frytshëm dhe të dëshiruar. Këtë ide mund ta rrënojë vetëm njeriu-masë. Ky është njeriu i cili beson se ka të drejta, por jo edhe detyrime. Ai është snob i cili ka disponim armiqësor ndaj liberalizmit që kuptohet gabimisht.

Sipas Ortegës:

- Thelbi i qytetërimit evropian përbëhet prej lirisë dhe pluralizmit. Liberalizmin në Evropë nuk e kuptojnë përfaqësuesit e kolektivizmit.

- Të jesh ithtar i rrymës së majtë, si dhe të jesh ithtar i rrymës së djathtë, është një prej mënyrave të panumërta që mund t’i zgjedhë njeriu për t’u bërë imbecil: të dyja janë në fakt, një formë e hemiplegjisë* morale.

Shënim: Hemoplegji – Ngritja e temperaturës së trupit. Dhimbje gjoksi dhe koke. Sëmundje në sistemin respirator (të frymëmarrjes).

- Misioni i intelektualit në njëfarë mënyre është në kundërshti me misionin e politikanit për arsye se te lufta politike kemi të bëjmë me shtrembërimin e të tashmes. Masa e rebeluar e ka humbur çdo aftësi të besimit dhe të njohjes. Ajo mund të mbajë brenda vetes vetëm politikën, të tepruar dhe frenetike (të tërbuar) dhe krejt këtë e bën për ta zëvendësuar diturinë dhe besimin.

- Politika ia merr njeriut vetminë dhe intimitetin. Politika rend për ta shuar dritën në mënyrë që të gjitha macet të jenë të njëjta.

- Politika e prodhon njeriun e masës, individin hermetik i cili nuk është i hapur për të vërtetën në një instancë më të lartë. Për këtë arsye Ortega thotë se mendimi evropian të gjitha këto tema duhet t’i bëjë më të qarta. Demagogët janë rrënues të qytetërimit. Demagogjia është formë e degradimit intelektual e cila si një dukuri e gjerë e historisë evropiane, paraqitet në Francë rreth vitit 1750.

- Që atëherë Franca dhe gati krejt Evropa besojnë se të gjitha problemet njerëzore mund të zgjidhen me revolucion i cili me një të rënë i transformon të gjitha ligjet.

Në fillim të librit të tij, Ortega thotë se jetën publike në Evropën e viteve ’30 të shekullit XX e karakterizon ardhja e masës në pushtet.

- Për këtë arsye Evropa e pëson krizën më të rrezikshme të mishëruar në revoltën e masave. Jeta publike nuk është vetëm politike, por edhe intelektuale, ekonomike dhe fetare. Shoqëria është një tërësi dinamike e elitës dhe e masës. Kjo nuk është ndarje në klasa, por në lloje njerëzish.

Ortega thotë se sot e kemi fitoren e hiperdemokracisë në të cilën masa i imponon pretendimet dhe shijet e veta. Masa beson se ka të drejtë t’i ndryshojë ligjet. Për këtë arsye, gjendjen e tillë ai e quan hiperdemokraci. Aty fshihet rreziku ngase “njeriu mesatar”, përkatësisht njeriu i masës nuk duron diçka ndryshe. Ai do që të gjithë të jenë si ai. Koha para Luftës së Dytë Botërore karakterizohet me sundimin brutal të masës.

Për Ortegën, shoqëria njerëzore për nga esenca është aristokratike, kurse me humbjen e aristokracisë ajo (shoqëria) pushon të ekzistojë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx