| E premte, 07.11.2025, 06:58 PM |
HOSE ORTEGA Y GASET, MBËSHTETËS I INTEGRIMEVE EVROPIANE
Evropa
është vetëm një komb i përbërë nga disa prej tyre – Montesquieu
Evropa
është një familje e madhe e kontinentit - Balzac
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Hose Ortega y Gaset (Jose
Ortega y Gaset, Madrid, 1883 – Madrid, 1855) ka qenë eseist dhe filozof
spanjoll. Jetoi
dhe veproi në gjysmën e parë të shekullit XX kur Spanja luhatej midis
monarkisë, republikanizmit dhe diktaturës. Pas edukimit
jezuit studioi letërsinë. Në vitin 1904 promovon në universitetin e Madridit, i
vazhdon studimet në Lajpcig dhe në Berlin. Gjashtë vjet ka qëndruar në Gjermani
gjë që ka ndikuar në formimin intelektual të tij. Studion filozofin gjerman Georg Vilhelm Fridrih Hegelin (George Wilhelm Friedrich
Hegel, 1770-1831), filozofin dhe poetin gjerman Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, Rocken, 1844 – Weimar, 1900) dhe
filozofin gjerman Vilhelm Diltaj (Wilhelm
Dilthey, 1833-1911). Kontakton edhe me neokantistët.
Prej vitit 1911, në universitetin e Madridit ligjëron metafizikën. Është individualist i bindur. Pikëpamjet e veta origjinale i mbron në shumë
çështje filozofike dhe teorike, por edhe në problemet e përditshmërisë. Pas
shpërthimit të luftës civile, emigron. Jeton në Paris, në Holandë dhe në
Amerikën Jugore. Disa vjet para vdekjes kthehet në Spanjë. Vdes në Madrid.
Është një prej personave më të veçantë të shekullit XX, stilist i
jashtëzakonshëm dhe njohës i filozofisë i cili depërtonte me ide të thella dhe
në mënyrë sovrane edhe në problemet aktuale të jetës. Në të njëjtën kohë, me
një distancë aristokratike dhe me superioritetin e padyshimtë të shpirtit, refuzonte të identifikohet me cilëndo
lëvizje shoqërore, duke shprehur shpeshherë edhe përbuzjen e vet ndaj “revoltës së masave”.
Ka qenë një prej udhëheqësve
intelektualë kryesorë të letërsisë bashkëkohore spanjolle. Në esenë “Mendime për romanin” (Ideas sobre la
novela, 1925) flet për dekadencën
morale të romanit.
Në veprën “Revolta
e masave” (La rebelión de las
masas, 1930) përfaqëson
shpirtërisht doktrinën aristokratike të
njeriut dhe të shoqërisë që është afër ideve të filozofit dhe poetit
gjerman, Fridrih Niçes (Friedrich
Nietzsche; 1844-1900) dhe teorisë së elitës të studiuesit italian Vilfredo Pareto* (Paris, 1848 – Céligny, Zvicër, 1923). Analizon dukurinë e
pakicës elite e cila “e ka krijuar
qytetërimin perëndimor dhe vetëm ajo është e aftë ta udhëheqë masën duke qenë
se në shoqërinë moderne është shfaqur stereotipizimi i individit, kështu që ajo
nuk ka më shpirt kolektiv”. Në veprat e Ortegës është e pranishme brenga
për kulturën perëndimore e cila në rënie.
Po ashtu vërehet edhe zjarri aristokratik i përzgjedhjes dhe i urrejtjes së
asaj që është popullore. Rimëkëmbi pasqyrën ideologjike të Spanjës dhe ia
paraqiti asaj risitë më të rëndësishme të kulturës evropiane.
“Revolta e masave” (Madrid,1930)
është libri spanjoll më i përkthyer i shekullit XX. Sapo doli nga shtypi,
shkaktoi reagime të mëdha. Autori pohon se masa e ka humbur çdo aftësi për
njohje, kështu që mund të pranojë vetëm një “politikë
të marrë, të shfrenuar dhe të papërmbajtur, ngase ajo thotë se do të
zëvendësojë njohjen, mençurinë dhe të gjitha gjërat që mund të tërheqin
vëmendjen e shpirtit njerëzor. Politika e shkarkon njeriun prej vetmisë së tij
dhe jetës intime të tij. Pikërisht për këtë arsye, të predikuarit e
politicizmit integral është teknikë që përdoret për socializimin e njeriut.
Në anën tjetër, sot dijetari
fillon ta konsiderojë virtyt faktin se nuk merret me atë që është jashtë lëmit
të ngushtë që e hulumton vetë dhe e quan diletantizëm
çdo interesim për dituri të përgjithshme. Prandaj edhe shkenca moderne e pranon
në vete njeriun i cili në aspektin intelektual është mesatar dhe e lejon të
veprojë me sukses.
Ortega ka qenë pluralist
spiritual, kundërshtar i krishterimit dhe i çdo idealizmi, materializmi apo
dogmatizmi, përfaqësues i filozofisë tipike të kulturës dhe antiracionalist. Ka
qenë një esesit brilant i cili e konsideron detyrë thelbësore të botës sonë të
shqyer dhe të çnjerëzuar, përplot brengash, trazirash dhe pasigurish, që
mendjen t’ia nënshtrojë spontanes. Traditën, sipas të cilës jeta duhet t’i
shërbej kulturës, Ortega e quan absurde për arsye se epoka e re është caktuar
pikërisht për ta ndryshuar atë raport dhe për të treguar se kultura, etika,
arti dhe mendja duhet t’i shërbejnë jetës. Si shprehje e ankthit të caktuar të
epokës paraqitet teza se ideja për ne është e vërtetë po qe se i përgjigjet
idesë që e posedojmë për realitetin. Por idetë tona për realitetin janë vetëm
realitet yni. Prandaj rëndësi të veçantë ka fakti se po qe se duam të dalim nga
ankthi i epokës, jetën intelektuale e cila duket qartë se nuk është jetë e
mirëfilltë, ta ndajmë qartas nga jeta reale, nga ajo që vërtet jemi. Mirëpo,
kjo nuk do të thotë se mund të qëndrojnë në realitet dhe të heqim dorë nga çdo
utopi. Në fund të fundit, çdo gjë që ndërmerr njeriu është utopike dhe nuk ka
kurrfarë kuptimi të kërkohet ndonjë realizim i plotë, sikundër që s’ka kuptim
të udhëtojmë neveri për të mbërrijmë në ndonjë veri të skajshëm që nuk ekziston
fare.
Ortegën e kanë quajtur edhe “filozof të pesimizmit”. Mbase për shkak
të papërcaktueshmërisë, të qenët jokonsekuent, herë-herë edhe mendimeve
regresive të tij, idetë e tij kanë tentuar t’i keqpërdorin forcat shoqërisht
reaksionare. Por mendimi lucid (i qartë)
i këtij individualisti subtil nuk ka mundur t’u përkasë forcave reaksionare, as
për nga habitusi i vet njerëzor, as për nga horizonti intelektual.
Shënim: Vilfredo Federico Damaso Pareto -
polimat italian; u mor me sociologji, inxhinieri civile, ekonominë, shkencat
politike.
* * *
Në fillim të viteve ’30 të
shekullit XX Ortega ka qenë mbështetës i hapur i integrimeve evropiane. Para
tij, shkrimtari dhe filozofi francez, i pari teoricien modern i shtetit Montesquieu (Charles-Louis de Secondat;
oborri Brède, Bordo/Bordeaux, 1689 – Paris, 1755) ka thënë se “Evropa është vetëm një komb i përbërë nga
disa prej tyre”, kurse romancieri francez Honore dë Balzak (Honoré de Balzac; Tours, 1799 – Paris, 1850) për
Evropën thoshte se është “një familje e
madhe e kontinentit”.
Karakterin unitar të
pluralitetit të madh evropian Ortega e quan homogjenitet të frytshëm dhe të
dëshiruar. Këtë ide mund ta rrënojë vetëm njeriu-masë.
Ky është njeriu i cili beson se ka të drejta, por jo edhe detyrime. Ai është snob i cili ka disponim armiqësor ndaj
liberalizmit që kuptohet gabimisht.
Sipas Ortegës:
- Thelbi i qytetërimit
evropian përbëhet prej lirisë dhe
pluralizmit. Liberalizmin në Evropë nuk e kuptojnë përfaqësuesit e
kolektivizmit.
- Të jesh ithtar i rrymës së
majtë, si dhe të jesh ithtar i rrymës së djathtë, është një prej mënyrave të
panumërta që mund t’i zgjedhë njeriu për t’u bërë imbecil: të dyja janë në
fakt, një formë e hemiplegjisë* morale.
Shënim: Hemoplegji
– Ngritja e temperaturës së trupit. Dhimbje gjoksi dhe koke. Sëmundje
në sistemin respirator (të frymëmarrjes).
- Misioni i intelektualit në
njëfarë mënyre është në kundërshti me misionin e politikanit për arsye se te lufta politike kemi të bëjmë me shtrembërimin
e të tashmes. Masa e rebeluar e ka humbur çdo aftësi të besimit dhe të
njohjes. Ajo mund të mbajë brenda vetes vetëm politikën, të tepruar dhe
frenetike (të tërbuar) dhe krejt këtë e bën për ta zëvendësuar diturinë dhe
besimin.
- Politika ia merr njeriut
vetminë dhe intimitetin. Politika rend për ta shuar dritën në mënyrë që të
gjitha macet të jenë të njëjta.
- Politika e prodhon njeriun
e masës, individin hermetik i cili nuk është i hapur për të vërtetën në një
instancë më të lartë. Për këtë arsye Ortega thotë se mendimi evropian të gjitha
këto tema duhet t’i bëjë më të qarta. Demagogët janë rrënues të qytetërimit. Demagogjia
është formë e degradimit intelektual e cila si një dukuri e gjerë e historisë
evropiane, paraqitet në Francë rreth vitit 1750.
- Që atëherë Franca dhe gati
krejt Evropa besojnë se të gjitha problemet njerëzore mund të zgjidhen me
revolucion i cili me një të rënë i transformon të gjitha ligjet.
Në fillim të librit të tij,
Ortega thotë se jetën publike në Evropën e viteve ’30 të shekullit XX e
karakterizon ardhja e masës në pushtet.
- Për këtë arsye Evropa e
pëson krizën më të rrezikshme të mishëruar në revoltën e masave. Jeta publike
nuk është vetëm politike, por edhe intelektuale, ekonomike dhe fetare. Shoqëria
është një tërësi dinamike e elitës dhe e masës. Kjo nuk është ndarje në klasa,
por në lloje njerëzish.
Ortega thotë se sot e kemi
fitoren e hiperdemokracisë në të
cilën masa i imponon pretendimet dhe shijet e veta. Masa beson se ka të drejtë
t’i ndryshojë ligjet. Për këtë arsye, gjendjen e tillë ai e quan hiperdemokraci. Aty fshihet rreziku ngase
“njeriu mesatar”, përkatësisht njeriu i masës nuk duron diçka ndryshe. Ai do që të gjithë të jenë si ai. Koha
para Luftës së Dytë Botërore karakterizohet me sundimin brutal të masës.
Për Ortegën, shoqëria
njerëzore për nga esenca është aristokratike, kurse me humbjen e aristokracisë
ajo (shoqëria) pushon të ekzistojë.